...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Përgjigjja e Iranit ndaj parashtrimit amerikan për paqe është “e papranueshme” - Trampi

Çmimet e naftës rriten sërish, ndërsa Uashingtoni dhe Teherani dështojnë të pajtohen për kushtet e përfundimit të luftës dhe rihapjes së Ngushticës së Hormuzit

Financial Times

11/05/2026 - 14:29

Donald Trampi e quajti të dielën “të papranueshme” përgjigjen e Iranit ndaj parashtrimit më të fundit amerikan për paqe, ndërsa të dyja palët ruajnë një armëpushim të brishtë, pa ndonjë fund të dukshëm të luftës.

Sipas agjencisë IRNA, Irani ia dorëzoi Pakistanit të dielën përgjigjen ndaj parashtrimit amerikan për përfundimin e luftës dymujore.

“Sapo lexova përgjigjen nga të ashtuquajturit ‘Përfaqësues’ të Iranit”, shkroi Trampi në Truth Social. “Nuk më pëlqen — PLOTËSISHT E PAPRANUESHME!”

Presidenti amerikan nuk dha hollësi mbi përmbajtjen e përgjigjes iraniane. Megjithatë, qëndrimet e tij nxitën rritje të çmimeve të naftës, me naftën të ngjitet 4.2 për qind, në 105.51 dollarë për fuçi në tregtimin aziatik.

Tregtarët kundërvepruan gjithashtu ndaj paralajmërimeve nga zyrtarë amerikanë se dështimi i bisedimeve mund të çonte tek rikthimi i përplasjeve të hapura ushtarake.

“‘Plotësisht e papranueshme’ përkthehet në ndjesi disi pohuese për tregun e naftës”, tha Kevin Book, drejtues i kërkimeve tek ClearView Energy Partners. “Nëse palët shkojnë drejt përshkallëzimit ushtarak dhe bisedimet nuk rifillojnë, çmimet mund të rriten shumë më tepër.”

Zëdhënësi i ministrisë së Jashtme iraniane, Esmaeil Baghaei, tha se kërkesat e Teheranit nuk ishin “të tepruara”, por “të arsyeshme, të përgjegjshme dhe bujare”.

Sipas një zyrtari të paemërtuar të cituar nga Tasnim News Agency, Irani kërkoi:

• heqjen e sanksioneve amerikane,

• përfundimin e luftës “në të gjitha frontet”, përfshirë goditjet izraelite në Liban,

• dhe “drejtimin iranian” të Ngushticës së Hormuzit.

Teherani kërkoi gjithashtu:

• fundin e bllokadës amerikane ndaj importeve dhe eksporteve iraniane në portet jugore,

• pezullim 30-ditor të sanksioneve mbi naftën,

• dhe lirimin e pasurive të ngrira iraniane.

Përgjigjja iraniane nuk përmendi parashtrime konkrete mbi çështjen bërthamore.

Një diplomat iranian tha se Teherani mbetet i hapur për rifillimin e bisedimeve mbi programin bërthamor pas një periudhe 30-ditore “ndërtimi besimi”.

Qeveria e Trampit kërkon që Irani:

• të pranojë një moratorium afatgjatë mbi pasurimin e uraniumit,

• të nxjerrë jashtë vendit rezervat e uraniumit të pasuruar pranë nivelit ushtarak,

• dhe të çmontojë objektet kryesore bërthamore në Natanz, Fordow dhe Isfahan.

Sipas diplomatit iranian, Teherani kishte shfaqur gatishmëri fillestare për të biseduar një moratorium mbi pasurimin dhe zhvendosjen jashtë vendit të uraniumit të pasuruar. Por kërkesa amerikane për një ndalim 20-vjeçar pa afat përfundimtar u quajt e papranueshme.

Të dielën, Trampi akuzoi Iranin se “po luan lojëra” me SHBA-në, përpara se të sulmonte marrëveshjen bërthamore të vitit 2015 të nënshkruar midis Teheranit, qeverisë së Barak Obamës dhe fuqive të tjera botërore.

“Për 47 vjet iranianët na kanë mbajtur pezull, kanë vrarë njerëzit tanë me bomba anës rrugëve, kanë shtypur protestat dhe së fundmi kanë zhdukur 42 mijë protestues të pafajshëm e të paarmatosur”, shkroi ai. “Ata nuk do të qeshin më me vendin tonë që tani është sërish I MADH!”

Qëndrimet e Trampit erdhën pasi emisioni 60 Minutes publikoi pjesë nga një intervistë me Benjamin Netanyahu, ku kryeministri izraelit tha se përplasja me Iranin “nuk ka mbaruar”. Sipas Netanjahut, Irani ende nuk ka hequr dorë nga lënda që Izraeli druhet se mund të përdoret një ditë për armë bërthamore.   

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA