...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Pas takimit me Kurtin përçahen partitë shqiptare në Maqedoni

Parlamenti Evropian miratoi të enjten një rezolutë me anë të së cilës dënoi parregullsitë e raportuara në zgjedhjet e 17 dhjetorit në Serbi, kërkoi hetim ndërkombëtar të tyre dhe kushtëzimin e vazhdimit të procesit të anëtarësimit të Serbisë në Bashkimin Evropian me respektimin e standardeve demokratike

SHJ

06/02/2024 - 16:18

Pas takimit me Kurtin përçahen partitë shqiptare në Maqedoni

Parlamenti i Maqedonisë së Veriut votoi për shkarkimin e dy ministrave të Aleancës për Shqiptarët, pasi drejtuesi i partisë, Arben Taravari njoftoi se do të kalonte në opozitë. Me 62 vota pro të ligjvënësve u shkarkuan Fatmir Mexhiti nga posti i Ministrit të Shëndetësisë dhe Azir Aliu i Shoqërisë Informatike dhe Administratës. Ata dy ishin rreshtuar pas zotit Taravari në përplasjet që kanë përfshirë eksponentë më të lartë të partisë, që ka rezultuar në krijimin e dy krahëve: njëri me ish-kreun e partisë Ziadin Sela që kundërshton bashkimin me opozitën dhe tjetri me kreun aktual Arben Taravari për t’iu bashkuar opozitës shqipitare në zgjedhjet e pritshme në pranverë.

Dy ministrat e shkarkuar mbrëmë në mesnatë dhe një ligjvënës që i mbeten besnik zotit Taravari akuzuan Bashkimin Demokratik për Integrim për përçarjet brenda partisë Aleanca për Shqiptarët, duke thënë se kanë instaluar “BDI-stë brenda qarqeve të partisë së tyre".

Përplasjet në ASH kanë bërë që shumica parlamentare të bëhet edhe më e brishtë se sa ishte, por duket se me mbështetjen e dy-tre ligjvënësve të pavarur qeveria teknike e udhëhequr nga kryeministri Talat Xhaferi mund të realizojë kompetencat që i ka. Shumica e nismave dhe e ligjeve kërkojnë 61 vota për t’u miratuar në parlamentin prej 120 vendesh.

Kryeministri i qeverisë teknike, Talat Xhaferi duke shpjeguar detyrimet ligjore sa i takon shkarkimit apo zëvendësimit të ministrave të një subjekti politik në qeveri, tha se në bazë të Nenit 94 të Kushtetutës së Maqedonisë së Veriut ka kompetenca kushtetuese që para Kuvendit të parashtrojë propozimin për shkarkim të anëtarit/ëve të qeverisë për çka vendos Kuvendi.

“Që në fillim dua të theksoj se propozimi për shkarkimin e ministrave nuk ka të bëjë me aspektin profesional të përgatitjeve të tyre. Unë kam respekt të veçantë duke pasur parasysh se i kam dhe bashkëvendas (nga Gostivari) dhe në vazhdimësi i kam përcjellë dhe e njoh përgatitjen e tyre profesionale. Forca e ligjit thotë se nuk mund të ketë dy subjekte opozitare në përbërje të qeverisë; dhe kjo është arsyeja bazë për të cilën propozimi (për shkarkimin) ndodhet para jush”, tha zoti Xhaferi në hapjen e seancës lidhur me shkarkimin e dy anëtarëve të kabinetit të tij.

Krahu i Ziadin Selës ka propozuar për ministër të ri të shëndetësisë Ilir Demirin, mjek – infektolog dhe drejtor aktual i Spitalit të Tetovës dhe për ministër të Shoqërisë Informatike, Naim Bajramin, ish-zëdhënës i partisë. Parlamenti do të mblidhet të hënën për t’i miratuar ata.

Krahu i zotit Sela ka thirrur për të shtunën Kuvendin e Aleancës për Shqiptarët për të marrë vendime të tjera, ndërkohë që krahu i zotit Taravari mbajti në Kumanovë para dy ditësh një takim me përkrahës dhe anëtarë të Kuvendit të partisë për të zyrtarizuar vendimin për bashkimin me opozitën shqiptare në zgjedhjet e majit. Kundërshtarët brenda partisë e quajnë jolegjitim këtë vendim.

Përplasjet në Aleancën për Shqiptarët filluan pas një takimi në Prishtinë të thirrur nga Kryeministri Albin Kurti me drejtuesit e partive opozitare shqiptare në Maqedoninë e Veriut, ku mori pjesë edhe zoti Taravari, partia e të cilit vazhdon të jetë pjesë e koalicionit qeverisës në Shkup. Pak ditë pas këtij takimi zoti Taravari e njoftoi vendimin në Facebook për bashkim me opozitën. Ndërkaq, Ziadin Sela dhe krahu i tij, përfshirë gjashtë nga tetë ligjvënësit e Aleancës për Shqiptarët si dhe ministri i Drejtësisë, thonë se janë shpërfillur të gjitha organet drejtuese të partisë, teksa idea e tyre ishte që partia të dilte e vetme në zgjedhjet e 8 majit.

Përplasjet u thelluan edhe më tepër në mes drejtuesve dhe eksponentëve të lartë të partisë, ndërsa u njoftua edhe për një incident fizik mes aktivistëve të saj. Më pas, në oborrin e shtëpisë së Arben Taravrit u gjet një plumb, si mesazh kërcënues për jetën e tij, ndërsa autoritetet e rendit nuk e kanë zbuluar ende autorin e kësaj vepre.

Sidoqoftë, përçarjet brenda Aleancës për Shqiptarët duket se do ta dëmtojnë vetë partinë dhe sipas një pjese të analistëve ajo mund të shkojë drejt shuarjes. ASH-ja aktualisht është partia e dytë më e madhe shqiptare në Maqedoninë e Veriut, pas BDI-së.

Kurti dhe Vuçiçi përplasen në Këshillin e Sigurimit

Në seancën e Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë shkëmbyen sot akuza të rënda, përfshirë rreth zbatimit të vendimit për kufizimin e importit të dinarit serb në Kosovë, ndërkohë që ambasadorët e vendeve perëndimore kërkuan nga palët të përmbahen nga veprimet e njëanshme që mund të çojnë drejt përshkallëzimit të situatës.

Presidenti serb Aleksandar Vuçiç, që kishte kërkuar seancën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së në Nju Jork për të diskutuar për zhvillimet në Kosovë, akuzoi Kryeministrin Kurti se po pamundëson jetën e serbëve që jetojnë atje.

Institucionet e Kosovës “kanë krijuar kushte të padurueshme të jetesës për serbët dhe tani ata po ndërmarrin sulme gjithëpërfshirëse, sistematike kundër civilëve serbë, si dhe po i përndjekin ata. Një situatë e tillë, në mungesë të një reagimi të duhur, mund të shkaktojë dëm të pariparueshëm për mbijetesën e popullit serb në Kosovë,” deklaroi zoti Vuçiç, duke shtuar se ata varen nga mbështetja financiare e buxhetit të Serbisë për pensionet dhe shërbimet e tjera bazë, përfshirë ato të kujdesit mjekësor dhe social, si dhe të arsimit.

Sipas tij, vendimi për heqjen nga qarkullimi të dinarit është “goditje e drejtpërdrejt ndaj mbijetesës së serbëve dhe të themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.

“Është pikërisht krijimi i kushteve të padurueshme të jetesës dhe mohimi i mundësisë për të mbijetuar që ka për qëllim regjimi në Prishtinë, i cili përmes akteve të këtilla te dhunës strukturore po intensifikon sulmet sistematike kundër popullatës serbe, të cilat janë mirë të planifikuara me vite dhe përmes të cilave përndjekja e hapur e serbëve në Kosovë ka filluar.”

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, i cili për herë të parë mori pjesë në një seancë të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, i hodhi poshtë si të pavërteta akuzat e zotit Vuçiç dhe tha se institucionet e Kosovës do të sigurojnë një tranzicion për serbët e Kosovës rreth përdorimit të dinarit serb.

“Beogradi po i bie këmbanës… për shkak se po ndalojmë thasë parash në kufi. Po ankohen jo për shkak se janë të brengosur për fatin e serbëve të Kosovës, por për shkak se është gati t’iu mbyllet kanali fitimprurës i parasë së jashtëligjshme në veri të Kosovës”, deklaroi kryeministri Kurti.

Ai akuzoi Serbinë se po sillet si “kali i Trojës i Kremlinit” në rajon dhe shtoi se “rregullorja në asnjë mënyrë nuk ndalon dhe as nuk pengon qeverinë e Serbisë që t’u japë përkrahje financiare serbëve të Kosovës”.

“Çfarëdo pretendimi për të kundërtën nuk është asgjë më shumë se propagandë e rreme që ka për qëllim të nxisë tensione etnike”, tha zoti Kurti.

Sipas tij, “Beogradi nuk mund të lejohet pafundësisht të financojë kriminelët dhe terroristët e tij në Kosovë me shuma parash që qarkullojnë lirshëm dhe jashtëligjshëm në vendin tonë”.

Ambasadorja amerikane në OKB Linda Thomas-Greenfield kritikoi Prishtinën për veprime të pakoordinuara dhe Beogradin për shmangie të përgjegjësisë për sulmin në Banjskë vitin e kaluar.

Ajo u bëri thirrje Kosovës dhe Serbisë të përmbahen nga “veprimet e pakoordinuara dhe përshkallëzuese” dhe kritikoi institucionet e Kosovës për “veprimet e fundit të pakoordinuara” ndaj institucioneve komunale të mbështetura nga Serbia në pjesën perëndimore të Kosovës dhe ndaj organizatës joqeveritare “Qendra për Paqe dhe Tolerancë” në Prishtinë.

“Këto veprime nuk përputhen me përkushtimin e Kosovës për të punuar përmes dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian për t’i dhënë përgjigje çështjeve që prekin mirëqenien e minoritetit serb”, deklaroi ajo. “Dhe ato dëmtojnë rrugëtimin drejt normalizimit mes Kosovës dhe Serbisë”.

Ajo tha se zbatimi i vendimit të Bankës Qendrore të Kosovës është bërë “pa përgatitje të mjaftueshme apo konsultime me popullatën vendase”.

“Përsërisim thirrjen që zbatimi i këtij plani të shtyhet menjëherë deri në vendosjen e procedurave të duhura në përputhje me standardet dhe praktikat evropiane… dhe popullata e prekur të jetë informuar,” deklaroi ambasadorja Thomas-Greenfield. Sipas saj, pengesat në shpërndarjen e fondeve nga Serbia “duhet të minimizohen” gjatë kësaj periudhe të tranzicionit.

Përfaqësuesja amerikane në OKB gjithashtu përsëriti dënimin e sulmeve “të koordinuara, të dhunshme paraushtarake serbe ndaj policisë së Kosovës” në Manastirin e Banjskës më 24 shtator, gjatë të cili u vra një polic i Kosovës.

“Katër muaj kanë kaluar që nga ky sulm dhe Serbia ende nuk po i mban përgjegjës ata që janë të përfshirë në planifikimin dhe ekzekutimin e tij. Në fakt, udhëheqësi i vetëshpallur i sulmit mbetet i lirë në Serbi”, deklaroi ajo, duke i bërë thirrje Serbisë që “t’i mbajë plotësisht përgjegjës drejtuesit dhe organizatorët e sulmit të 24 shtatorit”.

“Serbia duhet gjithashtu të punojë me KFOR-in për t’u siguruar që një sulm i tillë të mos përsëritet”.

Ambasadorja amerikane Thomas-Greenfield tha se dialogu për normalizim mes Kosovës dhe Serbisë duhet të vazhdojë nën udhëheqjen e BE-së dhe jo në OKB.

Parlamenti Evropian kërkon hetim ndërkombëtar për zgjedhjet e 17 dhjetorit në Serbi

Rezoluta që u miratua me shumicë votash thekson se zgjedhjet në Serbi nuk u mbajtën në kushte të drejta, për shkak të abuzimit të vazhdueshëm dhe sistematik të institucioneve dhe mediave nga pushtetarët për të fituar një avantazh të padrejtë. Në rezolutë bëhet thirrje për një hetim të pavarur nga ekspertë dhe institucione të respektuara juridike ndërkombëtare për parregullsitë e zgjedhjeve parlamentare, rajonale dhe lokale, në veçanti për zgjedhjet në Beograd.

Parlamenti Evropian shpehu keqardhje për siç tha “mungesën e përgjigjes institucionale ndaj dyshimeve serioze se pushtetarët ishin të përfshirë në manipulime dhe abuzime zgjedhore, gjë që ruan mosndëshkimin dhe siguron vazhdimin e këtyre praktikave.

Parlamenti dënon gjithashtu mungesën e rezultateve në ndjekjen dhe sanksionimin e veprave zgjedhore, duke përfshirë “akuzat serioze për manipulim të paligjshëm të Regjistrit të Zgjedhësve dhe të drejtave të votës, trysnitë dhe frikësimet ndaj qytetarëve dhe kandidatëve për zgjedhje, rastet e korrupsionit, falsifikimit të nënshkrimeve të qytetarëve, klientelizmit, dhe abuzimi i paligjshëm dhe i paligjshëm i të dhënave të qytetarëve”.

Rezoluta dënon po ashtu mungesën e pluralizmit mediatik gjatë fushatës zgjedhore, dezinformimin dhe raportimet e shumta joetike dhe të njëanshme mediatike në favor të pushtetarëve.

“Gjatë dekadës së fundit që nga ardhja në pushtet e presidentit (Aleksandar) Vuçiç, ka pasur një erozion të vazhdueshëm të lirisë së medias në Serbi, i karakterizuar nga trysnia politike, kërcënimet dhe madje edhe sulmet fizike kundër gazetarëve”, thuhet në rezolutë ku kërkohet pezullimi i fondeve të Bashkimit Evropian.

“Negociatat e pranimit me Serbinë duhet të shkojnë përpara vetëm nëse vendi bën përparim të rëndësishëm në reformat e tij të lidhura me Bashkimin Evropian, duke përfshirë zbatimin e plotë të rekomandimeve zgjedhore të OSBE/ODIHR dhe Komisionit të Venecias. Nëse autoritetet serbe nuk janë të gatshme të zbatojnë rekomandimet kryesore të zgjedhjeve ose nëse gjetjet e hetimit tregojnë se autoritetet serbe ishin të përfshira drejtpërdrejt në mashtrimin e votuesve, financimi i Bashkimit Evropian duhet të pezullohet në bazë të shkeljeve të rënda të rregullit të ligjit në lidhje me zgjedhjet në Serbi”, thuhet në rezolutë.

Partia Përparimtare Serbe e presidentit Aleksandar Vuçiç doli fituese ne zgjedhjet e 17 dhjetorit, por aleanca kryesore e opozitës, “Serbia kundër dhunës”, pretendon se zgjedhjet u vodhën, veçanërisht në votimet për pushtetin lokal në Beograd. Vëzhguesit ndërkombëtarë thonë se zgjedhjet u mbajtën në kushte të padrejta, duke vënë në dukje parregullsi serioze që përfshinin mbushjen e kutive të votimit dhe blerjen e votave.

Disa vëzhgues lokal të zgjedhjeve thanë se votues nga e gjithë Serbia dhe vendet fqinje u dërguan me autobus në Beograd për të votuar dhe mbështetësit e opozitës pohojnë se ata regjistruar në adresa false në kryeqytetin serb. Presidenti Vuçiç dhe partia e tij i kanë cilësuar raportet të “sajuara”. Presidenti serb hodhi poshtë muajin e kaluar mundësinë për ndonjë hetim të jashtëm, duke thënë se zgjedhjet janë "një çështje e institucioneve shtetërore serbe".

Kurti shkon në Këshillin e Sigurimit në OKB për t`u përballur me Vuçiçin

Zyra e kryeministrit njoftoi të enjten se Kurti ka udhëtuar drejt Shteteve të Bashkuara së bashku me ministren e vet të Jashtme, Donika Gërvalla-Schwarz. Ndërkohë, Presidenca serbe njoftoi të enjten se në seancë do të flasë presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç.

Serbia kërkon seancë të jashtëzakonshme për Kosovën në Këshillin e Sigurimit

Ambasadori i Serbisë në Kombet e Bashkuara ka dorëzuar një kërkesë për një mbledhje të jashtëzakonshme të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për të diskutuar për Kosovën, raportoi Radio Televizioni i Serbisë më 5 shkurt. Në kërkesë theksi vihet te gjendja në Kosovë, që sipas Serbisë është në kontrast të madh me Kartën e OKB-së dhe Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit.

Në kërkesën e dorëzuar, Serbia e përshkruan vendimin e Kosovës për të ndaluar përdorimin e dinarit serb për pagesa, si vendim të jashtëligjshëm, duke vlerësuar se ai është “vazhdimësi e masave të dhunës brutale fizike dhe institucionale ndaj serbëve”, dhe sipas Beogradit, qëllimi është “spastrimi etnik dhe zhdukja e popullatës serbe”.

Tensionet janë rritur sërish pasi në Kosovë më 1 shkurt hyri në fuqi një rregullore e Bankës Qendrore të Kosovës, sipas së cilës, euro është valuta e vetme për pagesat, që nënkupton ndalimin e përdorimit të dinarit serb.

Faktori ndërkombëtar ka kërkuar që Kosova të shtyjë zbatimin e vendimit të BQK-së, duke shprehur shqetësimin se mund të ketë ndikim negativ te komuniteti serb.

Në vendbanimet ku jetojnë serbët në Kosovë, dinari serb ka qarkulluar që nga paslufta. Shteti serb ua paguan serbëve të Kosovës – përmes një sistemi paralel – pagat, pensionet, ndihmat sociale, dhe përfitimet tjera.

Deri më tani, dinarët janë dërguar në Kosovë nga Serbia përmes Bankës Kombëtare të Serbisë, e cila ka një kasafortë në Leposaviq, komunë në veri të Kosovës, e banuar me shumicë serbe.

Vendndodhja e komunave paralele serbe në Kosovë

Qeveria e Kosovës ka filluar mbylljen e komunave paralele të Serbisë në Kosovë. Sipas sistemit serb, në Kosovë funksionojnë 29 komuna. Shumë prej tyre ende vazhdojnë të ofrojnë shërbime çdo ditë.

Po ashtu, ditëve të fundit autoritetet në Kosovë kanë njoftuar se kanë mbyllur shtatë komuna paralele në rajonin e Pejës dhe Dragashit, përderisa ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, ka deklaruar se institucioni i vetëm që Serbia do të ketë në Kosovë do të jetë ambasada e saj në Prishtinë. 

Raport i përditësuar 

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA