Presidenti brazilian quan luftën e Izraelit gjenocid
Shtetet e Bashkuara vendosën veton ndaj një projekt-rezolute të OKB-së të mbështetur nga vendet arabe që kërkonte një armëpushim të menjëhershëm humanitar në Rripin e Gazës
Përpiluesja/Redaksia - SHJ (www.shqipëriajonë.org)
20/02/2024 - 17:48
Sekretari i Shtetit Antony Blinken ndodhet në Brazil për takimin në nivel ministrash të G20-ës, ku temë kryesore pritet të jetë lufta në Ukrainë dhe ajo në Rripin e Gazës. Zoti Blinken ka zhvilluar një takim me Presidentin e Brazilit, i cili ka kritikuar ashpër luftën e Izraelit kundër Hamasit në Rripin e Gazës.
Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken, i cili ndodhet në Brazil për takimin e G20-ës, u takua sot me Presidentin e Brazilit, Luiz Inacio da Silva, i cili e ka kritikuar ashpër luftën e Izraelit kundër Hamasit dhe numrin e lartë të viktimave në mesin e civilëve.
“Ajo që po ndodh në Rripin e Gazës nuk është luftë, por gjenocid. Nuk është një luftë mes ushtarëve. Kjo është një luftë mes një ushtrie të përgatitur mirë dhe grave e fëmijëve”, tha Presidenti brazilian të dielën gjatë një vizite në Etiopi.
Izraeli tha të hënën se Presidenti brazilian nuk do të jetë i mirëpritur në Izrael nëse nuk tërheq komentet e tij.
Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Matthew Miller tha të martën se administrata e Presidentit Biden nuk është dakord me komentet e Presidentit brazilian.
“Ne kemi qenë të qartë se nuk besojmë se ka gjenocid në Gazë. Ne duam që konflikti të përfundojë sa më shpejt që të jetë e mundur. Ne duam që të shtohen ndihmat për civilët e pafajshëm në Rripin e Gazës. Por ne nuk jemi dakord me komentet e Presidentit brazilian”, tha ai.
Një ekspert tha për Zërin e Amerikës se Presidenti Lula Inacio da Silva po përpiqet të ngrejë zërin për disa çështje për të cilat vendi i tij ka pak ndikim.
“Ai po përpiqet të ushtrojë ndikim për çështje që ai ka ndikim të kufizuar, si lufta në Ukrainë dhe ajo në Gazë. Ne duhet ta pranojmë se Brazili nuk ka fuqi në politikën e jashtme për të ndërhyrë në këto zona. Ne jemi më të fortë në çështjet e mjedisit, sigurisë ushqimore dhe energjisë. Ne duhet të përqendrohemi në këto çështje”, thotë ish ambasadori brazilian në Shtete e Bashkuara, Rubens Barbosa.
Zoti Barbosa thotë se nuk e kupton pse Presidenti brazilian po hesht për gjendjen në Venezuelën fqinje, një çështje, që Sekretari Blinken pritet ta ngrejë në takimin e G20-ës në Rio de Zhaneiro dhe takimet që ai do të ketë me udhëheqësit e Argjentinës të premten.
Qeveria e Venezuelës dhe opozita u takuan të hënën në Karakas për të diskutuar mosmarrëveshjet e tyre mbi burgosjen e një avokati të mbrojtjes së të drejtave të njeriut dhe për një marrëveshje mbi krijimin e kushteve për organizimin e zgjedhjeve presidenciale të lira dhe të drejta këtë vit.
Një diplomat i lartë brazilian tha në prag të takimit të G20-ës se konfliktet në botë kanë arritur në nivelin e Luftës së Ftohtë dhe se udhëheqësit botërorë duhet të bëjnë ndryshime në sistemin ndërkombëtar për të parandaluar konflikte të reja.
Në Argjentinë, Sekretari Blinken do të zhvillojë bisedime me Presidentin e ri të vendit, Javier Milei, i cili është një mbështetës i fortë i Izraelit.
Kina kritikon ashpër SHBA-në për veton ndaj armëpushimit
Kina kritikoi ashpër SHBA-në për veton ndaj një rezolute të Këshillit të Sigurimit të OKB-së që kërkon një armëpushim të menjëhershëm në Gaza.
Pekini tha se masa dërgoi "kumtin e gabuar" dhe në mënyrë efektive dha një "dritë jeshile për masakrën e vazhdueshme".
Shtëpia e Bardhë tha se rezoluta e propozuar nga Algjeria do të "rrezikonte" bisedimet për t'i dhënë fund luftës.
SHBA-ja ka propozuar rezolutën e saj të përkohshme të armëpushimit, e cila gjithashtu paralajmëroi Izraelin të mos pushtonte qytetin e Rafahut.
Ka pasur një dënim të gjerë të vendimit të SHBA për të bllokuar rezolutën e Algjerisë ndërsa luftimet vazhdojnë në Gaza. Ajo u mbështet nga 13 nga 15 anëtarët e Këshillit të Sigurimit të OKB-së - me MB abstenoi.
Në përgjigje të vetos, ambasadori i Kinës në OKB Zhang Jun tha se pretendimi se mocioni do të ndërhynte në negociatat diplomatike në vazhdim ishte "krejtësisht i pambështetur".
"Duke pasur parasysh gjendjen në terren, shmangia e vazhdueshme pasive për një armëpushim të menjëhershëm nuk është asgjë ndryshe nga dhënia e dritës jeshile për masakrën e vazhdueshme," tha ai.
“Përhapja e konfliktit po destabilizon të gjithë rajonin e Lindjes së Mesme, duke çuar në rritjen e rrezikut të një lufte më të gjerë”, shtoi ai.
“Vetëm duke shuar flakët e luftës në Gaza, ne mund të parandalojmë që zjarri i ferrit të përfshijë të gjithë rajonin”.
Kryediplomati algjerian i OKB-së deklaroi se "për fat të keq Këshilli i Sigurimit dështoi edhe një herë". “Shqyrtoni ndërgjegjen tuaj, si do t'ju gjykojë historia”, shtoi Amar Bendjama.
Aleatët e SHBA ishin gjithashtu kritikë ndaj lëvizjes. I dërguari i Francës në OKB, Nicolas de Rivière shprehu keqardhjen që rezoluta nuk ishte miratuar "duke pasur parasysh situatën katastrofike në terren".
Linda Thomas-Greenfield, ambasadorja e Uashingtonit në OKB, tha se nuk ishte koha e duhur për të bërë thirrje për një armëpushim të menjëhershëm ndërsa negociatat midis Hamasit dhe Izraelit po vazhdonin.
Homologia e saj në Mbretërinë e Bashkuar, Barbara Woodward, tha se plani mund të "bëjë në fakt një armëpushim më pak të mundshëm" duke rrezikuar bisedimet.
SHBA-ja vetoi (edhe një herë) kërkesën e vendeve arabe për armëpushim
Votimi i të martës në Këshillin e Sigurimit prej 15 anëtarësh, përfundoi me 13 vota pro propozimit të Algjerisë, një kundër dhe abstenimin e Britanisë, duke reflektuar mbështetjen e gjerë globale për përfundimin e luftës.
Ambasadorja amerikane Linda Thomas-Greenfield kishte thënë që më parë që SHBA do të bllokonte rezolutën, pasi ajo mund të pengonte përpjekjet e vazhdueshme të SHBA-së për të arritur një marrëveshje mes palëve, që do të sillte të paktën një pauzë gjashtëjavore të luftimeve dhe do të lironte të gjithë pengjet e marra gjatë sulmit të 7 tetorit.
Në një lëvizje të papritur përpara votimit, Shtetet e Bashkuara qarkulluan një rezolutë rivale në Këshillin e Sigurimit që do të mbështeste një armëpushim të përkohshëm në Gazë. Projekt-rezoluta amerikane, tekstin e së cilës e ka siguruar agjencia e lajmeve Associated Press, parashikon një armëpushim të përkohshëm "sa më shpejt të jetë e mundur" dhe kërkon lirimin e të gjithë pengjeve që u morën gjatë sulmit të Hamasit më 7 tetor, si edhe bën thirrje për heqjen e të gjitha kufizimeve në dërgimin e ndihmave humanitare.
Sipas propozimit amerikan, të dyja këto veprime "do të ndihmonin në krijimin e kushteve për një ndërprerje të qëndrueshme të luftimeve", siç kërkohet në një rezolutë të miratuar nga Këshilli i Sigurimit më 22 dhjetor. Po ashtu, në këtë propozim bëhet thirrje që “të mos vazhdojë në rrethanat aktuale” ofensiva e planifikuar nga Izraeli në qytetin jugor të Gazës, Rafah, ku strehohen rreth 1.5 milionë palestinezë.
Sipas projekt-rezolutës amerikane zhvendosja e mëtejshme e civilëve, "përfshirë ndoshta në vendet fqinje", një referencë për Egjiptin, do të kishte pasoja serioze për paqen dhe sigurinë rajonale. Projekt-rezoluta e mbështetur nga vendet arabe u propozua nga Algjeria, e cila përfaqëson 22 vendet arabe në organin më të fuqishëm të OKB-së.
Përveç armëpushimit, propozimi algjerian kërkon lirimin e menjëhershëm të të gjitha pengjeve dhe përsërit kërkesat e Këshillit që Izraeli dhe Hamasi "të respektojnë me përpikëri" ligjin ndërkombëtar, veçanërisht mbrojtjen e civilëve, dhe refuzon zhvendosjen e detyruar të civilëve palestinezë.
Ambasadorja e SHBA Linda Thomas-Greenfield tha në një deklaratë të dielën se Shtetet e Bashkuara po punojnë prej muajsh për një marrëveshje për lirimin e pengjeve që do të sillte të paktën një periudhë gjashtëjavore qetësie, nga e cila mund të përfitojmë që të fillojmë të ndërmarrim “hapat për të ndërtuar një paqe më të qëndrueshme.”
Ajo tha se presidenti amerikan Joe Biden ka pasur disa telefonata gjatë javës së fundit me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu dhe udhëheqësit e Egjiptit dhe Katarit për të nxitur arritjen e marrëveshjes. Katari tha të shtunën se bisedimet "nuk kanë përparuar siç pritej".
"Megjithëse mbeten mangësi," tha ambasadorja Thomas-Greenfield, "elementët kryesorë janë në tryezë" dhe kjo mbetet mundësia më e mirë për të ribashkuar pengjet me familjet e tyre dhe për të mundësuar një pauzë të zgjatur në luftime që do të lejonte arritjen e ndihmave jetike tek civilët palestinezë.
"Rezoluta e mbështetur nga vendet arabe, nuk do t'i arrinte ato rezultate", tha ajo.
“Për këtë arsye, Shtetet e Bashkuara nuk e mbështesin veprimin për këtë projekt-rezolutë. Nëse del për votim siç është hartuar, nuk do të miratohet.”
Vendet arabe, të mbështetura nga shumë prej 193 vendeve anëtare të OKB-së, kanë kërkuar prej muajsh të tërë për një armëpushim, ndërsa ofensiva ushtarake e Izraelit në përgjigje të sulmit të Hamasit është intensifikuar. Numri i palestinezëve të vrarë ka kaluar shifrën 29,000, sipas Ministrisë së Shëndetësisë së Gazës. Ministria që drejtohet nga Hamasi, nuk bën dallime mes civilëve dhe luftëtarëve, por thotë se shumica janë gra dhe fëmijë.
Izraeli zyrtarizoi të dielën refuzimin e një “njohjeje të njëanshme” të një shteti palestinez dhe shtoi se një marrëveshje e mundshme duhet të arrihet vetëm nëpërmjet negociatave të drejtpërdrejta.
Një ditë më herët, kryeministri izraelit deklaroi se nuk kishte kuptim vazhdimi i bisedimeve me Hamasin. Bisedimet e ndërmjetësuara nga Katari, Egjipti dhe Shtetet e Bashkuara nuk kanë arritur deri më tani vendosjen e një pauze në luftimet në Gazë.
Cilësia e lartë gazetareske kërkon përkushtim dhe dashuri. Ju lutem ndajeni këtë artikull me të tjerë duke përdorur vjegzën/linkun përkatëse
- 142 reads



