...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Fatos Nano (1952-2025) dhe arratisja e politikanit grekëdashës shqiptar

Kathimerini zbulon se si Greqia e Simitit dhe Pangalosit shpëtoi Nanon nga bandat e Berishës në vitin 1997; si lejoi zgjerimin e veprimtarisë politike greke veçanërisht lidhur me krijimin e tre varrezave të ushtarëve grekë për vota; si u përpoq t`i jepte Greqisë bazën e Pashalimanit në Vlorë dhe baza të tjera ushtarake dhe kush e ndaloi; karakterin e tij johakmarrës; dhe në fund si shijonte jetën e natës në Selanik deri në mëngjes, ku njohu dhe gruan e dytë dhe ku arsimonte fëmijët në shkolla private.

Stavros Cimas

14/11/2025 - 08:46

Si kryeministër, Fatos Nano e futi vendin e tij në rrugën kalimtare (tranzicionit) nga komunizmi (…) i ashpër i Hoxhës në demokraci (…), duke hapur një kapitull të ri në marrëdhëniet Tiranë-Athinë

Në pranverën e vitit 1997, ndërsa Shqipëria ishte e zhytur në kaosin e kryengritjes së armatosur të viktimave të piramidës, një autokolonë e misionit diplomatik grek në Tiranë po nisej për në Greqi. Ajo nuk ndoqi rrugën e zakonshme për në Gjirokastër për të kaluar kufirin përmes Kakavijës por zgjodhi të lëvizte në verilindje përmes Korçës për të hyrë përmes Kristalopigjisë, Follorinës.

Korridori jugor këqyrej nga bandat e armatosura të shqiptarëve kryengritës dhe në veturën kryesore me flamurin grek në kapotë, i shoqëruar nga një zyrtar i ambasadës, ishte një figurë e rëndësishme që shumë në turmë do të donin ta hiqnin nga rruga dhe për këtë arsye iu desh të iknin. Ai ishte ish-kryeministri i Shqipërisë, Fatos Nano, udhëheqësi reformist i cili në fillim të viteve '90 e vendosi Shqipërinë në rrugën kalimtare nga komunizmi (…) i ashpër i Hoxhës në demokracinë (…) liberale. Dhe për sa na përket neve, me siguri kryeministri më grekëdashës dhe më pak i ndërlikuar i Shqipërisë.

Me shpërthimin e kryengritjes në mars të vitit 1997, Nanua u burgos në Tepelenë, duke vuajtur një dënim dymbëdhjetëvjeçar, në një ndjekje penale që u karakterizua ndërkombëtarisht në atë kohë si hakmarrje politike nga Sali Berisha. Kur sistemi u shemb, dyert e burgut u hapën dhe të burgosurit ikën, Nano kundërshtoi të largohej, siç mund të kishte bërë, duke parapëlqyer një “lirim të ligjshëm”. Nën trysninë e bashkësisë ndërkombëtare dhe për të ulur tendosjet dhe për të parandaluar rënien e vendit në luftë civile, Berisha u detyrua ta falte. Megjithatë, shokët e tij nuk e quanin të sigurtë as në shtëpinë e tij në Tiranë dhe kështu u vendos të ikte. Me urdhër të Kostas Simitis, atëherë kryeministër, ministri i jashtëm Theodoros Pangalos lëvizi ambasadën greke në Tiranë, e cila mori përsipër operacionin për ta shpëtuar. Konvoji diplomatik, i shoqëruar nga anëtarë të armatosur të Partisë Socialiste Shqiptare, vrapoi me tërbim nëpër terrenin malor të Elbasanit dhe Pogradecit, dhe pa ndonjë ngjarje të paparashikuar arriti në kufirin greko-shqiptar në Kristalopigji.

Në Pisoderi të Follorinës, ai “ia dorëzoi” “të arratisurin” e rangut të lartë kreut të shërbimit të çështjeve politike të Ministrisë së Punëve të Jashtme, Ministrisë së Maqedonisë dhe Trakisë. Fatos Nano tani ishte i sigurt. Ndërsa ishte i burgosur në Tepelen, udhëheqësi socialist i dha (19 maj 1996) të nënshkruarit për “KATHIMERINI”, në një mënyrë aventureske, një intervistë të posaçme duke përdorur metodën e pyetjeve dhe përgjigjeve me shkrim. Deputeti i atëhershëm i Partisë Socialiste, emigranti Anastas Angjeli, një mik i ngushtë i tij, mori përsipër të hynte fshehurazi në burg për të bërë pyetjet dhe për të nxjerrë dorëshkrimet me përgjigjet. Nuk ishte e lehtë, pasi shërbimet e fshehta të Berishës mbikëqyrnin të gjithë dhe gjithçka.

Kështu, kur mori dorëshkrimet me përgjigjet e Nanos, në vend që t`i mbante, i çoi në një vend të sigurtë dhe të paracaktuar. Po atë natë, policia sekrete bastisi zyrën e tij, por dorëshkrimet nuk ishin aty. Intervista u përcoll nga mediat në Shqipëri, të cilat nuk mbikëqyreshin nga Berisha, por edhe nga rrjetet ndërkombëtare.

“Unë dhe Partia Socialiste kemi kallëzuar natyrën politike të burgosjes sime që nga shtatori i vitit 1993. Kjo u njoh zyrtarisht së fundmi nga Amnesty International, duke më shpallur të burgosur për idetë e mia. Vazhdoj të jem në burgjet e Berishës për një mijë ditë sepse denoncova publikisht dhe luftova me mjete demokratike fenomenet negative politike që na ka lënë trashëgim historia. Kundër diktaturës komuniste dhe stalinizmit të Berishës. Po mbahet si peng politik për "politikën reale" që ndoqa dhe ndikimin që pati mbi shumicën e shqiptarëve", na kishte thënë (kishte shkruar) ndër të tjera në atë kohë.

Dhe sipas mendimit tonë, gjatë qeverive të tij, marrëdhëniet greko-shqiptare lulëzuan. Fatos Nano do të shënohet në historinë e marrëdhënieve dypalëshe si kryeministri më grekëdashës dhe pa ndërlikime ndaj Greqisë. Si një politikan largpamës, ai nuk u tundua të ushqente me ndjenja kundër-greke opinionin publik historikisht dyshues shqiptar, i cili, i pushtuar nga sindroma e rrethimit armiqësor, shihte në Greqi të keqen nga jugu - nga veriu ishte Serbia - një fqinj që ka punuar për gjymtimin e vendit për një kohë të gjatë. Ai shmangte shkëmbimin e teorive të këtij lloji për të përfituar përfitime elektorale.

Doktrina Nano në marrëdhëniet e jashtme i kishte ngritur Greqinë dhe Italinë në partnerë strategjikë dhe gjatë kohës së tij u ndërtua një atmosferë besimi të ndërsjellë, në dobi të të dyja palëve dhe për rrjedhojë të pakicës greke. Gjatë ditëve të vështira të vetë-dëbimit, Nano në Athinë po përgatiste kthimin e tij përmes zgjedhjeve parlamentare që, me kërkesë të bashkësisë ndërkombëtare, ishin shpallur për 29 qershor dhe të cilat ai do t`i fitonte lehtësisht. Në prag të votimit, ai thirri një tubim parazgjedhor në sheshin Kaningos për emigrantët shqiptarë në Athinë.

Përgjigja ishte mbresëlënëse. Shqiptarët, shumica dërrmuese e të cilëve ishin të paligjshëm në atë kohë, dolën atë natë nga “strofullat”, depot dhe bodrumet, ku ishin të detyruar të fshiheshin sepse nuk kishin dokumenta, dhe e mbytën sheshin. Në atë tubim, Nanua përmendi edhe bashkatdhetarët tanë në Shqipëri, të cilët kishin gjetur strehim në Greqi, duke u bërë thirrje atyre të ktheheshin në “shtëpitë e tyre patriotike”, ku, siç tha ai, “është vendi i tyre”.

Zërat nacionalistë në atdheun e tij, përfshirë Sali Berishën, pasi dëgjuan për “shtëpitë patriotike” për pakicën greke, “u ngritën në çati”, duke e akuzuar atë se ishte njëjtësuar me qëllimet e papranuara të Athinës kundër Shqipërisë. Kjo nuk e pengoi aspak të fitonte zgjedhjet dhe më pas me mençuri shmangu rënien në kurthin e hakmarrjes, gjë që do të kishte çuar në tendosje të mëtejshme, duke shmangur nisjen e ndjekjeve penale kundër Berishës. Megjithatë, një hakmarrje tashmë kishte lindur midis dy burrave. Berisha, i cili besonte se socialistët e Nanos, me ndihmën e Greqisë, kishin nxitur “kryengritjen piramidale” kundër tij, po priste mundësinë për t`u hakmarrë, dhe kjo iu dha një vit më vonë.

Më 12 shtator 1998, pak larg zyrave të “Partisë Demokratike”, në sheshin qendror të Tiranës, u vra bashkëpunëtori i tij i ngushtë dhe figura kryesore e partisë, Azem Hajdari, një figurë kundërthënëse që thuhej se ishte i përfshirë në trafik armësh dhe shumë punë të tjera të pista. Berisha akuzoi qeverinë socialiste dhe policinë e saj si autorë moralë dhe fizikë, dhe funerali i Hajdarit u shndërrua në një kryengritje të armatosur. Mbështetësit fanatikë të Berishës, të cilët kishin zbritur të armatosur nga qyteti i tij i lindjes, Tropoja, në veri të Shqipërisë, pas fjalimeve të zjarrta të udhëheqësit të tyre, sulmuan televizionin shtetëror, nga ku i bënë thirrje popullsisë të merrte armët. Më pas, të përforcuar nga dy tanke të sekuestruara nga një kamp aty pranë, ata u drejtuan drejt ndërtesës qeveritare, të cilën e granatuan, e kapën dhe e dogjën.

Kryeministri Nano i shpëtoi rojes së tij personale nëpërmjet një kalimi sekret nëntokësor nga epoka e Hoxhës dhe iku në Shkup. “Unë ika sepse kishin vendosur të më vrisnin”, do të deklaronte ai më vonë (BBC). Prokuroria e Tiranës ngriti një padi me akuza të rënda kundër Berishës, si fajtor dhe protagonist i kryengritjes së shtatorit, e cila, megjithatë, nuk vazhdoi me ndërhyrjen e Nanos për të parandaluar përshkallëzimin e përsëritur të gjërave. Pas kësaj, Nano dha dorëheqjen si kryeministër, por mbeti rregullator i gjendjes në partinë në pushtet, dhe pas zgjedhjeve të vitit 2002 u bë përsëri kryeministër, deri në vitin 2005.

Në një zgjedhje të rëndësishme strategjike, në mars të vitit 1998, disa muaj pasi u rizgjodh kryeministër dhe po përpiqej të rivendoste rendin në vend, Nano donte të bisedonte me Greqinë “rindërtimin” e bazës detare strategjikisht të rëndësishme të Pasha Limanit në Vlorë, e cila ishte plaçkitur dhe shkatërruar nga rebelët. Ajo, megjithatë, pretendohej gjithashtu nga turqit për ta përdorur si bazë për flotën e tyre luftarake për të këqyrur lundrimin në Adriatik dhe Mesdheun qendror. Dhe më në fund e morën atë. Sipas asaj që u zbulua më vonë nga atasheu ushtarak i atëhershëm shqiptar në Ankara, Limaj, marrëveshja kishte implikime të errëta, pará, aventura politike dhe një anë greke. Qeveria shqiptare dyshohet se fillimisht e bisedoi atë me Greqinë, por turqit dhanë një ryshfet të fortë nën tavolinë dhe e morën atë, ndërsa truri i gjithë historisë, Ministri i Mbrojtjes Z.M. humbi karrigen e tij ministrore. Gjatë trazirave të vitit 1997, M. ishte një nga kuadrot e Partisë Socialiste që mbajti marrëdhënie të ngushta shoqërore me kuadrot e larta të PASOK-ut në Greqi dhe në qeverinë e Nanos që doli nga zgjedhjet e qershorit, ai mori portofolin e Ministrit të Mbrojtjes.

Nëpërmjet lidhjeve të tij me ministrat e qeverisë Simitis, ai kërkoi, me sa duket me urdhër të Nanos, të bisedonte një paketë marrëveshjesh me Athinën që, ndër të tjera, parashikonin që Greqia të ndërmerrte rindërtimin e bazës së Pasha Limanit, ndërtimin e depove të naftës në Durrës dhe Vlorë, ndërtimin e rrugëve etj. Një pjesë e rëndësishme e kësaj pakete ishte dhënia nga pala greke e një ndihme financiare prej dhjetë miliardë dhrahmish për të forcuar dhe rindërtuar ushtrinë shqiptare, ndërsa në pjesën e saj jozyrtare pala greke do të përfitonte nga krijimi i tre varrezave ushtarake për varrimin e eshtrave të të rënëve grekë të viteve 1940 dhe ndërtimi i një spitali ushtarak në Gjirokastër.

Megjithatë, turqit ishin zhvendosur më herët dhe në drejtim të lindjes. Më 9 maj 1997 - Nanua nuk ishte bërë ende kryeministër - dhe ndërsa Shqipëria po digjej, Ministri i atëhershëm i Mbrojtjes i Turqisë vizitoi Tiranën dhe më 12 shtator do ta përsëriste vizitën, këtë herë me një qeveri Nano. Më 26 dhjetor, homologu i tij shqiptar do ta kthejë vizitën, duke udhëtuar për në Ankara. Natyrisht, kjo nuk ishte një lëvizje e thjeshtë brenda kuadrit të marrëdhënieve dypalëshe mes dy vendeve dhe kjo u bë e dukshme shpejt.

Sipas atasheut ushtarak të atëhershëm shqiptar në Ankara, gjatë bisedimeve zyrtare me palën turke, M., krejtësisht në mënyrë të papritur dhe jashtë protokollit të pajtuar, vuri në tryezë një kërkesë që turqit të rindërtonin bazën e Pasha Limanit. Atasheu ushtarak, i habitur nga kthesa që mori ministri i tij në bisedime, do të raportonte më vonë: “Në një diskutim mirëbesues, ministri më tha: ‘Nuk mund të pranojmë që porti ushtarak i Sarandës ose Porti i Pashait t’i jepen për rindërtim një vendi fqinj dhe për një periudhë të gjatë kohore, siç dëshiron Greqia. Ne ua kemi dhënë përgjigjen dhe kemi treguar Durrësin ose Portin e Ajos Joanis më në veri, por ata këmbëngulin në baza ushtarake pranë kufijve të tyre. Nëse u japim baza të tilla, atëherë për kë i duam dhe kundër kujt do t’i përdorim në rast të një konflikti ushtarak në jug…?’” Mosbesuesit e shtetit, me frikën e tyre të përhershme nga infiltrimi grek, e kishte bërë punën e vet, duke e vënë Nanon para një ngjarjeje të kryer. Më vonë, siç u shkrua në shtypin shqiptar, M. zbuloi “në mirëbesim” në qarqet politike dhe ushtarake në atdheun e tij se për Pasha Limanin turqit dhanë tre herë më shumë para sesa dhanë grekët.

Pas nënshkrimit të marrëveshjes, në mars të vitit 1998, Nanua e shkarkoi M. nga posti i tij si ministër dhe sipas Limajt, shkarkimi i tij nuk ishte i palidhur me çështjen e Pasha Limanit. Në fakt, Nanua thuhet se deklaroi në lidhje me shkarkimin se “kocka ishte shumë e madhe për t`u lëpirë nga një ministër...”, duke shprehur arsyen e shkarkimit të ministrit të tij. Pavarësisht se çfarë ndodhi me bazën e Vlorës, marrëdhëniet midis Athinës dhe Tiranës gjatë kryeministërimit të Nanos u zhvilluan në një klimë të butë.

Simitis vizitoi dy herë Shqipërinë, dhe Nano vizitoi dy herë Greqinë. Në njërën nga këto raste, ai mori pjesë në konferencën ndërballkanike të udhëheqësve në Kretë në tetor 1997. Atje, me iniciativën e Simitis, ai u takua me “armikun” e madh të kombit, Slobodan Miloseviçin. Takimi u zhvillua në një hotel në Ajia Pelajia ku, sipas një diplomati të përfshirë në të gjithë përgatitjen, “Simitis i mori të dy për dore, hynë në dhomë ku, pasi bëri një parathënie, u largua dhe i la vetëm, të shoqëruar nga një shishe cikudhia, e cila kur dolën u gjet e zbrazët”. Edhe pse nuk u pajtuan për asgjë, në atdheun e tij shpërtheu një stuhi me britma “tradhtie” dhe akuza se ai “përqafoi armikun”, “shiti Kosovën”, e cila në atë kohë po përgatitej për një kryengritje, etj. Pas takimit, sipas kritikëve të tij në Shqipëri, fshihej “gishti grek” i kudondodhur.

Marrëdhëniet e Fatos Nanos me Greqinë shkuan shumë përtej sferës politike dhe diplomatike. Edhe kur ishte kryeministër, ai shpesh “arratisej” nga Tirana dhe strehohej, duke kaluar nën “radarin zyrtar”, në Selanik ku dy fëmijët e tij studionin në një kolegj privat. Vizitat te fëmijët e tij ndërthureshin me argëtim në klube nate - ai ishte një ëndjetar fanatik i të famshmes Peggy Zina - dhe taverna, ndonjëherë deri në agim. Gjatë një prej këtyre bredhjeve boheme, “zemra e tij u vendos” në krahun e një gruaje të bukur greke, Xhoana, me të cilën u martua në një martesë të dytë, në kishën ortodokse të Tiranës, pasi ai vetë ishte i krishterë ortodoks - korist i kryepeshkopit Anastas. Ai gradualisht u tërhoq nga politika dhe jetoi, me shëndetin e tij të dobët, midis Vjenës dhe

Tiranës, me pritjen se në një moment elita politike do ta thërriste në postin e Presidentit të Republikës, një dëshirë (e tij) që nuk u plotësua kurrë.

Në shërbesën mortore në Katedralen Ortodokse të Tiranës, fjalimet e lamtumirës “prej druri” të miqve dhe armiqve politikë u eklipsuan nga lamtumira e fundit e gruas së tij greke.

“Këtu, një çerek shekulli më parë, unë, një vajzë e re, u dashurova me Fatosin. Në atë kohë nuk e kuptoja pse, por tani e di. Isha dashuruar, jo vetëm me Fatosin si njeri, por isha dashuruar edhe me vizionin e një Shqipërie tjetër, një Shqipëri që duhej të largohej nga barbarizmi, hakmarrja dhe të ndiqte një kurs tjetër, një kurs modern politik dhe evropian. Këto do t’i gjeja tek Fatosi. Ai eci nëpër baltën e politikës pa u ndotur prej saj. Kishte një zemër të madhe, të gatshme të falte, të kuptonte. Hakmarrja ishte një cilësi e huaj për të. Ai e vërtetoi këtë kur udhëhoqi vendin pas burgosjes së padrejtë, kur Shqipëria ishte në prag të luftës civile. Ai ishte i drejtpërdrejtë, ndonjëherë kokëfortë, por i ndershëm me veten dhe të tjerët. Ai e donte këtë vend me gjithë zemër”, tha ajo.   

*Shqipëroi Ylli Përmeti. Vëmendje: gazetari grek e quan socializmin komunizëm dhe diktaturën neoliberale demokraci.

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA