Drejtori i CIA-s shkon në Kubë dhe kërkon ‘ndryshime themelore’ ndryshe…
Zyrtarët amerikanë kanë theksuar se, ndonëse janë të gatshëm për bisedime, nuk do të presin pafundësisht dhe nuk përjashtojnë përdorimin e forcës ushtarake
Financial Times
15/05/2026 - 18:21
Drejtori i CIA-s, John Ratcliffe, udhëtoi drejt Kubës në një mision të rrallë të nivelit të lartë, për t’i kërkuar regjimit kuban “ndryshime themelore”, ndërsa Donald Trampi po shton trysninë mbi qeverinë komuniste për të cliruar ekonominë e vendit.
Takimi i së enjtes ndodhi pasi qeveria në Havana njoftoi se kishte mbetur pa naftë dhe karburant të rëndë, të domosdoshëm për prodhimin e energjisë elektrike, ndërsa SHBA-ja ka bllokuar pothuajse të gjithë naftën që hyn në ishull gjatë katër muajve të fundit.
John Ratcliffe u takua me zyrtarë përfshirë Raul Rodriguez Castro, i cili ka qenë ndërmjetësi i Havanës në bisedimet e fundit me SHBA-në, si edhe me ministrin e Brendshëm Lazaro Alvarez Casas dhe drejtuesin e shërbimeve kubane të zbulimit.
Një zyrtar i CIA-s tha se Ratklifi ua përcolli personalisht zyrtarëve “kumtin e presidentit Tramp se Shtetet e Bashkuara janë të gatshme të përfshihen seriozisht në çështje ekonomike dhe sigurie, por vetëm nëse Kuba bën ndryshime themelore”.
Zyrtarët amerikanë kanë theksuar se, ndonëse janë të gatshëm për bisedime, nuk do të presin pafundësisht dhe nuk përjashtojnë përdorimin e forcës ushtarake.
Ratklifi bisedoi gjithashtu bashkëpunimin në zbulim, qëndrueshmërinë ekonomike dhe çështjet e sigurisë, por SHBA-ja këmbënguli se “Kuba nuk mund të jetë më një strehë e sigurt për kundërshtarët e hemisferës perëndimore”, sipas zyrtarit të CIA-s.
Donald Trump e ka përcaktuar Kubën si shtet mbështetës të terrorizmit. Kuba tha se kishte paraqitur prova “për të vërtetuar kategorikisht se nuk përbën kërcënim për sigurinë kombëtare të SHBA-së”.
Takimi vjen ndërsa SHBA-ja ka shtuar trysninë ndaj Kubës javët e fundit, mes mungesës së përparimit të dukshëm në bisedimet që vazhdojnë që nga shkurti.
Javën e kaluar SHBA-ja vendosi sanksione të reja ndaj Gaesa, ndërmarrjes së drejtuar nga ushtria që luan rol qendror në ekonominë kubane. Trampi, përmes një urdhri ekzekutiv, ndërmori gjithashtu hapa për të lejuar sanksione ndaj ndërmarrjeve të huaja që bëjnë tregti me Kubën.
Sekretari amerikan i Shtetit Marco Rubio, i cili ka pasur rol kryesor në bisedime, deklaroi të martën se Kuba ka “një ekonomi të thyer dhe jo vepruese, dhe është e pamundur të ndryshohet”. Ai shtoi:
“Është mendimi im vetjak se nuk mund të ndryshohet rruga ekonomike e Kubës për sa kohë që njerëzit që e drejtojnë tani mbeten në pushtet.”
Megjithatë, ndërsa SHBA-ja kërkon ndryshime ekonomike dhe politike, ajo deri tani nuk ka bërë thirrje hapur për kalim drejt demokracisë (…) si pjesë e ndonjë marrëveshjeje.
Kuba ka thënë se është e hapur të bisedojë demokracinë, të drejtat e njeriut, biznesin dhe bashkëpunimin me SHBA-në për migracionin dhe trafikun e drogës, por këmbëngul se sistemi i saj politik, juridik, shoqëror dhe ekonomik nuk vihet në tryezë.
Të enjten, Kuba duket se hapi derën për të marrë 100 milionë dollarë ndihmë humanitare amerikane, pasi më herët kishte pasur shenja se Havana e kishte kundërshtuar atë.
Presidenti Miguel Diaz-Canel shkroi tek X:
“Nëse qeveria amerikane është vërtet e gatshme të japë ndihmën në shumën që ka shpallur... nuk do të gjejë pengesa ose mosmirënjohje nga ana e Kubës.”
Ai shtoi se “përparësitë janë të qarta: karburanti, ushqimi dhe shëruesit”.
Fluturimi i Ratklifit, i cili u nis nga Joint Base Andrews në Uashington, është fluturimi i dytë zyrtar amerikan që zbarkon në Kubë që nga viti 2016.
Cilësia e lartë gazetareske kërkon përkushtim dhe dashuri. Ju lutem ndajeni këtë artikull me të tjerë duke përdorur vjegzën/linkun përkatëse
- 7 reads



