...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Kurti sfidon Beogradin me 21 bashkësi në brendësi të Serbisë

Kurti paraqiti gjashtë kushte, duke mos u zhvendosur nga qendrimi fillestar: se njohja e ndërsjellë duhet t`i paraprijë krijimit të bashkësisë serbe

Ylli Përmeti

03/02/2023 - 08:47

Javën e fundit të janarit qarkulloi ideja se Vuçiçi e ka të pamundur të pranojë njohjen zyrtare të Kosovës (se për kërkimin e faljes për luftën e fundit s`bëhet fare fjalë!) sepse do të kishte tensione të brendshme të shkaktuara nga nacionalistët. Voa e qarkulloi idenë në fjalë duke përdorur disa “analistë” serbë. Madje ata besojnë se Vuçiçi është drejtuesi i vetëm që mund të përmbajë reaksionin e nacionalistëve serbë. Me këtë pretendim synohet që të binden shqiptarët se ata duhet të bëjnë lëshime―domethënë, mos ta fillojnë nga njohja e ndërsjellë marrëveshjen me Serbinë por nga krijimi i bashkësisë serbe. Këtë qasje e përparuan amerikanët ndërsa pretendojnë se nuk do të cënohet sovraniteti i Kosovës nga bashkësia serbe.

“Ne e kundërshtojmë rreptësisht krijimin e çdo entiteti që i ngjan Republikës Sërpskas në Bosnje Hercegovinë”, tha ambasadori amerikan në Prishtinë.

Për idenë e tyre u përdorën dhe drejtuesit e opozitës në Kosovë: si fillim me Haradinajn (AAK) dhe më pas me Krasniqin (PD). Të dy u ftuan në Uashington për takime dhe të dy, me radhë, u shfaqën në Voa. Qendrimet e tyre nuk ndryshojnë shumë me Haradinaj të jetë më i përmbajtur në raport me qeverinë “Kurti”. Të dy mbështesin krijimin e bashkësisë serbe si fillim, në përputhje me vendimin e gjykatës kushtetuese, dhe pastaj ―si pjesë e marrëveshjes tërësore― të kërkohet njohja e ndërsjellë, sepse pa këtë të fundit, gjykojnë ata, nuk do të ketë qendrueshmëri mes dy vendeve.

Në fakt, nëse i përmbahemi qendrimit të Haradinajt, propozimi franko-gjerman, sipas tij, “zgjidh të gjitha problemet” mes dy vendeve, ndërsa sheh njohje në gjithë klauzolat e marrëveshjes, por pa klauzolën e njohjes në marrëdhënie dypalëshe, ndërsa Serbia e njeh Kosovën në nivel ndërkombëtar. Madje, krijimi i bashkësisë serbe, sipas tij, është e vetmja rrugë. 

Megjithatë, një ditë më pas, Kurti tregoi karakterin e kushtetutës së Kosovës ―shumëkombshmërinë e saj― për të theksuar faktin se bashkësia serbe do të krijohet në përputhje me kushtutën―domethënë, si një bashkësi e përbër jo nga një komb por nga shumë.

Ai përmendi, gjithashtu, komunat shqiptare në Serbi, Preshevën, Medvegjën dhe Bujanocin, por duke sfiduar Beogradin se “nëse Serbia dëshiron që në Kosovë të ketë zgjidhje një-etnike, le ta provojë një herë në shtëpinë e saj”, duke përmendur si fillim faktin se pakicat kombëtare në Serbi janë 20 për qind ndërsa në Kosovë janë rreth 7 për qind, dhe duke shtuar se “asociacion i komunave me shumicë serbe në Kosovë, e Presheva, Medvegja e Bujanoci ta kenë vetëm Këshillin Nacional atje, është e padrejtë, e dëmshme dhe e papranueshme”.

Një ditë më pas, të enjten e 2 shkurtit, kur u mblodhën kuvendet në Beograd dhe Prishtinë, Kurti paraqiti gjashtë kushte. Kujtoj se diplomatët perëndimorë kishin kërkuar nga palët të paraqesnin qendrimet e tyre lidhur me propozimin franko-gjerman. Në këtë kontekst, Kurti paraqiti gjashtë kushte, duke mos u zhvendosur nga qendrimi fillestar: se njohja e ndërsjellë duhet t`i paraprijë krijimit të bashkësisë serbe.

Në anën tjetër, Vuçiçi nuk parashtroi ndonjë propozim në kuvendin e Serbisë, por theksoi edhe një herë faktin se pasojat do të jenë të mëdha nëse ajo nuk pranon propozimin franko-gjerman. Ky qendrim nënkupton se ai e pranon propozimin pavarësisht kushteve të Kurtit dhe kundërshtisë së deputetëve nacionalistë në kuvendin përkatës dhe nacionalistëve serbë në përgjithësi, të cilët pretendojnë se “Kosova është Serbi”!

Për kushtet e Kurtit u shpreh dhe Avdullah Hoti për Zërin e Amerikës. Ai tha se kushtet e tij janë “palidhje” ose në fjalët e tij “jo-relevante”, për diskutimin që po bëhet për bashkësinë!

Gjykuar nga këto qendrime dhe ngjarje, “topi” është në fushën e diplomatëve perëndimorë dhe Vuçiçit: sepse ata u munduan të përmbysnin “rendin” e bisedimeve ndërsa Kurti i qendroi atij, duke kërkuar njohje si fillim dhe më pas krijimin e bashkësisë serbe por në përputhje me kushtetutën dhe duke përfshirë dhe komunat shqiptare në Serbi si pjesë e marrëveshjes: se ato do të gëzojnë të drejta të barabarta me pakicën serbe në Kosovë.

Kurti, në fjalë të tjera, nuk ka bër asnjë “lëshim” me kushtet e tij; por as Vuçiçi deri tani. Ky fakt duhet përmendur sepse komentatorët e televizioneve e keqparaqesin realitetin gjeopolitik. Për shembull, M. Nazarko pretendon se Vuçiçi e ka pranuar propozimin franko-gjerman; madje, sipas tij, ai ka bërë “lëshime”. Ai pretendon, gjithashtu, se edhe Kurti “la të kuptohet se po pranon të bëjë lëshim, ama do të fitohet njohja reciproke”!

Se çfarë mund të pritet në vijim, mbetet të shihet. Por me shumë gjasa diplomatët perëndimorë do të shtrëngojnë Vuçiçin për të krijuar dinamikën shoqërore se nëse Serbia nuk njeh Kosovën do ta pësojë keq. Ata mund ta bëjnë këtë veprim meqë tani është paraqitur si tezë apo si mundësi në popull. Por ata mund të kërkojnë, gjithashtu, nga Kurti të ndryshojë kushtet, nëse Vuçiçi u “përgjërohet” se ai nuk mundet të përparojë kërkesën e tyre për shkak të nacionalistëve apo mundësisë për trazira.

Zhvillimet e fundit sipas kronologjisë mund të lexohen më poshtë:

Kurti paraqiti gjashtë kushte për krijimin e bashkësisë serbe

Duke u paraprirë nga debati në Beograd mbi propozimin franko-gjerman dhe gjashtë kushtet e Kurtit, filluan menjëherë lëvizjet diplomatike tre ditë më pas, me të dërguarin e posaçëm të BE-së për bisedimet Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, të shkojë si fillim në Prishtinë dhe më pas në Beograd. Ai tha nga Prishtina se nuk donte të bënte publike analiza ligjore ndërsa përmendi nevojën e zbatimit të marrëveshjeve të nënshkruara më parë.

Paralelisht Kurti u bëri thirrje fuqive perëndimore që të ndihmojnë në demokratizimin dhe pavarësimin e Serbisë nga ish-republikat e ish-Jugosllavisë në vend të ushtrojnë trysni mbi Kosovën për të pranuar krijimin e bashkësisë serbe.

Ai tha, gjithashtu, se pranonte në parim propozimin por në bazë të kushteve që kishte paraqitur. ‘Pranimin’ e tij e theksoi ambasadori amerikan në Prishtinë me një qendrim publik duke thënë se “SHBA-ja është e nxitur dhe e mirëpret vendimin e Kosovës gjithashtu të pranojë Propozimin e BE-së në parim, dhe ne do të vazhdojmë të sigurojmë mbështetjen tonë të plotë në Dialogun e ndihmuar nga BE-ja. Marrëveshja e përkohshme do të sjellë përfitime të rëndësishme për Kosovën dhe Serbinë”.  

Gjykuar nga këto dy qendrime me shumë gjasa Lajçak po shton trysninë ndaj Beogradit për të përgatitur kushtet shoqërore për pranimin e propozimit franko-gjerman pa kushte.    

Dy ditë pas thirrjes për të pavarësuar Serbinë nga ish-republikat e ish-Jugosllavisë, Kurti “sfidoi” kërkesën e Beogradit me 21 bashkësi në brendësi të Serbisë. Sipas tij, Serbia ka zyrtarisht pakicat që vijojnë: “kroatët, bunjevcët, bullgarët, boshnjakët, shqiptarët, hungarezët, romët, rumunët, rusinët, sllovakët, ukrainsët, lidhja hebreje, ashkalinjët, vllehët, grekët, egjiptianët, gjermanët, sllovenët, çekët, maqedonët, malazezët”.

Ai sqaron se “11 komuna në Serbi udhëhiqen nga kryetarë joserb. Asociacione një-etnike komunash do të mund të formonin hungarezët, boshnjakët, shqiptarët dhe bullgarët”. Dhe më pas ngre pyetjen: “Pse Serbia nuk ua mundëson këtë, përderisa e kërkon një gjë të tillë në Kosovë?” 

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA