SHBA-ja dhe Irani pajtohen për një armëpushim të kushtëzuar dyjavor për “hapjen” e Ngushticës së Hormuzit
Arrihet një marrëveshje pas një ndërhyrjeje diplomatike në çastin e fundit të udhëhequr nga Pakistani, duke anuluar ultimatumin e Trampit
The Giardian
08/04/2026 - 08:57
Shtetet e Bashkuara dhe Irani u pajtuan për një armëpushim të kushtëzuar dyjavor të martën në mbrëmje, i cili përfshin një rihapje të përkohshme të Ngushticës së Hormuzit, pas një ndërhyrjeje diplomatike në çastin e fundit të udhëhequr nga Pakistani, duke anuluar një ultimatum nga Trampi.
Njoftimi i Trampit për marrëveshjen e armëpushimit erdhi më pak se dy orë përpara afatit që ai vetë kishte vendosur për orën 20:00 sipas kohës lindore të SHBA-së, për të bombarduar termocentralet dhe urat e Iranit – një veprim që studiues të së drejtës, si dhe zyrtarë nga shumë vende dhe papa, kishin paralajmëruar se mund të përbënte krime lufte.
Vetëm pak orë më parë, Trampi kishte shkruar në rrjetin Truth Social: “Një qytetërim i tërë do të vdesë sonte, për të mos u kthyer më kurrë. Nuk dua që kjo të ndodhë, por me gjasë do të ndodhë.” Bombardues amerikanë B-52 u raportua se ishin në rrugë drejt Iranit përpara shpalljes së marrëveshjes për armëpushim. Por deri në mbrëmjen e së martës, Trampi njoftoi se një marrëveshje ishte ndërmjetësuar nga Pakistani, kryeministri i të cilit, Shehbaz Sharif, kishte kërkuar këtë paqe dyjavore për të “lejuar që diplomacia të ndjekë rrjedhën e saj”.
Trampi shkroi në një postim se “me kusht që Republika Islamike e Iranit të pranojë HAPJEN E PLOTË, TË MENJËHERSHME DHE TË SIGURT të Ngushticës së Hormuzit, unë pranoj të pezulloj bombardimet dhe sulmet ndaj Iranit për një periudhë dyjavore”.
Në një postim tjetër më vonë, presidenti amerikan e quajti të martën “një ditë të madhe për paqen botërore”, duke pretenduar se Irani “kishte mjaftuar”. Ai tha se SHBA-ja do të “ndihmonte në lehtësimin e grumbullimit të trafikut” në Ngushticën e Hormuzit dhe se “do të bëhen para të mëdha” ndërsa Irani nis rindërtimin.
Për disa orë më pas, qëndrimi i Izraelit ndaj marrëveshjes mbeti i paqartë. Por pak para mesnatës sipas kohës lindore, kryeministri Benjamin Netanyahu tha se Izraeli e mbështeste armëpushimin e SHBA-së me Iranin, por se marrëveshja nuk përfshinte luftimet kundër Hezbollah në Liban. Zyra e tij shtoi se Izraeli mbështeste gjithashtu përpjekjet e SHBA-së për të siguruar që Irani të mos përbënte më kërcënim bërthamor ose raketor. Ndërkohë, kryeministri i Pakistanit kishte thënë më parë se armëpushimi i pajtuar përfshinte “kudo, përfshirë edhe Libanin”.
Procesi i armëpushimit u mbulua nga paqartësi pasi Irani publikoi dy variante të ndryshme të planit me 10 pika që synohej të shërbente si bazë për bisedime, dhe që Trampi e quajti “një bazë e pranueshme për të biseduar”.
Në variantin persisht, Irani përfshinte shprehjen “pranimi i pasurimit” për programin e tij bërthamor. Por për arsye që mbeten të paqarta, kjo shprehje mungonte në variantin anglisht të shpërndara nga diplomatët iranianë tek gazetarët.
Pakistani ka ftuar SHBA-në dhe Iranin në bisedime në Islamabad të premten. Teherani tha se do të marrë pjesë, por Uashingtoni ende nuk e ka pranuar publikisht ftesën.
Në një telefonatë me Agence France-Presse, Trampi tha se besonte se Kina e kishte bindur Iranin të bisedonte, duke shtuar se uraniumi i pasuruar i Teheranit do të “trajtohej siç duhet”, pa dhënë hollësi të tjera.
Gjatë armëpushimit dyjavor, Trampi tha se besonte që SHBA-ja dhe Irani mund të bisedonin mbi propozimin me 10 pika, që do të lejonte që një marrëveshje armëpushimi që të “përmbyllej dhe të realizohej plotësisht”.
“Ky do të jetë një armëpushim i dyanshëm!” shtoi ai. “Arsyeja është se ne tashmë kemi arritur dhe tejkaluar të gjitha objektivat ushtarake dhe jemi shumë pranë një marrëveshjeje përfundimtare për paqe afatgjatë me Iranin dhe paqe në Lindjen e Mesme.”
Ministri i jashtëm i Iranit, Abbas Araghchi, lëshoi një qëndrim menjëherë pas njoftimit të Trampit duke thënë se Irani ishte pajtuar për armëpushimin. “Për një periudhë dyjavore, kalimi i sigurt përmes Ngushticës së Hormuzit do të jetë i mundur përmes bashkërendimit me Forcat e Armatosura të Iranit,” shkroi ai.
Çmimet e naftës ranë, tregjet e aksioneve u rritën dhe dollari u dobësua të mërkurën, pasi armëpushimi dyjavor në Lindjen e Mesme nxiti një reagim lehtësimi, të ushqyer nga shpresat se rrjedhat e naftës dhe gazit përmes Ngushticës së Hormuzit mund të rifillonin.
Pavarësisht armëpushimit të përkohshëm, sulmet vazhduan në rajon në orët pas njoftimit të Trampit. Para afatit, sulme ajrore goditën dy ura dhe një stacion treni në Iran, ndërsa SHBA-ja goditi infrastrukturë ushtarake në ishullin Kharg, një nyje kyçe për prodhimin e naftës iraniane.
Kthesa e papritur i jep mundësi Trampit të tërhiqet, ndërsa lufta e SHBA-së në Iran ka zgjatur pesë javë pa shenja të qarta se Teherani është gati të dorëzohet ose të heqë dorë nga mbikëqyrja mbi Ngushticën e Hormuzit, një rrugë kyçe për një të pestën e furnizimit botëror me energji, ku lëvizja e anijeve ishte ngadalësuar ndjeshëm.
Trampi kishte kundërshtuar më parë planin me 10 pika si “jo mjaftueshëm i mirë”, por ai ka vendosur afate edhe më parë gjatë pesë javëve të konfliktit dhe i ka lënë ato të kalojnë. Megjithatë, ai këmbënguli të martën se orët në vijim do të ishin “një nga momentet më të rëndësishme në historinë e gjatë dhe të ndërlikuar të botës”, nëse nuk ndodhte “diçka jashtëzakonisht e mrekullueshme”, me “mendje më pak të radikalizuara” në udhëheqjen iraniane.
Lajmi për marrëveshjen e përkohshme të armëpushimit u mirëprit, por me kujdes në vende të tjera. Ministria e jashtme e Irakut bëri thirrje për “dialog të matur dhe të qëndrueshëm” mes SHBA-së dhe Iranit “për të trajtuar shkaqet rrënjësore të mosmarrëveshjeve”, ndërsa ministri i jashtëm gjerman, Johann Wadephul, tha se marrëveshja “duhet të jetë hapi vendimtar drejt një paqeje të qëndrueshme, pasi pasojat e vazhdimit të luftës do të ishin të pallogaritshme”.
Në Australi, qeveria paralajmëroi se zhvillimet e fundit nuk do të thotë domosdoshmërisht se kriza e karburantit ka përfunduar. Ministri i energjisë, Chris Bowen, u shpreh se qytetarët nuk duhet të nxitohen në pritshmëri, duke shtuar se “nuk mund të thuhet ende se Ngushtica e Hormuzit është e hapur”.
Një zëdhënës i ministrit të jashtëm të Zelandës së Re, Winston Peters, e quajti lajmin “inkurajues”, por theksoi se “mbetet ende shumë punë e rëndësishme për të siguruar një armëpushim të qëndrueshëm”.
Japonia tha se pret që kjo lëvizje të çojë në një marrëveshje përfundimtare pas nisjes së bisedimeve mes Uashingtonit dhe Teheranit të premten. Sekretari i kabinetit, Minoru Kihara, e quajti armëpushimin “një hap pozitiv”, ndërsa kryeministrja Sanae Takaichi po kërkon bisedime me presidentin iranian, Masoud Pezeshkian.
Një ndalim i përkohshëm i armiqësive është një lehtësim për Japoninë, e cila varet nga Lindja e Mesme për rreth 90% të importeve të saj të naftës bruto, shumica e së cilës kalon përmes Ngushticës së Hormuzit.
Koreja e Jugut tha se shpreson që bisedimet mes dy palëve të përfundojnë mbrothët dhe që paqja dhe qëndrueshmëria në Lindjen e Mesme të rikthehen sa më shpejt, si dhe për “lëvizje të lirë dhe të sigurt të të gjitha anijeve përmes Ngushticës së Hormuzit”.
Cilësia e lartë gazetareske kërkon përkushtim dhe dashuri. Ju lutem ndajeni këtë artikull me të tjerë duke përdorur vjegzën/linkun përkatëse
- 23 reads



