...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

G20 degjeneroi në akuza dhe kundërakuza mes superfuqive ndërsa krijohen “G” të reja

Këtë herë pati mbledhje fizike por ajo degjeneroi në akuza dhe kundërakuza ndërsa asnjë tejkalim nuk u arrit për çështjet kritike që shqetësojnë planetin tonë me kryesoren krizën energjitike dhe ushqimore

Ylli Përmeti

09/07/2022 - 18:11

Mbledhja e 16-të e G-20 e zhvilluar në Bali të Indonezisë mes ministrave të jashtëm, dështoi, kryesisht si pasojë e përlasjeve mes G-7, Rusisë dhe Kinës. Në mbledhjen pararendëse të zhvilluar në prill pala amerikane, britanike dhe kanadeze braktisi sallën kur ministri i financave ruse përcolli fjalimin e tij përmes telekumtimit, në shenjë proteste kundër ndërhyrjes ushtarake ruse në Ukrainë.

Këtë herë pati mbledhje fizike por ajo degjeneroi në akuza dhe kundërakuza ndërsa asnjë tejkalim nuk u arrit për çështjet kritike që shqetësojnë planetin tonë me kryesoren krizën energjitike dhe ushqimore. Për herët të parë të historisë së mbledhjes në fjalë pjesëmarrësit refuzuan të bënin një fotografi të përbashkët ndërsa ministrat perëndimor akuzuan Rusinë se po bllokon furnizimin me grur ndërsa Lavrovi akuzoi perëndimin për qasje të rrezikshme.

Nëse perëndimi nuk dëshiron të zhvillohen bisedime por dëshiron që Ukraina të mundë Rusinë në fushëbetejë ―sepse të dy këta qendrime janë shprehur― atëherë ndoshta nuk ka asgjë për të folur me perëndimin. Agresorë, pushtues, zaptues. Ne dëgjuam plotë nga këto” tha Lavrovi, pas largimit.

Sipas raporteve ministri rus u largua kur filloi të fliste ministri ukrainas, Kuleba, përmes një video-kumtese, sepse Ukraina nuk është anëtare e G20. Pas mbledhjes së prillit Bajdeni tha se “Rusia duhet të përjashtohet nga G20” dhe më pas kryeministri italian shprehu besim se Indonezia nuk do ta lejonte Rusinë të merrte pjesë. Kryeministri i ri australian, Albaneze, tha më pas se do ta trajtonte Rusinë me “përbuzjen që meritonte”. Sholci ka thënë që konflikti me Rusinë nuk duhet të paralizojë mbledhjen dhe se nuk është ide e mirë të bojkotohet ajo nga anëtarët për shkak të Putinit.

Si pasojë, disa ekspertë në Moskë mendojnë se G-20 nuk mund të shërbejë më për zgjidhjen e krizave botërore ndërsa të tjerë thonë se ajo do të ndahet në dy “G”: mes “G7” dhe vendeve të “BRICS” ku në grupin e parë do të jenë vendet që shprehin interesat perëndimore ndërsa në grupin e dytë vendet si Rusia, Kina, India, Indonezia, Turqia, Arabia Saudite, Afrika e Jugut, Brazili, Argjentina, dhe Meksika. Këtë besim e mbështet lëvizja e fundit e Argjentinës dhe Iranit; sepse të dy vendet kanë bërë kërkesë për t`u bërë anëtarë të BRICS.

Nëse anëtarët e tjerë të G-20 veprojnë njësoj, besohet se G-20 ndahet në palë me peshoren e pushtetit ekonomik të anojë nga BRICS krahas pushtetit demografik, sepse aktualisht BRICS është me peshë më të madhe popullate se G7.

G20 përfaqëson më shumë se 80 për qind të PBB-së botërore, 75 për qind të tregut botëror dhe 60 për qind të popullatës botërore. Mbledhja e parë u zhvillua në vitin 1999 për të zgjidhur krizën financiare aziatike që filloi në korrik të vitit 1997. 

Pjesën tjetër të G20 mes SHBA-së dhe Kinës e përcolli Voa:

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken tha të shtunën se kishte diskutuar mbi agresionin rus në Ukrainë me ministrin e Jashtëm kinez Wang Yi në bisedime që zgjatën më shumë se pesë orë, gjatë të cilave ai ngriti shqetësime mbi afrimin e Pekinit me Moskën.

Të dy diplomatët e përshkruan takimin e tyre të parë që nga tetori si "të sinqertë". Ata i mbajtën bisedimet një ditë pasi morën pjesë në një mbledhje të ministrave të jashtëm të G20-ës në ishullin indonezian të Balit.

Zoti Blinken tha në një konferencë shtypi pas bisedimeve se nuk mendonte se Kina po sillej në një mënyrë neutrale pasi e kishte mbështetur Rusinë në Kombet e Bashkuara dhe kishte "përforcuar propagandën ruse".

Sekretari amerikan i Shtetit tha se presidenti kinez Xi Jinping e kishte bërë të qartë në një telefonatë me Presidentin Vladimir Putin më 13 qershor se i qëndronte një vendimi për të krijuar një partneritet me Rusinë.

Zyrtarët amerikanë kanë paralajmëruar për pasoja, përfshirë sanksionet, nëse Kina ofron mbështetje materiale për luftën.

I pyetur për refuzimin e tij për të zhvilluar bisedime me Ministrin e Jashtëm rus Sergei Lavrov në takimin e G20-ës, zoti Blinken tha SHBA nuk sheh “asnjë shenjë për momentin se Rusia është e përgatitur të përfshihet në diplomaci kuptimplote."

Sipas një deklarate të lëshuar nga ministria e jashtme kineze, zoti Wang shkëmbeu pikëpamje të thelluara mbi "çështjen e Ukrainës" gjatë bisedimeve të së shtunës. Deklarata nuk jepte detaje të mëtejshme.

Ai i tha gjithashtu zotit Blinken se drejtimi i marrëdhënieve SHBA-Kinë rrezikonte të devijohej më tej për shkak të perceptimit amerikan për Kinën.

Kryediplomati kinez tha se Uashingtoni duhet të anulojë tarifat shtesë të vendosura ndaj Kinës sa më shpejt të jetë e mundur dhe të ndërpresë sanksionet e njëanshme ndaj kompanive kineze.

Zyrtarët amerikanë kishin thënë para bisedimeve se takimi kishte për qëllim ruajtjen e ekuilibrit në marrëdhëniet e vështira SHBA-Kinë dhe parandalimin e përshkallëzimit të paqëllimshëm në konflikt.

"Shtetet e Bashkuara duan që kanalet e komunikimit me Pekinin të vazhdojnë të mbeten të hapura," tha zoti Blinken.

Presidentët Joe Biden dhe Xi Jinping pritet të bisedojnë përsëri në javët e ardhshme, tha zoti Blinken.   

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA