Analisti amerikan në “Foreign Affairs”: SHBA-ja mund të përfshihet në luftën e Ukrainës
Qasja e tij është pjesërisht e drejtë dhe jo plotësisht
Ylli Përmeti
19/08/2022 - 20:15
Në një artikull të gjatë me titull “Duke luajtur me zjarrin në Ukrainë”, rreziqet e nënvlerësur për përshkallëzim katastrofik, për revistën amerikane “Foreign Affairs”, analisti amerikan Xhon Mershajmer (John Mearsheimer) argumenton se SHBA-ja mund të përfshihet drejtpërdrejt në luftën e Ukrainës. Këtë argument ai e mbështet me qëllimin amerikan në Ukrainë: fitoren ndaj Rusisë.
Në fjalët e tij: “rreziku [i përfshirjes amerikane] është në mënyrë të ndjeshme më i madh se urtësia mbizotëruese. Për të kuptuar dinamikat e përshkallëzimit në Ukrainë, fillo me qëllimet e palëve. Që kur filloi lufta, si Moska ashtu dhe Uashingtoni kanë rritur ambiciet në mënyrë kuptimplote, dhe të dyja palët janë të përfshira shumë në fitoren e luftës dhe realizimin e qëllimeve politike shumë të mëdha. Si rezultat, çdo palë ka një nxitës të fuqishëm për të gjetur rrugë për të mbizotëruar dhe, më e rëndësishmja, të shmangin humbjen. Në praktikë, kjo do të thotë se SHBA-ja mund të përfshihet në luftë ose sepse ajo është e dëshpëruar për të fituar ose të parandalojë humbjen e Ukrainës, ndërsa Rusia mund të përdorë armë bërthamore nëse ajo është e dëshpëruar për të fituar ose përballet me humbje kërcënuese, e cila do të ishte e mundur nëse SHBA-ja përfshihësh në luftë”.
Më tej ai diskuton çdo skenar të mundshëm. Por qasja e tij është pjesërisht e drejtë dhe jo plotësisht. Për qëllimin amerikan në Ukrainë ai ka të drejtë dhe për efektin që ka qëllimi në fjalë në Uashington. Por ai nuk diskuton fare qasjen e përgjithshme të Uashingtonit, për të cilën ai duhet të ishte në dijeni: se ai kërkon ta gjunjëzojë Rusinë përmes luftës së ndërmjetme dhe jo të drejtëpërdrejtë. Për këtë qëllim Uashingtoni ka punuar tetëdhjetë vjet―duke filluar me organizimin e nacionalistëve dhe nazifashistëve ukrainas shekullin e kaluar, duke i integruar ata në jetën politike ukrainase pas rënies së Bashkimit Sovjetik dhe duke mbështetur një grusht shteti në Kiev në vitin 2014 përmes të cilit përparoi me parafabrikimin e elitës politike atje dhe me politikat anti-ruse kundrejt popullit në Ukrainë veçanërisht në Donbas.
Ai nuk diskuton as mundësinë tjetër: se Uashingtoni mund ta quajë fitore edhe humbjen në Ukrainë―thjesht duke theksuar humbjet ruse nga ushtria ukrainase dhe mund të hapë një front tjetër luftarak për Rusinë në vendet baltike dhe ta zhysë Rusinë për vite me radhë në luftë dhe raskapitje.
Megjithatë, mundësitë e përfshirjes në luftë të ushtrisë amerikane rriten nëse gjykojmë nga veprimet e javëve të fundit lidhur me impiantin bërthamor në Zaporozhia: veprimet duket se janë të bashkërenduara me ushtrinë ukrainase dhe synojnë shkaktimin e një incidenti bërthamor në central me qëllim që të akuzohet Rusia si kërcënuese e sigurisë evropiane dhe më pas të përfshihen forcat e Nato-s me në krye forcat amerikane në konflik të drejtëpërdrejtë me Rusinë.
Ka kaluar më shumë se një javë nga mbledhja në OKB ku u disktua për rreziqet e impiantit dhe ku kreu i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (ANEA) Rafael Grossi, shprehu gadishmërinë për të shkuar në terren për të inspektuar impiantin. Që nga ajo ditë nuk kemi parë ndonjë grup inspektorësh të shkojë atje. Grosi thotë se po punon me palët për të shkuar ndërsa palët thonë se janë të gatshme të bashkëpunojnë me inspektorët sidomos pala ruse e cila nxiti dhe mbledhjen në Këshillin e Sigurisë në OKB. Por një raport i fundit nga IAEA nuk njofton ndonjë përparim.
Cilësia e lartë gazetareske kërkon përkushtim dhe dashuri. Ju lutem ndajeni këtë artikull me të tjerë duke përdorur vjegzën/linkun përkatëse
- 88 reads



