Kina i përgjigjet SHBA-së: luftë-nxitëse dhe fajtore e luftës në Ukrainë
G7 është e vendosur që të sanksionojë vendet "që ofrojnë mbështetje materiale për luftën e paligjshme të Rusisë kundër Ukrainës" ose që i anashkalojnë sanksionet kundër Rusisë
SHJ
19/02/2023 - 19:15
Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken tha të hënën se ai është "i shqetësuar" se Kina po shqyrton mundësinë e mbështetjes së luftës së Rusisë në Ukrainë përmes furnizimit me armë.
"Jemi të shqetësuar se Kina po shqyrton mundësinë për të mbështetur Rusinë në Ukrainë me ndihmë vdekjeprurëse. Ne po e ndjekim nga afër situatën. Theksova, njësoj siç tha Presidenti Biden kur bisedoi me Presidentin Xi Jinping kur nisi agresioni në Ukrainë, se do të kishte pasoja për marrëdhëniet mes dy vendeve tona nëse Kina furnizon me armë Rusinë ose e ndihmon në mënyrë sistematike për shmangien e sanksioneve", tha Antony Blinken , Sekretari Amerikan i Shtetit .
Një përshkallëzim i tillë do të nënkuptonte "pasoja reale" për Kinën, u tha zoti Blinken gazetarëve në Ankara.
"Nga bisedimet me përfaqësues të vendeve të tjera, përfshirë gjatë konferencës së Mynihut, di se shumë vende të tjera do ta merrnin shumë seriozisht nëse Kina ofronte një mbështetje të tillë për Rusinë. Dhe ky do të ishte një problem real për Kinën në marrëdhëniet e saj me shumë vende të tjera, jo vetëm Shtetet e Bashkuara. Kështu që ne shpresojmë dhe presim që ata të tregohen të duruar për të përshkuar atë udhë”, tha zoti Blinken.
Zoti Blinken nuk tha konkretisht se çfarë masash do të merrte SHBA-ja për t’iu përgjigjur mbështetjes ushtarake kineze për Rusinë.
Kina reagoi menjëherë duke deklaruar se Shtetet e Bashkuara nuk ishin në pozita për të bërë kërkesa të tilla ndaj Kinës.
"Partneriteti i bashkëpunimit të Kinës me Rusinë bazohet tek parimet e pavarësisë, moskonfrontimit dhe mosvënies në shënjestër të palëve të treta dhe është çështje e sovranitetit të dy vendeve të pavarura", tha Wang Wenbin, zëdhënës i Ministrisë së Jashtme të Kinës.
Diplomati kinez tha, gjithashtu, se është “SHBA-ja, jo Kina që ka derdhur armë në fushëbetejë” dhe ndryshe nga Uashingtoni, Pekini ka “mbështetur bisedimet për paqe” që nga fillimi i luftës.
“Komuniteti ndërkombëtar është tërësisht i vetëdijshëm se kush po thërret për dialog dhe përpiqet për paqe dhe kush po ndez flakët dhe mban të ndezur luftën. Ne nxisim palën e SHBA-së të reflektojë seriozisht mbi rolin që ajo ka luajtur, të bëjë diçka që të ndihmojë shpërshkallëzimin dhe të nxisë bisedime për paqe, dhe të ndalojë t`i shmanget fajësisë dhe të përhapë keqdijësim”, tha ai.
Deri më tani, mbështetja e Kinës ndaj Rusisë ka qenë politike, Pekini ka ndihmuar në parandalimin e përpjekjeve për të dënuar Moskën në Kombet e Bashkuara.
Por në një kohë që Shtetet e Bashkuara lëshuan paralajmërimin për autoritetet kineze, diplomati më i lartë i Kinës, Wang Yi po viziton sot Moskën, në kuadër të një turi 8 ditor në Europë. Ai pritet të takohet me zyrtarët rusë disa ditë pasi u takua me Sekretarin Amerikan të Shtetiti, Antony Blinken, gjatë punimeve të konferencës së Mynihut.
Pas takimit me diplomatin e lartë kinez, zoti Blinken tha se Shtetet e Bashkuara ishin të shqetësuara se Kina mund të furnizonte me armë Rusinë. Po ashtu ai i bëri të qartë zotit Wang Yi se lëshimi i balonës kineze në Shtetet e Bashkuara ishte i papranueshëm dhe nuk mund të përsëritej. Kina deri tani nuk ka kërkuar falje. Media shtetërore kineze raportoi se Pekini u kishte kërkuar Shteteve të Bashkuara të ndryshonin qëndrim dhe të riparonin dëmet që i janë shkaktuar marrëdhënieve mes dy vendeve. Voa
Përplasje mes SHBA-së dhe Kinës në Mynih ndërsa G7 paralajmëron botën për Rusinë
Bisedimet një orëshe midis Sekretarit Blinken dhe ministrit të jashtëm kinez Wang Yi u zhvilluan në Munih, ku ata po marrin pjesë në konferencën ndërkombëtare të sigurisë. Departamenti i Shtetit tha se Sekretari Blinken i ka thënë zotit Wang se Shtete e Bashkuara nuk do të pranonin kurrë shkeljen e integritetit territorial dhe ai theksoi se Kina ishte kapur duke spiunuar.
“Ia bëra të qartë se Kina ka dërguar një balonë spiunazhi në territorin e Shteteve të Bashkuara, duke shkelur sovranitetin e vendit tonë dhe ligjet ndërkombëtare. Ky ishte një veprim i papranueshëm që nuk duhet të përsëritet kurrë”, tha zoti Blinken në një intervistë për emisionin “Face the Nation” të kanalit CBS.
Në takimin me kryediplomatin kinez zoti Blinken përsëriti mesazhin e Presidentit Biden se Shtetet e Bashkuar nuk po kërkojnë konflikt me Kinën, por do të këmbëngulin në respektimin e vlerave dhe interesave të tyre. Voa
Nënpresidentja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Kamala Harris, paralajmëroi Kinën që të mos mbështesë Rusinë me armë në luftën e saj kundër Ukrainës. Një gjë e tillë do të ishte vetëm shpërblim për agresionin, tha Harris në Konferencën e Sigurisë në Mynih. Njëkohësisht Harris ripërsëriti pretendimin e Amerikës për rol udhëheqës dhe hodhi poshtë idetë izolacioniste. "Në lojë janë shumë gjëra," tha përfaqësuesja e presidentit amerikan Joe Biden, duke riafirmuar angazhimin e NATO-s për të ofruar ndihmë.
Kryediplomati kinez, Wang Yi, e akuzoi SHBA-në për sjellje agresive kundër vendit të tij. Problemet mes shteteve nuk duhet të zgjidhen me presion apo sanksione të njëanshme, tha ish-ministri i Jashtëm në Mynih. Ai njoftoi për një propozim kinez për një zgjidhje paqësore në Ukrainë, por nuk dha detaje.
Wang iu shmang përsëri një pozicionimi të qartë të Pekinit për luftën në Ukrainë. Ai u bëri thirrje evropianëve të ngulin këmbë për negociata midis Rusisë dhe Ukrainës. Wang nuk donte ta dënonte Moskën. Që nga pushtimi rus udhëheqja në Pekin ka theksuar vazhdimisht neutralitetin e vet. Marrëdhëniet e Kinës me SHBA-në janë të tensionuara për shkak të kërcënimeve të Pekinit kundër Tajvanit dhe manifestimit të forcës ushtarakë në Detin e Kinës Jugore. Marrëdhëniet janë ftohur edhe më tepër pas balonës kineze që u lëshua mbi territorin amerikan.
G7 paralajmëron që asnjë vend të mos mbështesë ushtarakisht Rusinë
Grupi G7 që përfshin Gjermaninë, SHBA-në, Francën, Britaninë e Madhe, Italinë, Kanadanë dhe Japoninë paralajmëroi vendet e tjera jo anëtare të këtij grupi që të mos mbështesin ushtarakisht Rusinë. Në një deklaratë të përbashkët e ministrave të Jashtëm të G7 të bërë në kuadër të Konferencës së Sigurisë së Mynihut thuhet se G7 është e vendosur që të sanksionojë vendet "që ofrojnë mbështetje materiale për luftën e paligjshme të Rusisë kundër Ukrainës" ose që i anashkalojnë sanksionet kundër Rusisë. Vende të tilla duhet të llogarisin me "kosto të konsiderueshme", thuhet në deklaratë.
Edhe zëvendëspresidentja e SHBA-së, Harris dhe ministri i Jashtëm i SHBA-së, Antony Blinken, kishin paralajmëruar më parë Kinën për ndonjë mbështetjeje të mundur ushtarake. Presidenti Biden ia ka bërë të qartë presidentit kinez Xi Jinping se kjo konsiderohet si një "çështje shumë serioze", tha Blinken. DW
Përditësuar në 21 shkurt 2023
Cilësia e lartë gazetareske kërkon përkushtim dhe dashuri. Ju lutem ndajeni këtë artikull me të tjerë duke përdorur vjegzën/linkun përkatëse
- 122 reads



