...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Kina dhe Rusia ballë i përbashkët kundër hegjemonisë perëndimore - presidentët

Qendrimet e tyre vijnë në kohën kur presidenti amerikan po lufton për hegjemoninë amerikane rreth botës ndërsa përparon politika shoviniste

Ylli Përmeti

22/05/2026 - 08:22

Qendrim i Shisë dhe Putinit pas bisedimeve dypalëshe të majit

Në një qendrim të përbashkët, presidenti kinez Xi Jinping dhe presidenti rus Vladimir Putin vunë theks të veçantë tek kundërshtimi i njëanshmërisë, hegjemonisë dhe përpjekjeve për rishikimin e trashëgimisë historike të Luftës së Dytë Botërore. Xi tha se Kina dhe Rusia do t’i “kundërvihen çdo shfaqjeje të njëanshmërisë dhe hegjemonisë, si edhe çdo përpjekjeje për ta kthyer pas rrotën e historisë”, duke përmendur veçanërisht “veprimet provokuese që synojnë mohimin e përfundimeve të Luftës së Dytë Botërore dhe ringjalljen e shenjave të fashizmit dhe militarizmit”.

Dy udhëheqësit e paraqitën Kinën dhe Rusinë si mbrojtëse të rendit ndërkombëtar të pasluftës dhe të një “bote shumëpolare”, duke e paraqitur bashkëpunimin e tyre si një tjetër mundësi përballë mbizotërimit gjeopolitik perëndimor. Xi argumentoi se bota po përballet me dëme të papara nga veprimet e njëanshme dhe me një rikthim të mundshëm tek “ligji i xhunglës”, ndërsa Putini theksoi se Moska dhe Pekini ndjekin një “politikë të jashtme të pavarur dhe sovrane” dhe bashkërendojnë strategjikisht për ruajtjen e qëndrueshmërisë botërore. Të dy e lidhën bashkëpunimin e tyre në rritje me BRICS, Organizatën e Bashkëpunimit të Shangait, sistemin e OKB-së dhe projektet euroaziatike të ndërthurjes.

Në fushën ekonomike, deklaratat nxorën në pah zgjerimin e shpejtë të marrëdhënieve dypalëshe, me tregtinë që ka kaluar 240 miliardë dollarë, përdorimin në rritje të monedhave kombëtare në vend të dollarit dhe thellimin e bashkëpunimit në energji, LNG, aftësi eletronike, teknologji, rrjete, arsim, media dhe kulturë. Putini nënvizoi se Rusia dhe Kina kanë krijuar në thelb një sistem tregtar të mbrojtur nga “ndikimet e jashtme”, ndërsa Xi e quajti marrëdhënien mes dy vendeve një shembull të marrëdhënieve mes fuqive të mëdha, të mbështetur tek mosrreshtimi, mosballafaqimi dhe mbështetja e ndërsjellë strategjike. Qendrimet e tyre vijnë në kohën kur presidenti amerikan po lufton për hegjemoninë amerikane rreth botës ndërsa mbështet politika shoviniste. Pas tij rendin dhe elitat evropiane. Qendrimet e tyre, rrjedhimisht, lidhen me politikën e jashtme amerikane por dhe evropiane, dhe paralajmërojnë përplajse të ashpra.    

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA