Radoje Stefanoviç turpëron Tiranën dhe Prishtinën: fton Vuçiçin t`u kërkojë ndjesë shqiptarëve
Në paraqitjet Tuaja publike, mos harroni se Republika e Kosovës nuk është fëmija e mentorëve të Perëndimit, por ka dalë nga rezistenca paqësore, e pastaj nga lufta nacionalçlirimtare dhe e viktimave të shumta të Shqiptarëve të Kosovës, rezultatet e së cilës u detyrua t’i pranojë bashkësia ndërkombëtare
Adil Fetahu
01/02/2023 - 16:07
Letër e hapur drejtuar kryetarit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç:
Po i përgjigjem ftesës Suaj për të marrë pjesë në shqyrtimin publik të gjendjes, pas kërkesës që ua kanë bërë emisarët e BE dhe SHBA-ve për arritjen e marrëveshjes për Kosovën. Konsideroj se mendimi i qytetarëve për këtë është më i rëndësishëm se duartrokitja e lakejve të nënshtruar.
Për ta kuptuar shumica e njerëzve në Serbi se në çfarë gjendje janë vënë, është me rendësi të dijësohen mirë jo vetëm për atë çka shkruhet në marrëveshjen e propozuar, por edhe për rrethanat e rëndësishme të cilat i kanë paraprirë atij propozimi, si dhe për atë se si e shohin propozuesit Serbinë dhe përse na shohin ashtu.
Nëse nuk i kuptojmë ata, apo vetëm mendojmë se na urrejnë, kushtet për bisedime do të jenë të pavolitshme.
Jam i bindur se bashkëbiseduesit tuaj nga BE-ja dhe SHBA-të, e dinë se çka ka ndodhur në krahinën jugore të Serbisë, pas pezullimit me dhunë të autonomisë, dhe përse shqiptarët e Kosovës nuk pranojnë kurrëfarë ri-integrimi nën pushtetin e Serbisë.
Besoj se e kanë të qartë, se as Ju nuk keni ndonjë propozim për kthimin e Kosovë-Metohisë në suaza të shtetit të Serbisë, përveçse me luftë.
Jam i sigurt se prirja që paraqitni për shtyrjen e zgjidhjes, derisa Rusia dhe Kina të dominojnë botën dhe të mundësojnë që Serbia me dhunë ta kthejë krahinën e vet jugore, nuk i ngjan qasjes e cila duhet të merret parasysh.
Nuk kam dyshim se konstatimet e shtruara më sipër i dini mirë dhe se e keni të qartë përse nuk i di ose nuk dëshiron t’i dijë një numër i madh i qytetarëve të Serbisë.
Për njohjen tuaj të së vërtetës, nga njëra anë, dhe lajthitjes së qytetarëve të Serbisë, në anën tjetër, janë të vetëdijshëm edhe negociatorët ndërkombëtarë, të cilët konkludojnë se nuk keni argumente për t’iu kundërvënë, dhe se vetëm Ju mund të ndikoni në pezullimin gradual të zgjedhësve tuaj.
Nuk e keni të lehtë, sepse Ju vet i keni dehur politikisht qytetarët e Serbisë për përkrahjen prej disa dekadash të politikës së gabuar, e cila na ka prurë në gjendjen e sotme. Nervozizmi shtesë që po shkakton lufta në Ukrainë, në të cilën operacionet speciale të kryetarit të Rusisë shumë patriotëve serbë ua kujtojnë operacionet speciale nga luftërat të cilat gjoja se Serbia nuk i ka bërë as në Kroaci, as në Bosnje-Hercegovinë, as në Kosovë.
Duke pasur parasysh numrin e votave që keni marrë në zgjedhjet presidenciale të vitit të kaluar, dhe pushtetin e pakundërshtueshëm mbi bashkëpunëtorët dhe mbi partinë më të madhe,- marr lirinë t`ju bëj disa propozime, të cilat, nëse i miratoni, mund të ndihmojnë për tejkalimin e moskuptimit të përhapur dhe teleshave në të cilat gjendet Serbia.
P r o p o z o j:
- Të kërkoni që në një tirazh të madh të shtypet libri i Dimitrije Tucoviçit “Srbija i Arbanija” (Sërbia dhe Shqipëria, v.j.) dhe libri i Rade Radovanoviçit “Smeh pod vesalima” (Qeshja në litarin e varjes, v.j.);
- Të jepni urdhër që gazetat që janë nën kontrollin tuaj, të botojnë fejtone me përmbajtje të vërtetë mbi administrimin serb në krahinën jugore të Serbisë në periudhën 1989 – 1999, dhe në televizionet me frekuenca kombëtare të jepen emisione me përmbajtje të tillë;
-Të gjeni mënyrën që qytetarët më të vjetër t’i rikujtojnë, ndërsa të rinjtë të dijësohen mbi ngjarjet të cilat i kanë paraprirë ndërhyrjes së NATO-s: rezistenca paqësore e Shqiptarëve kundër aparteidit të imponuar; ndryshimi gradual i qëndrimit të bashkësisë ndërkombëtare ndaj UÇK-së (së pari e quajtur si terroriste, e pastaj si formacion nacionalçlirimtar); kërkesa që vëzhguesit ndërkombëtarë të përfshihen dhe të bashkëpunojnë me pushtetin serb në Kosovë e Metohi; kërcënimi me ndërhyrje ushtarake në tetor të vitit 1998, që u shmang pasi u pranua Misioni Ndërkombëtar i Verifikuesve; kërkesa që në Kosovë e Metohi të dërgohen forca ndërkombëtare, të cilat do të bashkëpunonin me forcat policore dhe ushtarake serbe; referendum i shkurtit 1999, në të cilin, pas propagandës së fuqishme të kreut të shtetit, shumica e qytetarëve votuan kundër pranisë së ushtarëve të huaj në Kosovë e Metohi; bisedimet në Rambuje e në Paris, në të cilat pala kosovare pranoi propozimet e bashkësisë ndërkombëtare ndërsa pala serbe i refozoi ato, në bazë të thirrjes inatçore të Sllobodan Milosheviçit: “Le të na bombardojë NATO-ja nëse guxon”; pastaj Marrëveshja e Kumanovës, me të cilën u pranuan të gjitha kërkesat nga Rambujeja dhe Parisi;
- Në paraqitjet Tuaja publike, mos harroni se Republika e Kosovës nuk është fëmija e mentorëve të Perëndimit, por ka dalë nga rezistenca paqësore, e pastaj nga lufta nacionalçlirimtare dhe e viktimave të shumta të Shqiptarëve të Kosovës, rezultatet e së cilës u detyrua t’i pranojë bashkësia ndërkombëtare;
- T’i lutni prokurorët dhe gjyqtarët në Serbi të zhvillojnë procese efikase ndaj të dyshuarëve për krimet kundër shqiptarëve dhe të siguroni që rrjedha dhe rezultatet e atyre proceseve të jenë të qasshme për opinionin;
- Të mundësoni që të realizohet paralajmërimi Juaj, se Serbia do të ballafaqohet me të vërtetën e rëndë mbi vrasjen e të rinjëve në kafeterinë “Panda” në Pejë, të bëni që organet serbe të vërtetojnë se kush është përgjegjës për vrasjen e vëllezërve Bytyqi, dhe të siguroni që më në fund të fillojë procesi për vërtetimin e vrasjes së Oliver Ivanoviçit, kusht ishte urdhëdhënësi për atë vrasje;
- Ndërmerrni nismën që në Batajnicë të shënohet në mënyrë të dinjitetshme vendi në të cilin janë transportuar e mbuluar qindra shqiptarë e shqiptarka të vrarë, dhe në rastin e parë tregojini opinionit serb se në atë varrezë masive janë gjetur kufoma fëmijësh me cuclla dhe me pajime shkollore të shkollës fillore. Përmendeni këtë kur flitni për atë vajzën serbe e cila, jo larg asaj varreze masive, u vra nga bombat e NATO-s, dhe vini një kurorë në përmendoren e viktimave shqiptare në Batajnicë.
Propozimi për marrëvejshje mbi të cilën po bisedoni është nxitur nga Gjermania dhe Franca, burrat shtetëror të të cilave kanë dhënë shembullin e pajtimit mes tyre dhe të kundërshtimit të nacionalizmave brenda popujve të tyre. Kryetari i Francës, De Goli, ishte në shënjestër të nacionalistëve francezë, dhe u detyrua të fshihet në bazën ushtarake franceze në Gjermani, mbahet mend në histori për të vëretën e hidhur për shumë francezë, se Algjeria nuk është Franca e përtej detit. Ai kontribuoi që “shteti i rrejshëm” i Algjerisë të merrte njohje ndërkombëtare. Ndërkaq, kancelari gjerman, Vili Brant, mbahet mend në histori për përkuljen e tij para përmendores së viktimave të fashizmit gjerman në Varshavë.
Përpiquni zotri kryetar të sherbeheni me këta shembuj, pas të gjitha atyre lajthitjeve, e t’ia zbardhni fytyrën popullit serb dhe t’ia ktheni sadopak një pjesë të autoritetit që ka pasur në botë deri para tridhjetë vjetëve.
Është shumë me rendësi të heqni dorë nga blerja e kohës, nëse këtë e bëni zhvilloni bisedimet për Kosovën.
* Autori i letrës është avokat nga Beogradi. Ka qenë kryetar i Odës Ekonomike të Serbisë.
***
Përmbajtja e letrës së hapur, bashkë me librat që ka propozuar, të Dimitrije Tucoviqit e Rade Radovanoviqit, por duke ia shtuar edhe “Golgotën e Shqipërisë” të Leo Frendulich-ut, do të duhej të hynin në liberat shkollore në Serbi, për të mësuar një pjesë të historisë së vërtetë në raportet Serbi – Kosovë. Dhe jo vetëm në librat shkollore në Serbi, por ato të përkthehen në shumë gjuhë e të shpërndahen nëpër botë. Sepse e vërteta është armiku më i madh i Serbisë, ndërsa gënjeshtra është “virtyti” më i lartë i popullit serb! Kjo letër do të duhej të përkthehej e t’iu dërgohej emisarëve të BE-së e SHBA-ve, të cilët po i turren Kosovës me presion për të pranuar “Zajednicen” dhe kërkesat serbe për të arritur njëfarë marrëveshje, e cila nuk ka asnjë vlerë për njohen e shtetit të Kosovës jashtë, as për konsolidimin e brendshëm.
Cilësia e lartë gazetareske kërkon përkushtim dhe dashuri. Ju lutem ndajeni këtë artikull me të tjerë duke përdorur vjegzën/linkun përkatëse
- 638 reads



