...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Ushtria tajvanze në alarm ndërsa frika e luftës pushton indo-paqësorin

Tajvani ka vënë ushtrinë në gatishmëri dhe ka organizuar stërvitje të mbrojtjes civile, ndërsa Shtetet e Bashkuara kanë dislokuar mjete të shumta detare në zonë

SHJ

06/08/2022 - 20:38

Tajvani: Stërvitjet ushtarake të Kinës duken si simulim i një sulmi

Autoritetet në Tajvan njoftuan të shtunën se stërvitjet ushtarake të Kinës duket se po simulojnë një sulm ndaj ishullit të vetëqeverisur, pasi sipas tyre, shumë anije luftarake dhe avionë kinezë kishin kaluar kufirin mesatar ndarës të ngushticës së Tajvanit. Ministria e Mbrojtjes Kombëtare tha se si përgjigje ndaj stërvitjeve të Kinës, forcat e armatosura të Tajvanit kishin dhënë alarmin, kishin dërguar patrulla ajrore dhe detare rreth ishullit, si dhe kishin aktivizuar sistemet e raketave me bazë tokësore.

Në një deklaratë të shtunën ministria e Mbrojtjes e Kinës tha se kishte kryer stërvitje ushtarake ashtu siç ishte planifikuar, në det dhe hapësirat ajrore në veri, jugperëndim dhe lindje të Tajvanit, duke u përqendruar tek vënia në provë e aftësive të sistemeve goditëse tokësore e detare.

Pekini i nisi stërvitjet ushtarake të enjten dhe pritet të zgjasin deri të dielën. Deri më tani, ato kanë përfshirë sulme me raketa ndaj objektivave në det, në veri dhe në jug të ishullit. Ato shihen si jehonë e stërvitjeve të fundit të mëdha ushtarake kineze në vitet 1995 dhe 1996, që synonin frikësimin e udhëheqësve e popullit të Tajvanit ndërsa në vend zhvilloheshin zgjedhje.

Tajvani ka vënë ushtrinë në gatishmëri dhe ka organizuar stërvitje të mbrojtjes civile, ndërsa Shtetet e Bashkuara kanë dislokuar mjete të shumta detare në zonë. Administrata Biden dhe zonja Pelosi kanë thënë se SHBA-të mbeten të përkushtuara ndaj politikës së "një Kine", por mban marrëdhënie jozyrtare dhe në fushën e mbrojtjes me Taipein.

Zonja Pelosi bëri të ditur të premten në Tokio, ndalesa e fundit e turneut të saj në Azi, se Kina nuk do të jetë në gjendje të izolojë Tajvanin, duke penguar zyrtarët amerikanë të udhëtojnë atje.

Blinken: Stërvitjet ushtarake të Kinës rreth Tajvanit, të rrezikshme   

Shkalla dhe intensiteti i paprecedentë i stërvitjeve kanë shkaktuar zemërim dhe shqetësim ndërkombëtar. Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken foli për Zërin e Amerikës gjatë një vizite në Kamboxhia të premten.

“Reagimi i Kinës është tejet i shpërpjesëtuar dhe i rrezikshëm. Sido që të ndjehet për vizitën, lëshimi i 11 raketave balistike, disa madje mbi Tajvan dhe rrethimi i tij me anije luftarake nuk ka kuptim. Pesë nga raketat ranë pranë Japonisë. Reagimet nga vendet e rajonit, përfshirë deklaratën e ASEAN-it, tregojnë shqetësimin e vërtetë se sa destabilizuese dhe të rrezikshme mund të jenë këto veprime”, tha kryediplomati Blinken.

Zoti Blinken mori pjesë në një takim të nivelit të lartë të ASEAN-it në Phnom Penh. Në një bisedë me Zërin e Amerikës, eksperti për Azinë Jugore dhe Qendrore në Qendrën Woodrow Wilson, Michael Kugelman, pajtohet me deklaratat e kryediplomatit amerikan. Ai thotë se stërvitjet ushtarake të Kinës janë një kërcënim i drejtpërdrejtë për aleatët kryesorë të Amerikës në rajon.

“Një nga shqetësimet më urgjente për Shtetet e Bashkuara është se aleatët e saj në Azi, si Japonia dhe Koreja e Jugut, preken drejtpërdrejt nga manovrat e Kinës në rajon ditët e fundit”.

Ministri i Jashtëm i Kinës, Wang Yi, ishte gjithashtu në takimin e ASEAN-it. Kina tha se po pezullon dialogun me Uashingtonin për marrëdhëniet ushtarake, ndryshimet klimatike dhe çështje të tjera. Zoti Wang fajësoi për tensionet Uashingtonin dhe zonjën Pelosi.

“Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve të Kongresit amerikan, Pelosi injoroi kundërshtimin e vendosur të Kinës dhe negociatat e përsëritura. Vizita e saj u miratua dhe u organizua nga qeveria e amerikane”.

Zonja Pelosi dhe delegacioni i Kongresit qëndruan në vendet aleate, Korenë e Jugut dhe Japoni, ndërsa i dhanë fund turneut të bujshëm në Azi. Zonja Pelosi mbrojti përsëri vizitën e saj në Tajvan.

“Zhvilluam vizita të nivelit të lartë, senatorët e të dy partive në veprim. Nuk do t’i lejojmë që ta izolojnë Tajvanin. Ata, qeveria kineze nuk e përcakton punën tonë”.

Analisti Michael Kugelman i tha Zërit të Amerikës se beson se situata e krijuar rreth Tajvanit nga Kina ende nuk është një krizë, por është fare pranë kësaj.

“Mendoj se situata ka arritur në një pikë shumë të pasigurt, një hap larg një krize ose një lloj llogaritjeje të gabuar ose një lloj komenti në kohë të gabuar ose diçka që mund të provokojë një përshkallëzim që çon në një krizë. Askush nuk dëshiron të shohë një krizë, aq më tepër një konflikt”.

Sekretari Blinken tha se Shtetet e Bashkuara dhe Kina duhet të veprojnë me përgjegjësi. Ajo që ne nuk duam, tha ai, janë përpjekjet e çdo vendi, përfshirë Kinën dhe Rusinë, për të trazuar paqen dhe sigurinë ndërkombëtare.

Indo-Paqësori kërkon mbështetjen e NATO-s mes tensioneve Kinë-Tajvan 

Kina thotë se po bën prova ushtarake në rast të një bllokade detare dhe ajrore. Japonia tha se manovrat ushtarake zhvillohen mbi territore për të cilat ka pretendime Kina, rreth ishujve pranë Tajvanit.

“Zona detare e shpallur nga Kina si rajoni i stërvitjeve ushtarake përfshin ‘Zonën Ekskluzive Ekonomike’. Japonia i ka shprehur palës kineze shqetësimin e saj”, tha Hirokazu Matsuno, sekretar i lartë i kabinetit të qeverisë japoneze.

Në Japoni ka një lloj nervozizmi lidhur me pasojat e vizitës së zonjës Pelosi në Taipei, thotë për Zërin e Amerikës Ryo Sahashi me Universitetin e Tokios.

“Mendoj se situata është vërtet serioze. A kemi vërtet nevojë për këtë krizë? A kemi përfitime strategjike? Përgjigja ime është jo. Qeveria japoneze mund të mos e parashikojë saktë përgjigjen kineze”.

Për herë të parë ushtria japoneze po merr pjesë në stërvitjet ushtarake “Garuda Shield” në Indonezi, së bashku me Shtetet e Bashkuara, Australinë dhe Singaporin - duke sinjalizuar forcimin e lidhjeve me aleatët rajonalë dhe të NATO-s.

Por duhet thënë se Japonia, Koreja e Jugut dhe Australia morën pjesë në takimin e lartë të NATO-s në muajin qershor.

“Duhet të ndërtojmë një partneritet të madh, jo vetëm për të zmbrapsur Rusinë, por edhe për të kundërshtuar ambiciet kineze. Pra, nga ky këndvështrim, partneriteti ynë me NATO-n ka një rëndësi vërtet të madhe për strategjinë e Indo-Paqësorit. Mendoj se është e pandalshme dhe ky orientim nuk do të ndryshojë”, thotë profesori Ryo Sahashi.

Kryediplomati japonez, Yoshimasa Hayashi, tha se lufta ruse në Ukrainë e ka përqendruar vëmendjen tek kërcënimet në rajonin e Indo-Paqësorit.

“Edhe në këtë rajon, logjika e forcës brutale po lë në hije zbatimin e ligjit ndërsa ekuilibri strategjik në rajon po bëhet gjithnjë e më sfidues për Japoninë dhe Shtetet e Bashkuara. Jemi përballë një momenti vendimtar. Ajo që po ndodh në Ukrainë nuk duhet të lejohet kurrë askund në botë, veçanërisht në Indo-Paqësor”.

Ky kërcënim po ndihet thellë në të gjithë rajonin e Azi-Paqësorit, mes shfaqjes së paparë të forcës nga Kina në ujërat që rrethojnë Tajvanin.

Kina vazhdon stërvitjet ushtarake përtej datës së njoftuar 

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze Wang Wenbin tha sot se Kina "do të ruajë në mënyrë të vendosur sovranitetin dhe integritetin e saj territorial”, dhe se “nuk do të lejojnë Shtetet e Bashkuara të frenojnë Kinën për çështjen e Tajvanit dhe se do të shkatërrojë me vendosmëri iluzionin e autoriteteve të Tajvanit se mund të “mbështeten tek Shtetet e Bashkuara për pavarësi”.

Kina ka thënë se stërvitjet janë reagim ndaj vizitës së kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve të Kongresit amerikan, Nancy Pelosi në ishullin e vetëqeverisur javën e kaluar. Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden shprehu shqetësimet për veprimet e Kinës, por ai nuk beson që Kina do ta përshkallëzojë situatën.

"Jam i shqetësuar edhe për aq sa po bëjnë, por nuk besoj që do të shkojnë përtej stërvitjeve " tha presidenti Biden të hënen.

Ministria e Mbrojtjes e Tajvanit tha të dielën se zbuloi gjithsej 66 avionë dhe 14 anije luftarake që kryenin stërvitjet detare dhe ajrore.

Tajvani është përgjigjur duke vënë ushtrinë e tij në gatishmëri dhe duke vendosur anije, aeroplanë dhe mjete të tjera për të monitoruar ushtrinë kineze që "simulon sulme ndaj ishullit të Tajvanit”.

Ndërkohë, Agjencia zyrtare e Lajmeve e Tajvanit njoftoi se ushtria e ishullit do të kryejë stërvitje artilerie me zjarr të vërtetë në qarkun jugor Pingtung, të martën dhe të enjten, në përgjigje të stërvitjeve kineze.

Stërvitjet do të përfshijnë snajperë, automjete luftarake, automjete të blinduara si dhe helikopterë sulmues, thuhet në njoftim, i cili citon një burim anonim. Banorët e Tajvanit ndërkohë shprehen se kanë besim në fuqinë mbrojtëse të ushtrisë së tyre.

“Unë mendoj se vizita e zonjës Pelosi është një lloj teatri politik, sepse ajo do largohet së shpejti nga posti i Kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve. Pra, është si një 'udhëtim lamtumire' nga karriera e saj politike. Shpresojmë që çështja e Tajvanit do të mund të tërheq vëmendje globale dhe njerëzit këtu shpresojnë se ajo (zonja Pelosi) mund të na ndihmojë. Por, papritur, kjo shkaktoi një konflikt dhe kjo nuk është një gjë e mirë për Tajvanin”, thotë Lin, banor i Tajvanit.

“Nuk jam i shqetësuar për mbrojtjen tonë kombëtare, sepse ne jemi të përgatitur dhe kemi mjaft pajisje mbrojtëse, duke përfshirë pajisje elektronike, mjete ajrore pa pilot, si dhe raketa”, thotë Yeh banori tjetër i Tajvanit.

“Tani për tani, nuk mendoj se Kina do të na sulmojë. Kjo i dëmton të dyja palët. Edhe pse ata janë një vend më i madh, aftësia e mbrojtjes kombëtare të Tajvanit nuk është e keqe”, thotë studenti tajvanez, Eddison.

Kina thotë se Tajvani është territori i saj dhe ka kërcënuar ta aneksojë atë me forcë, nëse është e nevojshme. Të dy palët u ndanë në vitin 1949 pas një lufte civile, por Pekini i konsideron vizitat në Tajvan nga zyrtarë të huaj si njohje të sovranitetit të tij.

Banorët kinezë të intervistuar nga agjencia e lajmeve Reuters, megjithatë pajtohen se stërvitjet kineze janë reagimi i duhur.

“Kjo nuk do të thotë se ne duhet ta bashkojmë Tajvanin me forcë, ose se do të fillojmë luftën. Nëse po, a nuk shkon kjo në favor të të tjerëve? Por ne nuk mund të rrimë duarkryq dhe ta injorojmë situatën. Reagimi kinez është në fakt mjaft i përshtatshëm. Nëse do të kishte një stërvitje tjetër në të ardhmen, kjo nuk do të ishte më më befasuese. Do të zgjeronim hapësirën tonë dhe ngushtonim hapësirën e tyre, hap pas hapi. Dhe kjo nuk mendoj se është një gjë e keqe”, thotë banori i Shanghait, Li Weiming.

“Në fillim mund të përdoret vetëm forca. Më vonë, pas forcës, paqja mund të diskutohej hap pas hapi. Nuk ka kuptim nëse filloni diskutimin duke përdorur paqen. Fjalët janë të pakuptimta, vetëm fuqia ushtarake mund të shihet si parandalim i vërtetë”, thotë 23 vjeçari Lai Ji nga Shanghai.

Presidentja e Tajvanit Tsai Ing-wen i ka bërë thirrje komunitetit ndërkombëtar që të "mbështesë Tajvanin demokratik" dhe "të ndalojë çdo përshkallëzim të situatës”.

Grupi i Shtatë vendeve të industrializuara i ka kritikuar gjithashtu veprimet e Kinës, duke bërë që Pekini të anulojë një takim midis Ministrit të Jashtëm Wang Yi dhe homologut të tij japonez, Yoshimasa Hayashi.

Kina ka ndërprerë bisedimet për mbrojtjen dhe mjedisin me SHBA-në dhe ka vendosur sanksione ndaj zonjës Pelosi si hakmarrje për vizitën e saj.

Administrata e presidentit Joe Biden dhe zonja Pelosi thonë se SHBA-të mbeten të përkushtuara ndaj politikës së "një Kine të vetme" që përfshin njohjen zyrtare diplomatike të Pekinit, por duke lejuar marrëdhënie të forta, jo formale, si dhe lidhje ushtarake me Taipein.

Në Uashington, ambasadori de fakto tajvanez, Bi-khim Hsiao tha se Kina nuk kishte arsye "të ishte kaq e zemëruar" për vizitën e zonjës Pelosi, e cila ka vazhduar një traditë të gjatë të ligjvënësve amerikanë, që vizitojnë Tajvanin.

"Ju e dini, ne kemi jetuar nën kërcënimin nga Kina me dekada," tha zoti Hsiao për televizionin amerikan, “CBS News” të dielën. "Nëse keni një fëmijë që ngacmohet në shkollë, ju nuk e ndaloni shkuarjen në shkollë. Ju përpiqeni të gjeni një mënyrë për t'u marrë me ngacmuesit.

"Rreziqet paraqiten nga Pekini," tha zoti Hsiao.

Gjatë një vizite në Mianmar, qeveria ushtarake e të cilit e mbështetur nga Kina është akuzuar për vrasjen e kundërshtarëve të saj, ministri i jashtëm kinez Wang Yi tha se Uashingtoni "po përfitonte nga rasti për të ndërtuar praninë ushtarake në rajon, i cili meriton vigjilencë të lartë dhe bojkot të vendosur nga të gjitha anët”.

Ndërkohë, Ministrja e Jashtme australiane Penny Wong bëri thirrje për ulje të tensioneve. "Australia vazhdon të kërkojë përmbajtje, Australia vazhdon të kërkojë uljen e përshkallëzimit dhe kjo nuk është diçka, që e kërkon vetëm Australia, i gjithë rajoni është i shqetësuar për situatën aktuale, i gjithë rajoni po bën thirrje që të rivendoset stabiliteti," iu tha zonja Wong gazetarëve në Canberra.

Japonia rrit shpenzimet për mbrojtjen 

Japonia po shënon përvjetorin e sulmeve bërthamore në Hiroshima dhe Nagasaki që vranë më shumë se 200 mijë njerëz dhe i dhanë fund Luftës së Dytë Botërore. Por, ndonëse kryeministri japonez u zotua të punojë drejt paqes botërore, qeveria e tij po planifikon një rritje të madhe të shpenzimeve në fushën e mbrojtjes, një temë që ishte bërë tabu pas hunbjes së Japonisë në vitin 1945. Ky ndryshim dramatik është nxitur nga frika e kërcënimit nga Kina.

Nxënësit e shkollave, së bashku me të mbijetuarit e sulmit me bombë atomike në Hiroshima, shënuan të shtunën 77-vjetorin e shpërthimit, që shkatërroi qytetin e tyre dhe vrau rreth 140 mijë njerëz. Atyre iu bashkuan anëtarë të qeverisë japoneze dhe Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara.

“Pothuajse 13,000 armë bërthamore janë në arsenalin e një numri vendesh të botës. Krizat, që bartin potencialin e përdorimit të armëve bërthamore, po përhapen me shpejtësi, nga Lindja e Mesme deri në gadishullin Korean, si dhe nga sulmi i Rusisë ndaj Ukrainës. Është krejtësisht e papranueshme që shtete që kanë armë bërthamore, të flasin për mundësinë e një lufte bërthamore”, tha Sekretar i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres.

Hiroshima do të jetë mikpritëse vitin e ardhshëm e takimit të grupit G-7.

“Së bashku me udhëheqësit e G-7, përpara monumentit të paqes, ne do të konfirmojmë angazhimin tonë për t'u bashkuar në mbrojtjen e paqes”, tha kryeministri japonez Fumio Kishida.

Kushtetuta e Japonisë, e shkruar pas disfatës së saj në vitin 1945, thotë se "populli japonez heq dorë përgjithmonë nga lufta si një e drejtë sovrane e vendit". Por kërcënimi i luftës po afrohet më pranë brigjeve të saj.

Stërvitjet e fundit ushtarake të Kinës rreth Tajvanit, të transmetuara në televizionin shtetëror, kanë rritur frikën se Pekini po planifikon një pushtim të ishullit, që e konsideron pjesë të territorit të tij. Japonia thotë se disa raketa kineze ranë në një pjesë të detit, që ajo e ka shpallur zonë ekskluzive ekonomike.

Në Hiroshima, pas ceremonisë mbi përvjetorin e sulmit me bombë atomike, kryeministri japonez tha se qeveria duhet t'i përgjigjet krizave në Tajvan dhe Ukrainë.

"Ne do të forcojmë në mënyrë drastike aftësitë tona mbrojtëse", tha ai.

Kjo politikë gëzon një mbështetje në rritje të publikut, thotë analisti Tetsuo Kotani.

“Për shkak të sulmit rus në Ukrainë, perceptimi i publikut të gjerë japonez për sigurinë kombëtare ndryshoi në mënyrë dramatike. Populli japonez është shumë i shqetësuar nga veprimet agresive të Kinës. Sondazhet tregojnë se më shumë njerëz po mbështesin tani ndryshimin e kushtetutës dhe rritjen e shpenzimeve në fushën e mbrojtjes, madje edhe zhvillimin e aftësive sulmuese të Japonisë”, thotë ai.

Japonia mund të tërhiqet në një konflikt për Tajvanin, thotë analisti Kotani.

"Kjo është e mundur për shkak të afërsisë gjeografike dhe pranisë së trupave amerikane në territorin e Japonisë", thotë analisti japonez.

Bombardimet në Hiroshima dhe Nagasaki transformuan qëndrimin e Japonisë ndaj luftës dhe fuqisë ushtarake. Por shtatëdhjetë e shtatë vjet më vonë, vendi duhet të përballet me një realitet të ri: një Kinë të fuqishme, agresive, të gatshme dhe të aftë, të demonstrojë forcën e saj ushtarake pranë brigjeve të Japonisë.

Përmbledhhje e edituar nga SHJ të tre raporteve të Voa-s

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA