Ngritja tregtare e Kushnerit me parátë arabe dhe lidhjet izraelite dhe prapaskena e përvetësimit të Sazanit
Dhëndri i presidentit amerikan ka ndërtuar një veprimtari të gjerë ndërkombëtare, pjesërisht mbi marrëdhëniet që krijoi gjatë kohës së tij në Shtëpinë e Bardhë gjatë mandatit të parë të Donald Trampit
Financial Times (3 shkurt 2025)
11/06/2026 - 09:58
Jared Kushneri e ka ndërtuar pasurinë e tij përmes një ndërmarrjeje të kapitalit privat, “Affinity Partners”, duke shfrytëzuar marrëdhëniet e nivelit të lartë politik të krijuara gjatë presidencës së Donald Trampit dhe punës (...) së tij në diplomacinë e Lindjes së Mesme. Ai ka tërhequr miliarda dollarë kapital kryesisht nga fondet sovrane të pasurisë në Arabinë Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Katar, duke fituar tarifa të rëndësishme dhe duke zgjeruar investimet në teknologji, financa dhe pasuri të paluajtshme. Strategjia e tij është përqendruar në përdorimin e qasjes dhe besimit politik të ndërtuar me udhëheqës në Lindjen e Mesme dhe më gjerë, për t’u pozicionuar si ndërmjetës në marrëveshje ndërkufitare.
Një nga zgjerimet e tij është përfshirja në projekte të mëdha zhvillimi luksoz në Ballkan, përfshirë një rrjet të planifikuar me vlerë 1.4 miliardë dollarë në ishullin Sazan në Shqipëri, i miratuar në parim nga qeveria shqiptare, çka pasqyron si ambicien e tij për të ankoruar perandorinë e biznesit në asete afatgjata të pasurive të paluajtshme, ashtu edhe modelin më të gjerë të shndërrimit të marrëdhënieve politike në mundësi tregtare në shkallë të madhe, të lidhura me kapital sovran. Kushneri, si i tillë, përbën një nga ato raste që tregon se prania e tij në pushtetin e politik e bën atë shpejtë miliarder dhe “diplomat” mes shtetesh pa kaluar nga sprova e të qenit vërtet tregtar i mbrothët.
Xhared Kushneri po lundronte me jaht në Mesdhe me familjen e tij në verën e vitit 2021, disa muaj pas përfundimit të mandatit të parë të trazuar të vjehrrit të tij, Donald Trampit. Teksa jahti i tyre ishte ankoruar pranë bregdetit shqiptar, ai i kërkoi një miku të ndihmonte për të ndërmjetësuar një takim në bord me kryeministrin e vendit, Edi Ramën.
Gjatë darkës, Rama, i njohur për natyrën e tij të çlirët, krijoi një marrëdhënie miqësore me Kushnerin dhe bisedoi me të për bregdetin mahnitës shqiptar të Adriatikut, i cili shpesh anashkalohet nga turistët e pasur që lëvizin mes Italisë dhe ishujve grekë.
“Kushneri nuk përmendi investime,” kujton Rama. “Ai thjesht pyeste për Shqipërinë… Praktikisht ata nuk dinin asgjë për historinë shqiptare.”
Shpaja e Kushnerit u largua të nesërmen. Kur u takuan përsëri në Davos disa muaj më vonë, Rama thotë se Kushneri i tregoi se i kishte pëlqyer Shqipëria. Kushneri kishte takuar Mohamed Alabarin, miliarderin nga Gjiri Persik që po ndërton një marinë luksoze në portin shqiptar të Durrësit, dhe të dy kishin biseduar një investim të mundshëm, thotë Rama.
“I thashë se kjo do të ishte e jashtëzakonshme.”
Kushneri e vizitoi përsëri Shqipërinë në verën e vitit 2023 me një grup më të madh, ku përfshihej edhe Riçard Greneli, një aleat energjik i Trampit që kishte shërbyer gjatë mandatit të tij të parë si përfaqësues për Ballkanin dhe që më vonë u emërua i dërguar i posaçëm gjatë mandatit të dytë të Trampit.
“Ata qëndruan rreth një javë, duke vizituar vende të ndryshme,” thotë Rama. “Këtë herë, Kushneri ishte i drejtpërdrejtë: ‘Ne kemi dëshirë të investojmë.’”
Më 30 dhjetor të vitit të kaluar, vetëm tri javë para rikthimit të Trampit në Shtëpinë e Bardhë, qeveria shqiptare dha miratimin paraprak që Kushneri të zhvillojë një rrjet luksoz pushimi me vlerë 1.4 miliardë dollarë në Sazan, ishullin e vetëm të Shqipërisë në Mesdhe.
Ky është një nga investimet më të dukshme deri tani të ndërmarrjes së tij të kapitalit privat Affinity Partners, të cilën Kushneri e krijoi menjëherë pas përfundimit të mandatit të parë të Trampit, kryesisht me mjete financiare nga Arabia Saudite.
Marrëveshja në Shqipëri është një dritare për të parë veprimtarinë ekonomike që Kushneri ka ngritur që nga largimi i tij nga posti i këshilltarit të lartë në Shtëpinë e Bardhë, ku ai ishte një figurë qendrore në një numër çështjesh të politikës së jashtme, sidomos në Lindjen e Mesme, dhe ku shumë diplomatë e quanin një zgjidhës të aftë të shqetësimeve.
Para ndërprerjes së tij me politikën, Kushneri ishte një zhvillues pasurish të paluajtshme, i përqendruar kryesisht në qytetin e Nju Jorkut. Megjithatë, që prej largimit nga Uashingtoni, ai ka ndërtuar një portofol ndërkombëtar pjesëmarrjesh në ndërmarrje dhe pronash, që shtrihet në Evropën Lindore, vendet e Gjirit dhe Amerikën Latine.
Shumë prej këtyre marrëveshjeve janë lehtësuar nga kontaktet që ai krijoi gjatë kohës në qeveri — ose nga pesha që i jepte fakti se kishte qenë një nga këshilltarët më të besuar të vjehrrit të tij.
Kushneri ka treguar aftësinë për të shndërruar marrëdhëniet dhe afërsinë me pushtetin në investime të mëdha. Në një rast, ai tani po përpiqet të bëhet një urë lidhëse për investitorët nga Gjiri që janë të interesuar të vendosin para në sektorin dinamik privat të Izraelit.
Kushneri thotë se modeli i tij i veprimtarisë bazohet në aftësinë për të parë prirjet përpara të tjerëve.
“Unë ndihem shumë i qetë duke shkuar kundër rrymës,” i thotë ai Financial Times. “Isha i gatshëm të mbështesja Trampin kur njerëzit në rrethin tim mendonin se kjo nuk ishte e popullarizuar ose e zgjuar. Besova se mund të arrija përparim në Lindjen e Mesme kur të gjithë më thoshin se isha i çmendur.”
Edhe përpara se Trampi të fitonte sërish zgjedhjet, Kushneri përballej me pretendime për përplasje të mundshme interesash. Demokratët kanë thënë se investitorët në vendet e Gjirit mund ta shihnin dhënien e fondeve për Kushnerin si një mënyrë për të fituar pëlqimin e Trampit.
Këto pyetje ka gjasa vetëm të shtohen tani që Trampi është kthyer në Shtëpinë e Bardhë. Kushneri nuk mban një rol zyrtar, por ai është vënë në dispozicion për të këshilluar administratën mbi çështje të caktuara. Në veçanti, ai është i përqendruar tek mundësia e një afrimi mes Arabisë Saudite dhe Izraelit, dy vende ku ai ka lidhje të forta politike.
Por kjo do të nënkuptonte që ai të jepte këshilla mbi një çështje që prek shtetin saudit, i cili njëkohësisht është një nga investitorët më të mëdhenj në Affinity.
“Kam frikë se Kushneri, ashtu si edhe anëtarë të tjerë të familjes Tramp, do të fitojë përparësi financiare duke përdorur statusin e tij për të lënë të kuptohet se mund të ndikojë në politikën e administratës,” thotë Majkëll Melcner, profesor i së drejtës në Universitetin Northeastern.
Kushneri këmbëngul se nuk ka përplasje interesi dhe se shumica e kritikave janë politikë partiake.
“Këto nuk janë shqyrtime të ligjshme,” thotë ai. “Është një sulm me motive politike që nuk ka asnjë bazë.”
Trashëgimtari i një perandorie të pasurive të paluajtshme në Nju Jork, Kushneri bëri fitimet e tij të para kur ishte student në Universitetin e Harvardit në fillim të viteve 2000, duke blerë apartamente me vlerë 9 milionë dollarë në një periferi punëtore të Bostonit dhe duke i shitur më vonë për pothuajse dyfishin e çmimit, pasi zona u pasurua.
Por një provë përcaktuese erdhi pak para krizës financiare. Në vitin 2005, ai mori drejtimin e veprimtarisë familjare të pasurive të paluajtshme kur babai i tij, Çarls Kushneri, u burgos për akuza të mashtrimit tatimor dhe pengimit të drejtësisë.
Çarls u akuzua se kishte paguar një prostitutë për të joshur kunatin e tij, i cili po bashkëpunonte me autoritetet. Ai u fal nga Trampi në vitin 2020 dhe më pas u emërua si i zgjedhuri i Trampit për ambasador të ardhshëm të Shteteve të Bashkuara në Francë.
Familja Kushner bëri bujë në vitin 2007 duke shitur prona në lagjet e jashtme të Nju Jorkut për të financuar blerjen prej 1.8 miliardë dollarësh të një rrokaqielli në Avenynë e Pestë.
Koha ishte tepër e pafavorshme dhe vlera e pronës shpejt ra nën nivelin e borxhit të saj. Kjo solli vite të tëra bisedimesh, gjatë të cilave Kushneri dhe ati i tij mbajtën kreditorët larg dhe vazhduan të investonin fuqishëm, duke vendosur miliarda dollarë në marrëveshje të pasurive të paluajtshme.
Në vitin 2011, Kushneri shiti hapësirat tregtare të ndërtesës për 1 miliard dollarë për të ulur huanë e saj, por vështirësitë financiare vazhduan thellë gjatë mandatit të parë të Trampit.
Në vitin 2018, gjiganti kanadez i pasurive të paluajtshme Brookfield pagoi 1.1 miliardë dollarë për të marrë drejtimin e ndërtesës, duke i lejuar Kushnerit të shlyente huatë e rënda dhe të ruante një interes në kontratën e qirasë së tokës.
Deri atëherë, Kushneri ishte një nga këshilltarët me më shumë ndikim në Shtëpinë e Bardhë. Ai kishte krijuar lidhje të thella me figura kyçe në Lindjen e Mesme, duke ndërtuar miqësi me kryeministrin izraelit Benjamin Netanjahu, princin e kurorës së Arabisë Saudite Mohamed bin Salman dhe sheikun Mohamed bin Zajed al Nahjan, presidentin e Emirateve të Bashkuara Arabe.
Kushneri ishte në vijën e parë të bisedimeve amerikane për Marrëveshjet e Abrahamit, të cilat çuan në normalizimin e marrëdhënieve të Izraelit me Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Bahreinin. Dhe ai e shndërroi këtë mbarësi diplomatike në një mundësi ekonomike.
Në janar të vitit 2021, ai krijoi Affinity me synimin për të investuar në fusha si zgjuarsia artificiale dhe energjia e pastër. Një nga mbështetësit e parë dhe më të mëdhenj ishte fondi sovran i pasurisë së Arabisë Saudite, i cili investoi 2 miliardë dollarë — pothuajse të gjithë kapitalin e parë të jashtëm të ndërmarrjes. Vitit të kaluar, Kushneri siguroi edhe 1.5 miliardë dollarë të tjerë nga Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Katari, dhe tani zotëron 4.6 miliardë dollarë.
Mbledhja e një sasie kaq të madhe kapitali për një ndërmarrje të vogël me pothuajse asnjë histori të mëparshme investimesh e vendosi Kushnerin në një pozitë ku mund të fitonte para thjesht duke zotëruar fondet.
Me një tarifë prej 1.25 për qind të kapitalit të investitorëve, Affinity mund të sigurojë miliona dollarë çdo vit në tarifa zotërimi, ndërsa pjesa më e madhe e të ardhurave që mbeten pas shpenzimeve të veprimtarisë shkon për Kushnerin, pronarin kryesor të saj. Për të përfituar tarifat shumë më fitimprurëse që varen nga rezultatet, investimet e Kushnerit duhet të arrijnë nivele të larta fitimi.
Grupi i tij i ri i kapitalit privat, i vendosur në një rrokaqiell buzë ujit në Majami, ku ka zyra edhe financieri miliarder Karl Ajkan, filloi punën me rreth dy duzina punonjësish. Midis tyre ishin edhe ish-zyrtarë të Shtëpisë së Bardhë si Avi Berkoviç, një nga drejtuesit e punës për Marrëveshjet e Abrahamit, Kevin Haset, këshilltar ekonomik i Trampit, dhe Tomas Stork, ish-zëvendësdrejtor për ekonominë ndërkombëtare.
Ekipi i investimeve përfshin gjithashtu Luis Videgarajin, ish-ministër i jashtëm i Meksikës.
Megjithatë, ndërmarrja ka pasur lëvizje të rëndësishme të punonjësve, me disa nga punonjësit e parë që janë kthyer më vonë në poste qeveritare. Gjatë vitit të parë të plotë të investimeve, Affinity realizoi tri marrëveshje të mëdha, përfshirë një investim prej 200 milionë dollarësh në Mosaic, një ndërmarrje që financon pajisje për energjinë diellore të vendosura në çati.
Marrëveshje të tjera të hershme përfshinin Dubizzle, një ndërmarrje me bazë në Emiratet e Bashkuara Arabe për shpallje në internet, dhe Unybrands, një ndërmarrje që bashkon shitës në tregun elektronik të Amazonit, e mbështetur nga ish-drejtuesi i WeWork, Adam Nojman, me të cilin Kushneri kishte krijuar miqësi vite më parë.
Më vonë, ai investoi qindra milionë dollarë dhe mori një vend në bordin drejtues të QXO, një mjet blerjesh i udhëhequr nga financieri miliarder Bredli Xhejkobz, i cili së fundmi nisi një përpjekje prej 11 miliardë dollarësh për të marrë me forcë drejtimin e një ndërmarrjeje amerikane të lëndëve të ndërtimit.
Kushneri ka krijuar gjithashtu pjesëmarrje të mëdha në dy ndërmarrje të rëndësishme izraelite, përfshirë Phoenix Financial, një grup të madh sigurimesh që zotëron më shumë se 100 miliardë dollarë pasuri të klientëve në rajon. Ai beson se lidhjet e tij të veçanta si në Izrael ashtu edhe në vendet e Gjirit e bëjnë një ndërmjetës të besueshëm.
“Affinity ka të bëjë me bashkimin e njerëzve për të bërë të mundura gjëra që përndryshe nuk do të ndodhnin,” thotë ai.
Në vitin 2023, një fond shtetëror nga Emiratet e Bashkuara Arabe kishte tentuar të investonte në Phoenix, por u bllokua nga rregullatorët izraelitë. Megjithatë, investimi i Kushnerit, i mbështetur nga fonde saudite, emirate dhe nga Katari, mori miratimin. Marrëveshjet e para të Affinity nuk kanë sjellë ende fitime të mëdha.
Unybrands hasi vështirësi për shkak të ngadalësimit të rritjes dhe nuk paraqiti dokumentet financiare për dy vjet, gjë që ngriti dyshime mbi gjendjen e saj ekonomike. Rënia e rivalit të saj më të madh, Thrasio, ngriti pikëpyetje mbi të ardhmen e ndërmarrjeve që grumbullojnë shitës të Amazonit.
Affinity thotë se Unybrands ka rrjedhë pozitive të mjeteve financiare. Mosaic Solar, marrëveshja e parë e shpallur nga Affinity, po përballet me trysni nga shkurtimet e subvencioneve për energjinë e ripërtëritshme nën administratën e re të Trampit.
Ndërmarrja ka investuar më shumë se 2 miliardë dollarë dhe ka zotuar edhe 1 miliard dollarë të tjerë për investime, por deri tani nuk u ka kthyer shumë para investitorëve, sipas një hetimi të Senatit vitin e kaluar. Megjithatë, në botën e kapitalit privat, investitorët zakonisht dalin nga investimet pas rreth pesë vjetësh, ndaj mungesa e kthimeve nga Affinity nuk është ende diçka e pazakontë.
Por jo të gjitha investimet kanë pasur vështirësi. Ndërmarrja gjermane e pajisjeve të fitnesit EGYM, e mbështetur nga Affinity, së fundmi mblodhi 200 milionë dollarë me një vlerësim të përgjithshëm prej mbi 1 miliard dollarësh, afërsisht dy herë më shumë se kostoja fillestare e investimit. Vlera në treg e Phoenix dhe QXO është rritur gjithashtu që nga investimet e para të Affinity.
Kushneri tani po zhvillon bisedime për marrëveshje në fushën e zgjuarsisë artificiale dhe qendrave të të dhënave që mund të vlejnë miliarda dollarë. Ai po bisedon gjithashtu një marrëveshje të madhe në Meksikë për një ndërmarrje të përpunimit të mbetjeve, një vend me të cilin ishte shumë i përfshirë edhe gjatë kohës së tij në Shtëpinë e Bardhë, duke besuar se Meksika do të shohë rritje të veprimtarisë industriale për shkak të zhvendosjes më pranë të zinxhirëve amerikanë të furnizimit.
Megjithatë, kërcënimi i tarifave doganore mund ta pengojë këtë marrëveshje. Një investitor i afërt me Kushnerin thotë se “ai është i përqendruar në ndërtimin e veprimtarisë së tij të investimeve”. Ai shton: “Kushneri patjetër ka diçka për të provuar në këtë fushë.” Pas fillimit me kujdes për t’u larguar nga pasuritë e paluajtshme, Affinity është rikthyer sërish në botën e pronave — por kësaj here larg Manhatanit. Marrëveshja e parë u mbështet në lidhjet me udhëheqës politikë që ishin krijuar gjatë mandatit të parë të Trampit.
Në Beograd, kryeqytetin e Serbisë, Affinity ka marrë me qira vendin e ish-Ministrisë së Mbrojtjes të Jugosllavisë, e cila po shembet dhe po rindërtohet në një hotel luksoz dhe një kompleks banimi. Presidenti serb Aleksandar Vuçiç, i cili kishte marrëdhënie të mira me qeverinë e parë të Trampit, i tha Financial Times vitin e kaluar se ishte shumë krenar për projektin. “Ai do të sjellë më shumë investitorë — dhe kjo do të sjellë gjithnjë e më shumë njerëz në Beograd,” tha ai. “Kjo është e mirë për miqësinë serbo-amerikane.”
Greneli, i cili ishte shumë i përfshirë në diplomacinë në Ballkanin Perëndimor në fund të mandatit të parë të Trampit, e ka paraqitur marrëveshjen si pjesë të një përpjekjeje për të përmirësuar lidhjet e Serbisë me Perëndimin dhe për ta larguar atë nga Rusia, aleatja e saj historike.
“Greneli nuk u largua kurrë,” thotë Zorana Mihajloviç, ish-zëvendëskryeministre e Serbisë për tetë vjet deri në vitin 2022. “Ai ka qenë gjithmonë këtu.” Edhe Rama, kryeministri i Shqipërisë, është shumë i kënaqur me investimin në vendin e tij. “Afërsia e Trampit me marrëveshjen për qendrën luksoze të pushimit është një vlerë e shtuar e madhe, nuk mund ta fsheh,” thotë ai.
“Pasi Xharedi shpalli marrëveshjen, çmimet e pasurive të paluajtshme në Vlorë patën një rritje të dukshme.” Sipas Ramës, duke u përqendruar tek klientët superluksozë, projekti i Kushnerit do ta ndihmojë Shqipërinë të përfitojë nga turizmi pa shkaktuar aq shumë dëme në zonat e mbrojtura natyrore sa do të sillte një zhvillim masiv turistik.
“Ne kemi nevojë për turizëm superluksoz në këtë vend ashtu si shkretëtira ka nevojë për ujë,” thotë ai. “Ajo që fiton nga 500 jahte është e njëjtë me atë që fiton nga 40 mijë turistë me buxhet të ulët.” Por është Lindja e Mesme ajo që paraqet njëkohësisht fitimet më të mëdha të mundshme dhe përplasjet më të mëdha të mundshme të interesave.
Në një bisedë në Universitetin e Harvardit vitin e kaluar, Kushneri e përshkroi Mohamed bin Salmanin si një “mik” dhe tha se të dy zhvillonin biseda të rregullta. Ai mori për vete një pjesë të meritës për afrimin e Arabisë Saudite në qendër të strategjisë së qeverisë së parë të Trampit për Lindjen e Mesme.
Kushneri tha se Trampi kishte hyrë në detyrë i gatshëm të ishte i ashpër me Arabinë Saudite, derisa bin Salman i paraqiti atij planet e tij për ta modernizuar mbretërinë — nga lejimi i grave për të drejtuar automjete deri te lufta kundër ekstremizmit. Brenda pak kohe, Arabia Saudite u zgjodh si vendi i vizitës së parë jashtë shtetit të Trampit si president.
“Ai ka një marrëdhënie të ngushtë me princin e kurorës Mohamed bin Salman dhe ata që kanë punuar me të thonë se ai ka kuptimin e duhur kulturor për të vepruar në atë rajon,” thotë Helima Kroft, ish-analiste e CIA-s dhe tani drejtuese e studimeve për Lindjen e Mesme në RBC Capital Markets. “Ai ka prirjen të dëgjojë më shumë sesa të mbajë leksione dhe shpenzon kohën e nevojshme me figurat kryesore.”
“Nëse qeveria e Trampit është serioze për normalizimin mes Arabisë Saudite dhe Izraelit, dyshoj se ata do të duan ta kenë Xharedin në ekip, edhe nëse këtë herë ai qëndron më shumë në prapaskenë.” Edhe pse ai nuk do të marrë një post në administratë, Kushneri thotë: “Unë jam këtu për të ndihmuar dhe për të dhënë këshilla kur të jetë e nevojshme.” Megjithatë, edhe një rol jozyrtar në diplomacinë e qeverisë do të sjellë një vëzhgim më të madh.
Që nga krijimi i saj, Affinity është parë me dyshim në Uashington, veçanërisht nga ligjvënësit demokratë, të cilët i kanë përshkruar milionat e dollarëve që ajo fiton çdo vit nga tarifat e paguara nga investitorë sauditë dhe emiratas si një formë ndikimi të huaj.
“Investitorët e Affinity mund të mos udhëhiqen nga qëllime tregtare, por nga mundësia për të kanalizuar para të qeverive të huaja drejt anëtarëve të familjes së presidentit Tramp, konkretisht Xhared Kushnerit dhe Ivanka Trampit,” tha senatori Ron Uajden gjatë një hetimi të komisionit të financave të Senatit.
Shqetësimi i disa ekspertëve të sigurisë kombëtare është se Kushneri po përfiton nga lidhjet e krijuara gjatë kohës së tij në qeveri dhe se, duke pasur marrëdhënien e tij të afërt me Trampin, ai mund të përdoret për të shërbyer interesat e shteteve të huaja në çështje të ndjeshme diplomatike.
Uajdeni dhe Xhemi Raskin, anëtar i komisionit të mbikëqyrjes dhe përgjegjësisë në Dhomën e Përfaqësuesve, kërkuan në tetor që Departamenti i Drejtësisë të emëronte një këshilltar të posaçëm për të hetuar veprimtaritë ekonomike të Kushnerit.
“Ndërsa është në listën e pagesave të qeverisë saudite, zoti Kushner njëkohësisht shërben si këshilltar politik i presidentit të mëparshëm Tramp dhe vepron si një diplomat në hije dhe këshilltar politik për princin e kurorës Mohamed bin Salman dhe për përfaqësues të tjerë të huaj,” thanë ata në një deklaratë. Megjithë kritikat, Kushneri nuk është akuzuar kurrë për shkelje të ligjit.
“Këta njerëz nuk do ta pranojnë se unë kam një histori të jashtëzakonshme suksesi në Lindjen e Mesme,” thotë ai për politikanët demokratë. “Unë kam ato marrëdhënie të shkëlqyera për shkak të mbrothësisë që arrita, një gjë për të cilën u kritikova në çdo hap të rrugës.” Kushneri thotë se Affinity ka vepruar gjithmonë në mënyrë të duhur. “Shumë prej këtyre njerëzve do të thonë se çdo gjë është një përplasje interesi. Unë nuk do të lejoj që kjo të më ndalojë.”
Disa ekspertë të etikës besojnë se Trampi dhe anëtarët e familjes së tij mund të ndihen të lirë të veprojnë pa kufizime edhe për shkak të sjelljes së qeverisë së Xho Bajdenit dhe të djalit të tij, Hanter Bajden, i cili gjithashtu u përball me kritika për veprimtaritë e tij ekonomike, përfshirë ato në Ukrainë.
Hanter Bajden u dënua për një çështje të veçantë që nuk lidhej me veprimtaritë e tij ekonomike dhe më vonë mori falje presidenciale. Riçard Pejnter, ish-këshilltari kryesor për etikën në Shtëpinë e Bardhë gjatë administratës së Xhorxh W. Bushit, thotë se në mënyrë ideale fëmijët e presidentit — dhe dhëndri i tij — duhet të tërhiqen nga marrëveshjet ekonomike që mund të krijojnë përshtypjen e një përplasjeje interesash.
“Në të kaluarën ekzistonte kuptimi se anëtarët e familjeve të presidentëve duhet të shmangnin situatat që mund të krijonin përshtypjen se njerëzit bënin biznes me ta për të fituar favore nga presidenti,” thotë ai. “Por për fat të keq, mendoj se si me qeverinë e parë të Trampit ashtu edhe me qeverinë e Bajdenit në rastin e Hanter Bajdenit… ne tashmë kemi kaluar përtej asaj norme.”
Cilësia e lartë gazetareske kërkon përkushtim dhe dashuri. Ju lutem ndajeni këtë artikull me të tjerë duke përdorur vjegzën/linkun përkatëse
- 25 reads



