Gafa e rëndë e Osmanit me flamurin “dardan” dhe kuptimi i flamurit shqiptar
Fusha e kuqe tregon gjakun e derdhur për pavarësinë tonë kombëtare; shqiponja, megjithëse ajo nuk karakterizohet vetëm nga gjallëria dhe shpejtësia kur sulmon por dhe nga karakteri i saj grabitqar, ne duhet ta përdorim atë për cilësitë e para dhe kurrë për cilësinë e dytë, jo vetëm si nevojë për t`u mbrojtur por dhe si fakt historik, se ne jemi i vetmi popull që e quajmë veten “shqipe”, për cilësitë e para të saj; dhe ylli tregon njeriun i cili ka nevojë për edukim që të bëhet virtuoz, me virtytin kryesor për të mbrojtur atdheun, trimërinë.
Ylli Përmeti
29/08/2022 - 15:11
Vjosa Osmani e priti Eskobarin me dy flamuj: një me fushë blu dhe gjashtë yje dhe një që lidhet me flamurin “dardan”; i pari ishte rezultat i konkursit të vitit 2007 dhe i ngjashëm me flamurit evropian. Ky i fundit përbëhet nga një fushë blu me 12 yje në ngjyrë ari. Fusha blu simbolizon qiellin ndërsa 12 yjet në formë rrethi simbolizojnë bashkimin, solidaritetin dhe harmoninë mes popujve të Evropës. Por në rastin e Kosovës yjet simbolizojnë pakicat kombëtare.
Flamuri “dardan” është propozuar nga Ibrahim Rugova në 29 tetor të vitit 2000 si flamur i mundshëm për Kosovën. Flamuri “dardan” është blu me një rreth të artë në mes brenda të cilit qendron shqiponja dykrenare me një parzmore në mes dhe emrin Dardani në kordele të bardhë. Mbi shqiponjë qendron ylli me gjashtë cepa. Fusha e rrethit është e kuqe ndërsa ylli është në ngjyrë të artë me parzmoren në tre ngjyra, të kuqe, të zezë, dhe rrathë, brenda të cilëve gjenden gjashtë rrathë të tjerë në formën e rrathëve atomikë.

Si flamur është tejet i ngarkuar dhe nuk ka fakte se ai i ngjan flamurit të mbretërisë dardane. Por nëse gjykojmë nga mbreti i parë i Dardanisë, Bardhyli, dhe kuptimi i emrit të tij, “bardh-yll”, ose “yll i bardhë” (disa studiues e vlerësojnë këtë kuptim si kuptim popullor dhe jo shkencor!), flamuri dardan duhet të kishte një yll të bardhë.
Por ka të dhëna për flamurin e Aleksandrit të Madh dhe Skendërbeut. Aleksandri ka lidur pak vite pas vdekjes së Bardhylit ndërsa Skënderbeu besonte se ishte pasardhës i Alenksandrit (ose Lekës) së Madh (osmanët besonin njësoj, ndaj e quajtën Skënderbe, ose Iskander, kuptimi i të cilit lidhet prapë me Aleksandrin) dhe Piros aq sa e përdori simbolin e stemës së tij, diellin në trajtën e një ylli me tetë cepa, në vulën e tij dhe në stemën shqiptare të shtetit shqiptar që ai krijoi ndërsa në stemën e Filipit të II të Maqedonisë, dielli paraqitet në trajtën e një ylli me 16 cepa. Siç citon studiuesi Kasem Biçoku:
Stemën me yllin, si simbol të diellit, Skënderbeu do ta ketë njohur prej monedhave të vjetra të prera në kohën e Aleksandrit të Madh, të cilat, siç kanë shkruar udhëtarët e huaj, deri vonë janë përdorur masivisht e me adhurim si hajmali prej shqiptarëve. Këto monedha janë prerë edhe pas vdekjes së Aleksandrit të Madh dhe janë zbuluar shumë në trojet shqiptare, si në afërsi të Maliqit (Hija e Korbit), në Holm, Apolloni, Pogradec, Dimal, Ersekë, Leshnicë e Sipërme, Selcë, Irmaj etj. Dielli është adhuruar prej shqiptarëve dhe simboli i tij del rëndom në zbukurimet e bizhuterive, të veshjeve etj…vula e tij ka pasur në krye të rrethit anësor një yll me tetë cepa ose rreze, që është simbol i diellit. Nën yllin e parë dhe midis dy krerëve të shqiponjës së vulës së Skënderbeut është një yll i dytë me gjashtë cepa. Ylli me tetë cepa është midis dy krerëve të shqiponjës edhe në stemën e Kastriotëve. Stema e Kastriotëve, me yllin me tetë cepa, është gdhendur dy herë në varrin monumental të nipit të Skënderbeut, Konstandinit, që gjyshja e tij dhe gruaja e Heroit tonë Kombëtar, Donika, ia ngriti në Napoli të Italisë në vitin 1500. Vula e madhe e Skënderbeut dhe stema e Kastriotëve dëshmojnë se ylli me tetë cepa, si simbol i diellit, ka qenë më i përdorur nga Heroi ynë Kombëtar. Pra duhet pranuar se ylli me tetë cepa është midis dy krerëve të shqiponjës edhe në flamurin e tij.
Skënderbeu ka përdorur dhe petkat e purpurta të Aleksandrit në veshje dhe të njëjtën ngjyrë kishte dhe flamuri i tij. Kjo ngjyrë ka qenë simbol i perandorisë bizantine dhe shprehte sovranitet perandorak dhe përdorësh si në veshje ashtu dhe në flamurin shtetëror. Studiuesit tregojnë se Skënderbeu nuk u bazua në flamurin e perandorisë bizantine, e cila, si perandori, mbante në flamurin e saj shqiponjën dykrenare për shekuj me radhë; as u bazua tek përdorimi i saj nga popuj parabizantinë; por ishte rezultat i shqyrtimit të hollësishëm nga muzakajt në raport me të kaluarën e popullit arbëror të kohës.
Muzaka e fitoi flamurin pas fitores ndaj mbretit serb Vukashin në Kosovë dhe Maqedoninë Perëndimore. Pas kësaj fitore ai u kurorëzua nga perandori bizantin Joani i V-të me titullin e princit duke i dhënë stemën perandorake bizantine me shqiponjë të zezë dhe yll në mes e vendosur në fushë të artë. Kjo stemë zëvendësoi stemën e muzakjave me një burim uji që shpërthente nga toka dhe ndahej në dy rrjedha me një pishtar në mes. Burimi gjendësh në Epir dhe sipas shumë autorëve ai shuhej (shteronte) dhe ndizej (buronte) herë pas here. Vetë perandoria bizantine shqiponjën me dy koka e lidhte me sovranitetin dualist të perandorit në çështje shekullare dhe fetare ose mbizotërim në Lindje dhe Perëndim.
Por më shumë në këtë drejtim ka ndikuar karakteri i shpendit dhe Pirua; këtë të fundit bashkëluftëtarët e tij e quanin shqiponjë sepse ai sulmonte armiqt si një shqiponjë. Që nga ajo kohë ilirët e kohës filluan ta quanin veten “shqipe” dhe më pas “shqiponja”, duke nënkuptuar karakterin e tyre: se ata sulmonin si shqiponjë. Luftrat e bënin, gjithashtu, të domosdoshme, përdorimin e simbolit të shqiponjës: sepse vetëm përmes atij simboli mund të frymëzonin dhe inkurajonin luftëtarët. Kështu u trashëgua shqiponja nga një brez në tjetrin duke kulmuar në vitin 1912 me themelimin e shtetit të parë shqiptar ―pas shtetit të Skënderbeut― kur u ngrit shëmbëlltyra e flamurit të Skënderbeut në Vlorë nga Ismail Qemali por pa yllin e Skënderbeut.
Ylli (i bardhë) mbi shqiponjë iu shtua në vitin 1914 deri në vitin 1920. Pas këtij viti flamuri i mbretërisë së Zogut u paraqit pa yll dhe pas vitit 1928 deri në vitin 1939 flamuri ynë kishte përkrenaren e Skënderbeut në vend të yllit. Gjatë pushtimit nazifashist flamuri ynë mori formën e një steme fashiste dhe me ardhjen e komunistëve në pushtet flamuri iu kthye formës që kishte gjatë viteve `14-`20: dy vitet e parë duke i shtuar “draprin dhe çekanin” në të majtë të tij dhe më pas ai u shfaq me një yll por me pesë cepa dhe ngjyrë të artë.
Komunistët yllin me pesë cepa e lidhnin me njeriun ose edukimin e tij, sepse ylli me pesë cepa simbolizon pesë “cepat” e njeriut: dy këmbë; dy duar; dhe një kokë. Kështu në qendër të flamurit u vendos shqiponja dhe karakteri i saj ―shpejtësia dhe gjallëria― dhe mbi të, njeriu në simbolin e yllit, i cili nënkuptonte edukimin e tij meqënse vetë ylli nënkuptonte dritën ose dritën e diellit. Në këtë mënyrë, flamuri mori karakter virtuoz; me njeriun (yllin) si mision për ta edukuar dhe karakterin e shqiponjës si domosdoshmëri për t`u mbrojtur.
Por me rënien e socializmit marksist dhe shpërbërjen e partisë komuniste flamuri ynë ndryshoi prapë: klasa e re politike ia hoqi yllin dhe e la shqiponjën të vetme. Në ligjin Nr.9826, 2002, përkufizohet flamuri ynë kombëtar por pa sqaruar kuptimin e tij! Kështu ka mbetur flamuri ynë jo vetëm gjysmakë në raport me atë çka valviti Skënderbeu në betejat e tij dhe mijëra të tjerë pas tij, por me një shqiponjë të cilës kuptimin nuk ia di asnjëri! Por le t`i japim kuptim flamurit tonë:
Fusha e kuqe tregon gjakun e derdhur për pavarësinë tonë kombëtare; shqiponja, megjithëse ajo nuk karakterizohet vetëm nga gjallëria dhe shpejtësia kur sulmon por dhe nga karakteri i saj grabitqar, ne duhet ta përdorim atë për cilësitë e para dhe kurrë për cilësinë e dytë, jo vetëm si nevojë për t`u mbrojtur por dhe si fakt historik, se ne jemi i vetmi popull që e quajmë veten “shqipe”, për cilësitë e para të saj; dhe ylli tregon njeriun i cili ka nevojë për edukim që të bëhet virtuoz, me virtytin kryesor për të mbrojtur atdheun, trimërinë.
T`i kthehemi tani veprimit të Osmanit: ajo përdori si flamur të dytë të një “shëmbëlltyre” imagjinare dhe krahinore. Ky veprim është dy herë i padrejtë jo vetëm lidhur me historinë e Bardhylit, Aleksandrit, Piros dhe Skënderbeut, por dhe lidhur me të ardhmen e Kosovës: ajo nuk duhet të mbajë flamur të dytë një flamur krahinor dhe për më keq, imagjinar, por një flamur kombëtar, me qëllim që të tregojë se nderon historinë tonë kombëtare dhe të projektojë veten në të ardhmen paçka se të huajt brufullojnë kur shohin simbole kombëtare në Kosovë.
Cilësia e lartë gazetareske kërkon përkushtim dhe dashuri. Ju lutem ndajeni këtë artikull me të tjerë duke përdorur vjegzën/linkun përkatëse
- 238 reads



