...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Përkeqësohen aftësitë shkencore të fëmijëve në Shqipëri (dhe Kosovë): të fundit në rajon

Aftësitë e nxënësve 15-vjeçarë në Shqipëri për lëndën e matematikës, leximit dhe shkencës janë përkeqësuar

SHJ

07/12/2023 - 07:43

Gjatë 4 viteve pas rezultateve të programit PISA 2018, aftësitë e nxënësve 15-vjeçarë në Shqipëri për lëndën e matematikës, leximit dhe shkencës janë përkeqësuar, sipas rezultateve të “PISA 2022” të vendeve të OECD.

Nga rezultatet e Programit të Vlerësimit Ndërkombëtar të Nxënësve “PISA 2022” Shqipëria është renditur në vendin e 62, ndër 80 vendet që kanë marrë pjesë në testim. Në rezultatet e testimit për programin PISA 2018, Shqipëria u rendit në vendin e 61.

Nga ndarja e vlerësimeve për paraqitjen e nxënëseve në 3 fasha (fasha e parë përfshinte shtetet me rendiment më të lartë se mesatarja e vendeve të OECD, fasha e dytë në vendet me mesatare të njëjtë me OECD, fasha e tretë me rendiment nën mesataren e OECD) Shqipëria u rendit në fashën e tretë, ku u kategorizuan vendet me rendiment të ulët nën mesataren e OECD.

Në matematikë, Shqipëria mori vlerësimin prej 368 pikë nga 472 pikët e mundshme në matematikë. Nga vlerësimi i ecurisë së nxënëseve në matematikë krahasuar me programin PISA 2018 Shqipëria ka një rënie prej 69 pikësh ndër 80 shtetet e testuara.

Për aftësitë e nxënësve 15 vjeçare në lexim Shqipëria u vlerësua me 358 pikë nga 476 pikë që është mesatarja e pikëve të mundshme. Edhe në lexim krahasuar me rezultatet e 2018-s rënia është 47 pikë.

Për aftësitë e nxënësve në shkencë Shqipëria është vlerësuar me 376 pikë nga 485 pikë e mundshmet. Vlerësimi për aftësitë e nxënësve në shkencë rënia është 41 pikë krahasuar me rezultatet e PISA 2018.

Krahasuar me vendet e rajonit Shqipëria qendron më poshtë, Serbia në vendin e 38-të, me përkeqësim 8 pikë të perfomancës së nxënësve në matematikë, përmirësim 1 pikë në lexim dhe 8 pikë në shkencë. Mali i Zi renditet në vendin e 50-të me përkeqësim 24 pikë në matematikë, në lexim 16 pikë dhe 12 pikë në shkencë.

Maqedonia e Veriut qendron në vendin e 56-të me përkeqësim 6 pikë për aftësitë e nxënësve në matematikë, 34 pikë përkeqësim në lexim dhe 36 pikë përkeqësim në shkencë. Kosova qendron në vendin e fundit me përkeqësim përkatësisht 11 pikë në matematikë dhe lexim dhe 8 pikë në shkencë.

Ndërsa në nivel botëror vendin e parë në Evropë vijon ta mbajë Estonia. Në renditje vendin e parë e mban Singapori, më pas Kina, Hong-Kongu dhe Japonia.

PISA është një studim ndërkombëtar që u fillua nga OECD në 1997, u administrua për herë të parë në vitin 2000 dhe tani mbulon mbi 80 vende. Studimi kryhet çdo 3 vjet dhe siguron të dhëna krahasuese mbi paraqitjen e 15-vjeçarëve në lexim, matematikë dhe shkencë.

Rezultatet PISA 2022 do të publikohen në pesë vëllime (2 prej vëllimeve janë bërë publike, ndërsa 3 të tjerët pritet të publikohen në vijim).

Vëllimi I përfshin rezultatet për gjendjen e të mësuarit dhe barazia në arsim. Vëllimi shqyrton paraqitjen e vendeve dhe ekonomive në matematikë, lexim dhe shkencë dhe si ka ndryshuar ajo me kalimin e kohës. Përveç kësaj, kapitali në arsim analizohet nga këndvështrimi i përfshirjes dhe drejtësisë, duke u fokusuar në gjininë e studentëve, statusin socio-ekonomik dhe prejardhjen e emigrantëve.

Vëllimi II shqyrton të mësuarit dhe karakteristikat e nivelit të sistemit, dhe analizon se si këto lidhen me rezultatet e nxënësve, si p.sh paraqitjen, barazinë dhe mirëqenien e studentëve. Vëllimi gjithashtu paraqet të dhëna se si është organizuar mësimi kur shkollat ​​u mbyllën për shkak të COVID-19.   

Pakënaqësia e 15-vjeçarëve me jetën në Shqipëri është rritur

Përveç rënies së nivelit mësimor në shkollat shqiptare, anketa globale e 15-vjeçarëve (PISA) gjeti se, ndër nxënësit shqiptarë, pakënaqësia ndaj jetës është rritur.

Në vitin 2022 gati 12% e nxënësve në Shqipëri raportuan se nuk ishin të kënaqur me jetën e tyre. Ata e vlerësuan kënaqësinë e tyre me jetën midis 0 dhe 4 në një shkallë që varioi nga 0 në 10.

Përveç testit për njohuritë mësimore, PISA zhvillon edhe një anketë me nxënësit dhe drejtuesit e shkollave për të matur fenomenet që prekin nxënësit të tilla si poshtërimi. mjedisi shkollor në tërësi edhe në aspektin e infrastrukturës, logjistikës për zhvillimin normal të mësimit.

Në vitin 2022, 86% e nxënësve në Shqipëri raportuan se bëjnë miq lehtësisht në shkollë (mesatarja e OECD: 76%) dhe 85% mendonin se i përkasin shkollës (mesatarja e OECD: 75%).

Ndërkohë, 15% raportuan se ndiheshin të vetmuar në shkollë dhe 15% si një i huaj ose i lënë jashtë vëmendjes në shkollë.

75% e nxënësve në Shqipëri raportuan se, në shumicën e orëve të matematikës, mësuesi tregon interes për të mësuarit e çdo nxënësi, teksa në vitin 2012 rreth 78% e nxënësve mendonin në këtë mënyrë.

Anketa e PISA verifikoi se shumë nxënës studiojnë matematikën në një klimë disiplinore që nuk është e favorshme për të mësuar. Në vitin 2022, rreth 25% e studentëve në Shqipëri raportuan se nuk mund të punojnë mirë në shumicën ose në të gjitha mësimet (mesatarja e OECD: 23%).

Gjithashtu 28% e nxënësve nuk dëgjojnë çfarë thotë mësuesi, 25% e studentëve shpërqendrohen duke përdorur pajisjet digjitale dhe 24% shpërqendrohen nga studentët e tjerë që përdorin pajisje digjitale.

Të dhënat e PISA 2022 tregojnë se në sistemet arsimore ku paraqitja mbeti e lartë dhe ndjenja e kënaqësisë së nxënësve u përmirësua, ata prireshin të ndiheshin më të sigurt dhe më pak të ekspozuar ndaj poshtërimit dhe rreziqeve të tjera në shkollën e tyre.

Në Shqipëri, 8% e nxënësve raportuan se nuk ndiheshin të sigurt rrugës për në shkollë, 6% e nxënësve raportuan se nuk ndiheshin të sigurt në klasat e tyre në shkollë, 9% e nxënësve raportuan se nuk ndiheshin të sigurt në vende të tjera në shkollë (p.sh. korridor, kafene, banjë).

Të dhënat e PISA-s të mbledhura nga drejtorët e shkollave tregojnë se përqindja e prindërve që ishin të përfshirë në shkollë dhe mësim është ulur ndjeshëm midis 2018 dhe 2022 në shumë vende, por edhe në Shqipëri.

Në vitin 2022 rezultojnë se janë interesuar rreth 52% e prindërve për rezultatet dhe ecurinë mësimore të fëmijëve të tyre në krahasim me 70% që ishte ky tregues me 2018.

*Raportit të Monitorit i është zëvendësuar fjala 'performancë' me fjalë shqipe ndërsa është shtuar një grafik për rajonin, marrë nga REL-i 

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA