SHBA do të tërheqë 5,000 trupa nga Gjermania mes përplasjes për konfliktin me Iranin
Trampi kundërpërgjigjet ndaj kancelarit Merz për kritikat ndaj përpjekjeve ushtarake SHBA–Izrael
Financial Times
02/05/2026 - 14:59
Pentagoni do të tërheqë 5,000 trupa nga Gjermania mes të një përplasjeje publike mes presidentit amerikan Donald Trump dhe kancelarit gjerman Friedrich Merz për luftën e Uashingtonit me Iranin.
Trupat do të tërhiqen brenda vitit të ardhshëm, bëri të ditur Departamenti i Mbrojtjes. Gjermania strehon numrin më të madh të trupave amerikane në Evropë, së bashku me disa nga bazat kryesore ushtarake amerikane.
Sekretari i mbrojtjes i SHBA-së, Pete Hegseth, “ka urdhëruar tërheqjen e rreth 5,000 trupave nga Gjermania”, tha të premten zëdhënësi kryesor i Pentagonit, Sean Parnell.
“Ky vendim vjen pas një shqyrtimi të plotë të pranisë së forcave në Evropë dhe merr parasysh kërkesat në terren,” shtoi ai. “Presim që tërheqja të përfundojë brenda gjashtë deri në dymbëdhjetë muajve.”
Konflikti me Iranin ka acaruar lidhjet ndëratlantike, me presidentin amerikan që ka akuzuar aleatët evropianë se nuk po bëjnë mjaftueshëm për të mbështetur përpjekjen ushtarake. Pasojat ekonomike po godasin rëndë Evropën, pasi çmimet e energjisë janë rritur ndjeshëm, duke nxitur akuza nga aleatë të rëndësishëm të SHBA-së se po mbajnë një barrë të madhe për një luftë që nuk e kanë mbështetur.
Pasojat ekonomike janë kthyer në një krizë të plotë të brendshme në Gjermani. Tensionet mes SHBA-së dhe Evropës për konfliktin me Iranin janë edhe më të forta se ato të vitit të kaluar për tregtinë dhe kanë rritur frikën për një ndarje të qëndrueshme strategjike që mund të rrezikojë edhe NATO.
Vendimi i Pentagonit erdhi pasi Friedrich Merz dhe Donald Trump shkëmbyen kritika për luftën. Merc të hënën tha se SHBA po “poshtërohej” nga Irani dhe se kishte hyrë në konflikt “pa asnjë strategji” dhe pa një qëndrim bindës në bisedime.
Të enjten, Donald Trump nisi një shqyrtim të nivelit të trupave amerikane në Gjermani dhe shkroi në rrjete shoqërore se Merc “duhet të merret më shumë me përfundimin e luftës Rusi/Ukrainë dhe me rregullimin e vendit të tij të dëmtuar”.
“Ai po bën një punë të dobët,” u tha Trampi gazetarëve. “Ka probleme me emigracionin, me energjinë dhe me shumë gjëra të tjera.”
Merc “më kritikoi për gjithë çështjen me Iranin. Por unë i thashë: ‘A do të doje që Irani të kishte armë bërthamore?’ Ai tha ‘jo’. I thashë: ‘Atëherë duket se kam të drejtë’. Nuk pati përgjigje,” shtoi Trampi.
Presidenti të premten tha se do të rrisë tarifat për makinat e Bashkimit Evropian në 25 për qind. Uashingtoni ka paralajmëruar gjithashtu disa aleatë evropianë të presin vonesa të gjata në dërgesat e armëve amerikane, ndërsa përpiqet të rindërtojë rezervat e veta të zbrazura nga konflikti me Iranin.
Rreth 36,400 trupa amerikane ndodhen në Gjermani dhe rreth 80,000 në gjithë Evropën. Shtabi i komandës amerikane për Evropën dhe Afrikën ndodhet në Stuttgart. Gjermania është gjithashtu vendndodhja e bazës ajrore Ramstein Air Base dhe qendrës mjekësore ushtarake Landstuhl Regional Medical Center.
Donald Trump ka kërcënuar gjithashtu të tërheqë trupa nga Italia dhe Spanja, të cilat i ka kritikuar për mungesë mbështetjeje ndaj përpjekjes ushtarake SHBA–Izrael. SHBA ka rreth 12,600 trupa në Itali dhe 3,800 në Spanjë. Presidenti tha se “ndoshta” do ta shqyrtojë këtë hap.
“Pse të mos e bëj? Italia nuk na ka ndihmuar. Dhe Spanja ka qenë e tmerrshme,” tha ai.
Senatori amerikan Jack Reed i bëri thirrje Trampit të tërhiqet nga vendimi “i pamenduar”.
“Dobësimi i pranisë sonë ushtarake në Evropë në një kohë kur forcat ruse vazhdojnë të sulmojnë Ukrainën dhe të shqetësojnë aleatët tanë të NATO është një dhuratë e paçmueshme për Vladimir Putin dhe tregon se angazhimet amerikane varen nga humori i presidentit,” tha ai.
Në një qëndrim për Financial Times, NATO tha se po punon me SHBA-në për të kuptuar hollësitë e njoftimit.
“Kjo lëvizje tregon nevojën që Evropa të investojë më shumë në mbrojtje dhe të marrë një pjesë më të madhe të përgjegjësisë për sigurinë tonë të përbashkët,” thuhet në qëndrim.
Ministri gjerman i mbrojtjes, Boris Pistorius, tha se prania e trupave amerikane është në interes të përbashkët dhe se ishte “e pritshme” që SHBA të ulë praninë në Evropë, duke theksuar nevojën që Evropa të mbajë më shumë përgjegjësi për mbrojtjen e saj.
Cilësia e lartë gazetareske kërkon përkushtim dhe dashuri. Ju lutem ndajeni këtë artikull me të tjerë duke përdorur vjegzën/linkun përkatëse
- 12 reads



