...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Letër drejtuar Ambasadores Juri Kim për Enver Hoxhën

Ja pra, disa nga faktet që hedhin poshtë akuzën e ambasadores Yuri Kim, se udhëheqësi shqiptar, Enver Hoxha, na qenka “përpjekur të helmojë miqësinë mes shqiptarëve dhe amerikanëve”!

Gjon Bruçi

23/09/2022 - 20:03

Zonja Yuri Kim, ju kam ndjekur pothuaj në çdo dalje tuajën si vizitore në vendin tim, ku nuk keni munguar të flisni me relata të bukura për natyrën e mrekullueshme shqiptare, për njerëzit e thjeshtë e bujarë që ke takuar, për frymën pro-amerikane që ke konstatuar dhe plot gjëra të tjera, që na bëjnë ne shqiptarëve t’ju shohim me simpati, jo vetëm si ambasadore, por edhe si mike e jona.

Ashtu siç kemi parë edhe “lojën kukafshehtazi” me politikanët dhe qeveritarët tanë, “lojë”, e cila, na bën të ksehasemi, sepse si  servilë të pështirë që tregohen, ata nuk meritojnë tjetër, përveçse “lojra” dhe tallje gjer në poshtërim. Por njëherësh, kjo lojë “diplomatike” gjer në banalitet, që ju bëni me ta, na sëkëlldis tej mase, sepse ngarkesa humoristike me pasojat politike e socialekonomike shkarkohen mbi kurrizet tona. Pikërisht për këtë, ne kemi pritur që ju, do të na e kursenit ne qytetarëve lojën e mësipërme me politikano-pushtetarët, sepse, ndryshe nga këta, ne ende nuk jemi shndërruar në asi “brumi”, të cilin mund ta gatuajë çdo lloj furrtari që i bie rruga në trojet tona.

Zonja ambasadore, në një ngjarje që po zhvillohet në Tiranë, në kuadër të 100 vjetorit  të vendosjes së marrëdhënieve midis Shqipërisë dhe SHBA, ju midis të tjerave u shprehët se “Regjimi i Enver Hoxhës mbylli vendin dhe u përpoq të helmojë miqësinë mes shqiptarëve dhe amerikanëve”! (gazeta DITA, date 22 shtator 2022).

Sigurisht, nuk presim që ju, përfaqësuesja e imperializmit, të flisni me relata për Socializmin në vendin tonë, dhe liderin e kësaj periudhe, Enver Hoxhën. Por ama presim të dëgjojmë nga ju, të vërteta historike, e jo manipulime faktesh, që tashmë janë bërë të njohura edhe për ne qytetarët. Ju besoj e keni lexuar materialin “Studim”, tashmë të deklasifikuar, të Departamentit të Shtetit të SHBA, për ecurinë e marrëdhënieve diplomatike Shqipëri – SHBA, të hartuar në vitin 1973 nga Stefan Peters, drejtori i Departamentit për Evropën Lindore. Aty flitet për qëndrimin amerikan ndaj njohjes së qeverisë shqiptare të dalë nga LANÇ. 

Kur lexon këtë material të shtetit tuaj, tashmë i publikuar, deklarata juaj për udhëheqësin shqiptar, Enver Hoxha, bëhet nul.

Po cekim shkarazi disa fakte nga dokumenti në fjalë:

• Në vitin 1946, për shkak të acarimit të marrëdhënieve Lindje – Perëndim, sekretari i Shtetit të SHBA, Byrnes, vendosi se nuk ishte koha e favorshme për SHBA, të njihte qeverinë shqiptare, edhe sikur ajo (qeveria shqiptare) të pranonte marrëveshjet e nënshkruara nga mbreti Zog, të cilat i kishte anuluar Kongresi i Përmetit i 24 majit 1944. Ndaj SHBA tërhoqi misionin e saj nga Shqipëria.

• Nga fundi i viteve 50-të dhe fillimi i viteve 60-të, kur aleanca e Shqipërisë me BS po prishej, MPJ shqiptare, bëri tentativë për të lidhur marrëdhënie me SHBA, por kërkesa shqiptare kaloi në heshtje.

• Me 28 shtator 1960, kryeministri shqiptar, Mehmet Shehu, në fjalimin e tij në OKB, midis të tjerave deklaroi se: “Ne përsëri konfirmojmë gatishmërinë tonë për të vendosur marrëdhënie normale me të gjitha shtetet që dëshirojnë të kenë marrëdhënie me ne, duke përfshirë edhe SHBA e Anglinë”! 

Edhe në këtë rast, kur kërkesa deklarohej hapur, SHBA nuk reagoi. Ajo, për interesa pragmatike dhe gjeostrategjike, e la Shqipërinë si “mish për top” në aksionin amerikan të luftës për shkatërrimin e kampit socialist.

Në vitet 1969, 1970, 1972, 1973, pati vërtet tentativa dhe oferta të SHBA për marrëdhënie, por tashmë Shqipëria dhe Enver Hoxha, e kishin përcaktuar rrugën që do të ndiqej dhe nuk kishin ndërmend të inkuadroheshin në “lojërat e rrezikshme strategjike” të dy superfuqive të botës.

Ja pra, disa nga faktet që hedhin poshtë akuzën e ambasadores Yuri Kim, se udhëheqësi shqiptar, Enver Hoxha, na qenka “përpjekur të helmojë miqësinë mes shqiptarëve dhe amerikanëve”!

Jo zonjë, Enver Hoxha, kurrë nuk është përpjekur të prishë miqësinë e popullit shqiptar me popujt e vendeve të tjera. As me popujt e Amerikës, ku siç dihet, ka një diasporë të madhe dhe të hershme shqiptare. Ai, marrëdhëniet me qeveritë e vendeve të ndryshme i ka kërkuar dhe i ka vendosur mbi bazën e barazisë, reciprocitetit, dhe mosndërhyrjes në punët e brendshme të njëri-tjetrit. Por nga ana tjetër, nuk ka lejuar të ndërtohen marrëdhënie ndërshtetërore, siç kanë ndërtuar sot qeveritarët shqiptarë, të cilët janë kthyer vasalë të neveritshëm edhe për vetë superfuqitë ndërkombëtare, duke shitur interesat jetike të Shqipërisë dhe shqiptarëve.

Nga ana tjetër, zonjë e nderuar, duke anatemuar Enver Hoxhën, jo vetëm manipuloni faktet, duke mohuar meritat e tij të pranuara edhe nga shtetarët e mëdhenj të shtetit që përfaqësoni, por njëherësh na trazoni ne qytetarëve të Shqipërisë në ndjenjat tona ndaj figurës madhore të ish Udhëheqësit tonë Legjendar.

Opinionin tuaj për Enver Hoxhën, mos e krijoni nga thashethemet e antishqiptarëve, dhe as nga pozicioni juaj i njohur antikomunist. Nëse ju, do të testonit, jo vetëm vendet e bukura që natyra i ka falur Shqipërisë, por të takonit e të flisnit miqësisht me ne qytetarët e thjeshtë, do të bindeshit se për shumicën dërmuese të shqiptarëve, Enver Hoxha ishte dhe mbetet figura më e madhe e historisë sonë Kombëtare. Dhe nëse sjellim në vëmendje “rezultatet” sterrë të zeza të këtyre tri dekadave, të aplikimit të sistemit kapitalist që ju përfaqësoni, kjo shumicë dërmuese që kujtojnë dhe e kërkojnë përsëri Enver Hoxhën, bëhet absolute.

Në këtë kontekst, ju duhet të qëndroni si diplomate me politikanët e pushtetarët, dhe si mike me ne qytetarët. Shqiptarët e respektojnë shumë mikun, por edhe miku duhet t’i respektojë ndjenjat, pëlqimet, konsideratat dhe nderimet që kanë shqiptarët për udhëheqësit e mëdhënj të vendit të tyre. Ashtu siç edhe ju keni nderim për figurat e kombit që përfaqësoni.

Për një sjellje të tillë si e juaja, unë i pata adresuar një shkrim edhe ish kolegut tuaj, ambasadorit Arvizu. Në përgjigje të komenteve të tij kundërthënëse e fyese ndaj Liderit tonë historik, Enver Hoxha, në shkrimin tim drejtuar Arvizusë, midis të tjerave i pata shkruar: “Nëse ju, zoti ambasador, do qëndronit në postin e diplomatit, pa na ngacmuar “në urët e zjarrit”, kur të mbaroni misionin në vendin tonë, do të të përcillnim me urimin që i bëjmë çdo miku: “Paç faqene bardhë”! Por ti e kapërceve kodin tonë shekullor, na ngacmove aty ku nuk duhet, ndaj detyrohemi të të themi, “Paç faqen e zezë”, që përmbyse sofrën ku ne të kemi pritur si mik.

Nuk dëshirojmë asesi, që kur ju, zonja Yuri Kim, të mbaroni misionin, të përdorim këtë urim mallkues. Përkundrazi, siç erdhe gjithë buzëqeshje, po ashtu me buzëqeshje le të të përcjellim. Ama një gjë mos e harro: Për ne shqiptarët e thjeshtë e të shumtë, Enver Hoxha, siç thashë edhe më lart, është figura më madhështore e historisë së popullit tonë.

KUSH PREK KËTË PERSONALITET TE SHQIPERISE, AI E KA TË HUMBUR MIQËSINË ME SHQIPTARËT!

Dhe pa këtë miqësi, edhe misioni juaj diplomatik, është i destinuar të dështojë.   

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA