...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Banorët e Zvërnecit dhe mërgata “greke” përballë projektit ‘barbar’ të Kushnerit dhe Ramës

Një raportazh i gazetës greke “Kathimerini” ndriçon gati gjithë shqetësimet lidhur me Zvërnecin, ndryshe nga gazetat e përçudnuara shqiptare. Por duhet thënë se gazeta greke i quan banorët e Zvërnecit “bashkëkombas” ose pjesë e pakicës greke në Shqipëri.

Përpiluesja/Redaksia - SHJ (www.shqipëriajonë.org)

31/05/2026 - 19:53

Sipas tij acarimet rreth projektit turistik të lidhur me Jared Kushnerin në zonën e Zvërnecit dhe Lagunës së Nartës janë përshkallëzuar pas nisjes së punimeve dhe rrethimit të pjesëve të bregdetit me tela me gjemba.

Banorë të Zvërnecit pretendojnë se nuk mund të hyjnë më në toka që familjet e tyre i kanë përdorur për dekada për bujqësi dhe kullotje. Ata theksojnë se për shumë prej këtyre pronave ka dokumente kadastrale të lëshuara nga shteti shqiptar, ndërsa një pjesë e çështjeve të pronësisë vazhdojnë të jenë ende në gjykata.

Raporti sjell dëshmitë e banorëve vendas, por edhe të pjesëtarëve të diasporës së Zvërnecit që jetojnë në Greqi, Shtetet e Bashkuara dhe vende të tjera. Sipas tyre, projekti po ecën përpara pa një proces të qartë këshillimi me bashkësinë dhe pa tejdukshmëri të mjaftueshme mbi statusin e pronave.

Një nga zërat kryesorë të cituar është Bledar Aleksandër Konomi, profesor në Universitetin e Sinsinatit me prejardhje nga Zvërneci, i cili e quan gardhin e ngritur në zonë “gardhi i turpit”. Ai thotë se rrethimi është vendosur përpara se të zgjidhen mosmarrëveshjet ligjore dhe pa një proces të qartë e të drejtë dëmshpërblimi për banorët që pretendojnë pronësi mbi tokat.

Banorët dhe përfaqësuesit e diasporës theksojnë se nuk janë kundër zhvillimit ekonomik apo turizmit, por kërkojnë ndjekjen e ligjit, të drejtave të pronësisë, të drejtave të njeriut, mbrojtjes së mjedisit dhe trashëgimisë historike të zonës.

Raporti kujton se banorët ndodhen prej vitesh në procese gjyqësore me një sipërmarrës shqiptar që pretendon pronësi mbi një pjesë të tokave, duke u mbështetur në tituj që, sipas banorëve, datojnë nga periudha osmane. Në disa raste, sipas tyre, gjykatat kanë trajtuar edhe pretendime për dokumente të falsifikuara.

Heshtja e Affinity Partners

Një nga anët më domethënëse të raportit është se banorët e Zvërnecit i janë drejtuar që para dy vitesh Affinity Partners, ndërmarrjes së Jared Kushnerit, për t'i njoftuar mbi përplasjet e pronësisë dhe lidhjen e tyre historike me zonën. Sipas Kathimerinis, banorët u shpjeguan përfaqësuesve të ndërmarrjes se çështjet e pronësisë nuk ishin zgjidhur dhe se ka procese gjyqësore të hapura.

Gazeta thekson se u përpoq të lidhej Affinity Partners për të marrë një qëndrim mbi shqetësimet e banorëve, por nuk mori asnjë përgjigje. Kjo mungesë qendrimi nga ndërmarrja e Kushnerit paraqitet në raport si një nga shqetësimet kryesore të bashkësisë përkatëse, e cila thotë se prej vitesh nuk ka marrë sqarime publike për mënyrën se si do të trajtohen pretendimet e pronësisë dhe kundërshtimet e banorëve.

Pretendimet për shkelje procedurash dhe ligjesh

Veprimtarë mjedisorë të pyetur nga Kathimerini pretendojnë se punimet kanë nisur me mungesë tejdukshmërie dhe pa sqarime të plota publike mbi bazën ligjore të ndërhyrjeve. Sipas organizatave mjedisore:

• janë hapur rrugë të reja;

• janë niveluar dunat ranore;

• janë prekur kodra natyrore të mbrojtura;

• janë dëmtuar zona me bimësi dhe pyje.

Ata thonë se këto ndërhyrje po kryhen në një zonë me biodiversitet të jashtëzakonshëm, ku dimërojnë mesatarisht rreth 20 mijë shpendë ujorë. Përfaqësues të organizatave PPNEA, Shoqatës Ornitologjike Shqiptare dhe Riverwatch shprehin shqetësimin se ndërhyrjet mund të krijojnë një shembull për zhvillime të tjera turistike në të ardhmen në zonën Vjosë–Nartë.

Qendrimi i investitorëve dhe i qeverisë shqiptare

Avokati që përfaqëson grupin e investitorëve deklaroi për Kathimerini se gardhi është vendosur për arsye të sigurisë publike dhe se investitorët janë të gatshëm të shqyrtojnë çdo pretendim të mbështetur ligjërisht nga qytetarët. Sipas tij është respektuar ligji shqiptar; investimi në zonën e Zvërnecit mund të kalojë 4 miliardë dollarë; dhe projekti mund të krijojë mbi 10 mijë vende pune të drejtëpërdrejta dhe të tërthorta. Nga ana tjetër, kryeministri Edi Rama citohet të ketë deklaruar se bisedimet për projektin në Sazan nuk kanë përfunduar ende; dhe çështja e Zvërnecit lidhet me prona private dhe jo me tokë shtetërore.

Kundërshtitë dhe ndodhitë

Raporti përshkruan gjithashtu protestat e organizuara nga banorët e Zvërnecit dhe diaspora e tyre në Greqi. Sipas Kathimerinis, banorë nga Athina, Selaniku, Patra dhe vende të tjera udhëtuan drejt Shqipërisë për të protestuar pranë gardhit dhe për të kërkuar rikthimin e qasjes në plazhe.

Gjatë protestës ndodhën përplasje të rënda. Gazeta shkruan se një banor u tërhoq zvarrë dhe u godit nga persona pa shenja identifikuese, në praninë e forcave policore shqiptare. Pas ndodhisë, Ministria e Jashtme e Greqisë paraqiti protestë zyrtare ndaj qeverisë shqiptare për plagosjen e një shtetasi grek.

Dy projektet: Zvërneci dhe Sazani

Kathimerini vëren se projekti i Kushnerit nuk kufizohet vetëm tek bregdeti përballë Zvërnecit. Në fund të vitit 2024, Jared Kushner mori statusin e investitorit strategjik për një resort luksoz edhe në ishullin e Sazanit. Sipas raportimeve të cituara nga gazeta, investimi në Sazan parashikohet të arrijë rreth 1.4 miliardë euro; dhe gjatë ndërtimit mund të punësohen deri në 1.000 persona.

Gazeta nënvizon se, përveç debateve mbi pronësinë dhe mjedisin, mbeten të pazgjidhura edhe çështje teknike si furnizimi me ujë dhe energji i Sazanit, si dhe pastrimi i ishullit dhe zonës detare nga municione të pashpërthyera të mbetura nga Lufta e Dytë Botërore dhe periudhat pasuese.

Përfundimi i raportit

Sipas gazetës greke projekti po ecën përpara ndërsa konfliktet e pronësisë mbeten të hapura; bashkësia lokale dhe diaspora pretendojnë se nuk janë dëgjuar sa duhet; organizatat mjedisore flasin për dëmtime të mundshme në një zonë të mbrojtur me rëndësi mesdhetare; Affinity Partners nuk ka dhënë përgjigje publike ndaj shqetësimeve që banorët thonë se ia kanë paraqitur prej vitesh; dhe qeveria shqiptare mbështet vazhdimin e procesit, duke thënë se po ndiqen procedurat ligjore dhe se projekti mund të sjellë përfitime të mëdha ekonomike. Kjo është arsyeja pse raporti e paraqet çështjen e Zvërnecit jo thjesht si një rragatë (debat) për një resort turistik, por si një përplasje mes zhvillimit ekonomik, të drejtave të pronësisë, mbrojtjes së mjedisit dhe të drejtës së bashkësisë lokale për t'u dëgjuar.   

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA