NATO-ja përgatitet për luftë në shtetet baltike e “tmerruar” nga armët hipersonike ruso-kineze dhe gjendja ekonomike
Nato-ja pritet të miratojë konceptin e ri strategjik për dekadën e ardhshme duke quajtur Rusinë kërcënimin më të madh të drejtpërdrejtë të sigurisë së aleancës dhe do të rrisë më shumë se shtatë herë forcat ushtarake të gadishmërisë së lartë: nga 40,000 në mbi 300,000
SHJ
27/06/2022 - 18:29
Nato-ja pritet të miratojë konceptin e ri strategjik për dekadën e ardhshme duke quajtur Rusinë kërcënimin më të madh të drejtpërdrejtë të sigurisë së aleancës dhe do të rrisë më shumë se shtatë herë forcat ushtarake të gadishmërisë së lartë: nga 40,000 në mbi 300,000. Ato do të përqendrohen në krahun lindor të Evropës: shtetet baltike. Madje do të rriten dislokimet pranë Rusisë, duke zhvendosur përqendrimin nga përfrikësimi i ndonjë pushtimi në mbrojtje të plotë të territorit të aleancës. Plani i ri ushtarak do të rrisë drastikisht mbrojtjen lindore, duke grisur një model që mund të thoshte braktisje dhe më pas përpjekje për rimarrje të shteteve baltike në rast të një pushtimi ushtarak. Strategjia do të përfshijë struktura të reja në të cilat aleancat perëndimore të Nato-s, si SHBA-ja, Britania dhe Franca, do të zotojnë anijet, avionët luftarakë dhe më shumë se 300,000 trupa ushtarake në gadishmëri për të zbarkuar në territore të veçanta në krahun lindor të aleancës, me kohë të graduar duke filluar me orët e para të çdo sulmi. Strategjia risjell anë të planeve të Nato-s gjatë luftës së ftohtë ndaj ndonjë pushtimi të mundshëm sovjet dhe do të lejojë komandën e ushtrisë së aleancës të dijë përpara, në çdo kohë, pikërisht cilat forca janë gati dhe sa shpejtë ato mund të futen në fushëbetejë. Ndryshimet vijnë në kohën kur tensionet janë rritur me Lituaninë lidhur me dërgesat e ngarkesave në enklavën e Kaliningradit, një pikë e nxehtë e identifikuar prej kohësh nga Nato-ja si shkrepëse për tendosje më të gjera në rajon. Aktualisht në shtetet baltike qendrojnë rreth 8,000 trupa ushtarake, të udhëhequra nga Britania, Kanadaja dhe Gjermania, me qëllim që të përfrikësojnë çdo pushtim të mundshëm dhe të veprojnë si forcë ushtarake e dobët (tripwire), për të cilën, zyrtarët e Nato-s thonë se është e pambrojtshme duke gjykuar nga shkalla e sulmit të Rusisë në Ukrainë, sipas FT.
Krahas rritjes së trupave ushtarake, aleanca e Nato-s synon rritjen e shpenzimeve me mbi 2%: kjo përqindje do të jetë dysheme, sipas kreut të Nato-s, dhe jo tavan. Nga 30 anëtarët e aleancës, nëntë ka arritur ose tejkaluar këtë objektiv ndërsa 19 të tjerët kanë plane për ta arritur deri në vitin 2024. Pranohet se pavarësisht rritjeve në shpenzime numri i trupave ushtarake nuk është i mjaftueshëm për të përfrikësuar Rusinë, sepse përgjatë dekadave të fundit vendet e Nato-s kanë ulur shpenzimet për mbrojtjen. Krahas uljes së shpenzimeve, kursimet e popujve janë shpërdoruar me tenderat. Rasti i Britanisë është dëftues: megjithëse shpenzimet e mbrojtjes janë rritur së fundmi, atje ka patur humbje masive në tenderime ndërsa fuqia aktuale e ushtrisë britanike është 82,000 trupa duke përfshirë ata që janë duke u trajinuar por pas shkurtimeve ky numër shkon në 72,500. Por çështja më shqetësuese, citon BBC-ja, është fakti se si Rusia ashtu dhe Kina kanë zhvilluar raketa hipersonike që mund të udhëtojnë drejt objektivit të tyre me një shpejtësi më shumë se pesë herë shpejtësinë e zërit dhe në një rrugë fluturuese të paparashikueshme. Të gjitha këto vijnë në kohën e rritjeve drastike të çmimeve në ushqime dhe energji, pas etheve të pandemisë, kështuqë buxhetet janë tashmë të shtrënguar. SHJ
Numri i trupave të Forcës së Reagimit të Shpejtë të NATO-s do rritet në mbi 300 mijë, nga 40 mijë që është tani, tha Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg. Në një konferencë shtypi të hënën në Madrid, ai tha gjithashtu se pret nga aleatët, që ta konsiderojnë Rusinë si kërcënimin më të madh të drejtpërdrejt ndaj sigurisë së aleancës. Ndërkohë, autoritetet spanjolle kanë shtuar masat e sigurisë në zonën e Madridit, ku këtë javë zhvillohet takimi i lartë i NATO-s.
NATO do të rrisë në mënyrë të ndjeshme numrin e trupave, që do të jenë në gjendje të lartë gatishmërie, tha sot Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg.
“Ne do të transformojmë forcën e reagimit të shpejtë të NATO-s dhe do të rrisim numrin e trupave të saj në mbi 300 mijë”, u tha ai gazetarëve para fillimit të takimit të NATO-s këtë javë në Madrid.
Forca e reagimit të shpejtë të NATO-s aktualisht përbëhet nga rreth 40 mijë trupa, të dislokuara në vendet e Evropës Lindore në përgjigje të sulmit rus ndaj Ukrainës. Në takimin e Madridit, NATO gjithashtu do të ndryshojë gjuhën mbi Rusinë të përfshirë në dokumentin e saj strategjik të vitit 2010, në të cilin Moska konsiderohet një partner strategjik.
“Koncepti ynë i ri, do të na mbrojë në një epokë të konkurrencës strategjike. Pres që aleatët ta konsiderojnë në mënyrë të qartë Rusinë si kërcënimin më të madh të drejtpërdrejt ndaj sigurisë sonë”, tha zoti Stoltenberg.
Sekretari i përgjithshëm i NATO-s tha se do të takohet me udhëheqësit e vendeve të NATO-s, Turqisë, Finlandës dhe Suedisë të martën, para fillimit të takimit të Madridit, për të diskutuar kërkesat e dy vendeve nordike për anëtarësim në aleancë.
“Nuk do të bëjë premtime, por mund t’ju sigurojë se ne po punojmë për të arritur përparim në këtë drejtim”, tha zoti Stoltenberg.
Ndërkohë autoritetet spanjolle kanë shtuar masat e sigurisë në Madrid, rreth zonës, ku do të zhvillohen takimet e NATO-s. Dhjetë mijë oficerë policie nga agjenci të ndryshme spanjolle të sigurisë do të angazhohen në ruajtjen e sigurisë. Inspektori i policisë spanjolle, Luis Lopez Blanco tha se jashtë ndërtesës së konferencave “IFEMA” janë dislokuar tashmë një numër i madh policësh për t’u kujdesur për sigurinë.
“Është një dislokim i madh ndërkombëtar dhe kombëtar, për të cilin ne po bashkëpunojmë me agjenci të tjera të sigurisë si Qendra Kombëtare e Inteligjencës, Qendra e Inteligjencës Ushtarake, Europoli dhe Interpoli. Ne të gjithë po punojmë për të njejtin qëllim, dhe do të punojmë edhe me organet e sigurisë të NATO-s, në mënyrë që gjithçka të shkojë në mënyrë perfekte”, tha ai.
Rrugët kryesore të Madridit do të jenë pjesërisht të mbyllura gjatë takimit të NATO-s, nga 29 qershori deri më 30 qershor. Zyrtarët qeveritarë u kanë bërë thirrje banorëve që të qarkullojnë vetëm për nevojat e tyre dhe u kanë kërkuar kompanive që të lejojnë personelin e tyre të punojë nga shtëpia për të shmangur pengesat e mëtejshme.
G7: do të qëndrojmë përkrah Ukrainës për aq kohë sa do të duhet
Udhëheqësit e G-7ës u zotuan të vazhdojnë mbështetjen për Ukrainën për “sa kohë që të nevojitet”. Në një deklaratë të përbashkët pas një lidhjeje videofonike me Presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskyy, udhëheqësit nënvizuan, siç u shprehën ata, “angazhimin e palëkundur për të mbështetur qeverinë dhe popullin e Ukrainës në mbrojtjen e tyre kurajoze të sovranitetit të vendit dhe të integritetit territorial”.
Udhëheqësit e G-7ës thanë se “i takon Ukrainës të vendosë për një zgjidhje paqësore në të ardhmen, pa trysni të jashtme dhe pa u ndikuar”.
Këshilltari amerikan i sigurisë kombëtare, Jake Sullivan, bëri të ditur se kërkesa kryesore e zotit Zelensky ishte për sisteme shtesë të mbrojtjes ajrore dhe se biseda u përqëndrua tek perceptimi i tij për zhvillimin e mëtejshëm të kësaj lufte. Zoti Zelensky i informoi udhëheqësit e G-7 se si qeveria e tij ka përdorur ndihmën e marrë deri më tani për “të maksimalizuar kapacitetin e Ukrainës, si për t’i rezistuar përparimit të forcave ruse, ashtu edhe për të bërë kundërsulme aty ku është e mundur”, tha zoti Sullivan.
Udhëheqësi ukrainas dëshiron që vendi i tij të arrijë një avantazh në fushëbetejë gjatë muajve të ardhshëm, pasi “ai beson se një konflikt i zgjatur, nuk është në interesin e popullit ukrainas”, tha zoti Sullivan.
Gjatë fjalimit që nuk u transmetua për publikun, Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky kërkoi sisteme mbrojtëse me raketa, më shumë sanksione ndaj Rusisë dhe garanci të tjera në fushën e sigurisë, tha një zyrtar evropian. Zoti Zelensky gjithashtu u shpreh se dëshiron që lufta e Rusisë në Ukrainë të përfundojë deri në fund të vitit, përpara se të fillojë stina e dimrit.
Presidenti ukrainas u tha udhëheqësve se tani nuk është koha për negociata me Rusinë, tha një diplomat i lartë francez. Udhëheqësi ukrainas tha se “ai do të negociojë kur të jetë në pozitën e duhur për të vepruar kështu”, tha diplomati.
Ndërkaq, Shtetet e Bashkuara po përgatisin dërgimin e një sistemi të avancuar raketash kundër-ajrore për ta ndihmuar Ukrainën ndaj agresionit të urdhëruar nga Presidenti rus Vladimir Putin.
Ndihma e re dhe përpjekjet e Grupit të Shtatëshes për të ndëshkuar Moskën vijnë ndërkohë që Presidenti Zelenskyy ka shprehur shqetësimin se Perëndimi mund të arrijë në një fazë lodhjeje nga lufta, e cila ka kontribuar për rritje të çmimeve të energjisë dhe të mallrave thelbësore në mbarë botën.
Udhëheqësit e fuqive kryesore industriale të botës u zotuan se “do të vazhdojnë të ofrojnë mbështetje financiare, humanitare, ushtarake dhe diplomatike, si dhe të qëndrojnë përkrah Ukrainës për sa kohë që duhet”. Voa
Përditësuar
Cilësia e lartë gazetareske kërkon përkushtim dhe dashuri. Ju lutem ndajeni këtë artikull me të tjerë duke përdorur vjegzën/linkun përkatëse
- 351 reads



