Gjashtë pikat e Kurtit për marrëveshje me Serbinë dhe përpjekjet e Vuçiçit për të fajësuar të tjerët
Kurti ka kërkuar të bisedohet për marrëveshjen e përgjithshme që duhet të arrihet të cilën e ka skicuar në gjashtë pika dhe gjashtë nënpika
Adil Fetahu
23/08/2022 - 07:03
Në takimin Kurti-Vuçiç, që u mbajt më 18 gusht në Bruksel, me pjesëmarrjen e plakut të babadimrit, Borelin, dhe me Lajçakun, nuk u arrit asnjë marrëveshje midis palëve. Vuçiçi në stilin e tij prej demagogu, tha se po shkon në Bruksel, për të ruajtur paqen dhe për të arritur “kompromis”, që nënkupton respektimin e kushtetutës dhe ruajtjen e pushtetit të Serbisë mbi Kosovën.
Kurti ka kërkuar të bisedohet për marrëveshjen e përgjithshme që duhet të arrihet të cilën e ka skicuar në gjashtë pika dhe gjashtë nënpika:
1. Parimet e përgjithshme të marrëdhënieve bilaterale
a) njohja e përgjithshme reciproke
b) anëtarësimi (i Kosovës) në të gjitha organizatat ndërkombëtare
2. Zgjidhja e problemeve nga e kaluara:
a) çështja e të zhdukurve
b) çështja e të dhunuarave
c) çështja e refugjatëve
d) çështja e shkatërrrimit të pronës private dhe kthimit të artefakteve
3. Bashkëpunimi në të ardhmen
4. Respektimi i pakicës Shqiptare në Serbi
5. Rishqyrtimi i marrëveshjeve të arritura më parë, dhe
6. Marrëveshja përfundimtare.
Lista e propozimeve të Kurtit e ka çmendur Vuçiçin, “kompromiset” e të cilit nuk shiten tek Albini. Nuk u arrit asnjëfarë marrëveshje për targat e automjeteve dhe letërnjoftimet, të cilat duhet të zbatohen me reciprocitet prej 1 shtatorit k.v.
Për ta bërë çështjën më alarmante, Vuçiçi prej Brukseli e caktoi mbledhjen me përfaqësuesit e serbëve të Kosovës dhe temë për një fjalim “historik” për kombin e tij. Në bisedën që pati me udhëheqësit politik dhe të bandave kriminale të serbëve të Kosovës dhe në fjalimin e tij “historik”, i kumtoi opinionit se “Serbia është shtyrë deri në kënd nga presioni, nuk ka ku të shkojë më tutje, prandaj çkado që të ndodhë, sido që të jetë, nuk do të ketë kolona refugjatësh, sepse do ta mbrojmë popullin tonë nga përndjekja dhe pogromi”.
Këto fjalë janë kërcënim i drejpërdrejt për luftë, për të cilën po e ndërsen Moska, në mënyrë që ta destabilizojë Ballkanin dhe t’ia largojë Evropës vëmendjen nga lufta në Ukrainë e të merret me Ballkanin.
Nga ana tjetër, sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Stoltenberg, po atë ditë në Burksel, ua tërhoqi veshin Vuçiçit dhe Albinit, të mos provokojnë përshkallëzim të gjendjes e të rrezikojnë të paqen, sepse NATO është këtu dhe nuk do ta lejojë.
Për ta frikësuar dhe unifikuar popullin e tij, Vuçiçi lëshoi rrena të hapta, kinse e ka listën e serbëve të cilët “regjimi i Prishtinës” po don t’i likuidojë”!
Më 21 gusht Vuçiçi u takua edhe me patriarkun e Kishës Ortodokse Serbe, Porfirije dhe me peshkopin Irinej, të cilët “i informoi për bisedat që ka pasur në Bruksel, dhe bashkarisht u muarën vesh ta ruajnë popullin dhe shtetin, emrin dhe shtetësinë serbe në Kosovë e Metohi”!
Se me çfarë qëllime djallëzore mban takime me përfaqësuesit politik dhe të bandave të serbëve të Kosovës, e me krerët e kishës, sa herë kthehet nga bisedimet e dështuara në Bruksel, mund të merret me mend: që përgjegjësinë e tij për dështimet e politikës së tij jorealiste, ta ndajë e ta bartë te të tjerët.
Shënim: Nga takimi mes Kurtit dhe Vuçiçit në datën 18 gusht në Bruksel, nuk pati ndonjë marrëveshje, sepse, siç tha burokrati i Brukselit, takimi synonte qetësimin e gjendjes në terren dhe jo marrëveshje ndërsa palët e përfshira në bisedime thanë se do të vazhdojnë diskutimet. Takimi nuk ishte normal por i zakonshëm, takim për drejtimin e krizës, tha Boreli; ai ishte rreth përgjegjësisë së dy udhëheqësve për të kërkuar zgjidhje me besim të mirë, për të siguruar se paqja dhe qendrueshmëria mbizotërojnë në veri të Kosovës. Palët u takuan ndarazi dhe së bashku me zyrtarët evropianë!
Cilësia e lartë gazetareske kërkon përkushtim dhe dashuri. Ju lutem ndajeni këtë artikull me të tjerë duke përdorur vjegzën/linkun përkatëse
- 91 reads



