...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Mungesa e intuitës së Tiranës dhe Prishtinës me mosmbështetjen e Salihut dhe kundërvënia greke me Belerin

Mosmbështetja e Salihut nga krerët ‘politikë’ të Tiranës dhe Prishtinës dhe mbështetja e Belerit nga klasa politike greke, mbizotëroi zgjedhjet evropiane të qershorit 2024

Ylli Përmeti

14/06/2024 - 21:28

Mungesë intuite (por dhe parimesh) mund të quhet mosmbështetja e Muharrem Salihut nga krerët e qeverive shqiptare në Tiranë dhe Prishtinë dhe krerët e partive kundërshtare (opozitare), sidomos në kushte kur ai u mbështet nga qindra-mijëra bashkëkombas dhe jo vetëm.

Madje, nëse e shohim nga qëllimi` tij për të ndihmuar shqiptarët në përgjithësi dhe ata të Luginës së Preshevës në veçanti, përmes parlamentit evropian, sidomos në kushte kur e djathta evropiane po fiton mbështetje të gjerë popullore dhe bashkë me të fuqizohet Serbia në politikat e saj të pavarura, jo vetëm lidhur me popujt e tjerë por dhe lidhur me pakicën tonë kombëtare atje, ku ka vite që po kryen spastrim etnik me mjete ligjore, kuptohet më shumë mungesa në fjalë.

Mosmbështetja e tyre erdhi në kohën kur paralelisht Athina ishte në një përpjekje gati kombëtare për të kandiduar një njeri të zvetënuar si Beleri; madje, kur dihet se Greqia ka qëllime gjeopolitike në Shqipëri dhe rajon dhe kur unë kam vite tashmë që kërkoj mbështetjen e shqiptarëve të ndershëm për të thënë gjithë të vërtetat lidhur me gjeopolitikën e saj, me qëllim që ta ndalojmë. Beleri nuk pati (as edhe nuk ka) vetëm mbështetjen e qeverisë “Miçotaqi”. Por ka dhe mbështetjen e thuajse gjithë klasës politike greke pavarësisht se ka kryer disa shkelje ligjore dhe ka vepruar në rininë e tij kundër Shqipërisë me veprime armiqësore dhe në vazhdim ka mbështetur gjeopolitikën greke për shkëputjen e jugut të Shqipërisë.

Italia veproi gati njësoj si Greqia me kandidaten 40 vjeçare Ilaria Salis, pjesë e Aleancës së Gjelbër dhe e Majtë atje, e cila ishte ndaluar në banesë në Hungari, sepse sulmoi disa veprimtarë të së djathës së skajshme atje. Si pasojë, më shumë se 170,000 votues shkruan emrin e saj në fletëvotim në përpjekjen e tyre për ta kthyer në shtëpi nga Hungaria, ku ajo mbahej prej një viti e katër muaj.

Ndryshe nga Beleri, Salihu ose Markua ynë siç njihet në Itali, ka spikatur si në punën e tij në Itali ashtu dhe me veprimtarinë e tij politike, duke luftuar në çdo drejtim për të drejtat e shqiptarëve dhe pavarësisht mosmbështetjes në fjalë ai fitoi mbështetjen e 5144 votuesve. Ky numër mbështetësish është i rëndësishëm nëse kemi parasysh mungesën e përfshirjes në fushatë të krerëve të “koalicionit” politik ku ai u përfshi dhe mungesën e medias italiane në fushatën e tij, sepse madia jonë në përgjithësi tregoi mbështetje. Por ai është i vogël nëse e shohim në raport me numrin tërësor të shqiptarëve në verilindje të Italisë, 144 mijë, pavarësisht se për t`u zgjedhur Muharremi kishte nevojë për të paktën 15 mijë vota.

Nëse krerët e shteteve tanë do të kishin treguar mbështetje, qoftë edhe duke shkruajtur në faqet e tyre elektronike ndonjë “thirrje”, meqënse videot kërkojnë pak më shumë mund, me siguri Muharremi do të kishte fituar dhe sot do të gëzonim zgjedhjen e tij dhe do të shpresonim se ai do të ngrinte në nivel evropian shumë padrejtësi ndaj shqiptarëve. Madje, ai mund të ndihmonte dhe në shumë çështje të tjera që lidhen me bashkimin evropian.

Të hamendësojmë se ata nuk ishin në dijeni për përfshirjen e tij në fushatën e zgjedhjeve europarlamentare në Itali, do të ishte e padrejtë, sepse, siç përmenda më herët, media jonë e mbuloi deri diku përpjekjen e tij dhe shumë figura publike nga fusha të ndryshme treguan mbështetje. Mbetet, sidoqoftë, të pyeten në ditët në vijim krerët e shteteve tanë nga gazetarët e partive se pse ata nuk e mbështetën kandidatin tonë të nderuar kur dihet se mbështetja e tyre do të kishte karakter kombëtar dhe jo partiak apo “poli” politik në nivel evropian.         

Por cilado qoftë arsyeja, kuptohet se ata turpëruan veten dhe sigurisht Shqipërinë me mosmbështetjen e tyre dhe kryen një krim kombëtar të dyfishtë: në herë kur nuk mbështetën një përpjekje të ndershme, e cila meritonte mbështetje nga gjithë shqiptarët, nëse e shohim nga këndvështrimi` i qëllimit të Salihut por dhe nga nevoja jonë për të patur një zë të rëndësishëm në nivel evropian, dhe një herë tjetër kur heshtin apo censurojnë gjeostrategjinë greke tashmë të zbuluar nga unë prej vitesh.    

Përfshirja e Muharrem Salihut në euro-zgjedhjet italiane: veprim i mençur që duhet t`mbështetet

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA