...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

(Pa)drejtësitë e propozimit franko-gjerman dhe nevoja për mbështetjen e Kurtit

Nëse me marrëveshjen e vitit 2013 Kosova lejonte zgjedhjen e policisë dhe gjykatave nga vetë organet e pakicës serbe, në emër të normalizmit të marrëdhënieve, me propozimin franko-gjerman shtohet dhe e drejta e serbëve për t`u mbështetur ekonomikisht nga Beogradi

Ylli Përmeti

23/02/2023 - 19:03

Pak ditë përpara takimit të 27 shkurtit në Bruksel, Kurti shtoi që takimi të mos përqendrohet në interesin e njërës palë por në propozimin në fjalë ndërsa Vuçiçi paralajmëroi më pas, katër ditë përpara takimit, se s`do të kishte marrëveshje pa krijimin e bashkësisë serbe. 

Megjithëse zërat kundër propozimit franko-gjerman janë shtuar, ose të paktën kundër qasjes së përgjithshme të tij ―se bashkësia serbe nuk duhet të krijohet përpara njohjes së ndërsjellë― si fillim me gjashtë kushtet e Kurtit dhe më pas u shtuan dhe dy analistë amerikanë, pas të cilëve shkon dhe shumica e popullit të Kosovës, vërej se ka pakuptimësi lidhur arsyet e qasjes amerikane, për të cilën kam shkruajtur në mënyrë të përsëritur, dhe ka, gjithashtu, pakuptimësi nga Uashingtoni për efektet e propozimit në fjalë.

Por le të shqyrtojmë si fillim natyrën e propozimit në fjalë, se nëse është i drejtë apo i padrejtë dhe me cilën palë. Gjykuar nga qasja amerikane, propozimi bart tre padrejtësi kryesore:

• së pari ai përqendrohet mbi krijimin e bashkësisë serbe, e cila detyron palët të respektojnë pakicat kombëtare duke përdorur “barazinë sovrane”, por nuk përmend askund barazinë e të drejtave të pakicave kombëtare;

• së dyti ai i quan vendet fetare në Kosovë si trashëgimi serbe dhe jo si trashëgimi shqiptaro-serbe dhe bizantine; dhe në fund,

• ai i vendos vendet në kuadër të të drejtës ndërkombëtare por më shumë përqendrohet tek detyrimi i palëve të pranojnë marrëveshjen duke e shkëmbyer atë me ndihmë ekonomike.

Shkëmbimi e të drejtave të popujve me të mira ekonomike njihet në filozofinë politike si pushtet i butë. Por do të ishte më e dëshirueshme që marrëveshja të përqendrohësh ose bazohësh në të drejtën ndërkombëtare se sa të përdorësh pushteti i butë. Nëse marrëveshja përqendrohet në të drejtën ndërkombëtare, ajo do të detyrojë edhe palën serbe të nënshkruajë të njëjtat të drejta për pakicat kombëtare atje. Ndaj është e nevojshme dhe e domosdoshme që propozimi të plotësohet dhe të bazohet në drejtën ndërkombëtare.

Qasja e Uashingtonit lidhet me detyrën e burokratëve amerikanë (emisarët dhe diplomatët e ambasadave) për të integruar Ballkanin Perëndimor në BE: ky është fakt (lexo politikën e jashtme amerikane për Ballkanin Perëndimor, qendrimet e Eskobarit dhe ambasadorëve).

Një detyrë e dytë e tyre është skajimi i ndikimit të Rusisë nga rajoni ynë. Por kjo detyrë buron nga detyra kryesore, sepse Uashingtoni dhe Brukseli besojnë se rajoni do të jetë i paqendrueshëm nëse Rusia ka ndikim në të. Për të realizuar këtë qëllim ata mbajnë qendrim të butë me Serbinë, duke i dhënë asaj bashkësinë serbe në Kosovë, pa kërkuar të njëjtat bashkësi brenda saj ndërsa premton se nuk do ta lejojë krijimin e “Zajednicës” në Kosovë kur vetë propozimi (Neni 7) i shton të drejtat e pakicës serbe në Kosovë duke lejuar atë të marrë mbështetje ekonomike nga Serbia dhe duke rritur nivelin e saj të vetëqeverisjes!

Kështu, nëse me marrëveshjen e vitit 2013 Kosova lejonte zgjedhjen e policisë dhe gjykatave nga vetë organet e pakicës serbe, në emër të normalizmit të marrëdhënieve, me propozimin franko-gjerman shtohet dhe e drejta e serbëve për t`u mbështetur ekonomikisht nga Beogradi. Domethënë, pakicës serbe i shtohet pushteti ekonomik i Beogradit krahas pushtetit juridik dhe policor, duke e mbajtur atë të varur vetëm nga pushteti politik i Prishtinës. Por dihet se pushteti ekonomik përcakton mbi 80 për qind të pavarësisë së një populli ndërsa përqindja tjetër përcaktohet nga pushteti juridik (10%) dhe politik (po aq).

Kështuqë pushteti politik i Prishtinës, krahasuar me pushtetin ekonomik të Beogradit, dhe juridik të vetë pakicës serbe, do të luajë një rol tejet të vogël, për mos të thënë se ai s`do të ketë fare mundësi të diktojë politikat e pakicës serbe në Kosovë. Thënë, në fjalë të tjera, propozimi, ndryshe ngasa pretendojnë diplomatët amerikanë dhe evropianë, krijon vërtet kushtet për vetëqeverisje dhe për ‘shkëputje’ nga pushteti politik i Prishtinës.       

Kjo qasje është tre herë e padrejtë, jo vetëm nga këndvështrimi historik ―sepse serbët në Kosovë janë të ardhur dhe kanë kontribuar në luftën e fundit duke mbështetur ushtrinë serbe dhe duke luftuar kundër shqiptarëve (çka nënkupton faktin se ata duhet të kalojnë nga procesi i reflektimit, kuptimit të fajësisë dhe kërkimit të ndjesës)― por dhe në raport me të drejtën ndërkombëtare: se palët duhet të kërkojnë barazi për pakicat kombëtare. Madje ai i heq nga “duart” palës sonë një të drejtë për ta shkëmbyer me të drejtat e shqiptarëve në Serbi. Nëse pala jonë heq dorë nga kjo e drejtë dhe krijon bashkësinë serbe, ajo nuk do të ketë më mundësi ta përdor atë kundrejt Beogradit për pakicën shqiptare.     

Madje kjo e drejtë bëhet më e pamundur po të shtojmë dhe faktin se qoftë Uashingtoni qoftë Brukseli hesht kundrejt politikave diskriminuese të Beogradit ndaj pakicës shqiptare atje: me përpjekjen e tij për ta spastruar atë me politika asgjësuese duke mos regjistruar shqiptarët etj.

Këto gjashtë padrejtësi ndaj popullit tonë nuk po përmenden nga komentatorët e gazetave dhe televizioneve tona! Për shembull, një spekulant i madh që shkruan në gazetën “Dita” dhe paraqitet si “ekspert”, Janusz Bugajski, ka shkruajtur së fundmi lidhur me propozimin në fjalë. Ai argumenton se Uashingtoni dhe Brukseli “po ndezin një tjetër fitil ballkanik” me trysninë e tyre ndaj Prishtinës. Kujtoj se qendrat përkatëse po ushtrojnë trysni (me sanksione) mbi të dyja palët por Bugajski shikon vetëm trysinë e palës sonë!

Ai më tej shtrembëron karakterin e propozimit. Thotë se ai i jep të drejtë pakicës serbe të emërojë policë etj. Këto të drejta, në fakt, pakica serbe i ka fituar me marrëveshjen e vitit 2013. Por Bugajski fle gjumë. Më tej, ai thotë se Beogradi do të minojë integritetin e Kosovës përmes institucioneve paralele, duke ndërhyrë drejtpërdrejt në politikën e Kosovës, dhe duke kontrolluar Listën Serbe.

Për këtë argument ai ka pjesërisht të drejtë, sepse ky është qëllimi i Beogradit: të pengojë zhvillimin e shtetit të Kosovës. Ky është fakt, të cilin e ka argumentuar botërisht Vuçiçi. Por si duket Bugajski s`ka sy të shohë qendrimet e kryetarit të Serbisë! Në fund të fundit, ai do t`i shërbejë kushtetutës serbe, e cila e shikon Kosovën si pjesë të territorit të saj. Për këtë të fundit, autori këshillon ndryshimin e saj, me qëllim që Kosova të mos “destabilizohet” në të ardhmen.

Krahas këtij ndryshimi, ai propozon përshpejtimin e integrimit të saj në NATO. Por ngaqë plotësimi i kushteve vonon, ai këshillon rritjen e pranisë së NATO-s në Kosovë, “për të treguar se do ta mbrojë” atë ndërsa këshillon “përmbysjen e Rusisë” në rajonin tonë “në mënyrë gjithëpërfshirëse dhe sistematike në të gjitha fushat, informative, ekonomike, të sigurisë, sociale, fetare dhe kulturore. Pa lëvizje të tillë, vendimtare”, përfundon autori, “fitili i ballkanit do të digjet gjithnjë e më shpejt”!

Së pari, shumë nga çka propozon ai, për mos të thënë të gjitha, mbështeten nga shumë komentatorë. Së dyti, Kosova nuk mund të anëtarësohet në NATO, sepse katër nga anëtarët e organizatës në fjalë nuk e njohin atë (Spanja, Greqia, Slovakia dhe Rumania). Së treti, Rusia nuk mund të “përmbyset” nga rajoni, sepse është e lidhur kryesisht me Serbinë dhe qasja perëndimore nuk mund ta shlidhë kurrë atë: sepse Serbia ka nevojë për Rusinë më shumë se ç`ka nevojë Rusia për Serbinë; madje Serbia ka nevojë më shumë për Rusinë se sa për BE-në, pavarësisht se aktualisht ajo mbizotërohet nga shkëmbimet tregtare me eurozonën.

Arsyeja kryesore lidhet me historinë dhe kulturën (fenë etj.) serbe dhe me pushtetin ushtarak të Rusisë: sepse për Serbinë, pushteti ushtarak është më i rëndësishëm se pushteti ekonomik pavarësisht se i pari varet nga i dyti dhe jo anasjelltas: sepse me pushtetin e saj ushtarak mund të mbrohet dhe të kërcënojë dhe fqinjët e saj, veçanërisht shqiptarët. Madje ajo mund të heqë dorë dhe nga orientimi i saj për t`u integruar në BE dhe të orientohet në bllokun që po krijon Rusia dhe Kina, nëse kërcënohet me sanksione.  

Në fund vlen të përmendet fakti se Kurti po shkon në bisedime pa mbështetjen e opozitës së Kosovës por më kryesorja pa mbështetjen e Tiranës (Rama tha në “Opinion” se ai nuk e mbështet qasjen e Kurtit)! Ai gëzon, sigurisht, mbështetje në popull, nëse gjykojmë nga protesta ditën kur u publikua propozimi dhe qendrimet e qytetarëve: ata e kundërshtojnë propozimin sepse me të drejtë kanë frikë se bashkësia serbe do të shndërrohet në një “shtet brenda shtetit”. Por shqetësimi i tyre është shumë i kufizuar, sepse nuk e shohin propozimin edhe në raport me të drejtat e pakicës shqiptare në Serbi por e shohin vetëm në raport me efektin që do të ketë Beogradi mbi pakicën e tij në Kosovë. 

Ndaj do të ishte e dëshirueshme dhe e domosdoshme që ta zgjeronin shqetësimin dhe Kurti të mbështetësh me gjashtë kushtet e tij pavarësisht të metave në qendrimet e tij (ato janë tejet të pjesshme) dhe gabimeve lidhur me targat: sepse pasojat e nënshkrimit të propozimit në fjalë do të jenë të rrezikshme për qendrueshmërinë dhe sigurinë e popullit shqiptar, veçanërisht për popullin e rajonit ku mbizotëron pakica serbe dhe për pakicën tonë në Serbi.

Efektet katastrofike për perëndimin me refuzimin e propozimit franko-gjerman

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA