Policia serbe ruan afreskun e kriminelit Ratko Mlladiç nga veprimtarët
Murali i kriminelit Ratko Mlladiç dhe ruajtja e tij nga policia e shtetit, tregon fytyrën e vërtetë të politikës së shtetit të Serbisë dhe çfarë vlerash spikaten e mbrohen atje
Adil Fetahu
10/11/2021 - 20:05
Që nga muaji korrik i këtij viti, në qendër të Beogradit është vënë murali me figurën e kriminelit të luftës Ratko Mlladiç, të cilin Tribunali i Hagës e ka gjykuar plotëfuqishëm për krime të luftës dhe gjenocid kundër civilëve Boshnjakë në Srebrenicë dhe e ka dënuar me burgim të përjetshëm.
Por për shumicën e popullit serb dhe të regjimit aktual në Serbi, Ratko Mlladiçi konsiderohet hero kombëtar! Tashpërtash, sa është akoma gjallë, nuk i kanë ngritur ndonjë bust, përmendore apo mauzole, por janë mjaftuar me një mural të madh me figurën e Mlladiçit, mu në qendër të Beogradit dhe e ruan policia, kryesisht në rroba civile, sepse aktivistë të Inisiativës së të Rinjëve për të Drejtat e Njeriut, si dhe të ndonjë organizate tjetër, kanë paralajmëruar se do ta gëlqerosin muralin për ta fshehur figurën e Mlladiçit.
Policia që e ruan muralin e Mlladiçit i ndalon kalimtarët, i identifikon ata dhe ua fotografon lejet e njoftimit (që është një veprim i çuditshëm). Nëse ndokush tenton në çfarëdo mënyre të prekë a prishë muralin, arrestohet. Ministri i policisë, A.Vullin, ka dhënë urdhër ndalimi të çfarëdo tubimi në afërsi të muralit. Urdhërin e ka “arsyetuar” me ruajtjen e rendit publik, por arsyeja e vërtetë është ruajtja e figurës së Mlladçit e vendosur në mural.
Dje (9 nëntor k.v.), dy aktiviste për të drejtat e njeriut, Aida Qoroviq dhe Jellena Jaçimoviq, i arrestoi policia për shkak se gjuajtën me vezë në muralin e Mlladiçit. Ato thonë se policët ishin në rroba civile, nuk deshën të identifikohen si persona zyrtarë dhe ishin mjaft brutalë në përdorimin e forcës gjatë arrestimit.
Në shenjë poteste kundër arrestimit të dy aktivisteve në fjalë, është paralajmëruar se sot në ora 19:30 do të mbahet tubim protestues para muralit të Mlladiçit. Me qenë se ekziston urdhëri për ndalimin e çfarëdo tubimit në afërsi të muralit, sot forca të mëdha të policisë janë vendosur në afërsi të atij murali dhe po identifikon kalimtarët. Se a do të mbahet protesta e paralajmëruar dhe si do të zhvillohet ajo, mbetet të shihet.
Murali i kriminelit Ratko Mlladiç dhe ruajtja e tij nga policia e shtetit, tregon fytyrën e vërtetë të politikës së shtetit të Serbisë dhe çfarë vlerash spikaten e mbrohen atje.
Reagimet
Këshilli i Evropës u bëri thirrje autoriteteve serbe të heqin muralin kushtuar Ratko Mladiçit
Piero Fassino dhe Ian Liddell-Grainger, raportues për Serbinë në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, u bënë thirrje autoriteteve serbe që të ndërmarrin veprime të qarta kundër “madhërimit të kriminelëve të dënuar të luftës dhe të largojnë, pa vonesë, një mural në Beograd kushtuar Ratko Mladiçit, i dënuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit”.
Në një komunikatë të përbashkët, ata u shprehën “të tronditur nga dështimi i autoriteteve - pavarësisht një vendimi të policisë komunale - për të hequr atë mural të vendosur në mënyrë të paligjshme dhe që Nisma e Rinjve për të Drejtat e Njeriut (YIHR), fituese e çmimit Václav Havel, u pengua të zhvillojë një demonstratë kundër muralit me 9 nëntor 2021, ndërsa ministria e Brendshme iu referua ‘shkaqeve të sigurisë’”.
Me 9 nëntor, policia në Beograd arrestoi dy gra që hodhën vezë mbi një mural kushtuar të dënuarit për krime lufte dhe gjenocid, Ratko Mladiç, ndërsa më herët kishte ndaluar përpjekjet e grupeve për të drejtat e njeriut që të heqin muralin.
“Këto ngjarje na kujtojnë nevojën për të luftuar pa mëdyshje kundër glorifikimit të kriminelëve të dënuar të luftës. Akte të tilla dëmtojnë bashkëpunimin rajonal dhe pengojnë procesin e integrimit evropian të cilin e synon Serbia. Një shoqëri demokratike nuk mund të jetojë duke mohuar krimet e luftës dhe në një kulturë të urrejtjes dhe mosndëshkimit”, thuhet në komunikatën e raportuesve duke u bërë thirrje autoriteteve serbe të heqin pa vonesë muralet që lavdërojnë kriminelët e luftës.
Përplasjet dhe debatet rreth muralit, nxitën reagime të zyrtarëve amerikanë dhe evropianë.
Në qershor të këtij viti, Gjykatësit e Kombeve të Bashkuara vendosën të lënë në fuqi dënimin me burgim të përjetshëm për ish-komandantin ushtarak të serbëve të Bosnjës, Ratko Mladiç, për gjenocid, krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Voa
Cilësia e lartë gazetareske kërkon përkushtim dhe dashuri. Ju lutem ndajeni këtë artikull me të tjerë duke përdorur vjegzën/linkun përkatëse
- 63 reads



