Kievi sulmon aeroportet ruse me dronë ndërsa SHBA-ja sqaron rolin e saj
Sulmi i paprecedentë në Rusi rrezikon të arrijë një përshkallëzim të madh të luftës nëntë-mujore, pasi goditi një aerodrom ku mbahen avionë bombardues që kanë kapacitetin për të mbartur armë bërthamore.
Voa
06/12/2022 - 07:35
Dronët ukrainas goditën dy baza ajrore thellë në brendësi të territorit rus, njoftoi Kremlini të hënën, pak përpara se forcat ruse të fillonin një sulm masiv me raketa drejt Ukrainës, të cilat goditën shtëpi dhe ndërtesa, dhe vranë civilë.
Shtëpia e Bardhë dënoi sulmet e fundit ruse kundër Ukrainës, duke thënë se ato janë një kujtesë e brutalitetit të Presidentit rus Vladimir Putin.
Sekretari amerikan i Mbrojtjes Lloyd Austin dhe homologu i tij ukrainas, Oleksii Reznikov, dënuan sulmet brutale ajrore të Rusisë ndaj infrastrukturës civile të Ukrainës. Sekretari Austin shprehu gjithashtu "angazhimin e palëkundur të Shteteve të Bashkuara për të mbështetur aftësinë e Ukrainës për të kundërshtuar luftën e agresionit të Rusisë", thuhet në një deklaratë të Pentagonit.
Sekretari Austin ritheksoi mbrojtjen ajrore si një përparësi kryesore për përpjekjet e ndihmës së sigurisë nga Shtetet e Bashkuara, siç tregohet nga angazhimet për t'i ofruar Ukrainës municione shtesë për sistemet e avancuara të raketave tokë-ajër NASAMS, si dhe kapacitetet për të luftuar sistemet ajrore pa pilot.
Sulmi i paprecedentë në Rusi rrezikon të arrijë një përshkallëzim të madh të luftës nëntë-mujore, pasi goditi një aerodrom ku mbahen avionë bombardues që kanë kapacitetin për të mbartur armë bërthamore. Presidenti Vladimir Putin ka kërcënuar se do të përdorë të gjitha mjetet në dispozicion për të mbrojtur territorin rus, një deklaratë që është interpretuar se përfshin edhe armët bërthamore.
Rusia ka bërë bombardime pothuajse të përjavshme ndaj Ukrainës në formë hakmarrjeje për një tjetër sulm të guximshëm – shpërthimin e 8 tetorit të një kamioni tek një urë jetike që lidh kontinentin me Gadishullin e Krimesë.
Të hënën, Presidenti Putin u përpoq të tregonte se vendi i tij mund ta rimarrë veten nga imazhi i dëmtuar nga një sulm i tillë, duke i dhënë vetë një makine nëpër urën e riparuar pjesërisht. Presidenti Putin e inauguroi personalisht urën 19 kilometra të gjatë në vitin 2018, në kuadrin e përpjekjeve të kushtueshme për të konsoliduar pretendimin territorial mbi Krimenë, të cilën Rusia e aneksoi ilegalisht në vitin 2014.
Gjatë sulmit të së hënës, raketat ruse ndërprenë shërbimet bazë në disa rajone të Ukrainës, si pjesë e strategjisë së Moskës për të shkaktuar më shumë vështirësi me afrimin e dimrit. Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy tha se katër persona u vranë gjatë sulmeve të së hënës.
Forcat ajrore të Ukrainës thanë se rrëzuan më shumë se 60 nga 70 raketat dhe Presidenti Zelenskyy u shfaq sërish sfidues, duke lavdëruar punëtorët që u përpoqën menjëherë të rikthenin energjinë.
“Çdo raketë ruse e rrëzuar është provë konkrete se terrori mund të mposhtet”, tha Presidenti Zelenskyy në fjalimin e tij të mbrëmjes.
Ukraina tha se të dhënat paraprake treguan se Rusia lëshoi 38 raketa me vetëdrejtim nga mjetet detare në Detin Kaspik dhe nga rajoni jugor Rostov. Përveç kësaj, 22 raketa Kalibr u nisën nga flota ruse e Detit të Zi dhe gjithashtu u përfshinë edhe avionë bombardues me rreze të gjatë, avionë luftarakë dhe raketa të drejtuara nga larg, tha ai.
Kompania e energjisë elektrike Ukrenergo tha se ishin goditur objektet e saj, duke shkaktuar disa ndërprerje energjie, megjithëse kryeministri tha më vonë se objektet e energjisë ishin dëmtuar në vetëm tre zona, pra nuk ishin aq të përhapura sa në sulmet e mëparshme.
Në kryeqytetin Kiev, njerëz të shumtë mbushën me shpejtësi stacionin qendror të metrosë Zoloti Vorota pas paralajmërimeve për sulm ajror. Nuk kishte shenja të menjëhershme se qyteti ose rajoni përreth gjithashtu ishin goditur.
Mediat ukrainase raportuan shpërthime në jug të Kievit, në Cherkasy, Krivyi Rih dhe Odesa. Zyrtarët thanë se uji, energjia elektrike dhe ngrohja qendrore u ndërprenë në shumë pjesë të Odesa-s.
“Armiku po sulmon sërish territorin e Ukrainës me raketa!”, shkruajti në Telegram, Kyrylo Tymoshenko, nëndrejtor i zyrës së presidentit ukrainas.
Në Moldavinë fqinje, Ministria e Brendshme tha në faqen e saj në Facebook se oficerët e patrullës kufitare kishin gjetur një raketë në një fermë pranë qytetit verior Briceni, pranë kufirit me Ukrainën. Një ekip i specializuar për çmontimin e bombave shkoi në vendngjarje, por nuk u bë e qartë se kur ra raketa ose kush e gjuajti atë.
Duke dhënë më shumë detaje për sulmet ndaj bazave ajrore, Ministria ruse e Mbrojtjes tha se kishte rrëzuar dy dronë ukrainas. Ajo tha se tre ushtarakë rusë u vranë dhe katër të tjerë u plagosën dhe se dy avionë u dëmtuan lehtë.
Sulmet në bazën Engels në rajonin Saratov në lumin Vollga dhe në bazën Dyagilevo në rajonin Ryazan në Rusinë perëndimore ishin pjesë e përpjekjeve të Ukrainës për të kufizuar forcën e bombarduesve me rreze të gjatë veprimi të Rusisë, tha ministria.
Baza Engels, e gjendur mbi 600 kilometra në lindje të kufirit me Ukrainën, strehon bombarduesit strategjikë Tu-95 dhe Tu-160 me aftësi bërthamore që kanë qenë të përfshirë në nisjen e sulmeve ndaj Ukrainës. Baza ajrore Dyagilevo, e cila strehon avionë cisternë që përdoren për të furnizuar me karburant avionët e tjerë në fluturim, është rreth 500 kilometra në verilindje të kufirit me Ukrainën.
Sulmet treguan dobësinë e disa prej pikave më strategjike ushtarake të Rusisë, duke ngritur pikëpyetje në lidhje me efektshmërinë e mbrojtjes së tyre ajrore, nëse dronët mundën të afroheshin kaq shumë.
Ministria nuk tha se nga e kishin origjinën dronët, por blogerët ushtarakë rusë thanë se ato ka të ngjarë të ishin nisur nga ushtarë në pararojë të Ukrainës. Agjencitë ruse të lajmeve kishin raportuar më herët shpërthime në të dy vendet, duke dhënë detaje paksa të ndryshme nga Ministria e Mbrojtjes për viktimat.
Forcat e armatosura të Ukrainës publikuan një foto ku thanë se tregohet gjak në borë nën një automjet ushtarak në një nga bazat ajrore. Autenticiteti i fotos nuk mund të verifikohej. Këshilltari i Presidentit Zelenskyy, Mykhailo Podolyak, përmendi sulmin me dron ndaj bazës Engels, por nuk mori përgjegjësinë.
“Nëse diçka lëshohet në hapësirën ajrore të vendeve të tjera, herët a vonë objekte fluturuese të panjohura do të kthehen tek pika e nisjes”, shkruajti zoti Podolyak në Twitter. Voa
Një sulm tjetër me dron u dëshmua në orët e para të mëngjesit të ditës së martë në rajonin Kursk, në kufi me Ukrainën. Sulmi u krye ndaj një çisterne nafte në një fushë aviacioni por pa të vrarë sipas të dhënave paraprake. SHJ
Rusia tashmë nuk sheh asnjë të ardhme për bisedime paqeje
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy vizitoi të martën një qytet në lindje të vendit, pranë vijës së frontit, në një shfaqje të dukshme force të Kievit. Ky zhvillim vjen ndërsa Moska njoftoi se për të dytën ditë me radhë ishin goditur me dronë pika strategjike brenda territorit rus.
Një zjarr shpërtheu në një aeroport në rajonin jugor rus të Kurskut, në kufi me Ukrainën, pasi një dron goditi objektin. Lajmi u bë i ditur të martën nga guvernatori i rajonit. Po kështu u godit me dron dhe një fabrikë industriale, 80 kilometra nga kufiri me Ukrainën. Lajmi u njoftua nga media e pavarur ruse. Autoritetet federale nuk fajësuan menjëherë Kievin mbi incidentet.
Por sulmet e së martës vijnë vetëm një ditë pasi Moska fajësoi Kievin për sulme të pashembullta, të ngjashme, në dy baza ajrore në thellësi të territorit rus.
Sulmet ndaj bazës Engels në rajonin e Saratovit dhe bazës Dyagilevo në rajonin Ryazan në pjesën perëndimore të vendit, ishin disa nga më të fortat që kanë goditur territorit rus që nga fillimi i luftës. Si përgjigje, trupat ruse kryen një valë tjetër sulmesh me raketa në territorin ukrainas, duke goditur shtëpi e vrarë civilë.
Gjatë vizitës së tij të martën në rajonin lindor të Donetskut zoti Zelenskyy tha se vend i tij do t’ia dalë të largojë forcat ruse nga i gjithë territori i Ukrainës.
“Të gjithë e shohin forcën dhe aftësinë tuaj. U jam mirënjohës prindërve tuaj. Ata kanë rritur heronj të vërtetë”, tha Zelenskyy në një fjalim me video drejtuar forcave ukrainase nga qyteti Sloviansk, një qytet kyç në lindje të vendit.
Zyrtarët ukrainas nuk e kanë konfirmuar zyrtarisht se pas sulmeve me dronë qëndron Kievit, duke iu përmbajtur një politike të tyre të njohur gjatë luftës, të përhapjes qëllimisht të paqartësive kur bëhet fjalë për sulme ndaj objektivave të rëndësishme ruse.
Në Twitter këshilltari i presidentit ukrainas, Mikhail Podolyak postoi një koment ironik ndaj Moskës.
"Nëse diçka lëshohet në hapësirën ajrore të vendeve të tjera, herët a vonë objekte fluturuese të panjohura, do t'i drejtohen pikës nga ndodhi lëshimi", shkruante zoti Podolyak. "Toka është e rrumbullakët”, vazhdonte ai më tej.
Sulmet ndaj bazave ruse që ndodhen më shumë se 500 kilometra larg kufirit me Ukrainën, krijuan një moment të vështirë për Moskën duke ekspozuar dobësinë e disa prej pikave më strategjike ushtarake të Rusisë, e duke ngritur pikëpyetje në lidhje me efektivitetin e mbrojtjes së tyre ajrore. Sulmet mun d të çojnë gjithashtu në një përshkallëzim të madh të luftës që ndodhet në muajin e nëntë të saj. Në një nga bazat ushtarake ndodhen bombardues me kapacitete bërthamore.
Blogerë ushtarakë rusë shfaqën sërish zemërimin e tyre në internet, duke kritikuar mungesën e mbrojtjes së duhur, që mundësuan sipas tyre sulme të tilla.
Të hënën në një postim në kanalin Telegram "Milinfolive" një bloger rus pro-luftës sulmonte udhëheqësit ushtarakë rusë, duke pretenduar se paaftësia e tyre dhe mungesa e mbrojtjes së duhur ajrore bënë të mundur sulmet me drone, pas të cilave dyshohet se qëndrojnë forcat ukrainase. Një tjetër bloger nënvizoi dëmtimin që i është bërë reputacionit të Rusisë nga këto sulme.
Ministria ruse e Mbrojtjes njoftoi se tre ushtarakë rusë ishin vrarë, katër të tjerë u plagosën dhe se dy avionë ishin dëmtuar lehtë.
Në bazën Engels ndodhen bombardues strategjikë me aftësi bërthamore Tu-95 dhe Tu-160, të cilët janë përfshirë në sulmet në Ukrainë. Në bazën Dyagilevo ka avionë cisternë që përdoren për mbushjen me karburant në ajër të avionëve.
Në një përditësim mbi zhvillimet në Ukrainë, Ministria britanike e Mbrojtjes bëri të ditur se Rusia ka të ngjarë t'i konsiderojë sulmet ndaj bazave të saj ushtarake si "disa prej dështimeve më të mëdha strategjike në aspektin e mbrotjes, që nga fillimi i sulmit të saj në Ukrainë".
Sipas burimeve britanike të zbulimit bombarduesit ka të ngjarë të dërgohen në baza të tjera ajrore.
Zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov tha se autoritetet ruse do të "marrin masat e nevojshme" për të forcuar mbrojtjen e objekteve kryesore. Duke folur në një telekonferencë me gazetarët të martën, zoti Peskov tha se "kursi i regjimit ukrainas për vazhdimin e sulmeve të tilla terroriste përbën një kërcënim".
Zoti Peskov tha se Rusia tashmë nuk sheh asnjë të ardhme për bisedime paqeje, duke shtuar se "Federata Ruse duhet të arrijë qëllimet e saj të deklaruara".
Moska ndërkohë, ka vazhduar me sulmet intensive në territorin ukrainas, duke bombarduar gjatë natës qytete pranë centralit bërthamor të Zaporizhias, sulme që lanë më shumë se 9,000 shtëpi pa ujë. Rusia dhe Ukraina kanë akuzuar prej muajsh njëra-tjetrën për bombardime në afërsi të impiantit bërthamor.
Guvernatori i rajonit Sumy në veri të Ukrainës, Dmytro Zhyvytsky, tha se Moska kreu mbi 80 sulme me raketa dhe artileri të rëndë ndaj këtij territori në kufi me Rusinë. Ai shtoi se si pasojë e sulmeve ishte dëmtuar një manastir pranë qytetit kufitar Shalyhyne.
Zëdhënësi i Forcave Ajrore të Ukrainës Yurii Ihnat tha se aftësia e vendit për të rrëzuar raketa ruse po përmirësohet. Ai vuri gjithashtu në dukje faktin se së fundmi nuk kishte njoftime për përdorimin e dronëve të prodhuar nga Irani në territorin ukrainas.
Zoti Ihnat nuk pranoi të bëjë komente mbi dëmet e shkaktuara në dy bazat ajrore ruse, por shtoi se për këtë do të priten informacione nga fotografitë satelitore apo burime të tjera. Voa
Blinkeni, ndërkohë, ripohoi dje se Ukraina duhet të rimarrë rajonet e pushtuar. Një ditë më pas ai sqaroi se SHBA-ja as e ka inkurajuar as e ka lejuar Kievin të sulmojë Rusinë.
Përditësuar
Cilësia e lartë gazetareske kërkon përkushtim dhe dashuri. Ju lutem ndajeni këtë artikull me të tjerë duke përdorur vjegzën/linkun përkatëse
- 395 reads



