...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Pushimi` hetimit të Bashës tregon karakterin e sistemit të drejtësisë

Prokuroria duhet të çelë dy hetime tashmë: një kundër Bashës dhe një kundër prokurorëve dhe gjykatësve që e pushuan çështjen. Nëse ajo nuk vepron kështu, ne do të kemi plotësisht të drejtë të protestojmë kundër saj!

Ylli Përmeti

17/09/2022 - 09:44

Veprimi për të cilin akuzohet Basha ―pastrim të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale, sipas Kodit Penal/Nenit 287―, dënohet me “burgim nga pesë gjer në dhjetë vjet”. Shuma për të cilën akuzohet është 500 mijë dollarë. Akuza u bazua në deklaratën e firmës lobuese amerikane “Muzin Capitol Partners” dhe artikulli i publikuar në revistën amerikane “Mother Jones”.

Prokuroria jonë filloi hetimet për të vërtetuar akuzën amerikane “për pastrim parash”. Ajo pranoi se “Partia Demokratike nuk ka raportuar në mënyrë të rregullt, pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, paratë e shpenzuara, duke iu shmangur legjislacionit për parandalimin e pastrimit të parave”. Por më pas ajo u tërhoq dhe gjykata pushoi çështjen pavarësisht se Basha kishte dhënë shpjegime të ndryshme publikisht!

Vetë ish-kryetari i partisë në fjalë tha një herë se ia kishin dhënë “shqiptaro-amerikanët” dhe një herë se nuk e dinte se ç`kishte bërë lobuesi i tij!  Veprimi i prokurorisë dhe gjykatës, rrjedhimisht, është në kundërshtim me ligjin dhe si institucione ligjore, me detyrë drejtësinë, duhet të mbahen përgjegjëse për pushimin e çështjes―pavarësisht se kuptohet kush mund t`i ketë ndaluar për të hetuar çështjen.  

Nga ana tjetër, pretendimi se Rusia ka “dhënë fshehurazi mbi 300 milionë dollarë për parti politike dhe kandidatë në dhjetra vende, përfshirë dhe Partinë Demokratike me drejtues Bashën, sipas “një zyrtari të lartë amerikan”, anonim, por që thuhet se i përmbahet një raporti të shërbimeve inteligjente amerikane, i cili do të publikohet në të ardhmen për të treguar vërtetësinë e lidhjes mes partive politike dhe qeverisë ruse, duhet marrë me rezerva të mëdha meqë dihet se SHBA-ja dhe Rusia janë rivale gjeopolitike dhe e para është bërë mjeshtre e propagandës së zezë dhe meqë dihet se nuk është hera e parë që akuzohet Rusia nga Uashingtoni për përfshirje në “demokracitë” perëndimore.

Akuza e parë kundër Rusisë u ngrit në fillim të tetorit të vitit 2016. Sipas saj, Moska ndërhyri në zgjedhjet presidenciale të SHBA-ve duke drejtuar sulme kibernetike ndaj politikanëve dhe partive amerikane! Pas kësaj akuze ―rreth dy javë më pas― u mobilizua Brukseli për të hetuar partitë e djathta për të cilat dyshonin se financoheshin me pará ruse. Siç raportoi FT: “agjencitë inteligjente të “disa” vendeve përshpejtuan shqyrtimin e lidhjeve të mundshme me Moskën”, por për arsye sigurie dhe politike, gjetjet e inteligjencës nuk u shpërndan mes anëtarëve të tjerë të BE-së.

SHBA-ja filloi hetimet duke dyshuar dhe presidentin amerikan, Trampin, për lidhje me parátë ruse. Por pas rreth katër vitesh nuk u vërtetua asgjë. Madje qoftë edhe artikulli i FT, pas rreth tre vitesh, ku tregohet “krahu i gjatë i Rusisë i lidhur me të djathtën evropiane”, bazohet në disa “skandale” politike (të Partisë së Lirisë në Austri; Fidesz-it në Hungari; Ligës Veriore në Itali; Zgjidhja Gjermane në Gjermani; Marshi Kombëtar në Francë; Jobbik në Hungari; dhe Partia e Pavarësisë në Britani): kryesisht të lidhura me kontrata shtetërore të cilat mundësonin zgjerimin e veprimtarisë ekonomike të njerëzve pranë Putinit në Evropë. Por kanë kaluar rreth 3 vjet dhe asnjë dyshim nuk është provuar apo vërtetuar!

Kështu, akuza amerikane ―të paktën deri tani― është e karakterit politik dhe jo juridik, qoftë edhe në raport me Bashën: se ajo (nuk) ka prova të mjaftueshme që tregojnë se Basha ka marrë pará ruse. Bazuar në çka është publikuar deri tani, ne mund të dyshojmë se ai mund të ketë marrë pará dhe nga amerikanët! Por ky pretendim ka pak rëndësi: sepse për ne me rëndësi është veprimi i vetë Bashës në raport me ligjin ―se ai ka përdorur pará të padeklaruara për qëllime pushtetore―, dhe veprimi i prokurorisë dhe gjykatës: ajo vazhdon të diktohet nga pushtetet politike (me shumë gjasa nga ambasada amerikane dhe Rama meqë e përdorën Bashën si marjonetë për të ndaluar veprimtarinë politike të Berishës) pavarësisht reformës në drejtësi!

Kujtoj se pas miratimit të reformës në drejtësi (2016) Berisha, Meta dhe Basha u përpoqën ta minonin (ose pengonin) përparimin e saj (si fillim me protestën e gjatë në Bulevard me çadrën e famshme). Por ndërsa ata tani përballen me drejtësinë e pavarur nga opozita por të varur nga Rama dhe amerikanët, Rama e ka minuar më shumë krahasuar me treshen e opozitës me ndërhyrjet e tij.  

Basha dhe Meta përgatiten të minojnë Spak-un me amerikanë të paguar dhe taktika politike

Ndaj prokuroria duhet të çelë dy hetime tashmë: një kundër Bashës dhe një kundër prokurorëve dhe gjykatësve që e pushuan çështjen. Madje dhe një kundër Ramës, meqë kuptohet se ka ndërhyrë në sistemin e drejtësisë. Nëse ajo nuk vepron kështu, ne do të kemi plotësisht të drejtë të protestojmë kundër saj!   

Për krahasim, ndiqni emisionin e Fevziut, i cili bashkë me të ftuarit e tij, përqendrohet tek “paratë ruse”, për të cilat hidhen dyshime, dhe jo tek sistemi ynë i drejtësisë! Kujtojmë se gazetari në fjalë paguhet edhe me taksat e popullit dhe pavarësisht këtij fakti ka gati 30 vjet që nuk shërben të vërtetës!

Video: 
Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA