Arsyet e mospublikimit të dosjes “Berisha” nga Blinkeni
Praktika është përdorur nga shumë vende por shpallja e qeveritarëve ose politikanëve të një shteti tjetër si të padëshirueshëm, në përmasën që po dëshmojmë nga administrata e Bajdenit, ndaj shumë vendeve, duke përfshirë dhe Shqipërinë, dëshmohet për të parë në historinë e marrëdhënieve ndërkombëtare.
Ylli Përmeti
28/10/2022 - 09:15
Mospublikimi i hollësive ose “pretendimeve” të shpalljes së Berishës si të padëshirueshëm në SHBA ka ngritur shumë dyshime. Ato janë shkaktuar kryesisht nga Berisha. Arsyet e tij por dhe të Blinkenit, se pse ai nuk ka publikuar përmbajtjen e dosjes së tij, do t`i sqaroj në vijim.
Së pari, shprehjet “persona grata” ose “persona non grata” janë përdorur sporadikisht si fillim në shekullin e 15 deri në shekullin e 18 por u bënë popullore pas vitit 1820 nga bisedimet e monarkisë gjermane dhe Vatikanit. Më pas shprehjet u përdorën në diplomacinë ndërkombëtare duke filluar “lulëzimin” e tyre pas vitit 1850.
Si të tilla, ato nuk i përkasin latinishtes klasike por janë shprehje të krijuara në fund të mesjetës si nevojë për marrëdhëniet ndërkombëtare, shoqërojnë zhvillimin e shtetit modern dhe lidhen me detyrën e diplomatëve dhe ambasadorëve. Ngjizjet morën karakter juridik kur ato u bënë pjesë e të drejtës ndërkombëtare në vitin 1961 me Konventën e Vjenës (neni 9), duke lejuar shtetin që deklaron dikë të padëshirueshëm që të mos sqarojë qendrimin e tij.
SHBA-ja e ka përdorur politikën përkatëse si fillim në vitin 1980. Deparatamenti i drejtësisë atje përgatiti për presidentin Xhimi Karter një memorandum për ta përdorur kundër agjentëve të Iranit, duke risjell praktikën e hershme të federatës amerikane kur Uashingtoni detyroi ministrin francez Admond Genet të kthehësh në Francë si pasojë e veprimeve të tij lidhur me luftën mes Britanisë dhe Francës në vitin 1793.
Praktika mori përmasa “masive” 30 vitet e fundit duke kulmuar me Bajdenin. Por ato kanë qenë kryesisht kundër diplomatëve. Praktika është përdorur nga shumë vende por shpallja e qeveritarëve ose politikanëve të një shteti tjetër si të padëshirueshëm, në përmasën që po dëshmojmë nga administrata e Bajdenit, ndaj shumë vendeve, duke përfshirë dhe Shqipërinë, dëshmohet për të parë në historinë e marrëdhënieve ndërkombëtare.
Ajo lidhet me politikën e jashtme amerikane nën administratën “Bajden”. Ky i fundit ndryshoi politikën e pararendësit të tij, Trampit, javët e para të presidencës së tij, duke riaktivizuar zyrën e Koordinimit të Sanksioneve të Departamentit të Shtetit pasi e kishte mbyllur Trampi në vitin 2017, në përpjekjen e tij për të harmonizuar më mirë politikat e sanksioneve dhe zbatimit të tyre nga të gjitha agjencitë federale amerikane. Sanksionet nuk përfshijnë vetëm ndalimin e diplomatëve të huaj por dhe të atyre që dëmtojnë interesat amerikane rreth botës.
Për shembull, presidenti miratoi javët e para sanksione të reja ndaj disa shtetasve rusë lidhur me ndërhyrjet në zgjedhjet amerikane; ndaj gjeneralëve birmanezë për rrëzimin e qeverisë së zgjedhur me votë; ndaj disa shtetasve të Arabisë Saudite për vrasjen e gazetarit Jamal Khashoggi; ndaj disa zyrtarëve kinezë për dëmtimin e demokracisë në Hong Kong si dhe shkeljen e të drejtave të njeriut të komunitetit ujgur; po ashtu edhe ndaj një biznesmeni izraelit për korrupsion.
Një muaj pas këtij ndryshimi Bajdeni urdhëroi zgjerimin e hapësirës gjeografike të regjimit të sanksioneve, duke përfshirë edhe Shqipërinë dhe zgjeroi kriteret për kërcënimet aktuale ndaj sigurisë kombëtare të Shteteve të Bashkuara dhe interesave të politikës së jashtme në rajon, duke përfshirë pengimin e proceseve demokratike dhe gjyqësore, korrupsionin dhe krimin e organizuar. Këtë politikë e ka për detyrë ta zbatojë zëvendës ndihmës sekretari i shtetit për Evropën dhe Euroazinë, Gabriel Eskobari.
Së dyti, unë kam përmendur një “pengesë” institucionale lidhur me mospublikimin e përmbajtjes së dosjes “Berisha”: komitetet e kongresit dhe departamentit të drejtësisë duke iu përmbajtur ligjit amerikan. Por nuk kam përmendur arsyet politike të Blinkenit. Me shumë gjasa, ky fundit, ka menduar si vijon: “duke ditur se unë jam pushtet politik dhe jo juridik dhe pretendimet për “prova” përcaktohen nga pushteti juridik dhe jo nga pushteti politik, dhe duke ditur se unë kam kontribuar në ngritjen e një pushteti të ri juridik për të hetuar pretendimet e mija, të mbledhura nga shërbimet amerikane në Shqipëri, dhe duke ditur se politika e jashtme amerikane synon qendrueshmëri rajonale, më mirë është të mos publikohen se sa të publikohen, sepse edhe nëse pubikohen, ato do të quhen politike ose sajesa politike, dhe kështu unë rrezikoj si shpalljen ashtu dhe pushtetin e ri juridik në Shqipëri në procesin e tij për të hetuar pretendimet”.
Këto janë arsye më të forta se arsyet ligjore që përmenda më herët të cilat me siguri Blinkeni i ka menduar dhe i ka vënë në jetë.
Nga ana tjetër, Berisha me kërkesën e tij për publikimin e përmbajtjes së dosjes së tij, nuk synon vetëm të ngrejë dyshime për mosqënien e saj apo për qënien por pa ndonjë përmbajtje që e rëndon atë, por dhe detyrimin e palës amerikane për ta publikuar që ky më pas të veprojë kundër hetimeve, sepse kur zbulohen hollësitë (se për çfarë konkretisht akuzohet) ai e ka të thjeshtë që t`i minojë hetimet, duke zhdukur ndonjë provë apo duke u përpjekur për të korruptuar hetuesit në procesin e tyre hetimor apo duke vepruar njëkohësisht në këto drejtime. Janë pikërisht këto pasoja dhe e drejta e Blinkenit për të mos sqaruar shpalljen, që e kanë frenuar atë për mospublikimin e përmbajtjes së dosjes “Berisha”.
Tani, gjykuar nga koha kur Berisha u shpall i padëshirueshëm, maj 2021, dhe koha që nevojitet për të kryer hetimet mbi akuzat e ngritura nga pala amerikane, rreth 18 muaj, (kjo është një mesatare kohore për hetimin e një akuze) dhe që nga ai muaj kanë kaluar pikërisht 18 muaj, hetimet e dosjes “Berisha” duhet të kenë përfundur nga Spak-u!
Cilësia e lartë gazetareske kërkon përkushtim dhe dashuri. Ju lutem ndajeni këtë artikull me të tjerë duke përdorur vjegzën/linkun përkatëse
- 71 reads



