...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Vizita e Kurtit në SHBA dhe paqartësitë e tij mbi politikat e brendshme dhe të jashtme

Kosova nuk ka fqinj Rusinë por Serbinë dhe ngaqë Serbia nuk krahasohet me Rusinë, nga këndvështrimi i sigurisë amerikane në “rendin” botëror të globalizmit neoliberal, dhe tregu është i vogël (kjo është një arsye pse Uashingtoni kërkon të realizojë Ballkanin e Hapur: që ta bëjë atë më të madh dhe më tërheqës për korporatat e tij), investimet amerikane do të jenë të vogla: sa për të propaganduar se po mbështesin Kosovën me investime.

Ylli Përmeti

21/05/2022 - 08:38

Kurti udhëtoi në SHBA pasi kishte shkuar një javë më herët për vdekjen e Madelein Albright. Në një intervistë për Voa-n ai tha se shkoi si fillim në Uashington për të filluar negociatat me korporatën amerikane MCC për programin “Kompak” dhe më pas fluturoi në San Françisko, në bregun perëndimor të tij, në rajonin e Silicon Valley, ku takoi ndërmarrës amerikanë të cilëve u shpjegoi se Kosova “është vend i përshtatshëm për investime meqënëse ka qeverisje demokratike, është e para sa i përket sundimit të ligjit në Ballkan sipas World Justice Project, sa i përket korrupsionit ka lëvizur lart për të mirë në 17 vende sipas Transparency International, dhe sipas Reporterëve pa Kufij është 17 vende më lart sa i përket lirisë së mediave”. Nuk harroi t`u përmendte atyre ngritjen e Gjykatës Tregtare ose “Komerciale” siç e quajti ai dhe rritjen ekonomike dyshifrore. Gjykuar nga ky realitet ai ftoi bizneset amerikane të sakrifikohen në Kosovë por dhe të fitojnë.

Për të përligjur kërkesën e tij për investime amerikane dhe karakterin e Kosovës si vend i vogël dhe pa traditë të madhe...Kurti tha se “janë 650 kompani vetëm në fushën e teknologjisë së informacionit, 10 për qind prej tyre janë me pronësi të huaj, 21 për qind janë me pronësi të përzier dhe 70 për qind prej tyre eksportojnë, [dhe] 60 për qind e produkteve që bëhen janë për eksport”. Gjykuar nga këto shifra, Kosova, sipas tij, “ka indikatorët që të shndërrohet në një lloj Estonie të Evropës Juglindore” duke shtuar se “kemi moshën mesatare 30 vjeç, dy të tretat e popullsisë në 35 vjeç, të gjithë dinë anglisht dhe një pjesë e mirë dhe gjermanisht, ka talente që do çliruar dhe sikurse biznesmenët amerikanë po ashtu edhe ata shqiptaro-amerikanë i kemi ftuar që të vijnë dhe të fitojnë në Kosovë e në të njëjtën kohë edhe ne të kemi një zhvillim edhe më të hovshëm socio-ekonomik”.

Ndërsa vlerësimet për qeverisjen demokratike, sundimin e ligjit, korrupsionin dhe median nga institucionet ndërkombëtare janë relative dhe Kurti thotë gjysmë të vërteta lidhur me to, qëllimi i tij për ta kthyer Kosovën në një “Estoni” të vogël është katastrofik nëse kuptojmë se çfarë lloji shteti ka krijuar kjo e fundit që kur shpalli “pavarësinë” me rënien e socializmit marksist: një shtet neoliberal i “pavarur” nga Moska por i varur nga tregu ndërkombëtar dhe veçanërisht nga epshet e Uashingtonit ku pabarazitë janë theksuar, sigurisht, pasi kaloi “terapinë e tronditjes” (“shock therapy”) gjatë viteve të para të kalimit nga një ekonomi socialiste e drejtuar nga qeveria në një ekonomi të lirë si gjithë vendet baltike.

Por vendet baltike përfituan nga qendrueshmëria dhe bashkëpunimi ekonomik me Finlandën, Suedinë dhe Danimarkën. Dekadën e parë përfituan, gjithashtu, nga investimet e huaja meqë privatizuan shpejtë ndërmarrjet shtetërore. Në vitin 1996 kishte mbaruar procesi i privatizimeve i ndërmarrjeve të mëdha përjashtuar ndërmarrjet e transportit, telekomunikacionit dhe energjisë. Paralelisht filluan të vepronin 10,000 ndërmarrje private të reja, të orientuara drejt teknologjisë së elektronikës. Dhe pavarësisht këtij fakti, ato nuk iu shmangën dot politikave të kursimit: më të ashprat në BE. Ato u goditën më fortë se çdo vend tjetër nga kriza financiare botërore e vitit 2008. Një vit më pas e morën pak veten, kryesisht si pasojë e rritjes së kërkesës nga Gjermania dhe Suedia. Në atë kohë vendet në fjalë nuk ishin pjesë e BE-Eurozonës dhe përdornin devizat e tyre. Por në vend t`i përdornin ato për të nxitur eksportet ato zgjodhën “zhvlerësimin e brendshëm”: duke shkurtuar rrogat dhe shpenzimet publike ndërsa paralelisht shënonin deficite tregëtare.

Megjithëse të ardhurat mesatare për frymë në Estoni janë rritur ―nga 43 euro në vitin 1992 në 1190 euro në vitin 2020― ashtu janë rritur dhe pabarazitë si mes gjinive ashtu dhe mes klasës punëtore dhe fshatarisë dhe elitës, korrupsioni dhe mungesa e përmbushjes. Taksat e saj janë të ulëta për korporatat e huaja dhe për elitën politike dhe ekonomike vendore dhe të larta për punëtorët ndërsa ka përdorur taksën e sheshtë. Kjo është një arsye se pse janë rritur pabarazitë shoqërore; sepse arsyeja kryesore lidhet me pushtetin: ai përqendrohet në pak duar si në çdo vend tjetër me “demokraci” përfaqësuese dhe treg marketingut. Ndryshe nga Estonia dhe vendet baltike në përgjithësi, Kosova nuk rrethohet nga vende relativisht të ‘qendrueshme’ ekonomikisht edhe nëse ajo zhvillon një bazë ekonomike me orientim elektronik të nxitur edhe nga investimet amerikane.

Këtë fakt e njohin amerikanët; ndaj ata janë përqendruar në vendet nordike dhe baltike. Por tek këto të fundit shtohet një arsye tjetër: ato përdoren nga Uashingtoni për të kërcënuar Rusinë; ndaj ka shpenzuar miliona dollarë në çështjet e sigurisë dhe mbrojtjes dhe më pak në sektorët e ekonomisë. Kosova nuk ka fqinj Rusinë por Serbinë dhe ngaqë Serbia nuk krahasohet me Rusinë, nga këndvështrimi i sigurisë amerikane në “rendin” botëror të globalizmit neoliberal, dhe tregu është i vogël (kjo është një arsye pse Uashingtoni kërkon të realizojë Ballkanin e Hapur: që ta bëjë atë më të madh dhe më tërheqës për korporatat e tij), investimet amerikane do të jenë të vogla: sa për të propaganduar se po mbështesin Kosovën me investime. Por amerikanët kanë filluar të veprojnë qoftë edhe në kuadër të shteteve ballkanike: duke u orientuar në sektorët më fitimprurës. Programi “Kompakt”, për shembull, është fitimprurës për amerikanët dhe i rëndë për t`u bartur nga populli i Kosovës pavarësisht se mund të kontribojë në qendrueshmërinë e sistemit energjitik të vendit.  

Pyetjes lidhur me pasiguritë që mund të ndiejnë investitorët e huaj si pasojë e çështjeve të pazgjidhura me fqinjin verior të saj, Serbinë, Kurti përsëriti qendrimin se normalizimi kalon nga një marrëveshje ligjërisht të detyrueshme (“obligueshme” tha ai!) e cila të ketë në qendër njohjen e ndërsjellë.

Më tej shtoi se Kosova ka bërë lëshime (“konçesione” tha ai!) për një dekadë në pritje të njohjes nga Serbia. Por kjo s`ka ndodhur duke shtuar dhe një çështje tjetër se “përderisa Serbia thotë që kurrë nuk do t’ju njohim dhe presidenti i saj thotë që Reçaku nuk është një ngjarje e vërtetë, pra masakra e 15 janarit të vitit 1999, atëherë këtu edhe ndodhet problemi që nuk e kemi ende një marrëveshje të tillë”. Ngaqë ai kërkon “dialog për marrëveshje” dhe jo “dialog për dialog”, përmendi disa “fakte” ekonomike pavarësisht se nuk ka njohje nga Serbia: “83 për qind janë rritur eksportet në këtë vit, ndonëse nuk na njohu Serbia, investimet e huaja direkte janë rritur për 22 për qind, buxheti krahasuar me para dy viteve për 26 për qind, pastaj të hyrat tatimore janë rritur për 34 për qind, ato doganore për 31 për qind”.

Ndaj ai tha se Kosova është “një storie suksesi e punës dhe qëndresës së popullit të saj dhe e ndihmës dhe mbështetjes së NATO-s, në veçanti të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ky rrëfim i suksesit duhet të mbrohet dhe qëllimi i vizitës sime është: sa më shumë investime në Kosovë dhe sa më shumë siguri për Kosovën”. 

Por çështja nuk shtrohet që Kosova të ketë “sa më shumë investime”...amerikane, përmes të cilave të sigurohet “sa më shumë siguri”, meqënse Kosova kërcënohet nga Serbia, por se si e shikojnë amerikanët Kosovën për investime (dhe ata e shohin si pjesë e Ballkanit të Hapur prej të cilit të fitojnë sa më shumë por edhe si një mundësi shtetërore për të përfituar me investimet e tyre “strategjike”).

Lidhur me sigurinë shtetërore Kurti takoi këshilltarin e Sigurisë Kombëtare të presidentit Bajden, Jake Sullivan, i cili mbështeti procesin e dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian dhe kërkoi zgjidhjen e çështjeve ende të pazgjidhura si asociacioni i komunave me shumicë serbe, të cilën e kërkon dhe BE-ja, madje dhe ambasadorët e “kuintit”. Për këtë të fundit Kurti përmendi vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe 23 shkeljet e neneve të Kushtetutës: sipas tij “mund të ketë asociacion të komunave, por jo mbi baza etnike” ndërsa nevojës për ndryshime të marrëveshjes në mënyrë që të njihet asociacioni, ai tha se “në frymën dhe gërmën e saj, jo”.

Për ta zgjidhur këtë ngërç Kurti vendos në qendër të bisedimeve me Serbinë njohjen e ndërsjellë dhe jo asociacionin. Por qartësoi edhe një herë se arsyeja që shkoi në SHBA ishin investimet amerikane dhe siguria për Kosovën sidomos nga Amerika. Ndaj ai tregoi “lidhjet e fuqishme që Serbia ka me Rusinë” dhe kërkoi mbylljen e qendrave humanitare ruse në Nish, heqjen e zyrës së Rusisë brenda ministrisë së mbrojtjes në Beograd dhe gjithashtu “një zonë rrotull kufirit të Kosovës me Serbinë ku ndodhen 48 baza operative ushtarake dhe të xhandarmërisë që janë ofensive, të largohen prej aty. Pra për sigurinë e Kosovës kemi nevojë për një demilitarizim të një brezi rrotull kufirit të Kosovës me Serbinë dhe të gjitha këto gjëra unë i kam diskutuar dhe mund të them që lidhja jonë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës është tejet e fuqishme, është e pathyeshme dhe është e tillë që na i bën Shtetet e Bashkuara të Amerikës partnerë, aleatë dhe miq të përhershëm”.

Kërkesa për “demilitarizimin” e Serbisë është së pari ndërhyrje në politikën e brendshme të saj dhe së dyti Uashingtoni vështirë se mund t`ia imponojë. Kërkesa e tij mund të realizohet vetëm përmes një traktati mes Shqipërisë dhe Serbisë; dhe ngaqë kjo e fundit është kapur nga “strategjitë” e Uashingtonit, asgjë s`ka për të ndodhur: kërcënimi do të jetë i përhershëm dhe në rritje edhe nëse njihet Kosova si e pavararur nga Beogradi―sepse forcat ultranacionaliste serbe do të vazhdojnë të jenë pjesë e shoqërisë politike serbe dhe do të përdoren në nevojë nga Rusia si kundërpërgjigje ndaj “epsheve” të Uashingtonit. Përjashto mundësinë e përdorimit të “strategjisë pedagogjike” që kam përshkruar në vend tjetër nga Tirana dhe Prishtina: sepse ajo do të edukonte qoftë dhe forcat ultranacionaliste atje dhe do të paqëtonte marrëdhëniet tona. Por megjithëse si strategji është e dëshirueshme dhe e domosdoshme, ajo është “vetëm” në mendjen time dhe nuk është bërë pjesë as e ndonjë debati publik as e ndonjë qeverie në Tiranë dhe Prishtinë.    

Pështjellimi i Thaçit dhe Kurtit me Serbinë dhe një “strategji” pedagogjike për drejtësi të popullit shqiptar

Kurti, në fund, ngatërron dhe “vlerat” dhe “qëllimet” tona me “vlerat” dhe “qëllimet” e SHBA-së kur thotë se “unë besoj që Shtetet e Bashkuara të Amerikës e njohin mirë Kosovën dhe kombin shqiptar dhe e kuptojnë që nuk mund të kenë asnjë komb dhe shtet tjetër sikurse neve sa i përket vlerave të përbashkëta që ndajmë dhe qëllimeve të përbashkëta që i kemi”. Një ndër vlerat kryesore të shoqërisë amerikane është besimi se konkurrenca dhe tregu i lirë sjell zhvillim; në këtë “vlerë” ka filluar të besojë dhe populli ynë. Por pavarësisht këtij fakti ne themi se zhvillimi buron nga dija dhe vlerat e solidaritetit dhe barazisë dhe ndershmërisë politike. Sa për “qëllimet”, ne si popull s`kemi, në dijeninë time, dëshira amerikane të mbizotërojmë botën por të jetojmë në paqe dhe barazi me fqinjët tanë.  

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA