...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Rusia paralajmëron Britaninë me pasoja ndërsa gatitet për një luftë më të gjerë

Ambasada ruse në Londër akuzon Britaninë se po vepron si “bashkëpunëtore në krimet e përgjakshme dhe sulmet terroriste të neo-nazistëve ukrainas”

The Telegraph

18/08/2026 - 08:19

Rusia ka kërcënuar Britaninë me pasoja pasi dronët e prodhuar në Britani u përdorën nga Ukraina për herë të parë në sulme ndaj territorit rus.

Ambasada e Moskës në Londër tha se Britania do të paguajë një “çmim më të lartë” nëse vazhdon të mbështesë Kievin në luftën e tij kundër pushtimit të Ukrainës nga Vladimir Putin.

“Raportimet se regjimi i Kievit po përdor dronë britanikë për të kryer sulme në thellësi të hapësirës ruse vërtetojnë se Londra po zgjedh qëllimisht përshkallëzimin e krizës në Ukrainë, ndërsa në mënyrë hipokrite pretendon se po përpiqet për paqe”, tha ambasada, sipas mediave shtetërore ruse.

“Mbretëria e Bashkuar po vepron kështu si bashkëpunëtore dhe ndihmëse në krimet e përgjakshme dhe sulmet terroriste të neo-nazistëve ukrainas, të cilët synojnë të frenojnë vendin tonë dhe t’i shkaktojnë atij dëm sa më të madh përmes duarve të të tjerëve”, vijoi ajo, duke përdorur një cilësim të zakonshëm rus për udhëheqjen e Kievit.

“Veprimet e Londrës në mënyrë të pashmangshme do të kenë pasoja, për të cilat ajo do të duhet të japë llogari. Sa më e thellë të jetë përfshirja e saj në këtë luftë dhe sa më e madhe mbështetja e saj për makinerinë terroriste të Kievit, aq më i lartë do të jetë çmimi.”

Nuk ishte menjëherë e qartë se çfarë po kërcënonte Rusia të bënte në shenjë hakmarrjeje ndaj përdorimit nga Ukraina të dronëve britanikë. Por javën e kaluar, Putini kërcënoi se do të konfiskonte anijet britanike në përgjigje të goditjes perëndimore ndaj flotës së tij hije të cisternave, të përdorura për bartjen e naftës në shkelje të sanksioneve.

Zbulimi amerikan kohët e fundit këshilloi se presidenti rus mund të urdhërojë një sulm ndaj hapesirës së NATO-s brenda disa javësh, me synimin për të dobësuar mbështetjen e aleancës për Kievin.

Ndërhyrja e ambasadës së Moskës erdhi pasi u raportua se dronë të prodhuar nga dy kompani britanike janë përdorur në fushatën në përshkallëzim të Ukrainës për sulme në thellësi të hapësirës ruse kundër rafinerive të naftës, e cila, sipas vlerësimeve, ka shkaktuar më shumë se 35 miliardë paund dëme ekonomike. Kjo ka sjellë mungesa karburanti dhe ndërprerje të vazhdueshme të energjisë në disa pjesë të Rusisë dhe në Krimenë e pushtuar (…), duke i sjellë pasojat e luftës pranë shumë rusëve që ndodhen larg vijës së frontit.

Raportimi i Sunday Times përmendi dronin Nyan, të prodhuar nga Callen-Lenz, një degë e gjigantit të mbrojtjes BAE Systems. Droni prej fibrash karboni ka hapje krahësh 2,9 metra dhe rreze veprimi rreth 150 milje, duke e bërë të aftë të godasë pjesë të Rusisë pranë Ukrainës. Ai lëshohet me një katapultë pneumatike dhe mund të mbajë një ngarkesë prej rreth 20 kg.

Droni Nyan

• Lëshimi: katapultë pneumatike

• Pesha maksimale në ngritje: 75 kg

• Ngarkesa: më pak se 20 kg

• Motori: turbinë e vetme me gaz

• Rrezja e veprimit: 250 km

• Shpejtësia e lundrimit: 138 milje/orë

• Hapja e krahëve: 2,9 m

The Times tha se dronë të prodhuar nga një kompani e dytë janë përdorur gjithashtu në sulme me rreze të gjatë, por gazeta nuk e bëri publik emrin e kompanisë për arsye sigurie. Duke cituar burime në ushtrinë ukrainase, gazeta raportoi se shënjestrat e goditura nga dronët e prodhuar në Britani përfshinin rafineritë e naftës në Volgograd dhe Jaroslavl, pranë Moskës.

Nuk është hera e parë që armët e prodhuara në Britani përdoren për të goditur hapësirën rus. Raketat lundruese Storm Shadow janë përdorur më parë nga forcat ajrore ukrainase për të goditur shënjestra përtej kufirit.

Raportime të pavërtetuara këshilluan se raketa ishte përdorur për të goditur ushtarë rusë dhe koreano-veriorë në rajonin jugor të Kurskut, i cili dikur ishte pjesërisht nën mbikëqyrjen e forcave të Kievit, në fund të vitit 2024.

Ukraina vërtetoi për herë të parë një sulm ndërkufitar me Storm Shadow një vit më vonë, kur arma u përdor për të goditur një fabrikë kimike dhe rafinerinë e naftës në Novoshakhtinsk, në rajonin rus të Rostovit, gjatë dy sulmeve të veçanta.

Storm Shadow/SCALP-EG

• Origjina: Britani / Francë

• Lloji: raketë lundruese

• Në shërbim: që nga viti 2002

• Kostoja për njësi: 2,2 milionë dollarë

• Rrezja e goditjes: 155 milje

• Shpejtësia: 600 milje/orë

• Motori: Turbomeca Microturbo TRI 60-30

• Hapja e krahëve: 3 m

• Sistemi i drejtimit: BROACH

Raketa britanike me rreze të gjatë është e pajisur me një kokë luftarake shpuese të aftësuar, të projektuar për të shkatërruar shënjestra të fortifikuara dhe të mbrojtura nëntokësore nga largësi të mëdha. Ajo është projektuar për t'u vendosur në avionë luftarakë të prodhimit perëndimor, por mund të përshtatet edhe për avionë të epokës sovjetike.

Dronët britanikë janë përdorur gjithashtu në operacionet e sulmeve ukrainase në zonat e pushtuara të Ukrainës. Furnizimet britanike me armë kanë shkaktuar vazhdimisht kërcënime për hakmarrje nga zyrtarët rusë, përfshirë Putinin.

Presidenti rus ka thënë më parë se mund të shqyrtojë sulme bërthamore ndaj vendeve të NATO-s që furnizojnë Ukrainën me armë konvencionale të përdorura për sulme ndaj hapësirës së tij.

Ukraina ka përdorur kryesisht dronët e saj të prodhimit vendas në sulmet ndaj hapësirës ruse, për shkak të vështirësisë për të marrë leje për përdorimin e raketave perëndimore në misione të ngjashme.

Britania, SHBA-ja dhe Franca kanë miratuar herë-pas-here sulme të tilla, por kjo është bërë më e rrallë për shkak të pakësimit të rezervave dhe frikës së Donald Trampit se ato mund të shkaktojnë përshkallëzim.

Javën e kaluar, Rusia zbarkoi një anije luftarake të armatosur me raketa lundruese dhe hipersonike pranë një ishulli gjerman në Detin Baltik. Admiral Kasatonov, një fregatë e pajisur me raketa hipersonike Zircon me aftësi bërthamore, u pa pranë ishullit Fehmarn, një vend i njohur turistik, pas kërcënimeve të Kremlinit për të sulmuar anijet britanike dhe të BE-së.

Shfaqja e kësaj anijeje në Detin Baltik, një zonë jetike për transportin detar, duket se shënon përshkallëzimin më të fundit mes Rusisë dhe NATO-s. Të dielën, The Telegraph zbuloi se Rusia po ndërton baza të fshehta pranë kufirit me Ukrainën. Ato po përdoren për ndërtimin e dronëve të teknologjisë së lartë, të aftë për të goditur në thellësi të hapësirës së NATO-s, duke paraqitur një kërcënim afatgjatë për aleancën.   

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA