...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Vuçiçi kërkon t`i sqarojnë dallimin mes Ukrainës dhe Kosovës në OKB

Vuçiçi është në Nju Jork për Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, ku thotë se synon të dërgojë mesazhin se Serbia sipas ligjit ndërkombëtar, ka të njëjtat të drejta të kundërshtojë pavarësinë e Kosovës si Ukraina për rajonet e kontrolluara nga separatistët prorusë.

Voa

21/09/2022 - 07:49

Udhëheqësi separatist i serbëve të Bosnjës Milorad Dodik u takua të martën me presidentin rus Vladimir Putin në Moskë disa ditë pasi ai shprehu mbështetjen ndaj agresionit të Moskës kundër Ukrainës, njoftuan mediat ruse dhe serbe.

Gjatë një vizite të zotit Dodik në Moskë, e rrallë nga një politikan nga Evropa, presidenti rus vlerësoi "partneritetin strategjik" të vendit të tij me Serbinë.

Vizita erdhi mes paralajmërimeve të përsëritura nga Bashkimi Evropian se Serbia duhet të harmonizojë politikat e saj të jashtme me bllokun nëse vërtet synon të bëhet anëtare.

Zoti Dodik, një anëtar serb i presidencës trepalëshe të Bosnjës, është takuar shpesh me presidentin rus, veçanërisht përpara zgjedhjeve kur ai përpiqej t'i tregonte elektoratit shumë pro-rus të serbëve të Bosnjës se ka mbështetjen e zotit Putin. Udhëheqësi i serbëve të Bosnjës u takua për herë të fundit me presidentin rus në qershor, muaj pas fillimit të agresionit rus ndaj Ukrainës në shkurt.

Moska është akuzuar shpesh nga Perëndimi se kërkon të destabilizojë Bosnjën dhe pjesën tjetër të Ballkanit nëpërmjet përfaqësuesve të saj në Serbi dhe Bosnje. Zoti Dodik ka mbrojtur hapur shkëputjen e pjesës së Bosnjës të kontrolluar nga serbët nga federata boshnjako-kroate dhe bashkimin e saj me Serbinë fqinje.

Në prag të vizitës së tij në Moskë, zoti Dodik dha një intervistë për agjencinë shtetërore ruse të lajmeve TASS, ku përsëriti pikëpamjet e tij separatiste, por shprehu gjithashtu mbështetjen për ndërhyrjen ruse në Ukrainë.

"Për shumë vjet, Perëndimi nuk reagoi ndaj shfarosjes së popullsisë ruse në Ukrainë, ndërsa kishte vrasje dhe bombardime të përditshme në Donbas," tha ai. "E gjithë kjo ishte e qartë dhe Rusia u detyrua të hakmerrej."

Në janar Uashingtoni ia ndaloi udhëheqësit të serbëve të Bosnjës të njohur për qëndrimin e tij pro-rus hyrjen në Shtetet e Bashkuara dhe vendosi sanksione financiare ndaj tij, pasi administrata e Presidentit Joe Biden e akuzoi atë për "aktivitete korrupsioni" që kërcënojnë të destabilizojnë rajonin.

Milorak Dodik i ka quajtur "gënjeshtra monstruoze" akuzat se kishte grumbulluar pasuri masive për vete, të afërmit dhe bashkëpunëtorët e tij.

Pasi Shtetet e Bashkuara njoftuan javën e kaluar se Rusia ka dhënë fshehurazi mbi 300 milionë dollarë për parti politike dhe kandidatë në dhjetëra vende që nga viti 2014, një burim i administratës amerikane tha se zoti Dodik është njëri prej politikanëve që kishte përfituar nga para ruse për financimin e fushatës së tij.

Putin, mesazh mbështetjeje për Serbinë

Presidenti Putin i dërgoi gjithashtu të martën një mesazh të veçantë Serbisë dhe presidentit të saj Aleksandar Vuçiç. Serbia është i vetmi vend që kërkon anëtarësimin në BE që ka refuzuar t'i bashkohet sanksioneve perëndimore kundër Rusisë për luftën e saj në Ukrainë.

"Rusia dhe Serbia janë të lidhura me një partneritet strategjik," tha zoti Putin, sipas mediave serbe. "Unë flas rregullisht me presidentin Vuçiç në takime personale dhe biseda telefonike për çështje kyçe për zhvillimin e mëtejshëm të bashkëpunimit."

Edhe pse zyrtarisht kërkon anëtarësimin në BE, Serbia gjatë drejtimit 10-vjeçar të presidentit Vuçiç është afruar gjithnjë e më shumë me Rusinë.

Zoti Vuçiç është në Nju Jork për Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, ku thotë se synon të dërgojë mesazhin se Serbia sipas ligjit ndërkombëtar, ka të njëjtat të drejta të kundërshtojë pavarësinë e Kosovës si Ukraina për rajonet e kontrolluara nga separatistët prorusë.   

Vuçiçi kërkon t`i sqarojnë dallimin mes Ukrainës dhe Kosovës

Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiç, tha të mërkurën se vendi i tij mbështet tërësinë tokësore të Ukrainës, ndërsa kritikoi vendet anëtare të Kombeve të Bashkuara që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës duke e shkelur siç tha, tërësinë tokësore të Serbisë.

Gjatë një fjalimi në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, menjëherë pas fjalimit të presidentit ukrainas Volodymir Zelenskyy, presidenti serb tha se konflikti në Ukrainë nuk është i pari pas Luftës së Dytë Botërore në truallin e Evropës.

“Ne kërkojmë një përgjigje të qartë në pyetjen që unë ua bëj prej vitesh bashkëbiseduesve të mi, udhëheqësve të shumë vendeve - cili është ndryshimi midis sovranitetit dhe tërësisë tokësore të Ukrainës dhe sovranitetit dhe tërësisë tokësore të Serbisë që është shkelur rëndë dhe që shumë prej jush i jepni njohje dhe legjitimitet ndërkombëtar? Unë kurrë nuk kam marrë një përgjigje racionale nga askush", tha ai, duke e cilësuar agresion ndërhyrjen e NATO-s në vitin 1999 për t’i dhënë fund shtypjes së shqiptarëve të Kosovës nga Serbia.

Presidenti serb tha se vendi i tij “me durim dhe vullnet të mirë është vënë në kërkim të një kompromisi për Kosovën” në kuadër të bisedimeve të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian.

“Është një proces i vështirë, ka më shumë se dhjetë vjet që po vazhdon, por nuk shohim alternativë. Është më mirë të negociojmë njëqind vjet sesa të luftojmë një ditë. Jam i bindur se do të arrijmë një zgjidhje reciprokisht të pranueshme, e bazuar në kompromis, sepse kjo është absolutisht e vetmja mënyrë për të arritur qëllimin tonë, që është vendosja e paqes afatgjatë, si parakusht për një jetë të begatë për serbët dhe shqiptarët në rajonin tonë. Ne tashmë i kemi shteruar të gjitha mundësitë e tjera dhe, të paktën për sa i përket Serbisë, nuk ëndërrojmë të kthehemi në shtigjet e konfliktit dhe gjakderdhjes. Rajoni i Ballkanit nuk mund të përballojë një konflikt tjetër”, tha presidenti serb.

Presidenti serb tha se Beogradi po përballet me luftë hibride dhe fushata “të ndyra” që duan ta paraqesin Serbinë si kërcënim për qëndrueshmërinë rajonale si dhe për faktin që Serbia “vlerëson se politika e sanksioneve kundër Federatës Ruse askujt nuk mund t’i sjellë rezultate”.

Presidenti serb tha se popujt e Ballkanit kanë kapacitet për të vazhduar bashkëjetesën në të ardhmen si miq dhe partnerë që kanë një vizion të përbashkët për anëtarësim në një Evropë të bashkuar, duke përmendur si shembull siç tha, faktin se “Serbia dhe Shqipëria, sot kanë marrëdhëniet më të afërta dhe më miqësore në historinë e tyre të përbashkët shekullore në Gadishullin Ballkanik”.

Përditësuar

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA