...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

NATO dhe Varshava përshëndesin vendimin e Trampit ndërsa afrohen në “vijën e nxehtë” me Rusinë

Varshava e quajti vendimin dëshmi se Polonia mbetet “aleat i hekurt” i Uashingtonit

Politico

23/05/2026 - 07:06

HELSINGBORG, Suedi — Sekretari i përgjithshëm i NATO, Mark Rutte, përshëndeti të premten njoftimin e papritur të presidentit amerikan Donald Trump për zbarkimin e 5 mijë trupave amerikane në Poloni — një kthesë e fortë pas vendimit të javës së kaluar për të pakësuar praninë ushtarake amerikane në vend.

Qëndrimi u prit me entuziazëm edhe nga politikanët polakë. Duke folur për gazetarët në Suedi gjatë takimit të ministrave të jashtëm të NATO-s, Rute tha se e “mirëpriste” njoftimin dhe vërtetoi se komandantët ushtarakë tashmë po “punojnë për të gjitha hollësitë”. Trampi e shpalli vendimin të enjten në mbrëmje në Truth Social, duke thënë se lidhej me ëndjen e tij për presidentin polak të afërt me MAGA-n, Karol Nawrocki.

Kjo pasoi vendimin e javës së kaluar të sekretarit amerikan të mbrojtjes Pete Hegseth për të ndalur zbarkimin e planifikuar të një brigade të blinduar prej 4 mijë trupash në Poloni — një veprim që kishte habitur Varshavën, një nga aleatët më besnikë evropianë të SHBA-së dhe një nga shpenzuesit më të mëdhenj të mbrojtjes në NATO.

Vendimi i Hegsethit për Poloninë lidhej me një vendim të mëhershëm të Trampit për të ndëshkuar kancelarin gjerman Friedrich Merz për kritikat ndaj luftës kundër Iranit, duke larguar 5 mijë trupa nga Gjermania.

Rute theksoi se zbarkimi i ri nuk do të ndryshonte synimin afatgjatë të NATO-s që “Evropa të bëhet më e fortë”, në mënyrë që “me kalimin e kohës, hap pas hapi”, aleatët evropianë të varen më pak “nga një aleat i vetëm, Shtetet e Bashkuara”.

Sekretari amerikan i shtetit Marco Rubio e vërtetoi këtë drejtim, duke lënë të kuptohet se pakësime të tjera të trupaveamerikane mund të ndodhin. Megjithatë, ai këmbënguli se këto nuk do të ishin masa ndëshkuese dhe do të bashkërendoheshin me aleatët.

“Shtetet e Bashkuara kanë përfshirje botërore që duhet t’i përmbushin përsa i përket zbarkimit të forcave, dhe kjo na detyron vazhdimisht të rishohim se ku i vendosim trupat,” tha Rubio. “Kjo nuk është ndëshkuese, por një proces i vazhdueshëm.”

Rubio shtoi se Trampi do të shprehë “zhgënjimin” e tij ndaj vendeve evropiane në mbledhjen e NATO-s në korrik në Ankara. Më herët këtë javë, Rubio kishte thënë se Uashingtoni ishte “shumë i zhgënjyer nga NATO”, duke veçuar Spanjën për kundërshtimin e përdorimit të bazave ushtarake spanjolle për sulme ndaj Iranit.

Entuziazëm në Varshavë

Zyrtarët në Varshavë përshëndetën lajmin për zbarkimin e trupave. Navrocki falënderoi Trampin për “miqësinë ndaj Polonisë” dhe për “vendimet, ndikimi praktik i të cilave shihet qartë sot”.

“Ksiguria e Polonisë dhe e polakëve është përparësia ime kryesore,” shkroi ai në X.

Këshilltari i tij për politikën e jashtme, Marcin Przydacz, tha se kthesa e politikës ishte pasojë e “diplomacisë presidenciale”, e mbështetur në marrëdhënien vetjake mes dy presidentëve. Trampi kishte mbështetur Navrockin në zgjedhjet polake të vitit të kaluar.

Przydaç sulmoi gjithashtu kryeministrin pro-BE Donald Tusk, duke e dënuar për moskërkimin e rikthimit të trupave amerikane nga “Gjermania e tij e dashur”.

Në një postim në rrjetet shoqërore, Tusku falënderoi të gjithë ata që ndihmuan në ndryshimin e vendimit, përfshirë “presidentin Navrocki, ministrat, anëtarët e Kongresit dhe miqtë e Polonisë në SHBA”.

Ministri polak i mbrojtjes Władysław Kosiniak-Kamysz tha se vendimi i Trampit vërtetoi se lidhjet polako-amerikane mbeten “shumë të forta” dhe e quajti Poloninë “aleat të hekurt” të Uashingtonit.

“Është mirë që luftojmë së bashku për çështjet themelore të sigurisë së atdheut tonë,” shkroi ai në X.

“Gjithçka është mirë kur mbaron mirë,” tha ministri i jashtëm Radosław Sikorski gjatë një paraqitjeje për shtyp në Suedi.

Ai ia mveshi vendimin edhe përpjekjeve të “miqve të Polonisë” në Kongresin amerikan dhe diplomatëve në të dy anët e Atlantikut.

“Vepronim paralelisht, marshonim paralelisht, goditëm së bashku,” tha ai. “Dhe kemi rezultat.”   

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA