Kërkesë e hapur drejtuar SPAK-ut
Mosveprimi juaj përballë gjendjes shoqërore në Shqipëri, ku ju keni pjesën kryesore të përgjegjësisë, sjell pasoja tejet të rrezikshme për kombin shqiptar
Ylli Përmeti
15/07/2026 - 08:59
I nderuar organ hetimor,
Po ju drejtohem për të kërkuar përgjigje zyrtare lidhur me disa kallëzime të dorëzuara në zyrat tuaja, për të cilat deri më sot nuk kam marrë asnjë njoftim mbi gjendjen e tyre.
Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë garanton të drejtën e çdo qytetari për t’iu drejtuar organeve publike dhe detyrimin e tyre për të dhënë përgjigje. Neni 48 i Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë citon se:
“Kushdo, vetë ose së bashku me të tjerë, mund t’u drejtojë kërkesa, ankesa ose vërejtje organeve publike, të cilat janë të detyruara të përgjigjen në afatet dhe kushtet e caktuara me ligj.”
Gjithashtu, neni 23 i Kushtetutës garanton të drejtën e informimit, duke përcaktuar se “E drejta e informimit është e garantuar”; dhe “Kushdo ka të drejtë, në përputhje me ligjin, të marrë informacion për veprimtarinë e organeve shtetërore, si dhe të personave që ushtrojnë funksione shtetërore.”
Në cilësinë e qytetarit, gazetarit, kryeredaktorit dhe drejtuesit të një qendre të pavarur kërkimi në Shqipëri, e quaj përgjigjen institucionale jo vetëm një detyrim ligjor e kushtetues, por edhe një çështje themelore të tejdukshmërisë, llogaridhënies dhe veprimtarisë së shtetit të së drejtës dhe mospërgjigjen fyerje të shtetit ku jetoj dhe vetes sime.
Në vitin 2023 kam dorëzuar pranë institucionit tuaj një kallëzim që lidhej me kërkesën për hetimin e veprimtarisë së dy qeverive shqiptare: qeverisë së periudhës 2005–2013 dhe qeverisë së periudhës 2013–2023. Ai kallëzim u paraqit pas një studimi më shumë se dhjetë vjeçar të kryer prej meje mbi sektorin energjetik në Shqipëri, ku tregoj çështje që lidhen me vendimarrjen politike, drejtimin e burimeve tona dhe përgjegjësinë institucionale.
Për atë kallëzim nuk kam marrë deri më sot asnjë përgjigje zyrtare, njoftim mbi gjendjen e tij apo mbi veprimet e ndërmarra.
Gjithashtu, në fillim të muajit të kaluar kam dorëzuar një kallëzim tjetër lidhur me çështjen e Zvërnecit dhe Sazanit, pas një hetimi, ku tregoj disa shkelje që, sipas vlerësimit tim, kërkojnë hetim nga organet tuaja.
Edhe për atë kallëzim nuk kam marrë asnjë njoftim mbi trajtimin e tij apo mbi ndonjë veprim procedural të ndërmarrë.
Dëshiroj të sjell në vëmendjen tuaj edhe një detyrim tjetër ligjor të procedurës penale. Sipas nenit 280 të Kodit të Procedurës Penale: “Prokurori dhe policia marrin dijeni për veprën penale me iniciativën e vet dhe me njoftimin e bërë nga të tjerët.” Detyrimi në fjalë kërkon nga organi i akuzës që mos kushtëzohet vetëm nga kallëzimet e qytetarëve, por përfshin edhe detyrimin e tij për të vepruar kur ka të dhëna, prova ose rrethana që mund të lidhen me vepra penale—çka nënkupton se ligji kërkon nga organet hetimore të jenë gjithnjë sypafjetur dhe mos të presin kallëzimet “nga të tjerët”.
Për rastin e kallëzimit të dorëzuar në vitin 2023 lidhur me sektorin e energjitikës, i cili është jetik për ekonominë dhe shoqërinë tonë, përgjegjës për mosveprim janë prokurorët që vepronin përpara krijimit të SPAK-ut por dhe dy drejtorët e parë të organit të ri, të cilët kishin për detyrë të shteronin hetimin në fjalë, ndërsa për rastin e Zvërnecit dhe Sazanit, i cili shkrepi kryengritjen kombëtare, përgjegjës janë të tre drejtorët e SPAK-ut — nëse e shohim nga këndvështrimi i nenit 280 të Kodittë Procedurës Penale por kryesisht drejtori i tanishëm nëse e shohim nga këndvështrimi i kallëzimit tim.
Në rastin tim, përveç atij detyrimi të përgjithshëm ligjor, institucioni juaj ka marrë drejtpërdrejt edhe kallëzime, të shoqëruara me lëndë hetimore dhe ju nuk keni zbatuar ligjet në fuqi ndëkohë që mungesa e çdo përgjigjeje apo njoftimi për një periudhë të gjatë kohore krijon një shqetësim të rendësishëm lidhur me përmbushjen e detyrimeve tuaja ligjore dhe kushtetuese për tejdukshmëri, llogaridhënie dhe përgjegjësi.
Për këto arsye kërkoj
1. Njoftim zyrtar mbi gjendjen e gjithë kallëzimeve të sipërpërmendura;
2. Shpjegim mbi arsyet e mungesës së përgjigjes deri më sot; dhe
3. Njoftim mbi veprimet procedurale të ndërmarra ose arsyet ligjore nëse nuk është ndërmarrë ndonjë veprim.
Nëse edhe pas kësaj kërkese nuk do të marr një përgjigje zyrtare nga institucioni juaj, po e bëj të qartë se mungesa e përgjegjësisë institucionale do të bëhet pjesë e përgjegjësisë publike dhe e rragatës sonë mbi veprimtarinë e institucioneve të drejtësisë në vendin tonë, në kushte kur mijëra qytetarë po shprehin çdo natë shqetësimet e tyre në sheshe dhe kërkojnë tejdukshmëri, drejtësi dhe llogaridhënie institucionale.
Pavarësisht nëse zgjidhni të përgjigjeni apo jo, unë do të vijoj ta trajtoj këtë çështje në përputhje me përgjegjësinë time si gazetar dhe qytetar, duke njoftuar kombin mbi mënyrën se si institucionet shtetërore përmbushin detyrimet e tyre kushtetuese dhe ligjore, që në rastin tuaj nuk i përmbushin dhe si pasojë do të mbahen përgjegjëse për pasojat e gjendjes së krijuar që nga 30 maji.
Ylli Përmeti
15 korrik 2026
Cilësia e lartë gazetareske kërkon përkushtim dhe dashuri. Ju lutem ndajeni këtë artikull me të tjerë duke përdorur vjegzën/linkun përkatëse
- 17 reads



