...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Kurti paraqiti gjashtë kushte për krijimin e bashkësisë serbe

Asociacioni është pjesë e marrëveshjes përfundimtare dhe zbatohet pas njohjes së ndërsjellë

SHJ

01/02/2023 - 06:16

Vuçiçi përballë dy zjarreve

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, paralajmëroi të enjten se vendi i tij do të përballet me pasoja të rënda nëse refuzon një plan perëndimor për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën. Ai i bëri këto komente në një seancë të trazuar të parlamentit serb në të cilin raportoi për propozimin evropian që u bë i njohur si nisma franko-gjermane.

“Jemi në një moment të vështirë dhe shumë të ndjeshëm. Nga njëra anë duhet të ndihmojmë njerëzit tanë në Kosovë, duhet t'i shmangemi dënimit dhe ndëshkimit dhe në të kujdesemi për interesat jetike kombëtare”, tha ai.

Presidenti serb u tha ligjvënësve se të dërguarit paralajmëruan se nëse Serbia nuk e pranon propozimin, pasojat do të jenë të rënda.

“Pastaj në fjalinë e tretë ata thanë, citoj: zoti president, nëse nuk pranohet puna për këtë nismë dhe zbatimin e saj, do të jeni përballë, citoj, pezullimit të negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Evropian, jo vetëm me ndërprerjen e investimeve të mëtejshme nga bota perëndimore në Serbi, por edhe me tërheqjen e të gjitha investimeve nga vendi juaj dhe me masa të tjera gjithëpërfshirëse që duhet të tregojnë se si duhet të përfundojnë ata që nuk janë dakord me Bashkimin Evropian", tha zoti Vuçiç.

Ai tha se në propozimin evropian ka gjëra të mira, por edhe të rënda.

"Shumë më i rrezikshëm është neni i katërt i propozimit. Në paragrafin e dytë thuhet se Serbia nuk do të kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare. Pavarësisht nëse kundërshtojmë apo jo, ata e kanë shumicën në Këshillin e Evropës kur ata vendosin ta bëjnë këtë. Kundërshtojmë apo jo, ata kanë shumicën për NATO-n, kundërshtojmë apo jo, për Bashkimin Evropian, ky është vendimi i tyre”, tha ai.

Presidenti serb tha se tashmë ka një pajtim që të ecet përpara me detyrimin që del nga marrëveshja e Brukselit, që është themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.

“Siç mund ta shihni, shqiptarët nuk duan ta zbatojnë atë. Asociacioni i komunave serbe nuk mund të jetë ndonjë organizate joqeveritare, asociacioni duhet të jetë ashtu siç është nënshkruar në Bruksel. Nuk ka asgjë më shumë për të diskutuar, këto janë marrëveshje te nënshkruara, por ajo që mua më brengos është që ata do të provojnë sërish që të negociojnë, apo bisedojmë për të provuar që të pakësojnë kompetencat e Asociacionit të komunave serbe sepse nuk janë të gatshëm atë që e kanë pranuar dhe nënshkruar ta zbatojnë. Dhe kjo do të shkaktojë probleme të reja”, tha zoti Vuçiç.

Fjalimi i tij në parlamentin e Serbisë u ndërpre në disa raste nga deputetët e opozitës që e akuzuan presidentin serb për tradhti dhe kërkuan dorëheqjen e tij. Senaca u përfshi edhe nga përplasjet ndërmjet deputetëve të opozitës dhe atyre të partisë së presidenti serb.

Duke kritikuar partitë opozitare për siç tha mosveprim ndaj çështjes së Kosovës derisa ishin në pushtet, presidenti serb tha se do t’i kundërvihet çdo përpjekjeje për anëtarësimin e Kosovës në Kombet e Bashkuara.

Presidenti serb, ka lënë të kuptohet se do të pranojë propozimin evropian një qasje që u vlerësua nga Shtetet e Bashkuara. Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, tha se në një bisedë telefonike e ka falënderuar presidentin serb për angazhimin e tij konstruktiv me ekipin amerikan dhe evropian dhe për qasjen e hapur ndaj propozimit të Bashkimit Evropian për sigurimin e paqes dhe qëndrueshmërisë në rajon, që është thelbësor për sigurimin e së ardhmes evropiane të Serbisë.

Kurti paraqiti gjashtë kushte për krijimin e bashkësisë serbe

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, numëroi të enjten disa kushte, plotësimi i të cilëve do të mundësonte shqyrtimin e themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, në një deklarim që opozita e cilësoi si ndryshim të qasjes së tij ndaj Asociacionit mes trysninë perëndimore për themelimin e tij.

Në hapje të seancës së parlamentit të Kosovës ai tha se kushti i parë është që “Asociacioni duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi në Republikën e Kosovës”.

Asociacioni tha ai “nuk mund të jetë monoetnik, duhet të ndërrojë emrin, nuk mund të ketë asnjë pushtet publik apo ekzekutiv dhe duhet t’i shërbejë vetëm bashkëpunimit horizontal të komunave sipas Kushtetutës dhe ligjit per vetëqeverisje lokale”.

Asociacioni është pjesë e marrëveshjes përfundimtare dhe zbatohet pas njohjes së ndërsjellë tha ai, duke theksuar se para vendosjes së Asociacionit, “strukturat ilegale të Serbisë në veri të Kosovës duhet të shuhen dhe të bëhet dorëzimi i të gjitha armëve ilegale”.

Kushti i pestë tha ai është që “të drejtat e pakicave kombëtare dhe mekanizmat mbrojtës përkatës duhet ta ngërthejnë parimin e reciprocitetit ndërmjet dy shteteve respektive, si dhe të marrin parasysh standardet dhe modelet evropiane”.

Dhe kushti i gjashtë sipas tij është që presidenti i Serbisë t’i tërheq letrat e dërguara për “mospranimin e aplikimit të Republikës së Kosovës për anëtarësim në Bashkimit Evropian”.

Reagime

Opozita e cilësoi këtë si ndryshim të madh në ligjërimin politik të kryeministrit Kurti.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, tha se 2 shkurti është datë e pranimit të Asociacionit nga kryeministri i Kosovës.

“Nuk po them që është mirë a keq, mos më keqkuptoni, unë po them që kryeministri i Kosovës tha që marrëveshja e vitit 2013, që është tani obligim ndërkombëtar për Kosovën, është e bëshme me disa kushte, por e bëshme është, dhe kushti thelbësor, që besoj për të jemi pajtuar të gjithë, është që ky Asociacion të jetë në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, pra kjo ka qenë garanca gjithmonë”, tha zoti Abdixhiku.

Abelard Tahiri, shef i grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës tha se nuk e di nëse është rastësi apo sinkronizim mes kryeministrit Kurti dhe (presidentit Serb Aleksandar) Vuçiçit, që në kohën kur në kuvendin e Serbisë po diskutohet për dialogun, kryeministri i Kosovës e jep lajmin që Kosovën e fut në një drejtim të ri.

“Pra Kosova e drejtuar nga qeveria Kurti ka hyrë në një drejtim i cili do ta themelojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe në vendin tonë. Pra ky moment, kjo ditë duket të jetë një koordinim i mirë mes dy liderëve, pra kryeministrit tonë dhe presidentit serb Vuçiç, të cilët në të njëjtën ditë, në të njëjtin moment janë duke dhënë lajme të rëndësishme për drejtimin që do të marrë kjo marrëveshje. Prandaj të gjitha ato çështjet tjera janë shumë më pak të rëndësishme, ajo që është e rëndësishme është ndryshimi radikal, drastik, ndryshim jashtëzakonisht i madh i kryeministrit Kurti në diskursin e tij në drejtimin e tij të vendit tonë”, tha zoti Tahiri.

“Unë e kam të qartë që ju dëshironi të ua themeloj Zajednicën (fjala serbe per Asociacionin/Bashkësinë e komunave me shumicë serbe), por zajednica nuk kalon. Zajednicën e keni pranuar ju me 19 prill 2013 edhe më 25 gusht 2015, atëherë e keni bërë Zajednicën por ajo nuk bëhet. Ju nuk e keni zbatuar, unë nuk ua zbatoj”, tha kryeministri Kurti duke ju përgjigjur opozitës.

Marrëveshja për Asociacionin e komunave me shumicë serbe është arritur ne Bruksel në vitin 2013 dhe është miratuar në parlamentin e Kosovës. Në gusht të vitit 2015 është arritur një marrëveshje mbi parimet e themelimit të Asociacionit, por Gjykata Kushtetuese e Kosovës më vonë gjeti shkelje, ndërsa theksoi se Asociacioni duhet të themelohet sipas marrëveshjes së vitit 2013.

Prishtina ka hezituar të themelojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe nga frika se ai mund të shndërrohet në një shtet brenda shtetit.

Shtetet e Bashkuara kanë siguruar Kosovën se nuk do të mbështesin krijimin e një mekanizmi si në Bosnjë, ndërsa kanë theksuar se koha për themelimin e asociacionit është tani.

Trysnia për Asociacioni është rritur ndërsa janë shtuar përpjekjet për rifillimin e bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre në dritën e një propozimi evropian, i cili nuk parasheh njohje të ndërsjellë por zotimin e palëve se nuk do të pengojnë njëra tjetrën në procesin e integrimeve.

Kryeministri Kurti ritheksoi se propozimin e sheh si bazë të mirë për diskutime të mëtutjeshme dhe “jemi të interesuar të punojmë sa më intezivisht që i njëjti të finalizohet dhe të nënshkruhet nga palët, andaj kërkojmë nga zyra e përfaqësuesit të lartë të Bashkimit Evropian, zotit Josep Borrell, që sa më parë të ftoj në takime të rregullta e të shpeshta në mënyrë që të përparojmë drejt finalizimit”.

Presidenti serb Aleksandar Vuçiç, la të kuptohet se do të pranojë propozimin, duke paralajmëruar për pasojat që mund të ketë Serbia nëse e refuzon atë. Të enjten ai po raporton në një seancë në parlamentin serb për bisedimet me Kosovën.Voa

Krasniqi: Asociacioni, pjesë e marrëveshjes së përgjithshme

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës Memli Krasniqi thonë në një intervistë për Zërin e Amerikës se forca politike që drejton, i mbetet qëndrimit që Asociacioni i komunave me shumicë serbe, të krijohet si pjesë e marrëveshjes së përgjithshme Kosovë-Serbi. E kjo e fundit, sipas tij, duhet të përfshijë dhe njohjen e ndërsjelltë.

Zoti Krasniqi shton se një marrëveshje finale, pa njohjen e ndërsjelltë, nuk ofron stabilitet për Kosovën.

Gjatë intervistës për Zërin e Amerikës kryetari i Partisë Demokratike kritikon kryeministrin e Kosovës për mungesë koordinimi me SHBA-të, duke e cilësuar qëndrimin e zotit Kurti mbi Asociacionin, një kauzë false, me të cilën erdhi në pushtet, e që vazhdon ta mbajë peng.

Kurti tregon kushtetutën dhe Luginën e Preshevës

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti tha të mërkurën se “Asociacioni një etnik në Kosovën me kushtetutë shumë etnike, nuk është i mundshëm”. Ky qëndrim që u shpreh gjatë një vizite në një fabrikë në komunën e Ferizajt, është përgjigja më e fortë ndaj trysnisë diplomatike perëndimore për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Komentet e kryeministrit Kurti pasuan takimin e një dite më parë të organizuar nga ambasada amerikanë në Prishtinë me një grup zyrtarësh qeveritarë, përfaqësuesish të partive politike dhe shoqërisë civile për të diskutuar rreth Asociacionit.

Duke theksuar se është kryeministër i të gjithë qytetarëve të Kosovës, zoti Kurti tha se është i gatshëm të përmbushë kërkesat dhe nevojat e qytetarëve serbë dhe çdo pakice tjetër.

“Mirëpo nuk mund ta kompensojmë Serbinë për luftën e humbur në pranverën e vitit 1999, por ajo duhet të na kompensojë neve për dëmet që na ka shkaktuar edhe në njerëz edhe në të mira materiale”, tha ai.

Nëse Serbia dëshiron që në Kosovë të këtë zgjidhje njëetnike, “le ta provojë njëherë në shtëpinë e saj”, tha kryeministri Kurti.

“Pakicat kombëtare në Serbi janë gati 20 për qind, pakicat kombëtare në Kosovë janë rreth 7 për qind, pra Asociacion i komunave me shumicë serbe në Kosovë, e Presheva, Medvegja e Bujanoci ta kenë vetëm Këshillin Nacional atje, është e padrejtë, e dëmshme dhe e papranueshme”, tha kryeministri Kurti, duke nënvizuar se Kosova dhe Serbia i kanë arritur 33 marrëveshje në bisedimet e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian dhe asnjëra nuk mund të trajtohet me përparësi.

Prishtina ka hezituar të themelojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe nga frika se ai mund të shndërrohet në një shtet brenda shtetit.

“Ju dini shumë mirë që në Bosnje e Hercegovinë ka një Republikë Serbe. Bosnjën e Hercegovinën de jure Serbia e njeh, por de fakto e saboton për ditë, pra edhe një shteti që ia ka pranuar pavarësinë vetëm shikojeni çfarë po i bën”, tha kryeministri Kurti.

Marrëveshja për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe është arritur ne Bruksel në vitin 2013 dhe është miratuar në parlamentin e Kosovës. Në gusht të vitit 2015 është arritur një marrëveshje mbi parimet e themelimit të Asociacionit, por Gjykata Kushtetuese e Kosovës më vonë gjeti shkelje ndërsa theksoi se Asociacioni duhet të themelohet sipas marrëveshjes së vitit 2013.

Trysnia për Asociacioni është rritur ndërsa janë shtuar përpjekjet për rifillimin e bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre në dritën e një propozimi evropian, i cili nuk parasheh njohje të ndërsjellë por zotimin e palëve se nuk do të pengojnë njëra tjetrën në procesin e integrimeve.

Kryeministri Kurti e ka cilësuar propozimin si “bazë të mirë për diskutime” dhe është shprehur i gatshëm të bisedojë për të.

“Le t’i hapim diskutimet në Bruksel në nivelin e lartë dhe le të diskutojmë për të gjitha çështjet. Normalizimi i plotë i marrëdhënieve është i domosdoshëm por njohja reciproke është në qendër. Unë nuk po them që vetëm njohja reciproke është marrëveshja, marrëveshja do të ketë edhe gjëra të tjera, por qendra është njohja reciproke, për këtë më kanë votuar mua qytetarët dhe kështu e thotë Kushtetuta, kështu e thotë ligji, Republika dhe demokracia”, tha ai të mërkurën.

Presidenti serb Aleksandar Vuçiç, la të kuptohet se do të pranojë propozimin, duke paralajmëruar për pasojat që mund të ketë Serbia nëse e refuzon atë. Të enjten ai pritet të shkojë në parlamentin serb për të diskutuar mbi këtë çështje.

Për pak ditë Kosova shënon përvjetorin e shpalljes së pavarësisë së saj që është njohur nga Shtetet e Bashkuara dhe shumica e vendeve të Bashkimit Evropian, ndërsa kundërshtohet nga Beogradi me mbështetjen e Moskës.

Krijimi i bashkësisë, rruga e vetme për të arritur tek marrëveshja finale  - Haradinaj

Gjatë një intervistë për Zërin e Amerikës zoti Haradinaj vlerëson qëndrimin e Uashingtonit në këtë proces, duke shtuar se Shtetet e Bashkuara, po ndihmojnë Kosovën të kalojë pengesën e fundit, për të arritur tek marrëveshja finale.

Zoti Haradinaj tha gjithashtu se i ashtuquajturi propozimi evropian, i cili sipas tij në fakt është më shumë amerikan, është një mundësi reale që Kosova të “divorcohet” nga Serbia.

Zëri i Amerikës: Zoti Haradinaj, pas takimit me përfaqësues të klasës politike dhe shoqërisë civile, ambasadori amerikan në Kosovë, ritheksoi se çështja e krijimit të Asociacionit është një çështje urgjente dhe tani pritet propozimi i palës shqiptare për të. Cili është mendimi juaj, a duhet të krijohet Asociacioni?

Ramush Haradinaj: Besoj që ambasadori po bën një punë të madhe dhe po i jep një ndihmë Kosovës, për t'i hequr pengesën e fundit para mbërritjes tek mundësia e arritjes së një marrëveshjeje me Serbinë, në atë që njihet si plani franko-gjerman. Kosova duhet ta gjejë një rrugë që të mos mbetet peng i Asociacionit për të arritur këtë marrëveshje. Puna që ka bërë sot ambasadori është një mënyrë për ta konsumuar procesin deri në arritjen e marrëveshjes.

Zëri i Amerikës: Uashingtoni dhe Brukseli e kanë thënë qartë se procesi i Asociacionit duhet të ecë paralel me planin e BE-së, pra sipas tyre janë procese të ndara, që nuk kushtëzojnë njëri-tjetrin. A mendoni se debati në Kosovë për Asociacionin duhet të fillojë pa vonesë?

Ramush Haradinaj: Debati është çdo herë i duhur. Çështja e Asociacionit ka fituar peshë me zhvillimet e fundit, pra krizat e njëpasnjëshme në veri dhe tensionet atje. Kjo është mundësia e vetme, nuk ka rrugë tjetër as Kosova as palët e tjera për të arritur tek marrëveshja përfundimtare, pa i dhënë një epilog çështjes së Asociacionit. Asociacioni për Kosovën është një obligim i marrë me kohë, por për fat të mirë është obligim kushtetues dhe ligjor, pra nuk del jashtë Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës.

Zëri i Amerikës: Diplomatët thonë se ka modele të mira evropiane për Asociacionin që nuk e dëmtojnë shtetësinë e Kosovës. Cilin model shihni ju si të përshtatshëm për vendin tuaj?

Ramush Haradinaj: (Modeli) që rrjedh nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës. Pra, ne nuk kemi arsye të përzgjedhim një model të huaj. Ne kemi një marrëveshje për Asociacionin dhe kemi vendimin e gjykatës që sqaron se çfarë është Asociacioni. Asociacioni është “Sui-Generis” (unik), pra nuk mund të merren modele nga vende të tjera për shkak se situata dhe arritja deri tek ky obligim është një situatë e veçantë. Asociacioni është i Kosovës, për njerëz të Kosovës, për komuna të Kosovës dhe synon integrimin e serbëve në institucionet e vendit dhe shkëputjen e varësisë nga Serbia. Dua të përsëris edhe një herë, se Amerika po e ndihmon Kosovën për të kaluar pengesën e fundit për të arritur tek marrëveshja përfundimtare, tek propozimi franko-gjerman, për të cilin unë besoj se është më shumë amerikan. Unë personalisht dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e mbështesim arritjen e kësaj marrëveshjeje, sepse e shohim shumë me rëndësi kohën, pra e shohim me urgjencë arritjen e marrëveshjes, në mënyrë që të hapet perspektiva për partneritet për paqe dhe (anëtarësim) në NATO për Kosovën, çka garanton sigurinë tonë.

Është koha më serioze që kemi pas ndonjëherë. Duhet të tregojmë seriozitet dhe nuk guxojmë të bëjmë përllogaritje të vogla. Duhet ta ndihmojmë vendin, të ndihmojmë aleatët tanë, në këtë rast posaçërisht Uashingtonin, që t’i kalojmë pengesat, pra t’i zgjidhim të gjitha çështjet që kanë mbetur të hapura, në mënyrë që të arrijmë tek marrëveshja përfundimtare. Personalisht i jap një përkrahje këtij procesi dhe arritjes së marrëveshjes me Serbinë.

Zëri i Amerikës: Është bërë tashmë e qartë se trysnia është shtuar ndaj Kosovës dhe Serbisë, por sidomos ndaj Prishtinës, për të ecur përpara. Ju e keni ndjerë vetë këtë trysni kur ishit kryeministër, me çështjen e kufirit me Malin e Zi. Çfarë këshille do t'i jepnit ju sot Kryeministrit Kurti?

Ramush Haradinaj: Dallojnë shumë si tema, Mali i Zi është anëtar i NATO-s. Edhe pse ishte një obligim ndërkombëtar, e kemi bërë në një klimë të mirë me Malin e Zi. Arritja e një marrëveshjeje për njohje me Serbinë, që në përmbajtje ka njohjen, është vërtet rezultat i madh i faktorit ndërkombëtar në këtë rast. Pra faktori ndërkombëtar është shtytësi. Unë e inkurajoj qeverinë tonë që ta shfrytëzojë këtë energji të madhe, që vjen edhe për shkak të luftës në Ukrainë dhe dëshirës së madhe të NATO-s dhe Amerikës për ta larguar Rusinë nga Ballkani. E vetmja mënyrë për ta larguar Rusinë nga një pjesë e Ballkanit është arritja e marrëveshjes me Serbinë sepse Kosova menjëherë fillon perspektivën për Parneritet për Paqe.

Zëri i Amerikës: Sa i përket marrëveshjes me Serbinë si e shihni ju atë në dritën e propozimit evropian, çfarë forme duhet të kishte ajo?

Ramush Haradinaj: Përmbajtja që i jep plani franko-fjerman zgjidh të gjitha problemet Kosovë-Serbi. Serbia e njeh Kosovën në planin ndërkombëtar por nuk vendos marrëdhënie dypalëshe, por hapet perspektiva e Kosovës për anëtarësim në të gjitha organizatat ndërkombëtare, përfshirë Kombet e Bashkuara. Pra është një mundësi reale për t’u “divorcuar” përjetësisht me Serbinë.

Zëri i Amerikës: Pavarësisht se çështja e njohjes nuk përfshihet në mënyrë eksplicite?

Ramush Haradinaj: Njohja është realisht në çdo kapitull të kësaj marrëveshje, por nuk e ka kaluzolën e njohjes në marrëdhënie dypalëshe, por Serbia e njeh Kosovën në rrafshin ndërkombëtar.

Zëri i Amerikës: Para disa ditësh në shtypin e Kosovës rodhi një material i brendshëm, një analizë e statusit aktual të marrëdhënieve mes Uashingtonit dhe Prishtinës, shkruar nga ambasadori i Kosovës në Uashington për Ministrinë e Jashtme, ku vihet në dukje se dyert në Uashington nuk janë më aq të hapura për zyrtarët nga Kosova. Në vlerësimin tuaj a janë marrëdhëniet me Uashingtonin sot, në pikën më të ulët që pas pavarësisë?

Ramush Haradinaj: Uashingtoni dhe Amerika e duan Kosovën, e duan popullin e Kosovës, shtetin e Kosovës. Ka vështirësi tani, le ta quajmë në menaxhim të axhendës me qeverinë aktuale. Por janë jashtëzakonisht të afërt dhe bashkëpunues me të gjithë ne, që pa interesa të tjera, pra pa interesa të vogla, dëshirojmë të ndihmojmë interesat kombëtare, tema të mëdhaja. Siç shihet, ne jemi të mirëpritur këtu. Përshembull unë kam qënë në Departamentin e Shtetit, në Kongres dhe Senat, Këshillin e Sigurisë Kombëtare, kam takime në Departamentin e Mbrojtjes dhe kam shumë takime që në të vërtetë tregojnë respektin edhe për Kosovën.

Zëri i Amerikës: Ju, por jo përfaqësues të qeverisë.

Ramush Haradinaj: Për fat të keq pra ka një vështirësi në menaxhim të axhendës për shkak, po e quaj, situatës së paqartë që mban qeveria jonë në disa tema. Voa

Ambasadori amerikan në Prishtinë: Nuk mbështesim asnjë marrëveshje që kërcënon sovranitetin dhe pavarësinë e Kosovës

Ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeff Hovenier, tha të martën se Shtetet e Bashkuara mbështesin zbatimin e të gjitha zotimeve që dalin nga bisedimet Kosovë – Serbi, por nuk mbështesin asnjë marrëveshje që kërcënon sovranitetin, pavarësinë, karakterin shumë etnik apo institucionet demokratike të Kosovës.

Ai i bëri këto komente pas një debati me dyer të mbyllura për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, që u mbajt në mjediset e ambasadës amerikane. Në takim morën pjesë rreth 40 përfaqësues institucionesh, partish politike dhe përfaqësues të shoqërisë civile.

“Dëgjuam nga dora e parë pikëpamjet e pjesëmarrësve për zbatimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe si mundet kjo të përshtatet në mënyrë që te sigurojë të ardhmen e Kosovës si një vend sovran i pavarur, shumë etnik dhe demokratik. Kjo perspektivë është e rëndësishme për përparimin e Kosovës në rrugën e saj drejt integrimit evropian dhe euroatlantik”, tha ambasadori Hovenier, duke nënvizuar se diskutimi i përqendrua në tre gjëra.

“Së pari si mund të funksionojë Asociacioni i komunave serbe në praktikë dhe pjesëmarrësit në këtë takim kanë ngritur një sërë temash duke përfshirë pikëpamjet mbi përgjegjësitë e mundshme dhe kufizimet e mundshme të një Asociacioni. E dyta, si do të mund të funksiononte Asociacioni sipas kuadrit ligjor të Kosovës dhe sërish kemi dëgjuar shumëllojshmëri të perspektivave përfshirë edhe për marrëveshjen e Brukselit dhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2015. E treta, lidhur me atë se si Asociacioni do të mund të ndihmonte zhvillim ekonomik dhe ofrimin efektiv të shërbimeve qeveritare për serbët e Kosovës dhe komunitetet e tjera pakicë”, tha ai.

Dallimet ishin të thella ndërmjet përfaqësuesve shqiptarë dhe serbë të cilët kanë ngulur këmbë se marrëveshja e Brukselit për Asociacionin ka peshë më të madhe sesa interpretimi i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, gjë që është kundërshtuar nga njohës të fushës në Kosovë.

Një nga pjesëmarrësit e takimit, që nuk deshi të identifikohej i tha Zërit të Amerikës se “përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës nuk janë shprehur kategorikisht kundër Asociacionit, por kanë kërkuar garanci mbi përfitimet që mund të ketë Kosova nga themelimi i tij. Para së gjithash është kërkuar siguri që nëse Asociacioni themelohet, nuk do të mund të shfrytëzohet nga Beogradi zyrtar siç shfrytëzohen mekanizma të tjerë ekzistues në Kosovë, gjë që është garantuar nga përfaqësuesit ndërkombëtar në takim”.

Miodrag Miliçeviç nga Organizata joqeveritare ‘Aktiv’ në Mitrovicën e Veriut, tha se “elementi më i rëndësishëm ishte që ne duhet të krijojmë një perceptim të përbashkët se Asociacioni është diçka që duhet të negociohet dhe duhet të zbatohet, dhe se do të zbatohet duke u bazuar në parimet e vendosura vite më parë nga delegacionet përkatëse”.

Ai tha se çelësi për këtë proces është në duart e politikbërësve kryesorë të të dy qeverive.

“Ata më së pari duhet të ndryshojnë ligjërimin e tyre publik, duhet të ndryshojnë perceptimin mbi atë se si do të duket Asociacioni. Kemi dëgjuar qëndrime të ndryshme më parë dhe edhe sot, se Asociacioni do ta dëmtojë pavarësinë e Kosovës, Asociacioni do të jetë një lloj ‘Republika Serpska’ apo një entitet njëetnik, gjëra që i dëgjuam edhe sot nga disa pjesëmarrës. Por kur bëhet fjalë për marrëveshjet e përbashkëta dhe mirëkuptimin kjo do të mundësohej vetëm me dialog publik dhe atë shumë të ngjeshur”, tha ai.

Takimi i së martës u mbajt në një periudhë të shtimit të trysnisë për themelimin e Asociacionit dhe një ditë më parë diplomatë të lartë amerikanë thanë se koha për krijimin e tij është tani. Të hënën fondacioni gjerman Friedrich-Ebert, publikoi një projekt statut se si duhet të funksionojë ai.

Prishtina heziton të themelojë Asociacionin, duke theksuar se ai mund të çojë në krijimin e një shteti brenda shtetit, ngjashëm me Republika Sërpskan në Bosnje dhe Hercegovinë.

“Çdo model që lejon Serbinë të dëmtojë sovranitetin e Kosovës duhet të refuzohet nga të gjithë ata që synojnë paqen e qëndrueshme dhe marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë në rajon”, shkroi pas takimit ministrja e Jashtme e Kosovës Donika Gërvalla.

“Ne nuk mbështesim asnjë marrëveshje që shkel Kushtetutën e Kosovës, që është në kundërshtim me vendimin e vitit 2015 të Gjykatës Kushtetuese, ose që do të kërcënojë sovranitetin, pavarësinë, karakterin shumë etnik apo institucionet demokratike të Kosovës. Ne e kundërshtojmë rreptësisht krijimin e çdo entiteti që i ngjan Republikës Sërpskas në Bosnje Hercegovinë. Presim që Kosova të përmbushë detyrimet e saj. Ne kemi kërkuar nga qeveria e Kosovës që të ofrojë pikëpamjen e saj për Asociacionin që besohet që e mbron të ardhmen e Kosovës si shtet sovran, i pavarur, shumë etnik dhe demokratik dhe ofron të drejta për pakicat në linjë me marrëveshjen e Brukselit dhe Kushtetutën e Kosovës. Kjo është vendimtare, e rëndësishme dhe urgjente”, tha ambasadori amerikan. Voa

Ky raport është përditësuar 2 shkurt 2023

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA