...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Zelenski nderoi (edhe një herë) bashkëpunëtorët e nazistëve gjermanë dhe shkakton rragatje ndërkombëtare

Dy ngjarjet kanë rihapur rragatjet (debatet) ndërkombëtare mbi mënyrën se si Ukraina po e rindërton kujtesën e saj historike në mes të luftës me Rusinë, meheshtjen e BE-së dhe SHBA-së

Ylli Përmeti

28/05/2026 - 08:40

Ukraina është përfshirë ditët e fundit në dy rragatje historike dhe politike pas vendimeve të presidentit Volodimir Zelenski për të nderuar figura dhe formacione nacionaliste ukrainase të lidhura me Luftën e Dytë Botërore.

Ngjarja e parë lidhet me rivarrimin me nderime shtetërore të Andrij Melnikut, ish-udhëheqës i Organizatës së Nacionalistëve Ukrainas (OUN), eshtrat e të cilit u sollën nga Luksemburgu dhe u rivarrosën pranë Kievit në praninë e Zelenskit dhe zyrtarëve të lartë ukrainas. Gjatë ceremonisë, Zelenski e quajti Melnikun dhe bashkëshorten e tij “ukrainas të shquar të shekullit XX”.

Ceremonia shkaktoi kundërshtime në Izrael dhe vende të tjera për shkak të rolit historik të OUN-së gjatë Luftës së Dytë Botërore. Sipas kritikëve dhe një pjese të historianëve, fraksione të organizatës bashkëpunuan me Gjermaninë naziste kundër Bashkimit Sovjetik dhe u lidhën me dhunë antisemitike dhe spastrim etnik. Ministria e Jashtme e Izraelit e dënoi ceremoninë, duke e përshkruar Melnikun si “bashkëpunëtor të nazistëve”. Edhe memoriali Yad Vashem shprehu “shqetësim serioz” për nderimin shtetëror të tij.

Rusia gjithashtu e përdori ngjarjen për të përforcuar akuzat e saj të kahershme se Ukraina moderne po rehabiliton figura nacionaliste të lidhura me bashkëpunimin me nazistët. Në të njëjtën kohë, një tjetër rragatë shpërtheu pasi Zelenski i dha një njësie ushtarake ukrainase titullin nderues “Heronjtë e UPA-së”. UPA-ja (Ushtria Kryengritëse Ukrainase) ishte një forcë nacionaliste e armatosur që luftoi për pavarësinë e Ukrainës gjatë dhe pas Luftës së Dytë Botërore.

Në Ukrainë, UPA-ja quhet nga shumë qarqe si simbol i qëndresës kundër sundimit sovjetik. Por në Poloni, Izrael dhe nga shumë historianë perëndimorë, ajo mbetet figurë shumë kundërthënëse për shkak të masakrave ndaj qytetarëve polakë në Volini dhe Galici gjatë viteve 1943–1944, si dhe për shkak të lidhjeve të disa formacioneve nacionaliste me bashkëpunimin me Gjermaninë naziste.

Dy ngjarjet kanë rihapur rragatjet (debatet) ndërkombëtare mbi mënyrën se si Ukraina po e rindërton kujtesën e saj historike në mes të luftës me Rusinë, me heshtjen e BE-së dhe SHBA-së...

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA