...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Qendrimi amerikan për Shqipëri-Kosovën dhe akuza hipokrite e Berishës ndaj Eskobarit dhe Kimit

Dialogu SHBA-Shqipëri që u zhvillua dje në departamentin e shtetit amerikan u përqendrua në sektorin e energjitikës, kibernetikës, drejtesisë dhe partinë demokratike

SHJ

26/10/2022 - 08:17

Nga intervista e Voa-s me Eskobarin kuptojmë përmbajtjen e dialogut një ditor mes SHBA-së dhe Shqipërisë ose qeverisë sonë, i cili u zhvillua dje në departamentin e shtetit amerikan: se ai përfshin “gjithçka që ka të bëjë me marrëdhëniet dypalëshe”. Takimi u quajt nga pala amerikane si “më i rëndësishmi mes përfaqësuesve” të vendeve përkatëse në historinë moderne. Pala amerikane shkoi në takim me përfaqësues nga departamenti i shtetit, departamenti i mbrojtjes, tregtisë, korporata financiare për zhvillim ndërkombëtar dhe agjenci të tjera qeveritare “për të gjetur rrugë për të thelluar bashkëpunimin strategjik”.

Eskobari e quajti vendin tonë “krahazues të besueshëm” dhe me rol “të rëndësishëm” për qendrueshmërinë rajonale dhe Evropë; madje si anëtar e Këshillit të Sigurimit në OKB, vendi ynë është faktor qendrueshmërie në nivel botëror.

Më konkretisht, Eskobari pret bashkëpunim në sektorin e energjitikës për zbutjen e krizës në të, duke investuar në infrastrukturën energjitike në vendin tonë. Një sektor tjetër ku pala amerikane kërkon të ndihmojë ―teknikisht dhe finaciarisht― është sistemi elektronik i administratës publike ose kibernetika. Lidhur me nismën e qeverisë “Rama” për aministinë fiskale Eskobari tha se i ka diskutuar shqetësimet FMN-së, Bankës Botërore dhe Bashkimit Evropian, dhe “ta përshtasë qasjen...që të jetë në përputhje me standartet globale dhe me kërkesat e BE-së”.

Pyetjes lidhur me akuzat për ndërhyrje në politikat e brendshme nga opozita por dhe nga Rama, i cili së fundmi shënjestroi ambasadoren amerikane për ndërhyrjet e saj në vendimet e gjykatave, kur tha se “disa ambasadorë të huaj ndihen në gjykatat tona si në shtëpitë e tyre dhe kanë luksin të ndajnë publikisht pëlqimin, ose mospëlqimin e tyre me vendimet e gjykatave”, Eskobari tha se “gjithçka që ajo bën është në bashkëpunim të ngushtë me Departamentin e Shtetit” dhe se qendrimet e saj nuk “janë individuale” por “institucionale”.

Eskobari qartësoi edhe një herë vendimin e marrë për Berishën se ai ishte një vendim institucional dhe jo individual dhe politik, “për shkak të korrupsionit që ne gjetëm” ndërsa u bëri thirrje institucioneve tona ta shqyrtojnë vendimin. Ai shtoi se pala amerikane bashkëpunon me “partnerë të mirë në partinë demokratike”, sepse kërkon të kontribojë në qendrueshmërinë e vendit ndërsa u bëri thirrje mbështetësve të partisë në fjalë që të “mendojnë për imazhin që përcjellin nëse do të kishin në krye njerëz që janë përcaktuar” si të korruptuar.   

Ndërsa pala jonë në dialogun e organizuar nga amerikanët u përfaqësua nga Xhaçka dhe jo nga Rama, Eskobari zbuloi gjatë bisedës me Voa-n se kishte kërkuar nga autoritetet në Prishtinë të shtynin vendimin e targave për banorët serbë në Kosovë kur vetë qeveria “Kurti” kishte paralajmëruar se vendimi do të hynte në fuqi në fillim të nëntorit dhe Vuçiçi paralajmeroi tensione ndërsa ai s`kishte marrë ndonjë përgjigje nga Prishtina dhe shpresonte se do të reagonin pozitivisht jo vetëm ndaj SHBA-së por dhe pjesës tjetër të Kuintit dhe BE-së.

Për propozimin “franko-gjerma” Eskobari tha edhe një herë se SHBA-ja e mbështet, sepse mbështet “çdo lëvizje në dialogun e lehtësuar nga BE-ja pasi është e rëndësishme për stabilitetin rajonal” dhe evropianëve meqe BE-ja përballet me kriza të shumta si ajo e Ukrainës dhe të tjera. Ai sqaroi se hollësitë e propozimit po diskutohen nga qeveritë në Beograd dhe Kosovë “brenda kontekstit të dialogutë të BE-së”, të cilin amerikanët e mbështesin por nuk janë palë në të dhe beson se pasi të mbarojnë bisedimet do të fillojë përfshirja e publikut për të kuptuar thelbin e propozimit.

Eskobari sqaroi dhe “mbivendosjen” e propozimit franko-gjerman ndaj njohjes së Kosovës, se ajo duhet të jetë pjesë e BE-së dhe të integrohet në strukturat euro-atlantike por për këtë duhet të njihet nga pesë vendet që s`e kanë njohur, duke përmendur dhe faktin se kjo qasje është përqafuar nga BE-ja dhe është e drejtë. Pyetjes se nëse pritet të luajë rol më të madh SHBA-ja në këtë proces ai sqaroi se ai bashkëpunon ngushtë me homologun e tij të BE-së dhe Kuintin dhe se SHBA-ja po mbështet politikisht, financiarisht dhe “përmes ndërtimit të kapaciteteve dhe nëpërmjet çdo mekanizmi tjetër që kemi” me qëllim që të “krijojë stabilitet afatgjatë për rajonin”.

Berisha nuk vonoi dhe iu përgjigj qendrimit të Eskobarit duke e quajtur shpalljen shpifje dhe i bëri thirrje atij “të respektojë minimalisht kërkesat që vijnë nga kongresi për të bërë transparencë për vendimin e shpalljes non grata”. Berisha i kujtoi Eskobarit dhe kërcënimet e Kimit dhe ndërhyrjet e saj në partinë “demokratike” dhe në sovranitetin e vendit.

Lidhur me “kërkesat” e kongresit për të bërë publike hollësitë e shpalljes së tij si...ai ka deri diku të drejtë meqë disa deputetë kërkojnë vërtet të dijnë hollësitë e shpalljes.

Por ndërsa ata nuk janë më shumë se dy deputetë (republikanë) hollësitë varen nga komitetet e kongresit dhe drejtësisë; shkurt, nga shumica e këtyre komiteteve. Lidhur me akuzën e tij se Kimi ka ndërhyrë në politikën e brendshme, të cilën dy vitet e fundit e ka bërë kryefjalën e tij kryesore në ligjërimet politike, ai s`ka të drejtë meqënse ndërhyrjen politike amerikane në Shqipëri e përligji ai i pari kur erdhi në pushtet me ndihmën e tyre 30 vjet më parë dhe ndërhyrja politike e Kimit lidhet me reformën në drejtësi për të cilën është pajtuar gjithë klasa politike. 

Biseda sipas Voa-s:

Në Departamentin e Shtetit është duke u zhvilluar në këto momente dialogu strategjik midis qeverisë së Shteteve të Bashkuara dhe qeverisë Shqiptare. Në takimin mes dy qeverive marrin pjesë përfaqësues nga një sërë institucionesh qeveritare. Zëvendës-Ndihmës Sekretari i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, Gabriel Escobar, që mbulon politikën amerikane për Ballkanin Perëndimor, bisedoi pak para fillimit të takimit me Shefin e Shërbimit Shqip të Zërit të Amerikës Arben Xhixho, mbi marrëdhëniet dypalëshe dhe gjendjen e demokracisë në Shqipëri.

Zëri i Amerikës: Zoti Escobar, cilat janë çështjet kryesore që do të diskutohen në dialogun e sotëm strategjik mes Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë.

Zv/Ndihmës Sekretari Escobar: Do të thoja gjithshka që ka të bëjë me marrëdhëniet dypalëshe. Ky është takimi më i rëndësishëm mes përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara dhe përfaqësuesve të Shqipërisë në historinë moderne. Ne do të kemi përfaqësues nga Departamenti i Shtetit, Departamenti i Mbrojtes, ai i Tregëtisë, Korporata Financiare për Zhvillimin Ndërkombëtar, si dhe agjenci të tjera qeveritare për të gjetur rrugë për të thelluar bashkëpunimin strategjik. Në vitet e fundit Shqipëria është bërë një partner shumë i besueshëm për Shtetet e Bashkuara. Shqipëria luan një rol të rëndësishëm për stabilitetin rajonal dhe atë në Evropë. Tani që Shqipëria është anëtare e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, vendi është bërë një faktor stabiliteti global. Pra është e rëndësishme që të vazhdojmë të bashkërendojmë qëndrimet tona.

Zëri i Amerikës: Një nga sektorët në të cilët Shtetet e Bashkuara kanë qënë shumë të angazhuara në Shqipëri, është ai i energjitikës. Cilat janë pritshmëritë për këtë sektor?

Zv/Ndihmës Sekretari Escobar: Shqipëria po kthehet në një qëndër të rëndësishme energjitike. Tani që Evropa po ndeshet me sfida në sektorin energjitik, ne duam të gjejmë rrugë bashkëpunimi me Shqipërinë për të ndihmuar në zbutjen e këtyre problemeve. Kemi bindjen se mund të gjejmë forma dhe rrugë ku Amerika mund të ndihmojë për të investuar në infrastrukturën energjitike në Shqipëri për të realizuar këtë synim.

Zëri i Amerikës: Shtetet e Bashkuara e mbështetën Shqipërinë pas sulmeve kibernetike të Iranit ndaj infrastrukturës së saj dhe ofruan ta ndihmojë atë. Për çfarë ndihme konkrete bëhet fjalë?

Zv/Ndihmës Sekretari Escobar: Kjo do të jetë pjesë e diskutimeve të sotme dhe shpresoj, që deri në fund të ditës, të kemi një marrëveshje për llojin e ndihmës që do japim; unë pres që ndihma të jetë si teknike edhe financiare, për të mbështetur sektorin e sigurisë kibernetike në Shqipëri.

Zëri i Amerikës: Ju thatë që takimi i sotëm do të përfshijë një gamë të gjerë çështjesh. Siç e dimë Shqipëria është një vend i pllakosur nga korrupsioni dhe kohët e fundit qeveria ka bërë të ditur një nismë për një amnisti të gjerë fiskale, deri në 2 milionë dollarë. Ka patur shqetësime nga FMN-ja, Banka Botërore, apo Bashkimi Evropian, se kjo mund të përdoret për pastrim parash. A ndajnë edhe Shtetet e Bashkuara të njejtat shqetësime?

Zv/Ndihmës Sekretari Escobar: Po edhe ne kemi disa shqetësime. I kemi diskutuar ato me qeverinë e Shqipërisë. Do t’i bëja thirrje qeverisë së Shqipërisë t’i dëgjojë këto zëra dhe ta përshtasë qasjen ndaj amnistisë fiskale që të jetë në përputhje me standartet globale dhe me kërkesat e BE-së.

Zëri i Amerikës: A keni ndonjë qëndrim më të qartë, nëse kjo nismë duhet zbatuar, apo braktisur?

Zv/Ndihmës Sekretari Escobar: Nuk dua të hyj në thelbin e diskutimeve që do të kemi me zyrtarët shqiptarë sot, por do të kemi një dialog të hapur se cilat do të ishin pasojat.

Zëri i Amerikës: Në Shqipëri ka patur kundërshtime dhe kritika ndaj Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara, si arkitektë të reformës në drejtësi, veçanërisht nga opozita, duke i kritikuar Shtetet e Bashkuara për ndërhyrje në punët e brendshme të Shqipërisë. Por kohët e fundit kemi parë edhe një element të ri, Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama në një fjalim të ditëve të fundit tha, ndonëse nuk e përmendi me emër, por kuptohej, që e kishte fjalën për ambasadoren amerikane, ku u shpreh se “disa ambasadorë të huaj ndihen në gjykatat tona si në shtëpitë e tyre dhe kanë luksin të ndajnë publikisht pëlqimin, ose mospëlqimin e tyre me vendimet e gjykatave”. Cili është reagimi juaj?

Zv/Ndihmës Sekretari Escobar: Ajo që bën ambasadorja jonë atje është shumë përfituese për Shqipërinë. Ajo është personi kryesor për marrëdhëniet dypalëshe. Gjithshka që ajo bën, është në bashkëpunim shumë të ngushtë me Departamentin e Shtetit. Këto nuk janë qëndrime individuale, janë qëndrime institucionale. Dhe duhet të theksoj se çështjet e korrupsionit, çështjet e krimit të organizuar, kanë prekur gjithë rajonin, jo vetëm Shqiërinë, pra është e rëndësishme që të bashkëpunojmë për t’iu kundërvënë këtyre kërcënimeve.

Zëri i Amerikës: Dua t’ju pyes edhe për statusin e demokracisë në Shqipëri. Opozita, është në një gjendje të çorganizuar që pas shpalljes non-grata të ish Presidentit Sali Berisha. Vendimi e rigjallëroi atë, ai drejton sot partinë, ose të paktën shumicën e partisë. Mund të argumentohet se vendimi ndaj tij, në një farë mënyre pati efektin e kundërt, veçanërisht po të kihet parasysh se nuk u shoqërua me ngritje akuzash nga organet e drejtësisë. Si e ndihmojnë vendime të tilla betejën kundër korrupsionit në Shqipëri?

Zv/Ndihmës Sekretari Escobar: Vendimi për ta përcaktuar atë ishte një vendim institucional. Nuk ishte një vendim individual dhe nuk ishte një vendim politik. Ishte një vendim që ne e morrëm për shkak të korrupsionit që gjetëm. Unë do t’u bëja thirrje institucioneve në Shqipëri ta shqyrtojnë këtë. Por dua të them, se ne ende kemi partnerë të mirë në Partinë Demokratike, ne duam që Partia Demokratike të jetë një kontribues i fortë dhe i rëndësishëm i stabilitetit politik në Shqipëri. Unë do t’u bëja thirrje mbështetësve të Partisë Demokratike të mendojnë për imazhin që përcjellin, nëse do të kishin në krye njerëz, që janë përcaktuar nga Sekretari i Shtetit për korrupsion.

Zëri i Amerikës: Dëshironi të shtoni diçka tjetër për Shqipërinë.

Zv/Ndihmës Sekretari Escobar: Doja të falenderoja qeverinë e Shqipërisë për partneritetin dhe popullin e Shqipërisë për miqësinë e tyre. Takimi i sotëm një ditor është një simbol jo vetëm i bashkëpunimit mes qeverive, por edhe i miqësisë së thellë mes popullit amerikan dhe popullit shqiptar.   

Pjesa e dytë

Kosova dhe Serbia ndodhen në një fazë të re dialogu, ndërsa trysnia ndërkombëtare është shtuar ndaj të dy vendeve për të shmangur tensionet mes tyre. Në qendër të vëmendjes është një plan i propozuar nga Franca dhe Gjermania, që gëzon mbështetjen e Shteteve të Bashkuara, por për të cilin dihen pak hollësi. Në një intervistë me Shefin e Shërbimit Shqip të Zërit të Amerikës, i dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, thotë se pas diskutimeve intensive me të dy qeveritë, ai ka besim se do të fillojë angazhimi me publikun për të kuptuar thelbin e propozimit. Zyrtari i lartë amerikan i bën sërisht thirrje autoriteteve në Prishtinë, të pranojnë kërkesën për të shtyrë me 10 muaj zbatimin e urdhërit për targat e makinave të banorëve serbë në veri të Kosovës.

Zëri i Amerikës: Gjatë vizitës së fundit në Prishtinë, ju kërkuat nga autoritetet që të shtyjnë për 10 muaj vendimin për vendosjen e targave të Kosovës për banorët serbë në veri. Keni marrë ndonjë përgjigje të kënaqshme nga autoritetet?

Gabriel Escobar: Jo, ende jo.

Zëri i Amerikës: A prisni të merrni përgjigje?

Gabriel Escobar: Do të shpresoja që ata të reagonin pozitivisht ndaj kërkesës jo vetëm të Shteteve të Bashkuara, por edhe të pjesës tjetër të Quint-it, të Bashkimit Evropian dhe të përfaqësuesit special, Miroslav Lajçak.

Zëri i Amerikës: Nisma Franko-Gjermane këto ditë duket të jetë propozimi kryesor për marrëdhëniet Kosovë-Serbi dhe siç e theksuat edhe ju gjatë vizitës në Prishtinë, të dyja palët duhet ta marrin atë seriozisht atë. Si mundet që një propozim kaq i rëndësishëm të mbahet kaq sekret. Si mund të bindet publiku, kur ai nuk ka asnjë informacion për atë që është duke u diskutuar? A mund të ndani me ne pikat kryesore të kësaj nisme?

Gabriel Escobar: Kjo është një nismë e Bashkimit Evropian. Ne e mbështesim atë. Ne mbështesim çdo lëvizje në dialogun e lehtësuar nga BE-ja pasi është e rëndësishme për stabilitetin rajonal. Është e rëndësishme për stabilitetin e evropianëve në një kohë kur po përballemi me kriza si ajo në Ukrainë dhe pjesë të tjera të Evropës. Sa i përket detajeve, dua të them se ato po diskutohen brenda kontekstit të dialogut të BE-së, të cilin ndonëse e mbështesim, ne nuk jemi palë në të. Unë besoj që shumë shpejt pasi të kenë pasur diskutime intensive me të dy qeveritë, ne do të fillojmë të angazhojmë publikun për të kuptuar thelbin e propozimit.

Zëri i Amerikës: Ju keni thënë se kjo që po propozohet tani nuk është zgjidhje përfundimtare, që do të thotë se nuk do të merret me njohjen e Kosovës nga Serbia. Por po kaq e rëndësishme për Kosovën, është edhe njohja nga 5 vendet e Bashkimit Evropian. A është i lidhur propozimi aktual me njohjen e Kosovës nga pesë vendet e BE-së?

Gabriel Escobar: Absolutisht, qëndrimi ynë është se Kosova duhet të jetë pjesë e Bashkimit Evropian dhe duhet të integrohet në strukturat euroatlantike. Që të ndodhë kjo, ne presim që pesë vendet e BE-së, që nuk e kanë njohiur, ta njohin pavarësinë e Kosovës. Evropa ka përcaktuar rrugën drejt njohjes. Ata kanë përcaktuar rrugën e integrimit evropian dhe kjo rrugë është dialogu i lehtësuar nga BE-ja. Prandaj, vazhdimisht e inkurajoj qeverinë e Kosovës që ta marrë seriozisht dialogun, të angazhohet me ndershmëri dhe të mendojë për zgjidhje që mund të përfshijnë edhe kompromis, por në fund të fundit njohja e pavarësisë dhe integrimi janë çelësi.

Zëri i Amerikës: Çfarë roli pritet të luajë qeveria amerikane? A presim një rol më të madh?

Gabriel Escobar: Unë do të thoja që ne jemi duke luajtur një rol më të madh. Unë kam partneritet të plotë me homologun tim të BE-së. Ne jemi plotësisht të angazhuar përmes Kuintit, besojmë se meqënëse kjo është një çështja evropiane dhe aspiratat e të dyja vendeve janë integrimi në Evropë, procesi duhet të drejtohet nga BE-ja. Por, ne po e mbështesim atë plotësisht, nga ana politike, financiare, përmes ndërtimit të kapaciteteve dhe nëpërmjet çdo mekanizmi tjetër që kemi, në mënyrë që rezultati përfundimtar, edhe nëse ka një rezultat të ndërmjetëm përkohësisht, pra që rezultati përfundimtar, të krijojë stabilitet afatgjatë për rajonin.

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA