...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Vendet e Bashkimit Evropian po shqyrtojnë lejimin e industrisë të shkaktojë më shumë dëme ndaj botës së egër

Industria evropiane pretendon se mbrojtjet e rrepta mjedisore po pengojnë ndërtimin e projekteve të reja

Politico

11/05/2026 - 17:20

Vendet e Bashkimit Evropian po shqyrtojnë lejimin që ndërmarrjet industriale të shkaktojnë më shumë dëme ndaj botës së egër, pasi industria evropiane pretendon se mbrojtjet e rrepta mjedisore po pengojnë ndërtimin e projekteve të reja.

Shtetet anëtare të BE-së po shqyrtojnë mundësinë e zbutjes së rregullave për mbrojtjen e kafshëve të egra, në mënyrë që të bëhet më e lehtë ndërtimi i projekteve industriale, edhe nëse kjo sjell vrasjen ose shqetësimin e qëllimshëm të llojeve të mbrojtura.

Propozimi nxjerr në pah përplasjen në rritje mes mbrojtjes së natyrës në Evropë dhe shtytjes së bllokut për të ringjallur industrinë.

Parlamenti Evropian dhe shtetet e BE-së po krijojnë qëndrimet e tyre ndaj propozimit të Komisionit Evropian, të botuar në dhjetor, i cili synon përshpejtimin e vlerësimeve mjedisore për projekte që shtrihen nga energjia e ripërtëritshme dhe rrjetet elektrike deri tek qendrat e të dhënave dhe uzinat e inteligjencës artificiale.

Propozimi do të ripërcaktonte gjithashtu se çfarë quhet “vrasje e qëllimshme” sipas Direktivave për Zogjtë dhe Habitatet. Këto ligje përbëjnë themelin e politikës së BE-së për mbrojtjen e natyrës dhe ndalojnë vrasjen ose shqetësimin e qëllimshëm të llojeve të mbrojtura, përveç rasteve të posaçme, si mbrojtja e shëndetit dhe sigurisë publike ose parandalimi i dëmeve serioze ndaj të mbjellave, bagëtive, pyjeve, peshkimit dhe ujërave.

Propozimi i Komisionit për procedurat e lejeve kërkonte që, nëse ndërtimi, përdorimi ose çmontimi i një projekti sjell herë pas here vrasjen ose shqetësimin e llojeve të mbrojtura, kjo të mos quhet e qëllimshme nëse zhvilluesit marrin “masa zbutëse të përshtatshme dhe përpjesëtimore”.

Qiproja, e cila mban tani presidencën e Këshillit të BE-së, ka parashtruar të shkohet edhe më tej, sipas një dokumenti të 5 majit të parë nga POLITICO.

Propozimi qipriot do të ndryshonte të dy direktivat për Zogjtë dhe Habitatet, duke u lejuar qeverive “të lejojnë vrasjen ose shqetësimin e qëllimshëm të zogjve si pasojë e zbatimit të planeve ose ndërtimit, përdorimit apo çmontimit të projekteve, me kusht që të merren masa zbutëse të përshtatshme dhe përpjesëtimore, duke marrë parasysh teknikat më të mira të mundshme”.

Sipas dokumentit, direktivat duhet të ndryshohen për të “siguruar qartësi ligjore duke ruajtur një shkallë të lartë të mbrojtjes së llojeve”.

Zyrtarët e BE-së do ta shqyrtojnë parashtrimin të hënën në Grupin Antici të Këshillit, i cili bashkërendon punën për uljen e burokracisë në ligjet ekzistuese të BE-së.   

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA