...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Evropa nxiton të mbrohet nga lëkundjet e Trampit në NATO ndërsa vazhdon të kruhet me Rusinë

Të gjitha këto kur zëra të rëndësishëm në SHBA dhe Evropë -të sigurisë ndërkombëtare- kanë ditë që shqyrtojnë planin rus për goditjen e Evropës - Ylli Përmeti

Politico

24/05/2026 - 16:46

Udhëheqësit evropianë po provojnë zgjidhje për shqetësimin e ri të NATO-s: si të drejtohet një Amerikë që mund ta mbajë aleancën në këmbë, por edhe ta tronditë atë

PRAGË — Evropa po përpiqet të bëhet “e paprekshme nga Trampi”.

Lëkundjet e Donald Trampit mbi zbarkimin e trupave amerikane në Poloni e kthyen forumin GLOBSEC në Pragë në një pamje paraprake të mënyrës se si Evropa po përpiqet ta mbajë në veprim NATO-n edhe kur Uashingtoni bëhet burim pasigurie.

“Mendoni sa të hutuar janë rusët”, bëri rrengë ministri i jashtëm polak Radosław Sikorski gjatë një bisede të POLITICO-s, pasi u pyet se si Varshava mund të planifikojë mes ndryshimeve amerikane. Sikorski e quajti episodin e trupave “disa keqkuptime”, tha se “gjithçka mbaron mirë kur përfundon mirë” dhe i hodhi poshtë dëmtimet në marrëdhëniet me Uashingtonin si “thjesht një pengesë të vogël”.

Megjithatë, përplasjet e kumteve nga Uashingtoni — nga vendimi i papritur i sekretarit amerikan të mbrojtjes Pete Hegseth për të anuluar dërgimin e planifikuar të 4 mijë trupave në Poloni, e deri tek kthesa e kësaj jave nga Trampi në Truth Social — lanë pakënaqësi të thella në Varshavë.

Sipas një kabllogrami diplomatik amerikan të siguruar nga POLITICO, kumtet e papërputhshme nga SHBA-ja shkaktuan “tronditje të madhe politike dhe psikologjike” në Poloni.

Mësimi që po nxjerr Evropa është se Amerika mbetet thelbësore për mbrojtjen e kontinentit, por tashmë është e paparashikueshme. Presidenti çek Petr Pavel u ankua se problemi “nuk ishin aq shumë tërheqjet, sesa mungesa e njoftimit”.

Aleatët, tha ai, “dikur njoftoheshin” për ndryshimet në numrin dhe praninë e trupave amerikane, ndërsa lëvizjet dramatike në Poloni duket se u shpallën “pa asnjë bashkërendim me NATO-n”. Edhe këshilltarët e presidentit polak të afërt me MAGA-n, Karol Nawrocki, mbetën të hutuar nga ndryshimet e shpejta.

Marcin Przydacz, sekretar shteti pranë presidencës polake, e quajti njftimin nga Uashingtoni “kaotik” dhe theksoi se Polonia është “nga ata që përmbushin 5 për qind të PBB-së”, duke iu drejtuar synimit të NATO-s për shpenzimet ushtarake.

Polonia ka ndjekur modelin e mbajtjes së amerikanëve pranë duke qenë një nga shpenzuesit më të mëdhenj të aleancës për mbrojtjen, duke shmangur kritikat ndaj luftës së nisur nga Trampi kundër Iranit dhe duke blerë dhjetëra miliarda dollarë armë amerikane. Por edhe kjo nuk po garanton besnikëri dhe qëndrueshmëri nga Uashingtoni.

Kjo po paralajmëron pyetjen kryesore të mbledhjes së udhëheqësve të NATO-s në Ankara në korrik: a duhet Evropa të ndjekë kërkesat e kreut të aleancës Mark Rutte për të vazhduar varësinë nga sistemet amerikane të armëve, apo të mbështetet më shumë tek aftësitë e veta?

Gjermania po punon me partnerët për të ndërtuar “një fuqi të re dhe të fortë mbrojtëse për Evropën”, ndërsa pranon se Uashingtoni po përqendrohet gjithnjë e më shumë tek Kina dhe Indo-Paqësori, tha ministri i jashtëm gjerman Johann Wadephul.

Por kjo po krijon edhe përplasje brenda Evropës, pasi shumë vende mbështesin blerjet e shpejta të armëve amerikane për të frenuar kërcënimin rus. Ministri suedez i mbrojtjes Pål Jonson paralajmëroi kundër futjes së një “parapëlqimi evropian” në rregullat e prokurimeve ushtarake të Bashkimit Evropian.

“Përgjegjësia ime e parë është t’u jap armë luftëtarëve”, tha Jonson. “Ndonjëherë ato mund të jenë evropiane, ndonjëherë amerikane dhe ndonjëherë nga Azia.”

Paralajmërimi i Jonsonit erdhi disa javë pasi Thomas DiNanno, nënsekretar amerikan i shtetit për kontrollin e armëve, vizitoi Poloninë, Rumaninë dhe Estoninë. Departamenti amerikan i shtetit tha se takimet e tij në Varshavë me përfaqësues të industrisë amerikane përfshinin diskutime mbi “mbrojtjen ushtarake të BE-së” dhe “Strategjinë Amerika e Para për Zhvendosjen e Armëve”.

Ministrja e jashtme rumune Oana Țoiu e paraqiti gjithashtu ekuilibrin mes pajisjes së ushtrisë dhe forcimit të ndërmarrjeve vendase të mbrojtjes.

“Vendosja e prodhimit në vend ishte shumë e rëndësishme, investimi tek vendet e punës në vend ishte shumë i rëndësishëm”, tha ajo. Bukureshti dëshiron gjithashtu “të krijojë hapësirë për të çuar përpara lidhjet me SHBA-në”, shtoi ajo, duke vërtetuar se plani rumun i prokurimeve përfshin “më shumë se 2 miliardë dollarë” pajisje amerikane.

Nevoja për të balancuar interesat e brendshme me mbajtjen e SHBA-së së drejtuar nga Trampi të lidhur me aleancën pritet të jetë një nga temat kryesore të mbledhjes së Ankarasë.    

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA