...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Ndikimet e pezullimit të traktatit 40 vjeçar të paqes nga Egjipti me Izraelin

Nëse Egjipti do ta pezullonte marrëveshjen, kjo mund të nënkuptojë se Izraeli nuk mund të mbështetet më në kufirin e tij jugor si një oaz paqeje

Voa

11/02/2024 - 18:45

Gjykata holandeze urdhëron qeverinë të ndalojë eksportet e pjesëve të avionëve F-35 në Izrael

Një gjykatë apeli në Holandë urdhëroi të hënën qeverinë të ndalojë eksportet e pjesëve të avionëve luftarakë F-35 në Izrael, pas një padie të ngritur nga grupet e të drejtave të njeriut që ngritën shqetësime për ofensivën e Izraelit në Rripin e Gazës.

“Është e pamohueshme se ekziston një rrezik i qartë që pjesët e eksportuara të avionëve F-35 të përdoren për shkelje të rënda të ligjit ndërkombëtar humanitar”, tha gjykata.

Gjykata holandeze tha se qeveria duhet të nisë të zbatojë vendimin brenda shtatë ditëve. Vendimi mund të apelohet. Holanda ka një depo të pjesëve për aeroplanët F-35, prodhim amerikan, që eksportohen në disa vende. 

Ndikimet e pezullimit të traktatit 40 vjeçar të paqes nga Egjipti me Izraelin

Ishte një shtrëngim duarsh i ngrohtë mes dy burrash shteti, i kryer në praninë e presidentit amerikan Jimmy Carter. Kjo ndodhi në “Camp David” në shtetin e Merilendit, ndërsa presidenti egjiptian Anwar Sadat dhe kryeministri izraelit Menachem Begin arritën një marrëveshje historike që ka siguruar paqen për mbi 40 vjet midis Izraelit dhe Egjiptit. Ai ka shërbyer si një burim i rëndësishëm stabiliteti në një rajon të paqëndrueshëm.

Kjo paqe është ruajtur gjatë dy kryengritjeve palestineze dhe një sërë luftërash midis Izraelit dhe Hamasit. Tani, ndërsa kryeministri Benjamin Netanyahu është zotuar të dërgojë trupat izraelite në Rafah, një qytet në Gazë në kufi me Egjiptin, qeveria egjiptiane po kërcënon ta pezullojë marrëveshjen. Në vijim një vështrim historisë së traktatit dhe çfarë mund të ndodhë nëse ai pezullohet.

SI LINDI TRAKTATI?

Ishte viti 1977 dhe zoti Begin, kryeministri i ri i Izraelit, kundërshtoi kthimin e ndonjë prej territoreve që Izraeli kishte pushtuar një dekadë më parë në luftën e Lindjes së Mesme të vitit 1967. Pjesë e tyre ishte Gadishulli Sinai i Egjiptit. Egjipti dhe Izraeli kishin zhvilluar katër luftëra të mëdha, më e fundit në vitin 1973. Vendimi i Presidentit Sadat që të zgjedhë një rrugë të ndryshme nga udhëheqësit e tjerë arabë, duke filluar bisedimet me Izraelin, e befasoi botën. Bisedimet kulmuan me Marrëveshjen e arritur në ‘Camp David’ në shtator të vitit 1978 dhe një traktat paqeje një vit më pas.

Sipas traktatit të paqes, Izraeli pranoi të tërhiqej nga Sinai, të cilin Egjipti do ta mbante të çmilitarizuar. Anijeve izraelite iu lejua kalimi përmes Kanalit të Suezit, një rrugë kryesore tregtare. Vendet vendosën marrëdhënie të plota diplomatike duke shënuar marrëveshjen e parë të paqes të Izraelit me një vend arab.

“Marrëveshjet e ‘Camp David’ u drejtuan nga tre burra të guximshëm, të cilët morën një qëndrim të guximshëm, sepse i dinin efektet e qëndrueshme për paqen dhe sigurinë, si atëherë ashtu edhe për të ardhmen. Ne kemi nevojë për këtë lloj udhëheqjeje sot dhe aktualisht kjo mungon në qeverinë izraelite”, tha Paige Alexander, shefe ekzekutive e Qendrës ‘Carter’.

CILI ËSHTË POZICIONI I TANISHËM I EGJIPTIT?

Dy zyrtarë egjiptianë dhe një diplomat perëndimor i thanë agjencisë së lajmeve ‘Associated Press’ të dielën se Egjipti mund të pezullojë traktatin e paqes nëse trupat izraelite pushtojnë qytetin Rafah.

Kryeministri izraelit Netanyahu thotë se Rafah është bastioni i fundit i mbetur i Hamasit pas më shumë se katër muajsh lufte dhe se dërgimi i trupave tokësore është thelbësor për të mposhtur grupin.

Egjipti kundërshton çdo lëvizje që mund të nxisë palestinezët e dëshpëruar të ikin përtej kufirit, në territorin e tij. Rafah shërben gjithashtu si pika kryesore hyrëse e territorit të rrethuar për ndihmat humanitare dhe një sulm izraelit mund të shkatërrojë dërgesat kryesore të ndihmave.

Popullsia e Rafahut është rritur nga 280,000 njerëz në rreth 1.4 milionë, ndërsa palestinezët ikin nga luftimet që zhvillohen diku tjetër në Gazë. Qindra mijëra nga ata të evakuuar po jetojnë në kampe refugjatësh të ndërtuar me tenda.

Zoti Netanyahu ka urdhëruar ushtrinë të përgatisë një plan për evakuimin e të gjithë civilëve palestinezë përpara fillimit të ofensivës. Por është e paqartë se ku do të shkojnë ata.

Ai tha të dielën se ata do të jenë në gjendje të kthehen në hapësira të hapura më në veri. Por këto zona janë dëmtuar rëndë nga ofensiva izraelite.

ÇFARË NDODH NËSE TRAKTATI PEZULLOHET?

Traktati kufizon ndjeshëm numrin e trupave në të dy anët e kufirit. Kjo e ka lejuar Izraelin të përqendrojë ushtrinë në kërcënime të tjera. Krahas luftës në Gazë, Izraeli është përfshirë në përplasje thuajse të përditshme me grupin militant Hezbollah në Liban, ndërsa forcat e tij të sigurisë kanë shtuar praninë në Bregun Perëndimor.

Nëse Egjipti do ta pezullonte marrëveshjen, kjo mund të nënkuptojë se Izraeli nuk mund të mbështetet më në kufirin e tij jugor si një oaz paqeje. Përforcimi i trupave përgjatë kufirit të tij me Egjiptin pa dyshim do të sfidonte një ushtri izraelite tashmë të angazhuar në shumë fronte. Kjo do të kishte pasoja serioze edhe për Egjiptin. Egjipti ka marrë miliarda dollarë ndihmë ushtarake amerikane që nga marrëveshja e paqes.

Nëse marrëveshja anulohet, kjo mund ta rrezikojë atë financim. Një grumbullim masiv ushtarak do të rëndonte gjithashtu ekonominë tanimë në vështirësi të Egjiptit. Paige Alexander, shefe ekzekutive e Qendrës ‘Carter’ thotë se nëse Izraeli sulmon Rafahun, “rrezikon armiqësi me Egjiptin, që do të ishte katastrofike për të gjithë rajonin”.

Egjipti tha se do të pezullojë traktatin e paqes me Izraelin

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, tha në një intervistë për rrjetin “ABC News” se ushtria izraelitë do të futet në qytetin Rafah, në kufi me Egjiptin dhe se po hartohet një “plan i detajuar” për t’i zhvendosur civilët. Por një operacion i tillë ka ngjallur shumë kritika dhe frikë për përhapjen e konfliktit. Së fundmi, Egjipti tha se do të pezullojë traktatin e paqes me Izraelin, nëse dërgohen trupa ushtarake në Rafah. Katari, Arabia Saudite dhe vende të tjera kanë paralajmëruar gjithashtu për pasoja të rënda.

Egjipti tha se do të pezullojë traktatin e paqes me Izraelin, nëse trupat izraelite dërgohen në qytetin kufitar të Gazës, Rafah. Kërcënimi për të pezulluar marrëveshjet e arritura në “Camp David”, një gur themeli i stabilitetit rajonal për gati një gjysmë shekulli, erdhi pasi kryeministri Benjamin Netanyahu tha se dërgimi i trupave në Rafah ishte i nevojshëm për të fituar luftën kundër grupit militant “Hamas”.

Në një intervistë për rrjetin ABC, kryeministri Benjamin Netanyahu sugjeroi se civilët në Rafah mund të ikin në veri, duke thënë se ka “shumë zona” që janë pastruar nga ushtria.

“Është pjesë e përpjekjeve tona të luftës për t’i larguar civilët nga rreziku. Është pjesë e përpjekjeve të Hamasit që civilët të rrezikohen. Por ja kemi dalë deri tani dhe do të vazhdojmë të kemi sukses. Ata që thonë se nuk duhet të futemi në Rafah në asnjë rrethanë, në thelb po thonë që ta humbasim luftën, dhe mbajtur Hamasin atje”.

Ai tha se Izraeli po harton një “plan të detajuar” për t’i zhvendosur civilët. Zoti Netanayahu tha se Hamasi ka ende katër batalione atje. Por ofensiva izraelite ka shkaktuar shkatërrime të mëdha, veçanërisht në Gazën veriore, ndërsa luftime të ashpra po zhvillohen ende në Gazën qendrore dhe qytetin jugor Khan Younis. Një operacion tokësor në Rafah mund të detyrojë gjithashtu mbylljen e pikëkalimit kufitar, duke ndërprerë një nga rrugët e vetme për dërgimin e ushqimit dhe furnizimeve mjekësore shumë të nevojshme.

Katari, Arabia Saudite dhe vende të tjera kanë paralajmëruar gjithashtu për pasoja të rënda nëse Izraeli dërgon forca tokësore në Rafah.

Përplasja mes Izraelit dhe Egjiptit, dy aleatë të ngushtë të SHBA-së, vjen ndërsa grupet e ndihmës paralajmërojnë se një ofensivë në Rafah do të përkeqësonte situatën tashmë katastrofike humanitare në Gazë.

Po ashtu stacioni televiziv Al-Aqsa i Hamasit citoi një zyrtar të paidentifikuar të grupit militant të thoshte se çdo operacion në qytetin Rafah do të “hidhte në erë” bisedimet e ndërmjetësuara nga Shtetet e Bashkuara, Egjipti dhe Katari që synonin një armëpushim dhe lirimin e pengjeve izraelitë. Ka edhe fërkime në rritje midis Netanyahut dhe Shteteve të Bashkuara.

“Një ofensivë izraelite në Rafah do të çonte në një katastrofë humanitare të papërshkrueshme dhe tensione të rënda me Egjiptin,” shkroi shefi i Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell në rrjetin social X.

Mbi gjysma e popullsisë prej 2,3 milionë banorësh e Gazës është vendosur në Rafah për t’u shpëtuar luftimeve.

Kombet e Bashkuara thonë se ky qytet, i cili normalisht është strehë e rreth 300 mijë njerëzve, tani pret 1,4 milionë të tjerë që ikën nga lufta dhe është “shumë i mbipopulluar”.

Në një tjetër zhvillim, ushtria izraelite njoftoi se kishte zbuluar tunele nën selinë kryesore të agjencisë së OKB-së për refugjatët palestinezë në qytetin e Gazës.

Sipas ushtrisë izraelite militantët e Hamasit e përdorën hapësirën për furnizim me energji elektrike. Zbulimi i tuneleve shënon përplasjen e radhës mes Izrelit dhe agjencisë së OKB-së, të cilën e akuzon për bashkëpunim me Hamasin.

Ushtria ftoi gazetarët që të shikonin tunelet. Sipas agjencisë së lajmeve Associated Press, Izraeli nuk provoi se militantët e Hamasit i përdornin këto tunele, por tregoi se të paktën një pjesë e tunelit kalonte nën oborrin e objektit. Agjencia UNRWA thotë se nuk kishte njohuri për tunelin dhe kritikoi operacionin izraelit për shkatërrimin e kampusit të tij.

Ndërkohë, sulmet izraelite në Rripin e Gazës gjatë 96 orëve të fundit kanë vrarë dy pengje izraelite dhe kanë plagosur rëndë tetë të tjerë, tha të dielën krahu i armatosur i Hamasit, Brigadat Al Qassam, përmes kanalit Telegram të grupit. Informacionet nuk mund të konfirmohen në mënyrë të pavarur.

Zëdhënësi i Ushtrisë së Izraelit tha të martën se 31 nga pengjet e mbajtura nga Hamasi në Gaza kishin vdekur.

Gjithsej 28176 palestinezë janë vrarë dhe 67784 janë plagosur në sulmet izraelite në Gaza që nga 7 tetori, tha ministria e shëndetësisë e Gazës që kontrollohet nga grupi militant Hamas.   

Raport i përditësuar

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA