Parlamenti Evropian bëhet palë me Athinën kundër Turqisë
Me një shumicë votazh eurodeputët mbështesin rrëfenjën e Athinës kundër Turqisë; ata dënojnë ‘casus belin’ e Turqisë por nuk dënojnë shkeljet e traktateve të Greqisë dhe nuk dënojnë ‘casus belin’ e Greqisë kundër Shqipërisë
Kathimerini
19/06/2026 - 08:42
Parlamenti Evropian dënon “Atdheun Blu” të Turqisë – në tryezë edhe mundësia e ndëshkimeve kundër zyrtarëve turq
Me një nga vendimet më të ashpra të viteve të fundit ndaj Turqisë, Parlamenti Evropian dënoi sërish shkeljet e të drejtave sovrane të Greqisë dhe Qipros, si edhe nxitjen e doktrinës së ashtuquajtur “Atdheu Blu”. Njëkohësisht, eurodeputetët paralajmëruan se Ankaraja po humbet “dritaren e mundësisë” për afrim me Bashkimin Evropian për shkak të rrëshqitjes së vazhdueshme drejt një modeli sundimi autoritar.
Rezoluta u miratua në Strasburg me 381 vota pro, 107 kundër dhe 171 abstenime, duke pasqyruar shqetësimin e gjerë të Parlamentit Evropian për drejtimin që po merr Turqia. Raportuesi i dokumentit, Naço Sançez Amor, kritikoi ashpër udhëheqjen turke, por edhe heshtjen e institucioneve evropiane përballë dobësimit të demokracisë në vend. Sipas tij, Turqia po lëviz me shpejtësi drejt një modeli plotësisht autoritar të qeverisjes, ndërsa drejtësia po përdoret për qëllime politike.
Në qendër të kritikave qëndron arrestimi i kryebashkiakut të Stambollit, Ekrem Imamoglu, ndjekja penale e kundërshtarëve politikë të Rexhep Tajip Erdoganit, ndërhyrjet në drejtësi, trysnia ndaj gazetarëve dhe mjeteve të njoftimit, si edhe ngushtimi i lirive politike dhe qytetare. Eurodeputetët quajnë se ndjekja e Imamoglut mbart shenja të qarta të ndërhyrjes politike dhe synon përjashtimin e rivalit kryesor të Erdoganit nga gara e ardhshme presidenciale.
Për shkak të kësaj rrëshqitjeje autoritare, Parlamenti Evropian i kërkon shefes së diplomacisë së BE-së, Kaja Kallas, të shqyrtojë edhe vendosjen e ndëshkimeve të synuara kundër zyrtarëve turq të përfshirë në shkelje të rënda të të drejtave të njeriut. Ndër masat e përmendura është edhe ngrirja e pasurive brenda Bashkimit Evropian.
Megjithatë, pavarësisht gjuhës së ashpër, Parlamenti Evropian vazhdon ta quajë Turqinë një partner strategjik dhe aleat të rëndësishëm në NATO, duke njohur rolin e saj në çështjet e migrimit, sigurisë rajonale, tregtisë, energjisë, si edhe në zhvillimet që lidhen me Ukrainën dhe Lindjen e Mesme.
Në raport i kushtohet rëndësi edhe marrëdhënieve greko-turke. Eurodeputetët përshëndesin vazhdimin e dialogut mes Athinës dhe Ankarasë, por njëkohësisht dënojnë ruajtjen e kërcënimit për luftë (casus belli) kundër Greqisë, të cilin e quajnë të papranueshëm mes aleatëve. Ata dënojnë gjithashtu veprimet që vënë në pikëpyetje të drejtat sovrane të Greqisë dhe Qipros, përfshirë përmes nxitjes së doktrinës “Atdheu Blu”.
Raporti thekson rritjen e shkeljeve të hapësirës ajrore greke krahasuar me vitin 2024, përdorimin politik të sistemit NAVTEX dhe pengimin e projekteve me dobi të përbashkët evropian, si Great Sea Interconnector. Gjithashtu përsëritet qëndrimi se memorandumi detar Turqi–Libi cenon të drejtat sovrane të shteteve të treta, nuk përputhet me të drejtën e detit dhe nuk prodhon pasoja juridike.
Për çështjen e Qipros, Parlamenti Evropian hedh poshtë sërish zgjidhjen me dy shtete të mbështetur nga Ankaraja dhe rithekson se e vetmja bazë e pranueshme mbetet federata dykomunale dhe bizonale, në përputhje me rezolutat e Organizatës së Kombeve të Bashkuara.
Cilësia e lartë gazetareske kërkon përkushtim dhe dashuri. Ju lutem ndajeni këtë artikull me të tjerë duke përdorur vjegzën/linkun përkatëse
- 11 reads



