Perëndimi “harron” të drejtën ndërkombëtare për krimet në Buka të Ukrainës ndërsa furnizon Kievin me armë ofensive
Xhosef Boreli tha se blloku do të mbante përgjegjëse Rusinë dhe qeverinë e saj për “krime lufte” në Ukrainë dhe se do të punonte për sanksione të reja kundër Moskës
SHJ
04/04/2022 - 17:43
Në datën 3 mars u njoftua nga media ndërkombëtare se ishte shkaktuar një masakër në Buka të Ukrainës, një qytet në veri-perëndim të Kievit, i cili, raportoi “Financial Times”, “ishte nën kontrollin rus deri javën e fundit”. Si fillim u raportuan 20 trupa duke dyshuar dhe për 300 të tjerë. Lajmi u njoftua nga komandati i ushtrisë ukrainase, Ihor Litvinyuk, përgjegjës për zonën.
Si pasojë, autoritetet ukrainase akuzuan Rusinë për krime lufte ndërsa pak orë më vonë pasuan akuzat nga perëndimi me kancelarin gjerman të kërkonte nga organizatat botërore si Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq të lejoheshin të shkonin në zonë për të dokumentuar masakrat.
Ministri i jashtëm i Ukrainës thirri gjithashtu Gjykatën Ndërkombëtare të Krimeve dhe organizata të tjera ndërkombëtare për të shkuar në Buka dhe qytete dhe fshatra të tjerë në rajonin e Kievit për të mbledhur fakte për çka ai përshkroi si krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Paralelisht, zyrtarët ukrainas bënë thirrje për ndihmë të mëtejshme ushtarake për të “nxjerrë rusët jashtë vendit”. Dhe siç raportoi një ditë më pas FT, zyrtarët ukrainas shpresojnë që Buka të shërbejë si pikë kthese për përgjigjen perëndimore ndaj Rusisë.
Rusia u kundërpërgjigj menjëherë duke e quajtur ngjarjen të montuar, sipas taktikës së flamurit të rremë, dhe duke përdorur një video të bashkiakut të qytetit të publikuar në 31 mars, përmes së cilës ai festonte tërheqjen ruse dhe nuk përmendte ndonjë masakër të kryer nga forcat ruse të tërhequra tashmë ndërsa kërkoi nga KS në OKB një mbledhje për akuzën por Britania, e cila drejton aktualisht trupën përkatëse, refuzoi. Një ditë më pas Rusia kërkoi edhe një herë një mbledhje të KS.
Paralelisht Xhosef Boreli, përfaqësuesi i BE-së për politikën e jashtme, tha se blloku do të mbante përgjegjëse Rusinë dhe qeverinë e saj për “krime lufte” në Ukrainë dhe se do të punonte për sanksione të reja kundër Moskës si “një çështje urgjence”, të cilët do të diskutohen nga ambasadorët e BE-së të enjten.
Dhe ngaqë presidencën qarkthyese të BE-së e drejton Franca, Makroni mbështeti ndalimin e importeve të naftës dhe qymyrit rus pavarësisht se disa nga anëtarët e saj varen shumë nga burimet në fjalë ndërsa u amplifikuan thirrjet perëndimore për rritjen e furnizimeve me armë ofensive. Këto të fundit janë nxitur kryesisht nga britanikët dhe shënojnë një kthesë prej 180 gradësh në qasjen perëndimore: sepse e kthejnë Ukrainën në sulmuese (ofensive) në vend të jetë mbrojtëse (difensive) siç ka qenë javët e para të luftës.
Pas Kievit dhe evropianëve reagoi dhe Uashingtoni me akuza të ngjashme.
Por është e qartë se palët nxitojnë të nxjerrin përfundime ndryshe ngasa dikton e drejta ndërkombëtare.
Retorika, në kuptimin e mos qënies tërësisht i sinqertë, vazhdoi gjatë ditës së sotme. Këtë herë, me kreun e Nato-s, Stoltenberg: ai tha sot në një konferencë me gazetarët ―me pak ngurrim― se vrasjet në Buka u kryen kur zona kontrollohësh nga ushtria ruse duke përmendur të dhënat e shërbimeve inteligjente, imazhet satelitore etj.
Pak para deklaratës së tij ministria e mbrojtjes ruse deklaroi se shërbimet e sigurisë ukrainase kanë sajuar më shumë vrasje qytetare në qytete dhe fshatra të tjerë për të krijuar, siç argumentoi ajo, ”kryelajme në median perëndimore përmes të cilëve akuzojne Moskën për krime lufte”.
Mbledhja e KS, e nxitur nga Rusia, u zhvillua pas këtyre qendrimeve. Pas disa qendrimeve të përfaqësuesve kryesorë, Zelenski u ftua të paraqeste qendrimin e tij. Ai përdori të njëjtën retorikë që përdorin demagogët e partive kundër rivalëve në kuadër të shtetit: si fillim akuzoi Rusinë për masakra njerëzore dhe pastaj tha se qeveria e tij do të mbështesë maksimalisht organet ndërkombëtare të hetimeve për të hetuar rastin e Bukës dhe të tjerë. Ai propozoi dhe reformimin e KS meqënse ai ka dështuar në misionin e tij, duke përmendur rastin e vendit të tij.
Në fund ai ftoi pjesëmarrësit dhe botën të ndiqnin një video me trupa të vrarë dhe djegur, të cilën drejtuesja britanike e mbledhjes e quajti lemeritëse. Më pas foli përfaqësia jonë, e cila, si në mbledhjet pararendëse, ishte në linjë me qendrimet e fuqive perëndimore.
Në vazhdim foli përfaqësuesi rus, i cili nuk u mor me qendrimet e “rivalëve” të vendit të tij por iu drejtua Zelenskit dhe e akuzoi atë për masakrat duke i lidhur ato me forcat nazi-nacionaliste që janë pjesë e ushtrisë ukrainase, fakt të cilin ia kujtoi përfaqësuesi rus, se e ka pohuar vetë Zelenski edhe një herë së fundmi, duke nënkuptuar intervistën e tij për “Fox News”, ku thotë mes të tjerash se “ata janë ajo çfarë janë”.
Përditësuar
Cilësia e lartë gazetareske kërkon përkushtim dhe dashuri. Ju lutem ndajeni këtë artikull me të tjerë duke përdorur vjegzën/linkun përkatëse
- 248 reads



