...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

SHBA-ja sanksionon miqtë e Dodikut në Bosnje dhe harron Ramën

Departamenti amerikan i Thesarit, u vendosi sanksione dy personave në Bosnjë, njeri serb dhe tjetri mysliman boshnjak, për dëmtim të institucioneve dhe proceseve demokratike për përfitime personale dhe të rrjeteve të tyre.

SHJ

04/10/2022 - 08:53

SHBA-ja sanksionoi kryeministrin e Bosnje Hercegovinës për keqpërdorim të të dhënave të pensionistëve në dobi të partisë së tij politike në kundërshtim me ligjin ndërsa hesht për kryeministrin shqiptar i cili përdori të dhënat e 900 mijë shqiptarëve të cilat u publikuan në internet dhe u shfrytëzuan nga patronazhistët e tij në zgjedhjet e fundit! Rama e ka pranuar publikisht “punën” e patronazhistëve (shih videon) por duke i dhënë një kuptim tjetër se ata punojnë…për “të mbuluar territorin shpirtëror të këtij vendi” dhe “komunikojnë drejtëpërdrejt me njerëzit e zakonshëm” pa sqaruar se çfarë thonin në “komunikim të drejtëpërdrejtë” dhe pa përmendur ligjin. Ja ç`citon Kodi Zgjedhor:

“Me përjashtim të rasteve të parashikuara në ligj, ndalohet vënia në përdorim të subjekteve zgjedhore i mjeteve, fondeve dhe materialeve të ndryshme pronë publike, si dhe i burimeve njerëzore të administratës publike të çdo niveli” (Neni 3, pika 7).

“Subjekteve zgjedhore dhe kandidatëve u ndalohet dhe mbajnë përgjegjësi penale në rast se ofrojnë ose japin të holla, të mira materiale, premtojnë për vend pune ose favorizime të tjera në cilëndo formë për zgjedhësin ose persona të tjerë të lidhur me të, me qëllim marrjen e firmës për paraqitjen e një kandidati në zgjedhje, për të votuar në një mënyrë të caktuar, për të marrë pjesë ose jo në votime, ose për t’u angazhuar në veprimtari të paligjshme për mbështetjen e një kandidati ose partie politike” (Neni 78, pika 7).

“Subjekteve zgjedhore dhe kandidatëve u ndalohet të organizojnë, kryejnë apo mbulojnë shpenzimet vetë ose nëpërmjet të tretëve për koncerte, shfaqe kulturore argëtuese apo veprimtari bamirësie, pavarësisht nëse ato mbahen përgjatë ose në lidhje me tubimet elektorale, apo zhvillohen si veprimtari fushate ose jashtë saj (pika 9).  

Raporti` Voa-s:

Departamenti i Thesarit tha se kryeministri i Federatës së Bosnjë e Hercegovinës, Fadil Novaliç, keqpërdori të dhënat e pensionistëve në dobi të partisë së tij politike dhe në kundërshtim me ligjet e vendit.

“Një javë para mbajtjes së zgjedhjeve të vitit 2018, Fadil Novaliç përdori të dhënat e pensionistëve, që i kishte marrë përmes detyrës së tij zyrtare, dhe u dërgoi letra me një listë të arritjeve të tij duke premtuar rritje të pensioneve. Ky veprim shkel ligjet e Bosnjës e Hercegovinës dhe pasqyron veprimet e tij të përsëritura për të shfrytëzuar mundësitë e tij të ndikimit politik për përfitime personale apo të partisë së tij, duke dëmtuar proceset demokratike apo institucionet e Bosnjës e Hercegovinës”, thuhet në njoftim.

Departamenti i Thesarit tha se afaristi serb Slobodan Stankoviç, një prej njerëzve më të pasur në Bosnjë dhe pronar i një kompanie inxhinierike, Integral, në Republikën Serbe, është i lidhur me korrupsion në sektorin e ndërtimit, pasi kompania e tij, ka fituar disa prej projekteve më të mëdha në Republikën Serbe, fale lidhjeve të tij me udhëheqjen e këtij entiteti.

“Projektet e mëdha ndërtimore shpesh i janë dhënë Stankoviçit pa konkurrencë të drejtë dhe të hapur. Shumica dërrmuese e pasurisë së tij është mbledhur nga paratë publike”, thuhet në njoftim në të cilin theksohet se Slobodan Stankoviç është ish pronar televizionit Alternativa, me seli në Banja Llukë, një media nën kontrollin personal të anëtarit të presidencës trepalëshe të Bosnjës, Milorad Dodik, i sanksionuar dy herë nga Shtetet e Bashkuara.

Departamenti i Thesarit tha se sanksionet e tilla nënvizojnë gatishmërinë e Shteteve të Bashkuara për të mbajtur përgjegjës ata që mundësojnë veprimtari përçarëse dhe destabilizuese në Ballkanin Perëndimor.

“Veprimi i sotëm nënvizon se si politikanët në Bosnjë dhe Hercegovinë po dëmtojnë institucionet dhe proceset demokratike për përfitimet e tyre politike dhe për të shpërblyer rrjetet e tyre”, tha nënsekretari i Thesarit për Terrorizmin dhe Inteligjencën Financiare, Brian E. Nelson. "Ne do të vazhdojmë të synojmë ata që destabilizojnë rajonin, si dhe mbështetësit e tyre, dhe t'u kërkojmë llogari".

Shtetet e Bashkuara kanë sanksionuar dhjetëra persona në Bosnjë dhe Hercegovinë përfshirë anëtarin e presidencës trepalëshe të vendit, Milorad Dodik “për aktivitete korruptive” dhe “kërcënim të vazhdueshëm ndaj qëndrueshmërisë dhe tërësisë tokësore të Bosnjës dhe Hercegovinës”.

Më 26 shtator vendosën sanksione edhe ndaj Prokurores së Shtetit, Diana Kajmakoviç.

Pas luftës së viteve të 90-ta, që la pas vetes mbi 100 mijë të vrarë, Bosnja u nda në dy entitete autonome, Republika Serbe dhe Federatë e dominuar nga boshnjakët dhe kroatët, të lidhura nga një qeveri e dobët qendrore në Sarajevë. Voa

Video: 
Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA