Çfarë është përfituar nga reforma territoriale?
Dita
13/03/2017 - 19:28
Projekti Star II dhe donatorët sjellin një pamje të re të bashkive në vend. Çfarë ka ndodhur me reformën administrativo-territoriale këto kohë dhe cilat janë planet për të ardhmen. Një udhëtim në Fier, Tepelenë dhe Gjirokastër
Reforma administrativo-territoriale ka qenë e suksesshme sipas qeverisë deri më tani. Efektet kanë qenë pozitive, ndërkohë që për ngritjen e kapaciteteve menaxheriale financiare dhe të shërbimeve po zbatohet projekti “Star II”, që është financim prej rreth 8 milionë dollarësh dhënë nga Bashkimi Europian, qeveria e Shqipërisë e Suedisë, e Italisë e Zvicrës, PNUD dhe USAID. Sipas ministrit për Çështjet Vendore Blendi Çuçi, hapi tjetër që do të pasojë këtë reformë do të jete decentralizimi fiskal.
“Është hera e parë në Shqipëri që materializohet koncepti i taksës së ndarë. Janë disa taksa që ndahen në përqindje, një pjesë i shkon buxhetit të qeverisë, një pjesë i shkon buxheti të qeverisjes vendore. Krijohet një frymëmarrje më e madhe për tarifat që vendos qeverisja. Pra një diskrecion më i madh për tarifat që vendos pushteti vendor”, u shpreh ministri Blendi Çuçi.
Hapi tjetër do të jetë dixhitalizimi i arkivave të dokumenteve të ish-njësive vendore. Reforma territoriale ka rritur kompetencat e bashkive dhe mundëson që të zbatohen projekte që më parë për komunat ishin të parealizueshme.
Një grup gazetarësh, shoqëruar nga ministri Çuci, këtë fundjavë u njohën nga afër me rezultatet e reformës dhe takuan kryetarin e Bashkisë së Fierit dhe të Tepelenës.
“Jam i bindur që njësitë e vogla dhe të copëzuara që kanë funksionuar para reformës nuk i kanë patur më parë këto mundësi që kanë sot bashkitë e mëdha. Edhe për të projektuar, edhe për konkurruar, edhe për të financuar, qoftë nga fondet e qeverisë shqiptare, qoftë nga burimet e veta të drejtpërdrejta”, tha kreu i Bashkisë Fier, Armando Subashi.
Shembull konkret është projekti për shmangien e përmbytjeve në Darzezë në Fier. Këtu Bashkia po ndërhyn për pastrimin e kanaleve kulluese. Më parë ndërhyje të tilla nga komunat bëheshin me vështirësi.
Ngritja e kapaciteteve ka ndihmuar edhe projektet e rilindjes urbane dhe ka mundësuar që bashkitë të marrin më shumë fonde për rindërtimin e shkollave dhe të mjediseve të tjera publike.
‘’Tashmë është një histori e vjetër fakti që Shqipëria ka një hartë të re administrativo-territoriale. Çfarë është e re dhe që do mbetet për një kohë të gjatë në dinamikë të çdo zhvillimi është zbatimi i reformës, funksionimi i një qeverisje vendore sipas standardeve më të mira europiane. Kemi bërë shumë nga pikëpamja e strukturimit me 61 bashki. Kemi një ligj të ri dhe një partneritet të ri mes qeverisjes vendore dhe asaj qendrore, ku kemi dhënë më shumë kompetenca dhe funksione te bashkitë. E gjithë kjo lëvizje e madhe
shoqërohet me zhvillime dhe duhet ndjekur hap pas hapi, në mënyrë që të kuptohet edhe nga komunitetet që çfarë përfaqëson në vetvete qeverisja vendore dhe rëndësia që ka në jetën e përditshme të çdo qytetari. Shpesh herë kemi parë edhe përmes medias që nuk është kuptuar si duhet roli i bashkisë dhe rëndësia që ka në jetën e çdo qytetari, ndaj dhe është ngritur ky dialog i përbashkët”.
Sipas Çuçit në këto 3 vite është bërë një punë intensive për transformimin e qeverisjes vendore, dhe në masën më të madhe reforma po jep efektet e veta.
“Një nga funksionet, e cila për herë të parë u shkon bashkive, është mirëmbajtja e kanaleve vaditëse dhe kulluese (në Fier), dhe vetëm për një 1 vit e dy muaj janë pastruar mbi 2 mijë km kanale, të cilat kanë qenë në gjendje katastrofike prej 25 vitesh të pa pastruara. Të gjithë këto fenomene përmbytjesh dhe tokash janë rezultat i neglizhencës dhe i keqstrukturimit të qeverisjeve të mëparshme. Jemi në rrugë të mbarë dhe po bindim edhe skeptikët që thonë se decentralizimi nuk është instrumenti i duhur, përkundrazi ky ka sjellë shërbim më cilësor dhe efiçent ndaj komunitetit’’, shprehet Bledi Çuçi
“Tërmeti” që po ndjen Tepelena
Në hyrje të qytetit të Tepelenës na pret kryetari i Bashkisë, Termet Peçi. I entuziazmuar për punët që ka bërë deri më tani, ai nis edhe na tregon për investimet që janë në sheshin kryesor të qytetit, fasadat e pallateve, por edhe për rikonstruktimin e shkollës “Abaz Shehu” një shkollë që për vite nuk ishte venë dorë. Sot ajo kishte tërësisht një pamje të re.
Sipas tij, të paktën 1.4 miliardë lekë janë investuar për rikonstruksionin e sheshit dhe pedonales në Tepelenë, duke i dhënë një pamje të re qytetit.
Çdo pasdite këtë shesh e gjen të mbushur me fëmijë, të rinj e të moshuar. Jo vetëm pedonalja, por edhe fasadat e pallateve i janë nënshtruar rikonstruksionit. Kryetari i bashkisë Tërmet Peçi shprehet se, mbështetja e qeverisë do të vijojë. Bashkia e re e Tepelenës, numëron rreth 18 mijë banorë.
Procedura të lehtësuara
Gjirokastra ishte ndalesa e radhës. Artan Shkëmbi, drejtor i AZRT-së shpjegoi më shumë rreth asaj që ka ndodhur deri më tani me reformën territoriale. Një nga problematikat që janë përballur për herë të parë bashkitë është çështja e tokave bujqësore. Ai sqaroi se çfarë ka ndryshuar në këtë drejtim dhe si janë thjeshtuar procedurat.
‘’Aktet e marrjes së tokës në pronësi kanë qenë të vështira si procedurë, pasi një banori të fshatit për të marrë këtë dokument do t’i duhej të shkonte në qytet ta noterizonte, të kontaktonte me një topograf të licencuar që të vinte t’i maste tokën, pastaj t’i bënte plan vendosjen. Duhet të paguante shumë lekë, të shkonte disa herë në qytet deri sa të arrinte të shkonte te hipoteka, të priste në radhë, të aplikonte, deri kur t’i vinte radha për ta marrë. Tani një banor i fshatit kudo që të jetë, vetëm me aktin e marrjes së tokës në pronësi shkon te njësia administrative, bashkë me certifikatën e familjes, e dorëzon atje dhe puna e tij mbaron me kaq. Shmang noterin, studion private të topografit të licencuar, të gjitha këto detyra i janë ngarkuar bashkisë për t’u zgjidhur, që të ndjekë të gjithë procesin falas për qytetarin. Qytetari do shkojë vetëm te zyra e regjistrimit kur dokumenti të jetë gati për t’u tërhequr,’’ sqaroi Shkëmbi.
Një tjetër punë që pritet të bëhet në këtë projekt është dixhitalizimi i arkivave. Çuçi u shpreh se situata e tyre është skandaloze dhe për dy vite çdo dokument do të jetë dixhitalizuar.
Sipas tij, ky është proces voluminoz pune, i cili fillon me inventarizimin e gjithë dokumentacionit që kanë bashkitë; me konsolidimin e inventarëve sepse bashkohen inventarët e 5, 6, 9 dhe 13 arkivave të ish njësive të vjetra, komunave, dhe do bëhet indeksimi, skanimi, dixhitalizimi në një sistem të tërë, dhe më pas të funksionojë protokolli i çdo bashkie në mënyrë dixhitale.
“Çdo shkresë që do prodhohet do të skanohet dhe do jetë dixhitale, pra komunikimi administrativ do jetë dixhital. Është një punë kolosale që falë ndihmës së donatorëve do ta realizojmë me ta. Pjesën e parë të software dhe hardware e kemi bërë me qeverinë nëpërmjet AZRT-së, e cila ka blerë skanera, kompjuterë, printera për çdo njësi administrative, për 383 pika në Shqipëri ku janë arkivat sot. Shpresojmë që për një kohë të shkurtër, 2 vjet, ne të jemi në përfundim të këtij procesi, një punë kolosale e cila kërkon impenjim total, pasi situate është skandaloze, sidomos në ish-komuna. Kostoja e këtij procesi shkon 1 milion euro. Ky është një standard i një qeverisje të mirë”,- pohoi Bledi Çuçi.
Cilësia e lartë gazetareske kërkon përkushtim dhe dashuri. Ju lutem ndajeni këtë artikull me të tjerë duke përdorur vjegzën/linkun përkatëse
- 83 reads




