...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Propozimi gjithëpërfshirës i Iranit drejtuar Shteteve të Bashkuara: gurthemel për paqen e Lindjes së Mesme

Lindja e Mesme ndodhet në një udhëkryq mes luftës së pafund dhe paqes gjithëpërfshirëse. Një kornizë për paqen ekziston. A do ta shfrytëzojnë më në fund Shtetet e Bashkuara?

Xhefri D. Saks & Sibil Fares | 9 shkurt 2026 | Common Dreams

13/02/2026 - 08:17

Historia herë pas here paraqet çaste kur e vërteta për një konflikt shprehet aq qartë, sa bëhet e pamundur të shpërfillet. Fjalimi i ministrit të jashtëm iranian, Abas Aragçi, më 7 shkurt në Doha të Katarit (transkripti këtu), duhet të jetë pikërisht një moment i tillë. Vërejtjet e tij të rëndësishme dhe të dobishme iu përgjigjën thirrjes amerikane për bisedime gjithëpërfshirëse dhe paraqitën një parashtrim të arsyeshëm për paqen në mbarë Lindjen e Mesme.

Javën e kaluar, sekretari amerikan i shtetit, Marko Rubio, bëri thirrje për bisedime gjithëpërfshirëse: “Nëse iranianët duan të takohen, ne jemi gati.” Ai parashtroi që bisedimet të përfshijnë çështjen bërthamore, aftësitë ushtarake të Iranit dhe mbështetjen e tij për grupet përfaqësuese në rajon. Në pamje të parë, ai tingëllon si një parashtrim i rëndësishëm dhe i dobishëm. Krizat e sigurisë në Lindjen e Mesme janë të ndërlidhura dhe një diplomaci që izolon çështjet bërthamore nga dinamika më e gjerë rajonale ka pak gjasa të jetë e qëndrueshme.

Më 7 shkurt, ministri i jashtëm iranian Aragçi iu përgjigj parashtrimit të Shteteve të Bashkuara për paqe gjithëpërfshirëse. Në fjalimin e tij në Forumin e Al Jazeera-s, ai trajtoi shkakun rrënjësor të paqëndrueshmërisë rajonale — “Palestina… është çështja përcaktuese e drejtësisë në Azinë Perëndimore dhe më gjerë” — dhe parashtroi një rrugë përpara.

Qendrimi` ministrit të jashtëm është i saktë. Dështimi për të zgjidhur çështjen e shtetësisë palestineze ka ushqyer çdo masmarrëveshje madhore krahinore që nga viti 1948. Luftërat arabo-izraelite, ngritja e luftës anti-izraelite, polarizimi rajonal dhe ciklet e përsëritura të dhunës burojnë të gjitha nga dështimi për të krijuar një Shtet të Palestinës përkrah Shtetit të Izraelit. Gaza përfaqëson kapitullin më shkatërrues të asaj mosmarrëveshjeje, ku pushtimi brutal izraelit i Palestinës u pasua nga sulmi i Hamasit kundër Izraelit më 7 tetor 2023 dhe më pas nga gjenocidi i Izraelit kundër popullit të Gazës.

Në fjalimin e tij, Aragçi dënoi projektin ekspansionist të Izraelit, “të ndjekur nën flamurin e sigurisë”. Ai paralajmëroi për aneksimin e Bregut Perëndimor, të cilin zyrtarë të qeverisë izraelite, si ministri i sigurisë kombëtare Ben Gviri, e kërkojnë vazhdimisht, dhe për të cilin Kneseti tashmë ka miratuar një mocion.

Aragçi theksoi gjithashtu një tjetër përmasë themelore të strategjisë izraelite: ndjekjen e epërsisë së përhershme ushtarake në të gjithë rajonin. Ai tha se projekti ekspansionist i Izraelit kërkon që “vendet fqinje të dobësohen — ushtarakisht, teknologjikisht, ekonomikisht dhe shoqërisht — në mënyrë që regjimi izraelit të gëzojë përherë epërsinë.” Kjo është pikërisht doktrina “Clean Break” e kryeministrit Netanjahu, që daton prej 30 vitesh. Ajo është mbështetur me zell nga Shtetet e Bashkuara përmes mbi 100 miliardë dollarëve ndihmë ushtarake për Izraelin që nga viti 2000, mbulesës diplomatike në OKB përmes vetove të përsëritura dhe refuzimit të vazhdueshëm amerikan për masa llogaridhënieje ndaj shkeljeve izraelite të së drejtës ndërkombëtare humanitare.

Pandëshkueshmëria e Izraelit e ka bërë krahinën të paqendrueshme, duke ushqyer gara armatimesh, luftëra përfaqësuese dhe cikle hakmarrjeje. Ajo ka gërryer gjithashtu atë që ka mbetur nga rendi juridik ndërkombëtar. Shkelja i të drejtës ndërkombëtare nga Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli, me një pjesë të madhe të Evropës që hesht, e ka dobësuar rëndë Kartën e OKB-së, duke e lënë Organizatën pranë rrënimit.

Në përfundim të fjalimit të tij, Aragçi i ofroi Shteteve të Bashkuara një zgjidhje politike dhe një rrugë përpara: “Rruga drejt qendrueshmërisë është e qartë: drejtësi për Palestinën, llogaridhënie për krimet, fund i pushtimit dhe aparteidit, dhe një rend rajonal i ndërtuar mbi sovranitetin, barazinë dhe bashkëpunimin. Nëse bota do paqe, duhet të ndalë shpërblimin e agresionit. Nëse bota do qendrueshmëri, duhet të ndalë mundësimin e ekspansionizmit.”

Ky është një qendrim i vlefshëm dhe i dobishëm ndaj thirrjes së Rubios për diplomaci gjithëpërfshirëse.

Kjo kornizë mund të trajtojë të gjitha përmasat e ndërlidhura të mosmarrëveshjes rajonale. Fundi i ekspansionit izraelit dhe i pushtimit të Palestinës, si dhe kthimi i Izraelit tek kufijtë e 4 qershorit 1967, do t’i jepte fund financimit dhe armatosjes së jashtme të grupeve përfaqësuese në rajon. Krijimi i një shteti palestinez përkrah shtetit të Izraelit do të rrisë sigurinë e Izraelit, si edhe atë të fqinjëve të tij. Një marrëveshje e ripërtërirë bërthamore me Iranin, që e kufizon rreptësisht Iranin vetëm tek veprimtaritë bërthamore paqësore dhe shoqërohet me heqjen e sanksioneve amerikane dhe evropiane, do të shtonte një shtyllë thelbësore qendrueshmërie rajonale. Irani ishte pajtuar me një kornizë të tillë bërthamore një dekadë më parë, në Planin e Përbashkët Gjithëpërfshirës të Veprimit (JCPOA), të miratuar nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së me Rezolutën 2231. Ishin Shtetet e Bashkuara, gjatë mandatit të parë të Trampit, dhe jo Irani, që u tërhoqën nga marrëveshja.

Një paqe gjithëpërfshirëse pasqyron themelin e doktrinës moderne të sigurisë kolektive, përfshirë vetë Kartën e Kombeve të Bashkuara. Paqja e qëndrueshme kërkon njohje të ndërsjellë të sovranitetit, integritetit territorial dhe garanci të barabarta sigurie për të gjitha shtetet.

Siguria rajonale është përgjegjësi e përbashkët e të gjithë shteteve të rajonit dhe secili prej tyre përballet me një detyrim historik. Ky propozim për paqe gjithëpërfshirëse nuk është i ri; ai është mbështetur prej dekadash nga Organizata e Bashkëpunimit Islamik (57 vende me shumicë muslimane) dhe nga Lidhja e Shteteve Arabe (22 shtete arabe). Që nga Nisma Arabe e Paqes e vitit 2002, të gjithë këto vende e kanë miratuar çdo vit kornizën e “tokë-për-paqen”. Të gjitha shtetet kryesore arabe dhe islame, aleate të Shteteve të Bashkuara, kanë luajtur një rol vendimtar në lehtësimin e raundit më të fundit të bisedimeve amerikano-iraniane në Oman. Për më tepër, Arabia Saudite ua ka kujtuar qartë Shteteve të Bashkuara se do të normalizojë marrëdhëniet me Izraelin vetëm me kushtin e krijimit të një Shteti Palestinez.

Shtetet e Bashkuara përballen me një moment të së vërtetës. A duan vërtet paqe, apo duan të ndjekin ekstremizmin izraelit? Për dekada, SHBA-të kanë ndjekur verbërisht objektiva izraelite të gabuara. Presionet politike të brendshme, rrjetet e fuqishme lobuese, keqllogaritjet strategjike dhe ndoshta edhe pak shantazh që fshihet në dosjet e Epstinit (kush e di?) janë ndërthurur për ta nënshtruar diplomacinë amerikane ambicieve rajonale të Izraelit.

Nënshtrimi amerikan ndaj Izraelit nuk u shërben interesave amerikane. Ai i ka tërhequr Shtetet e Bashkuara në luftëra të përsëritura rajonale, ka minuar besimin global tek politika e jashtme amerikane dhe ka dobësuar rendin juridik ndërkombëtar që vetë Uashingtoni ndihmoi të ndërtohej pas vitit 1945.

Një paqe gjithëpërfshirëse i ofron Shteteve të Bashkuara një mundësi të rrallë për të ndrequr kursin. Duke biseduar një paqe rajonale gjithëpërfshirëse të mbështetur në të drejtën ndërkombëtare, SHBA-ja mund të rimarrë diplomacinë e mirëfilltë dhe të ndihmojnë në vendosjen e një arkitekture të qëndrueshme sigurie rajonale që u shërben të gjitha palëve, përfshirë Izraelin dhe Palestinën.

Lindja e Mesme ndodhet në një udhëkryq mes luftës së pafund dhe paqes gjithëpërfshirëse. Korniza për paqen ekziston. Ajo kërkon, para së gjithash, shtetësi palestineze, garanci sigurie për Izraelin dhe pjesën tjetër të rajonit, një marrëveshje bërthamore paqësore që rikthen marrëveshjen bazë të miratuar nga OKB-ja një dekadë më parë, heqjen e sanksioneve ekonomike, zbatimin e paanshëm të së drejtës ndërkombëtare dhe një arkitekturë diplomatike që zëvendëson forcën ushtarake me bashkëpunim sigurie. Bota duhet të bashkohet pas kësaj kornize gjithëpërfshirëse dhe të shfrytëzojë këtë mundësi historike për të arritur paqen rajonale.   

Shqipëroi dhe përgatiti për botim Ylli Përmeti

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA