Pse Libra nuk mund të bëjë asgjë për mbylljen e “Call Center-ve”?
Ylli Përmeti
03/12/2016 - 09:26
Shënim: ky editorial është shkruajtur kohë më parë - në kohën kur filloi të pëshpëritësh mbyllja e ndërmarrjeve të qendrave telefonike, për të ndihmuar punëtorët e sektorit. Mirëpo, jo vetëm që punëtorët nuk e vunë ujin në zjarr por as ortakët shqiptarë të italianëve dhe as të ashtuquajturit politikanë profesionistë për të kuptuar problematikën dhe pasojat e saj! Në prag të zgjedhjeve, dhe në kohën kur i erdhi goditja përfundimtare këtij sektori, kryetari i Libras, Blushi, në padije juridike të plotë për shkaqet e mbylljes së sektorit, premtoi se do të 'bëjë gjithshka për të siguruar këto vende pune, duke përfshirë edhe rishikimin e taksave me qëllim që kompanitë të mos largohen'! Por sa mundësi ka Libra ta zhbëjë këtë proces?
Personalisht kam paralajmëruar shpesh punëtorët e qendrave telefonike dy vitet e fundit: se do të mbyllen. Për të njëjtën arsye i ftoja të merrnin pjesë në organizimet tona edukative për të kuptuar arsyet se përse vinin në anët tona këto qendra, në cilin kuadër ligjor operonin dhe cilët do të ishin efektet në afatgjatë për punëtorët por edhe për ortakët shqiptarë që bashkëpunonin me kapitalistët e huaj. Por asnjëri s’u mundua të nxiste ndonjë diskutim! As edhe masmedia! Përjashto disa individë që më shkruajtën privatisht. Ndërkohë që s’kam patur shumë kohë të shkruaja dhe informoja punëtorët e sektorit për pasojat që do të kishin.
Kështu, qendrat telefonike, të cilat i kam quajtur, “qendra të mashtrimit të organizuar”…ku punëtorët telefonojnë qytetarë të ndryshëm kryesisht në vendet e BE-së, të cilët konceptohen nga këto qendra si konsumatorë të mundshëm për mallrat që këto qendra shesin, mbyllen kryesisht për shkak të ligjit që ka miratuar BE-ja. Domethënë, të ligjit pan-europian lidhur me informacionin privat të qytetarëve të bllokut ekonomik. Ky ligj parashikon edhe ndalimin e moshave poshtë 16 vjeç nga mediat sociale. Ai synon të krijojë një ligj të fortë për mbledhjen e informacionit duke shtyrë anëtarët drejt një tregu shifrar të vetëm dhe të forcojë bashkëpunimin e policisë dhe sigurisë. Ai zëvendëson ligjet kombëtare që kanë lejuar dhunimin e informacionit të qytetarëve me gjoba të vogla. Domethënë, ndërmarrjet që shkelin ligjet e mbrojtjes së BE-së, veçanërisht ndërmarrjet globale të internetit, të cilat mund të gjobiten deri në 4% të xhiros vjetore...domethënë, miliarda euro.[1]
Kjo është arsyeja që qendrat në fjalë dëmtohen drejtpërdrejt nga ky ligj. Jo vetëm në Shqipëri. Por edhe në BE: sepse ato duhet të riorganizohen në mënyrën se si mbledhin ose gjejnë adresat e telefonave ose se si shesin jashtë (“outbound sales”). Ky ligj, në fjalë të tjera, rishkruan mënyrën se si kanë operuar këto qendra që nga viti 1960-të. Ndryshimin e këtij ligji e kanë nxitur qendrat e bamirësisë si pasojë e vrasjes së një 92 vjeçareje (Olive Cooke), e cila përndiqësh…me thirrje telefonike nga fondekrijuesit për donacione. Sidoqoftë, tashmë ligji kërkon pëlqimin e konsumatorit se ndërmarrjet lejohen t’i kontaktojnë ata për arsye tregëtimi. Kjo nënkupton se punëtorët (ose ndërmarrjet në fjalë) nuk do t’i blejnë adresat e konsuatorëve të mundshëm nga ndërmarrjet e internetit por duhet të shkojnë në çdo familje ose të kontaktojnë nga afër me çdo konsumator të mundshëm për të marrë pëlqimin e tyre përpara se t’i telefonojnë. Kjo është arsyeja që qendrat e krijuara në Shqipëri do të mbyllen. Dhe kjo është arsyeja që ato do të kenë probleme të mëdha edhe në vende si Rumania: sepse pratikisht, punëtorët e qendrave në fjalë, nuk mund të udhëtojnë nga Rumania drejt vendeve të BE-së për të marrë miratimin e miliona konsumtarovë të mundshëm apo për të krijuar axhendën e konsumatorëve. Ky “biznes”, në një fjalë, lokalizohet. Nëse qendrat e anashkalojnë këtë process – konsumatorët do të kenë të drejtë të kundërshtojnë ndërmarrjen për përdorimin e informacionit të tyre, falas.
Gjykuar nga ç’ka u tregua më lartë, dhe efektet që do të ketë ky ligj mbi këto qendra, sa të pafajshëm janë punëtorët, ortakët dhe qeveria “Rama”? Më konkretisht, Blendi Klosi? Po masmedia - sa e pafajshme është? Kjo e fundit, në të vërtetë, është mjaftuar duke komunikuar as gjysmën e të vërtetës: domethënë, se ligji që do të miratojë Senati italian, do të “kufizojë lëvizjen e lirë të kompanive”! Nga ana tjetër, Ministrja e Zhvillimit Ekonomik, Milva Ekonomi, në prag…të miratimit të ligjit, argumentoi se “qeveria do të hartojë një qëndrim që t’ia kalojë ambasadës italiane, e cila do të përcjellë shqetësimin më lartë ndërkohë që ambasada jonë në Itali po “përpiqet” në ministrinë përkatëse në Itali që ta çojë ligjin për rishikim, mbi bazën e argumenteve që u çojnë”…bandillët tanë![2] Nga ana tjetër, ministri Klosi do të mbrojë interesat e bizneseve shqiptare …asnjë fjalë për punëtorët!...duke u kujtuar autoriteteve italiane se Shqipëria është një vend kandidat në Bashkimin Europian dhe se hapja e negociatave që pritet të behet së shpejti, mund të jetë i favorshëm në raport me këtë problem!
Domethënë, ligji që qarkullon rreth dy vjet në zyrat e Brukselit dhe anëtarëve të BE-së –për shqyrtim dhe miratim- s’ka rënë as në sytë e ministres as në të ministrit e as në të masmedias! Sigurisht, përgjegjësi për këtë çështje kanë edhe të ashtuquajtur 'pedagogë'. Kanë edhe ortakët e kapitalistëve italianë. Por kanë edhe punëtorët, të cilët, kaq kohë, nëse do të ishin angazhuar në diskutime edukative rreth këtij “biznesi”, të cilët organizohen nga ne, dhe janë falas, sot do të kishim marrë masa paraprake për sektorin. Për shembull, do të kishim protestuar duke e ngritur çështjen për diskutim në kuvend dhe masmedia dhe do të kishim detyruar qeverinë aktuale të merrte masa konkrete…se çfarë masash mund të merrte qeveria, është tjetër çështje, të cilat kalojnë nga dija juridike. Më konkretisht nga dija juridike lidhur me bizneset e BE-së. Por bandillët tanë dhe masmedia që i shoqëron, e kanë mendjen për vila, famë, epshe etj si këto…sesa për studime dhe dije!
Shënim: Ato mund të mos mbyllen nëse ndërmarrjet e internetit marrin përsipër çështjen e ‘miratimit’ të konsumatorit. Por deri tani ky variant nuk është diskutuar.
[2]Beteja për “Call Center”. Top Channel, 02/12/2016.
Cilësia e lartë gazetareske kërkon përkushtim dhe dashuri. Ju lutem ndajeni këtë artikull me të tjerë duke përdorur vjegzën/linkun përkatëse
- 96 reads



