Inteligjenca amerikane dyshuese për kundër-sulmin e ushtrisë ukrainase
Udhëheqja e Pentagonit u përfshi në një “nivel të lartë paniku” dhe kufizoi rrjedhën e inteligjencës, sidomos lidhur me sulmet e Ukrainës në brendësi të Rusisë
SHJ
10/04/2023 - 15:17
Pentagoni dhe spiunazhi amerikan mori një goditje të madhe kur të paktën 100 raporte të klasifikuar rrodhën në media. Ata lidhen kryesisht me Ukrainën dhe janë rrjedhja e dytë më e madhe pas rrjedhjes së vitit 2013 nga kontraktori amerikan Edward Snowden.
Sipas gazetës amerikane “Washington Post”, mes shumë sekreteve, raportet zbulojnë se si CIA ka rekrutuar agjentë të fshehtë në bisedimet me dyer të mbyllura të udhëheqësve botëror; ka zhvilluar përgjime që tregojnë një mercenar rus që përpiqësh të fitonte armë nga një aleat i Nato-s për t`i përdorur ato kundër Ukrainës; dhe llojet e shëmbëllesave satelitore (nga sistemi LAPIS) që përdor SHBA-ja për të gjurmuar forcat ushtarake ruse, duke përfshirë teknologjinë e përparur.
Kjo e fundit, sipas Financial Times, është veçanërisht shqetësuese për zyrtarët amerikanë, sepse dokumentat përmbajnë të dhëna lidhur me kundër-sulmin e Ukrainës që pritet të fillojë pavarësisht se s`përmbanin plane konkretë.
Shumë nga dokumentat janë etiketuar “NOFORN”, që tregojnë se ata nuk mund t`u tregohen shtetasve të huaj ndërsa të tjerë ishin lejuar të ndaheshin me aleatët duke përfshirë aleancën e Pesë Yjeve të SHBA-së, Britanisë, Kanadasë, Australisë dhe Zelandës së Re. Dokumentat përshkruajnë veprimtaritë e Agjencisë Kombëtare të Sigurisë, CIA-s, Agjencisë Inteligjente të Mbrojtjes ― agjencisë më të fshehtë inteligjente në qeveri, përgjegjëse për një yjësi shumë miliardëshe të satelitëve të përgjimit.
Dokumentat shqetësohen kryesisht me luftën në Ukrainë dhe tregojnë se si SHBA-ja vlerëson gjendjen e luftës dhe ku po shkon ajo. Sipas “Washington Poste”, Uashingtoni dyshon se kundër-sulmi i Ukrainës nuk do të sjellë ndonjë fitim, ndryshe ngasa pretendon Bajdeni publikisht. Madje, sipas të njëjtës gazetë, zyrtarët amerikanë besojnë se pritshmëritë për fitime modeste në sulmin e pranverës u mbështetën nga një vlerësim i klasifikuar i Këshillit Kombëtar të Inteligjencës amerikane. Ai vlerësim, i cili iu parashtrua një grupi të përzgjedhur në Capitol Hill, “vlerësonte se Ukraina e kishte të pamundur rifitimin e po aq territori sa ç`fitoi në vjeshtën e fundit në jug dhe lindje” kur, në fakt, ato ishin kryesisht pasojë e tërheqjes së ushtrisë ruse se sa e një kundër-sulmi të ushtrisë ukrainase. Si pasojë, zyrtarët amerikanë thonë se hollësitë e dokumentave mund ta ndihmojnë Moskën të pengojë disa pika për mbledhjen e të dhënave, sidomos satelitët, të cilët mund të sulmohen nga Rusia.
Dokumentat tregojnë, gjithashtu, dijeninë e shërbimeve amerikane për planet e ushtrisë ruse në luftë. Ky fakt tregon se agjentët amerikanë kanë depërtuar në radhët e ushtrisë ruse në nivelin e planifikimit të veprimeve ushtarake dhe nuk do të ishte e çuditshme që të dëshojmë një “spastrim” tjetër në radhët e ushtrisë ruse. Madje raportet tregojnë se SHBA-ja ka qasje në planet e brendshme të ushtrisë private ruse Wagner.
Si pasojë, udhëheqja e Pentagonit u përfshi në një “nivel të lart paniku” dhe kufizoi rrjedhën e inteligjencës, sidomos lidhur me sulmet e Ukrainës në brendësi të Rusisë, të cilët mund të shihen nga Pekini si “një mundësi për të treguar NATO-n si një agresor” dhe Kina mund të rrisë mbështetjen ndaj Rusisë nëse ajo ndjente se sulmet ishin të “rëndësishëm”. Pekini, madje, mund të tregojë Uashingtonin si përgjegjës për përshkallëzimin e luftës dhe ta përdorë si përligjje për të armatosur Rusinë.
Kundrejt pretendimit të një raporti të Pentagonit se forcat e posaçme të SHBA-së dhe NATO-s vepronin në Ukrainë, zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë pranoi për Fox News se ato vepronin në ambasadën amerikane në Kiev por refuzoi të zbulonte numrin e trupave. “Atje është një njësi e vogël ushtarake e SHBA-së në ambasadë bashkë me atashetë e mbrojtjes për të na ndihmuar mbi përgjegjshmërinë dhe çështjeve që zhvillohen brenda dhe jashtë Ukrainës. Kështuqë ata janë bashkë me mbasadën dhe atashenë e mbrojtjes”, tha ai, duke sqaruar më tej se trupat amerikane nuk po luftojnë fushëbetejë.
SHBA-ja kërkon të ndreqë lidhjet me aleatët pas zbulimit të raporteve te inteligjencës amerikane se i përgjonte ata, raporton “The Guardian”. Sipas gazetës, ministri i mbrojtjes amerikane foli me homologun e tij të Koresë së Jugut për përgjimet amerikane në bisedimet e brendshme të qeverisë së Seulit mbi shitjen e armëve.
Sipas raporteve të inteligjencës amerikane, Uashingtoni ka përgjuar aleatët kyç të tij duke përfshirë Izraelin. Sipas gazetës, “zbulimi i dokumenteve shumë të klasifikuar paraqet shkeljen më serioze të Uashingtonit prej shumë vitesh i cili përfshinte hollësi rreth mungesës së Ukrainës në armatime dhe metodat e mbledhjes së të dhënave nga SHBA-ja të përdorura kundër Rusisë”.
Mundësia e shitjes së armëve ndaj Ukrainës nga Koreja e Jugut paraqet një telash të madh për qeverinë e Seulit sepse politika e saj ―e mbështetur nga shumica e votuesve― nuk lejon eksportin e armëve në një vend që është në luftë. Dokumentat tregojnë se ajo u ka shitur raketa artilerie për të ndihmuar SHBA-në që të shtonte rezervat. Për të njëjtën arsye Seuli po përdor argumentin se përdoruesi “përfundimtar” ishte SHBA-ja dhe jo Ukraina dhe se raportet janë të rremë!
Frika se mos të dhënat e dokumentave dëmtojnë marrëdhëniet e SHBA-së me aleatët e saj detyroi zëdhënësin e Shtëpisë së Bardhë, John Kirby, të “ndalojë” publikimin e tyre në media: sipas tij, ato “nuk duhet të publikohen në faqet e para të gazetave ose në televizion”, sepse, sqaron ai, “është një urdhëresë sigurie për të mbajtur disa të dhëna sekrete”.
Raportet tregojnë se Egjipti planifikonte të dërgonte raketa dhe municione fshehtas në Rusi pavarësisht kërcënimeve perëndimore.
Në gjendje gati të ngjashme e përshkruan qeverinë amerikane dhe “Politico”: sipas saj, SHBA-ja gjendet në gjendje krize me aleatët ndërsa zyrtarët kryesorë të qeverisë vrapojnë të qetësojnë aleatët e zhgënjyer dhe pështjelluar nga Evropa dhe Lindjen e Mesme deri në Kiev.
Zyrtarët e qeverive në Londër, Bruksel, Berlin, Dubaj dhe Kiev pyetën Uashingtonin se si të dhënat përfunduan në internet, kush ishte përgjegjës për rrjedhjen dhe çfarë po bënte SHBA-ja për të siguruar se të dhënat ishin hequr nga media shoqërore. Saga ka lënë marrëdhëniet e SHBA-së me aleatët e saj në një gjendje krize, që ngre pikëpyetje se si Uashingtoni do të ndreqë atë çfarë zyrtarët rreth botës shohin se një nga shkeljet më të mëdha të inteligjencës amerikane që nga koha e Wikileaks kur u publikuan miliona dokumenta të ndjeshme nga viti 2006 deri në vitin 2021.
Sipas një dokumenti tjetër, SHBA-ja beson se sekretari i përgjithshëm e OKB-së është tejet i gatshëm për të kënaqur interesat e Rusisë sidomos lidhur me eksportin e grurit. Për të njëjtën arsye Uashingtoni ka mbikqyrur veprimet e tij.
Pentagoni: “kërcënim serioz” bërja publike e dokumentave të klasifikuara
Publikimi i dokumentave tepër të klasifikuara amerikane për luftën në Ukrainë përfaqëson një kërcënim “shumë serioz” për sigurinë kombëtare të Shteteve të Bashkuara, u shpreh një zëdhënës i lartë i Pentagonit.
Dokumentat përmbajnë të dhëna sekrete për luftën që Rusia po bën në Ukrainë si dhe për aleatët e Shteteve të Bashkuara. Departamenti i Drejtësisë ka filluar ndërkohë një hetim për nxjerrjen e të dhënave.
Materialet, të cilat kanë qarkulluar në faqe të ndryshme të mediave sociale, “kanë potencialin të përhapin dezinformim”, u tha të hënën gazetarëve Chris Meagher, ndihmës sekretar i mbrojtjes për çështjet publike.
Sipas zotit Meagher, Sekretari amerikan i Mbrojtjes Lloyd Austin u informua për çështjen mëngjesin e 6 prillit, ditën kur gazeta New York Times publikoi një artikull për këto dokumenta.
Dokumentat e klasifikuara filluan të shfaqen fillimisht në platformën Discord në fund të muajit shkurt, dhe në vazhdim u përhapën në media të tjera sociale, përfshirë në rrjetet Telegram dhe Twitter. Megjithatë, ato nuk tërhoqën shumë vëmendje derisa gazeta The New York Times raportoi për këto materiale.
Në Shtëpinë e Bardhë, zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare, John Kirby, u tha gazetarëve të hënën se ka ende shumë pikëpyetje që kërkojnë përgjigje për nxjerrjen në publik të këtyre materialeve.
“Nuk dimë se kush është pas kësaj. Nuk dimë motivin. Dhe nuk dimë çfarë ka tjetër që qarkullon”, tha ai.
Kur u pyet nëse do të ketë publikime të mëtejshme të dokumentave të klasifikuara, ai tha se “përgjigja e vërtetë dhe e ndershme për pyetjen tuaj është: nuk e dimë. Dhe a është kjo diçka shqetësuese për ne? Patjetër që po”, tha ai.
Zoti Kirby tha se Presidenti Biden u informua për këtë çështje javën e kaluar dhe ka qëndruar në kontakt me zyrtarët e sigurisë kombëtare.
Ndërsa tha se Shtetet e Bashkuara “nuk mund të prononcohen për vërtetësinë dhe vlefshmërinë e dokumentave në këtë pikë”, ai tha se informacioni që qarkullon në internet “nuk duhet të gjendet në publik”.
Duke folur për shqetësimin se dokumentat përmbajnë informacion për aleatët e Shteteve të Bashkuara, zoti Kirby tha se “zyrtarët amerikanë kanë qenë në kontakt me aleatët dhe partnerët në fjalë gjatë ditëve të fundit në nivelet më të larta”.
Zëvendës zëdhënësi i Departamentit të Shtetit Vedant Patel tha të hënën se zyrtarët amerikanë janë angazhuar me aleatët për këtë çështje, “ndër të tjera për t’i siguruar ata për përkushtimin tonë për ruajtjen e të dhënave të zbulimit”.
Departamenti i Mbrojtjes po drejton një hetim për dokumentat e nxjerra ku marrin pjesë disa agjenci qeveritare, ndërsa Departamenti i Drejtësisë ka çelur një hetim penal.
Pentagoni tha të dielën se disa agjenci po punojnë për të vlerësuar ndikimin që mund të kenë tek siguria kombëtare dokumentat që u publikuan.
Megjithëse departamenti është ende duke vlerësuar vlefshmërinë e dokumentave të fotografuara, “ato duket se përmbajnë materiale sekrete dhe tepër të klasifikuara”, u shpreh në një deklaratë zëvendës sekretarja e shtypit e Pentagonit, Sabrina Singh.
Një pjesë e madhe e dokumentave të nxjerra kanë lidhje me luftën në Ukrainë dhe përmbajnë informacione sekrete në lidhje me kapacitetet luftarake të atij vendi. Disa dokumenta kanë gjithashtu të dhëna për aleatë të Shteteve të Bashkuara, përfshirë Izraelin, Turqinë dhe Korenë e Jugut.
Në kërkim të autorit
Zyrtarët amerikanë po punojnë për identifikimin e burimit të dokumenteve të klasifikuara ushtarake dhe të shërbimeve të zbulimit, që u shfaqën në internet, me detaje nga mbrojtja ajrore e Ukrainës, deri te agjencia izraelite e inteligjencës, Mossad.
Disa ekspertë perëndimorë të sigurisë dhe zyrtarë amerikanë thonë se dyshojnë se mund të jetë dikush nga Shtetet e Bashkuara që i ka nxjerrë dokumentet sekrete.
Zyrtarët thonë se gjerësia e temave të trajtuara në dokumente, të cilat prekin luftën në Ukrainë, Kinën, Lindjen e Mesme dhe Afrikën, sugjerojnë se ato mund të jenë nxjerrë nga një amerikan dhe jo nga një vend aleat.
“Vëmendja tani është përqendruar tek mundësia që kjo të jetë një rrjedhje nga SHBA-të, pasi shumë nga dokumentet kanë qenë në duart e amerikanëve”, thotë Michael Mulroy, ish-zyrtar i lartë i Pentagonit.
Zyrtarët amerikanë thanë se hetimi është në fazat e hershme dhe ata që e drejtojnë atë nuk e kanë përjashtuar mundësinë që elementë pro-rusë të jenë pas rrjedhjes. Kjo shihet si një nga shkeljet më serioze të sigurisë që nga koha kur mbi 700,000 dokumente, video dhe raporte diplomatike, u shfaqën në faqen e internetit “WikiLeaks” më 2013.
Pas zbulimit të dokumenteve, agjencia e lajmeve “Reuters” ka shqyrtuar më shumë se 50 dokumente të etiketuara “Sekret” dhe “Tepër Sekret” që u shfaqën për herë të parë muajin e kaluar në rrjetet sociale, duke filluar me ‘Discord’ dhe ‘4Chan’.
Reuters nuk ka arritur të verifikojë në mënyrë të pavarur vërtetësinë e dokumenteve. Disa, që japin shifra të viktimave në fushën e betejës nga Ukraina, duket se ishin ndryshuar për të minimizuar humbjet ruse.
Nuk është e qartë pse të paktën njëri dokument është shënuar i paklasifikuar, por përfshin informacione tepër sekrete.
Departamenti amerikan i Mbrojtjes tha të dielën se agjenci të shumta po punojnë për të vlerësuar ndikimin e rrjedhjes së dokumenteve tepër sekrete tek siguria kombëtare.
“Departamenti i Mbrojtjes vazhdon të shqyrtojë vlefshmërinë e dokumenteve që qarkullojnë në faqet e rrjeteve sociale dhe që duket se përmbajnë materiale të ndjeshme dhe tepër sekrete”, tha në një deklaratë zëdhënësja e Pentagonit, Sabrina Singh.
Zonja Singh tha se siguria kombëtare është përparësia më e lartë për Pentagonin dhe se zyrtarët amerikanë janë “angazhuar me aleatët dhe partnerët dhe kanë informuar komisionet përkatëse të Kongresit për zbulimin”.
Një nga dokumentet, i datës 23 shkurt dhe i shënuar “Sekret”, përshkruan në detaje se si Ukraina, me normën aktuale të përdorimit, rrezikon të mbesë pa sisteme të mbrojtjes ajrore deri më 2 maj .
Një informacion i tillë mund të jetë i dobishëm për forcat ruse dhe Ukraina tha se presidenti i saj dhe zyrtarët e lartë të sigurisë u takuan të premten për të diskutuar mënyrat për të parandaluar rrjedhjet.
Vëzhgimi i aleatëve
Një dokument tjetër, i shënuar “Tepër Sekret” nga një informacion i mbledhur nga Agjencia Qëndrore e Inteligjencës (CIA) që mban datën 1 mars, thotë se shërbimi sekret i Izraelit “Mossad” po inkurajonte protesta kundër planeve të kryeministrit Benjamin Netanyahu për të forcuar kontrollin mbi Gjykatën e Lartë të Izraelit.
Dokumenti vinte në dukje se SHBA-të e siguruan këtë informacion përmes një mënyre që sugjeron se Shtetet e Bashkuara kishin spiunuar një nga aleatët e saj më të rëndësishëm në Lindjen e Mesme.
Në një deklaratë të publikuar të dielën, zyra e kryeministrit Netanyahu e cilësoi informacionin si “të pavërtetë dhe pa asnjë bazë”.
Një dokument tjetër jep detaje të diskutimeve të brendshme midis zyrtarëve të lartë të Koresë së Jugut në lidhje me presionin e SHBA-së mbi Seulin, për të ndihmuar furnizimin me armë të Ukrainës dhe politikën e saj për të mos e bërë këtë.
Një zyrtar presidencial i Koresë së Jugut tha të dielën se vendi ishte në dijeni të raporteve në lidhje me dokumentet e klasifikuara dhe se planifikon të diskutojë “çështjet e ngritura” me Uashingtonin.
Dy zyrtarë amerikanë, duke folur në kushte anonimiteti, thanë se ndërsa ekzistonte shqetësimi për rrjedhjen në Pentagon dhe agjencitë e inteligjencës, dokumentet flasin për atë se si ishte situata para më shumë se një muaji dhe ato nuk përmbajnë vlerësimet më të fundit.
Dy zyrtarët thanë se ushtria dhe agjencitë e inteligjencës po hulumtonin proceset e tyre për të kuptuar se deri në çfarë niveli shpërndahen informacionet e klasifikuara brenda SHBA-së.
Zyrtarët po shikojnë se çfarë motivesh do të kishte një zyrtar amerikan ose një grup zyrtarësh për të nxjerrë informacione të tilla të ndjeshme, tha një nga zyrtarët që foli për Reuters.
Ai tha se hetuesit po shikonin katër ose pesë teori, që nga mundësia e një punonjësi të pakënaqur, deri tek një kërcënim i brendshëm, që në mënyrë aktive donte të minonte interesat e sigurisë kombëtare të SHBA.
Raporti sipas DW:
Dy ditë pas publikimit në internet të dokumenteve amerikane të klasifikuara si sekrete është ndezuar debati për dëmin e madh të shkaktuar për shkak të përmbajtjes së tyre mjaft delikate. Sipas mediave amerikane këto dokumente përmbajnë të dhëna për furnizimet me armë të Ukrainës dhe shpenzimin e municioneve- po ashtu ato japin detaje për forcën e trupave ukrainase dhe pozicionet e tyre. Sipas raportimeve të "New York Times" ato përmbajnë edhe të dhëna për planet e NATO-s dhe SHBA të mbështesin Kievin në një ofensivë të mundshme kundër Rusisë në pranverë.
Ndërsa sipas "Washington Post" krahas informacioneve për Ukrainën janë publikuar edhe analiza sekrete për vende të tjera, si për shembull për Kinën dhe Izraelin. Dokumentet japin detaje se si i mbledhin informatat shërbimet sekrete amerikane dhe tek cilat burime bazohen. Ky vështrim brenda praktikës së punës të shërbimeve sekrete amerikane mund të jetë shumë i vlefshëm për Kinën dhe Rusinë. Moska mund të kuptojë se sa i infiltruar është aparati i saj i sigurisë nga spiunët amerikanë dhe të mbyllë pikat e dobta. Një ish-funksionar i shërbimeve sekrete amerikane ka bërë fjalë për "një makth".
Disa dokumente me gjasë të manipuluara
E paqartë është nëse të gjitha dokumentet janë të vërteta. Përfaqësues të qeverisë amerikane kanë konfirmuar parimisht vërtetësinë e dokumenteve, sipas CNN. Por "Washington Post" raporton po mbi bazën e burimeve nga qarqet qeveritare, se të paktën disa dokumente janë të manipuluara. Kjo përputhet me të dhënat e rrjetit investigativ Bellingcat. Ekspertët e këtij rrjeti kanë zbuluar, se të paktën disa dokumente janë qartësisht të manipuluara.
Po ashtu e paqartë është se kush fshihet pas publikimeve. Dokumentet u shfaqën në fillim të marsit në platformën e preferuar të "gamer-ave"- lojtarëve të lojërave në internet, Discord, më pas u përhapën më tej në Imageboard 4Chan. Në fund ato u përhapën në twitter dhe në kanalet ruse të Telegramit. Një pjesë e madhe e dokumenteve u fshi shpejt. Ministria Amerikane e Drejtësisë ka filluar hetimet. Me gjasë mijëra punonjës të autoriteteve amerikane kanë pasur qasje tek dokumentet, ka thënë një punonjës i Pentagonit për "Washington Post".
Reagimi i Ukrainës
Sipas reagimeve nga Ukraina publikimi i dokumenteve të tilla nuk kanë asnjë ndikim në rrjedhën e luftës. Kievi reagoi i qetë, dhe bën fjalë për një "lojë të zakonshme shërbimesh sekrete". Rusia vetë ka trilluar dokumentet për të vendosur një pykë mes perëndimit dhe Ukrainës, sipas Kievit.
Përkundër këtyre reagimeve qëndrojnë deklaratat e alarmuara të autoriteteve amerikane dhe shërbimeve sekrete. Kreu i institutit amerikan, Silverado Policy Acclelerator, Dimitri Alperovitch, i tha gazetës "Washington Post", se dokumentet mund të sjellin dëme. Vërtet ato nuk kanë plane konkrete sulmi, por ato i japin Moskës të dhëna për llojin dhe sasinë e armëve perëndimore dhe për ushtrinë që përdor këto armë. Këto janë informacione me rëndësi për aftësinë mbrojtëse të Ukrainës.
Përditësuar
Cilësia e lartë gazetareske kërkon përkushtim dhe dashuri. Ju lutem ndajeni këtë artikull me të tjerë duke përdorur vjegzën/linkun përkatëse
- 212 reads



