...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Reagimi i turpshëm i Majkos dhe ministrisë sonë të jashtme ndaj pretendimeve të Lavrovit

Majkua i përgjigjet pretendimit të ministrit të jashtëm rus, me një reportazh të një gazetareje dhe shton në fund citatin e Makiavelit duke nënkuptuar se Lavrovi është budalla ndërsa ai i mençur

Ylli Përmeti

19/02/2022 - 10:05

Në një bisedë të posaçme me televizionin shtetëror “RT” ministri i jashtëm rus tha mes të tjerash se ka raporte se po dërgohen mercenarë nga Kosova, Shqipëria dhe Bosnja dhe Herzegovina në Donbas të Ukrainës. “Ka të dhëna se po rekrutohen mercenarë në Kosovë, Shqipëri dhe Bosnje dhe Herzegovinë për të nxjerrë Rusinë nga balaca dhe t`i dërgojnë ata në vende si Donbasi. Ne po e verifikojmë dyfish këtë”, tha ai.

Ai tha gjithashtu se mercenarët po rekrutohen në Ballkanin Perëndimor për të marrë pjesë në konflikte që janë ushqyer nga vende duke përfshirë dhe SHBA-në dhe shtoi se rajoni nuk është begatuar që nga koha e ndërhyrjes së Nato-s në krizën e Jugosllavisë në fund të shekullit të 20. Sipas tij, “të thuash se Nato-ja sulmoi Jugosllavinë për qëllime fisnike është e padrejtë dhe e pamoralshme” dhe se arsyeja ishte fabrikuar, duke sqaruar se:

Ne e dimë se cila arsye shërbeu për bombardimin. Qytetari amerikan W. Volker drejtoi misionin e OSBE-së në Kosovë. Ishte një periudhë lufte. Diku, ai mblodhi gazetarët dhe deklaroi për kamerat e televizionit se 30 trupa të civilëve, të torturuar nga serbët, u gjetën në fshatin Raçak. [Deklarata e tij] shërbeu si shkrepëse e bombardimit” dhe se një hetim i mëvonshëm gjeti se trupat e tyre u përkisnin ushtarëve [shqiptarë] që ishin vrarë në luftë dhe jo qytetarëve.

Ndaj qendrimit të tij të parë―lidhur me mercenarët― pati një reagim “rrufe” nga Pandeli Majkua, ish-kryeministri dhe ministri mbrojtjes― i cili iu përgjigj Lavrovit me një “kronikë” të një gazetareje të televizionit indian “WION” ku tregohet “harta e përkatësisë nacionale të vullnetarëve që kanë shkuar për të ndihmuar Ukrainën”, citon Majkua, duke shtuar në fund një thënie të Makiavelit, filozofit italian të mesjetës, se “njeriu i mençur e bën menjëherë atë çfarë budallai e bën në fund”.

Kjo është një këshillë e Makiavelit ndaj prinicit të Italisë së kohës të qytet-shteteve kuptimi i cilës lidhet me faktin se njeriu i mençur bën ç`është e nevojshme për ta ndrequr problemin ndërsa njeriu budalla do të humbasë kohë duke menduar dhe mbledhur njerëz.

Majkua, në fjalë të tjera, i përgjigjet pretendimit të ministrit të jashtëm rus, me një reportazh të një gazetareje dhe shton në fund citatin e Makiavelit duke nënkuptuar se Lavrovi është budalla ndërsa ai i mençur! Në fakt Lavrovi e bën të qartë me shprehjen e tij se “ka të dhëna” dhe se ato “po verifikohen” dy herë―çka nënkupton se pretendimi i tij nuk duhet të marrë si përfundimtar.  

Si të mos mjaftonte reagimi idiot i Majkos―ky shquhet për deklarata idiote, ca si pasojë e karakterit të tij emocional dhe pështjellues dhe ca si pasojë e përfshirjes së tij në politikat amerikane në Shqipëri me muxhahedinët etj.― reagoi dhe ministria jonë e punëve të jashtme duke “hedhur poshtë” pretendimet e Lavrovit:

MEPJ hedh poshtë kategorikisht pretendimet e publikuara sot në agjencinë e lajmeve ruse TAS dhe dyshimet e ngritura nga Ministri i Jashtëm Rus, Sergei Lavrov, për praninë e “mercenarëve shqiptarë” në Ukrainë. Në shenjë proteste është thërritur Ambasadori i Federatës Ruse të cilit i është kërkuar përgënjeshtrimi i lajmit”, thuhet në deklaratën e ministrisë.

Në fakt dyshoj se ministrit të jashtëm rus mund t`i kenë kumtuar përfshirjen e një “ushtari” shqiptar në ushtrinë e Ukrainës, të cilin e kanë raportuar gazetarët e “Top-it”, dhe prej këtyre mund të kenë dërguar të dhëna në Moskë përfaqësuesit e Rusisë në vendin tonë. Por s`është e sigurtë për sa kohë që Lavrovi thotë se “do t`i verifikojë të dhënat dy herë”.

Bazuar në këtë argument, ministria jonë e punëve të jashtme mund të hetonte vetë dhe mes shumë veprimesh të tjera të kërkonte nga Rusia dhe përfaqësia e saj në vendin tonë, të dhënat që ata kanë dhe t`i verifikonte dhe pastaj të mbante qendrim dhe të sqaronte popullin meqënse ligji e ndalon përfshirjen e shqiptarëve në luftra si mercenarë.

Por ajo është aq e sigurtë sa mbajti qendrim pa hetim!

Lidhur me pretendimin tjetër të Lavrovit―se si filloi bombardimi në Serbi― ndaj të cilit nuk reagoi establishmenti ynë i turpit, hamendësisht sepse e “djeg miza” vetëm për mercenarët, do të shkruaj herë tjetër, sepse s`është ashtu siç pretendon ai.      

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA