...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Skandal i turpshëm serbo-kinez me 500 punëtorët vietnamezë

Para pesë muajve kishin ardhur në rrugë ilegale 500 punëtorë vietnamezë, për të punuar në kompaninë kineze Longling, në Zrenjanin.

Adil Fetahu

21/11/2021 - 19:26

Në shtetin e Serbisë skandalet nuk kanë të sosur; sa heshtet për njërin, shpërthen tjetri edhe më i madh. Këto ditë mediat private, por edhe institucionet shtetërore nuk kanë mundur ta fshehin një skandal me 500 punëtorë vietnamezë, të cilët punojnë në një kompani kineze (Longling), e cila zhvillon punimet në ndërtimin e një kompleksi të madh të fabrikave për prodhimin e gomave dhe penumatikës për industri të rëndë, në qytetin e Zrenjaninit (Vojvodinë).

Zyrtarët e lartë shtetërorë, duke filluar prej Vuçiçit, Bërnabiçkës e të tjerë poshtë tyre, lavdërohen se ky është investimi i huaj më i madh që po zhvillon kompania kineze në Serbi. Për shkak të mungesës së fuqisë punëtore, thonë se gjatë dhjetë muajve të këtij viti, Serbia ka dhënë 18,950 leje pune për punëtorët e jashtëm, prej të cilëve më së shumti janë kinezë (7637), pastaj me radhë vijnë rusët, bjellorusët, ukrainasit etj. Punëtorët kinezë kryesisht janë me kualifikimet e duhura për punët që kryejnë në ndërtimin e hekurudhave, rrugëve, infrastrukturës, moleve të lumenjëve, dhe prej tyre nuk ka punëtorë fizikë. Punëtorët fizikë në kompanitë kineze janë të tjerët. Po si trajtohen punëtorët në kompanitë kineze?

Para pesë muajve kishin ardhur në rrugë ilegale 500 punëtorë vietnamezë, për të punuar në kompaninë kineze Longling, në Zrenjanin. Ata kanë pohuar se për të marrë një vizë pune është dashur të paguajnë 2000 deri në 4000 dollarë një agjensie kineze, e cila u ka premtuar paga dhe kushte solide të punës dhe banimit. Por sapo kanë arritur në Zrenjanin, janë vendosur në disa baraka të vjetra, në kushte të vështira banimi, duke u detyruar të flejnë nga 15-20 veta në një dhomë; dhomat pa ngrohje, pa banjo. Pranë barakave janë të vendosura bocat e gazit dhe fuqitë me naftë si dhe goma të llojeve të ndryshme. Nuk ka sistem kanalizimi dhe era që kundërmon është e padurueshme.

Veç kësaj, rreziku nga shpërthimi i ndonjë zjarri me pasoja katrasfrofale është i përhershëm pasi në kamp janë bocat me gaz dhe fuçitë me naftë. Punëtorët janë si në kamp përqëndrimi, të rrethuar me tel dhe të ruajtur nga sigurimi, që nuk kanë të drejtë të dalin prej andej as të kontaktojnë me njerëz jashtë kampit. Nuk kanë garderobë, përveç nga një kombinezon pune; ushqimi është i dobët dhe i pamjfatueshëm. Ka të sëmurë, të helmuar dhe të lënduar në punë, për të cilët askush nuk kujdeset. Janë të detyruar të punojnë 26 ditë në muaj, nga 9 orë në ditë. Një pjesë e vogël e tyre e kanë marrë nga një rrogë, të  tjerët nuk kanë marrë asnjë!

Për t’i dalluar prej punëtorëve të tjerë edhe helmetat që bartin mbi kokë i kanë me ngjyrë tjetër (shenja dalluese si për hebrejtë në kohën e nacizmit, a.f.). Pasaportat u janë marrë dhe nuk iu jepen, që të mos mund të ikin. Pijnë ujë nga ujësjellësi, përdorimi i të cilit është ndaluar para 17 vjetëve. Jetojnë e punojnë jo si punëtorë të rendomtë, por si robër. Kampi më shumë i ngjanë një kampi përqëndrimi të robërve se sa një vendbanimi të punëtorëve.

Një prej atyre punëtorëve që ka arritur të kontaktojë me jashtë dhe ka treguar për kushtet e padurueshme, është përjashtuar prej pune dhe ai tash është nën përkujdesjen e organizatave joqeveritare në Beograd dhe pret t’i mundësohet kthimi në atdheun e vet, se nuk ka para as për rrugë!

Kjo gjendje ka nxitur dy oganizata joqeveritare të Beogradit dhe disa media që ta vizitojnë kampin, por nuk janë lejuar as ta vizitojnë kampin, as të kontaktojnë me punëtorët. Organizatat që kanë tentuar ta vizitojnë kampin, kanë alarmuar opinionin përmes mediave, por edhe policinë e prokurorinë, dhe kanë bërë fletëparaqitje për vepër penale – për trafikim të njerëzve dhe tregti me qenie njerëzore.

Më 17 nëntor të këtij viti të gjithë punëtorët vietnamezë të asaj kompanie e kanë ndërprerë punën, në shenjë proteste kundër trajtimit të tyre çnjerëzir dhe kushteve të padurueshme të banimit. Të nesërmen policia i ka transferuar një grup prej tyre dhe i ka mbyllur në një hotel në Kashtell-Eçka, të cilët i ruan sigurimi dhe nuk i lejon të kontaktojnë me median. Thuhet se udhëheqja e kompanisë po i detyron punëtorët të nënshkruajnë deklarata kinse se janë të kënaqur me kushtet dhe trajtimin!

Por ata këmbngulin t’iu kthehen pasaportat dhe t’iu mundësohet të kthehen  në vendet prej nga kanë ardhur, pasi ishin të mashtruar se do të gjejnë punë dhe kushte normale, duke besuar se këtu është Evropë, e jo Azi. Por kompania kineze ka investuar dhe ka ardhur në Serbi (jo në EU), dhe me përkrahjen e tolerancën nga organet e shtetit të Serbisë, në çdo mënyrë, “me ligj e pa ligj”, kërkon të nxjerrë fitime në kurriz të shkeljes flagrante të të drejtave të punëtorëve: sepse ligji dhe morali në Serbi janë vetëm në letër, dhe jo në praktikë.

Se si do të përfundojë odisejada e tyre nuk dihet. Thonë se për rastin janë informuar dhe interesuar edhe ombusmani dhe inspektorati i punës, por edhe Sindikata e Serbisë. Ndërsa dy institucionet e para konsiderojnë se me këtë aferë po manipulojnë mediat dhe opozita, kryetari i Sindikatës ka mendim tjetër dhe ka premtuar se për këtë rast do ta informojë Konfederatën Evropiane të Punës, duke shtuar se sipas ligjeve në fuqi, edhe punëtorët e huaj në Serbi gëzojnë të gjitha të drejtat dhe mbrojtjen si punëtorët vendas.

Të pyetur për këtë skandal, kryetari Vuçiç, dhe kryetarja e Qeverisë – Bërnabiq, kanë thënë se  me këtë fushatë dikush po dëshiron të frikësojë investitorët e huaj që të mos investojnë në Serbi! Për pushtetin e Serbisë është më e rëndësishme mbrojtja e muralit të kriminelëve Ratko Mladiç e Drazha Mihajlloviç se sa mbrojtja e të drejtave elementare të punëtorëve vietnamezë të cilët punojnë atje. Por edhe punëtorët vendas, pak janë në gjendje dhe me mbrojtje më të mirë se punëtorët vietnamezë të Linglongut. Në “Ballkanin e hapur”, punëtorët që do të vijnë të punojnë në Serbi, i pret fati i punëtorëve vietnamezë!   

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA