...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Përpjekjet e Serbisë për copëtimin e Shqipërisë dhe letra sekrete e Pasiçit në konferencën e paqes në Paris: 1919

Serbia kurrë nuk ta jepë atë që të takon, pa marrë atë që s’i takon”. Kjo duhet të kihet parasysh gjithmonë në çfarëdo bisede e marrëveshje me Serbinë.

Adil Fetahu

12/04/2019 - 11:23

Nga zgafella e sekreteve serbe kundrejt Shqipërisë

Lufta e Parë Botërore, e filluar në vitin 1914, përfundoi me lidhjen e armëpushimit mes fuqive të Antantës e Gjermanisë, më 11 nëntor 1918. Për arritjen e paqes përfundimtare u organizua Konferenca e Paqes, e cila filloi punën më 18 janar 1919, në Versajë, afër Parisit, me seancën plenare të delegacioneve dhe delegatëve të 27 vendeve. Vendimet e rëndësishme merreshin në komitetin e ngushtë të pesë fuqive të mëdha, fituese të luftës: SHBA, Britania e Madhe, Franca, Italia dhe Japonia, por me qenë se Japonia nuk ishte shumë e interesuar për çështjet e Europës, praktikisht vendimet i merrte “Komiteti i të Katërve”. Figura qendrore e Konferencës ishte presidenti i SHBA-ve, Vudrov Vilson, me 14 pikat e tij të njohura, të 8 janarit 1918-es, me të cilat “duhej të garanohej pavarësia politike, ekonomike dhe territoriale e shteteve të Ballkanit”. Konferenca duhej të cakonte rendin e ri në Europë dhe kufijtë e shteteve, pasi ishin shpërbërë katër perandori: Gjermane, Austrohungareze, Ruse dhe Otomane. Pas katër vjet lufte të përgjakshme, Konferenca ishte luftë diplomatike, gjëgjësisht ishte “loja midis të mëdhenjëve e të vegjëlve”.

Në skajet e Konferencës morën pjesë edhe disa delegacione të “shtetit” të Shqipërisë dhe të diasporës shqiptare, me qëndrime të ndryshme.

Delegacionin e të ashtuquajturës Mbretëria Serbo-Kroato-Sllovene, e cila sapo ishte formuar, më 1 dhjetor 1918, e kryesonte Nikolla Pasiç (73 vjeçar), i cili  ishte politikani dhe diplomati më i shkathët dhe me përvojë nga vendet e Ballkanit, dhe ishte protagonisti kryesor i imperializmit serb, me lakminë e pa shuar për Shqipërinë e Veriut dhe daljen në det. Delegacioni jugosllav përbëhej nga më se 100 delegatë dhe shumë ekspertë më të njohur të fushave të ndryshme. Në delegacionin jugosllav ishte edhe Mihajllo Pupin, shkencëtar e profesor serb, emigrant në Amerikë, i cili përmes gruas së tij amerikane, njihej mirë dhe kishte kontakte me presidentin Vilson.

“Lufta diplomatike” në Konferencën e Paqes zhvillohej lidhur me kufijtë e shteteve humbëse dhe atyre fituese të luftës. Për caktimin e kufijve merreshin parasysh parime të ndryshme, strategjike, etnike etj., por edhe marrëveshjet e fshehta të lidhura midis fuqive të mëdha para ose gjatë Luftës. Jugosllavia e sapoformuar, kishte pretendime të mëdha territoriale ndaj të gjitha shteteve me të cilat kufizohej, përveç Greqisë. Dhe ato pretendime i realizoi në pjesën më të madhe, në dëm të Hungarisë, Bullgarisë, Rumunisë dhe Austrisë. Pretendimin për territorin shqiptar dhe daljen në det i ruante si kartë xhokeri, për më vonë, duke ditur brishtësinë e shtetit shqiptar. Dhe për ironi të fatit, Pasiçi në Konferencën e Paqes doli me qëndrim për  pavarësinë e shtetit shqiptar, në kufijt e caktuar nga Konferenca e Ambasadorëve në Londër, në vitin 1913, me korrigjime që mund të bëheshin më vonë. Për synimet e tij, djallëzore, kërkonte përkrahjen politike dhe materiale të qeverisë së tij. Në një letër rigoroz sekrete që i shkruante kryetarit të qeverisë në Beograd, Stojan Protiç-it, i raportonte mbi zhvillimet e punimeve të Konferencës dhe gjasat për fitore reale. Këtu më poshtë, po citojmë përmbajtjen e letrës sekrete të Pasiçit, në lidhje me problemin e Shqipërisë kur të trajtohej në Konferencë.

                                                                                                “Paris, 5 dhjetor 1919”

Kryetarit të Këshillit të Ministrave,

Personalisht dhe rigoroz sekret,

Zgjidhja e çështjes së Shqipërisë po i afrohet fundit. Ajo është e lidhur ngusht më çështjen e Adriatikut, ndërsa çështja e Adriatikut tash përsëri erdhi në rend dhe po bëhën përpjekje të gjendet zgjidhje për të cilën do të pajtohej Vilsoni, d.m.th, qeveria e Amerikës dhe Italia. Aleatët tanë, Francezët dhe Anglezët, ç’është e drejta po kujdesen për interesat tona, por konsiderojnë se ne mund të pajtohemi me atë zgjidhje për të cilën do të pajtohej Vilsoni. Çështja shqiptare lidhet me çështjen e Adriatikut, në rend të parë për shkak se ka lidhje natyrore me të, dhe së dyti, se po konsiderohet si objekt kompensimi.

Në lidhje me çështjen Shqiptare, Delegacioni Mbretëror (i Serbisë, sepse Mbretëria SKS akoma nuk ishte njohur nga Konferenca, v.j.) ka mbajtur qëndrim sikur i është paraqitur në notat e dërguara Konferencës së Paqes, d.m.th, pajtohemi për pavarësinë e Shqipërisë në kufijtë të cilët ia ka caktuar Konferenca e Ambasadorëve në Londër, më 1913, me kusht që nëse Italia e lëshon Vlorën, d.m.th, nëse edhe ajo i pranon konkluzionet e Konferencës së Ambasadorëve, të vitit 1913.

Pajtohemi që korrigjimi i kufirit (të Shqipërisë,v.j.) ndaj Serbisë dhe Malit të Zi, të zgjidhet në marrëveshje me fiset të cilat jetojnë në ata kufij. Nëse Italia dhe Aleatët nuk i pranojnë në tërësi konkluzat e Konferencës së Ambasadorëve, por udhëhiqen nga Pakti i Londrës i vitit 1915, sipas të cilit Vlora me hindërlandet i jepet Italisë, atëherë ne kërkojmë që – kur një fuqi e madhe vjen në Ballkan, në fqinjësinë tonë të drejtpërdrejtë – të fitojmë kufirin strategjikisht më të fortë, i cili më natyrshëm do t’ishte Drini kryesor prej detit deri ku bashkohet me Drinin e Zi dhe prej Drinit të Zi deri te një pikë nën Dibër, dhe te derdhja e Zetës në anën e majtë në Drinin e Zi, e pastaj pjesën që ndanë uji, duke përfshirë edhe tërë Liqenin e Ohrit, i cili do të mbetej në anën tonë.

Sipas Paktit të Londrës, me të cilin Italisë i jepet Vlora dhe njëfarë protektori në Shqipërinë e Mesme, Shqipëria e Veriut i është lënë Malit të Zi dhe Serbisë. Ne nuk e kërkojmë Shqipërinë e Veriut për vete, veçse kërkojmë që atyre fiseve t’iu njihet e drejta e vetëvendosjes, që vetë ta thonë se nëse duan të bashkohen me Shqipërinë e Mesme Myslimane, e cila bie nën protektorat të Italisë, apo dëshirojnë ta formojnë një shtet të vogël të pavarur, si një “tampon-shtet”, ose dëshirojnë që si shtet i vogël autonom t’i bashkohet shtetit tonë. Për çdo rast, ne pretendojmë që kufiri të jetë në Drinin e Përgjithshëm dhe në Drinin e Zi, me korrigjimet e përmendura.

Kjo pikëpamje jona dhe këto kërkesa tona u janë të njohura të gjithë “Arnautëve” të cilët gjendën në Paris e të cilët kanë ardhur nga anë të ndryshme dhe nën ndikime të ndryshme për të përfaqësuar popullin shqiptar. Turhan-pasha, Gurakuqi (?) dhe disa të tjerë mbështesin pikëpamjet italiane, që Italia të mbetet në Vlorë me hinderland dhe t’i njihet protektorati mbi tërë Shqipërinë, e të mos i jepet asgjë Serbisë dhe Malit të Zi. Një grup tjetër, pas të cilit qëndron Shoqëria Shqiptaro-Amerikane “Vatra”, kërkon Shqipërinë e Madhe të pavarur. Grupi i tretë, i cili konsideron se për Shqipërinë më e dobishme do t’ishte se çështja shqiptare do të zgjidhej në marrëveshje me ne, që do të thotë, ajo mbështet konkluzionet e Konferencës së Ambasadorëve të vitit 1913 dhe kërkon Shqipërinë e pavarur në kufijtë që ia ka caktuar Konferenca e Ambasadorëve dhe pajtohet të bëjë korrigjimin e kufirit në dobinë tonë dhe sipas dëshirës së popullsisë së vendbanimeve lokale, dhe konsiderojnë se pavarësinë e vet më së miri do ta siguronin në qoftë se hyjnë në njëfarë lidhje me ne, posaçërisht të krijohet unioni doganor. Në atë grup janë ithtarët e Esat-pashës dhe ata që janë kundër protektoratit italian.

…Dhe tash këtu është momenti kur po përpiqen të dijnë: se nëse do t’i ndihmojë Serbia materialisht për t’iu kundërvënë haptas kërkesve italiane dhe nëse do të kërkojë (Serbia, v.j.) që çështja shqiptare të zgjidhet sipas parimit “Ballkani – popujve të Ballkanit”,  të zgjidhet ashtu që të fitojnë pavarësinë e Shqipërisë në kufijtë e caktuar nga Konferenca e Ambasasdorëve dhe në marrëveshje me shtetet  fqinje ballkanike. Disa herë më kanë ardhur delegatët shqiptarë, të cilët dëshirojnë të punojnë me ne, të dijnë se nëse mund të marrin aq mbështetje saqë të mund të fillojnë kundërshtimin e hapët kundër Italisë. Në këtë moment, kur çështja shqiptare ka ardhur në rend për t’u zgjidhur, konsideroj se do të ishte gabim i madh t’i refuzojmë dhe përsëri t’i shtyjmë në parzmën e Italisë, që ajo t’i shfrytëzojë kundër nesh dhe të bëhet si mbrojtëse e tyre, ç’është e drejta jo krejt me vullnetin e tyre, por kur nuk mund të gjejnë mbrojtës më të mirë, nëse ne i refuzojmë, atëherë edhe ata (Italianët, v.j.) janë të mirë…

Konsideroj se interesat tona politike e kërkojnë që seriozisht t’i pranojmë dhe të mos kursejmë shpenzimet për të fituar jo vetëm simpatinë dhe miqësinë e tyre dhe t’i lidhim me Serbinë përgjithmonë. Qëndrimi ynë i këtillë ndaj “Arnautëve” në Konferencën e Paqes, do të kishte ndikim pozitiv edhe te Arbanasit tanë, të cilët do të rrinin të qetë dhe do t’i ndiqnin këshillat tona; interesi i tyre do t’ishte të rrinë të qetë dhe miqësisht ta pranonojnë administratën tonë. Për këto çështje është folur edhe në një seancë të Delegacionit, në të cilën ishin të pranishëm edhe z.Drashkoviçi dhe Stojanoviçi, dhe ata u pajtuan me këtë. Mendoj se do ta ndihmojnë propozimin tonë, që sa më parë të ndahet një buxhet goxha i madh, nja dy-tre million, dhe të formohet një këshill qendror prej tre vetësh, i cili do të merrte në duart e veta udhëheqjen e kësaj pune, e ata sipas nevojës të formojnë nënkëshilla me detyra, të cilat do t’ua caktonte këshilli kryesor, dhe në mënyrë të fshehtë t’i furnizojnë me armë dhe municion çetat në të cilat do të kishte besim se nuk do t’i keqpërdorin armët. Përgjithësisht, të udhëheqin punën në terren me qëllim që ta shohë Europa, por edhe Amerika dhe Italia, se Shqiptarët nuk do të pajtohen poqese Konferenca (e Paqes, v.j.) u imponon protektoratin Italian edhe poqese Italianët mbeten në Vlorë dhe rrethinë”.

* * *

Në Konferencën e Paqes në Paris, i kishin mprehur shigjetat e shpatat Italia, Greqia dhe Jugosllavia, për ta coptuar Shqipërinë, sipas marrëveshjes së fshehtë – Paktit të Londrës, të 26 prillit 1915, sipas të cilës Shqipërinë do ta ndanin mes vete Italia, Greqia dhe Jugosllavia. Duke parë pazaret kriminale që bëheshin në kurriz të Shqipërisë, qeveria amerikane dhe presidenti  Vudrov Vilson, kishin shkëmbyer disa nota me kryeministrat e Francës, Anglisë dhe Italisë, në të cilat ishin shprehur kundër vendimeve të Konferencës së Paqes, poqese ato bazohen në Marrëveshjen e fshehtë të Londrës. Në notën që Qeveria amerikane i kishte dërguar ministrit të jashtëm të Britanisë së Madhe, Curzon, më 6 mars 1920, sa i përket çështjes së Shqipërisë, ndër të tjera thuhet: “Çështja shqiptare nuk duhet të futet në diskutimin që propozohet midis Italisë dhe Jugosllavisë dhe Presidenti (i SHBA-ve, v.j.) duhet të deklarojë edhe njëherë se nuk do të miratojë asnjë plan që do t’i jepte Jugosllavisë një kompensim territorial në pjesën veriore të Shqipërisë, në vend të diçkaje që mund t’i shkëputet gjetiu (Jugosllavisë v.j.). […]  Politika e përcaktuar qartë dhe e pranuar nga Qeveria amerikane gjatë gjithë kohës që ajo ka marrë pjesë në vendimet e Konferencës së Paqes, ka qenë kjo: që të mos konsiderohet e lidhur me traktate të fsheta për ekzistencën e të cilave ajo nuk ka pasur dijeni më parë .[…] Kryeministri i Francës dhe Britanisë së Madhe nuk mund të presin që Qeveria e Shteteve të Bashkuara të pajtohet për zbatimin e kushteve të Traktatit të Londrës…”.

Ky qëndrim i vendosur  i Qeverisë amerikane, gjegjësisht i presidentit Vilson, e shpëtoi Shqipërinë nga kasapët e Europës dhe çakejtë e Ballkanit, të cilët donin ta copëtonin dhe gëlltitnin.

Pas pranimit të Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve (më 17 dhjetor 1920), Jugosllavia ishte ndër të parat që e njohu Shqipërinë. Por diplomati jugosllav i asaj kohe, Ivan Vukotiç, më vonë kishte deklaruar: “Ne vërtetë e kemi përkrahur formimin e Shqipërisë së pavarur në kufijtë e caktuar në vitin 1913, por me qëllim që sapo të kemi rastin e volitshëm, atë shtet ta rrëzojmë…”. Prandaj, kur kemi të bëjmë me politikën serbe, vlenë ajo thënia mitike: “Ruaju prej Danajve, edhe kur të sjellin dhurata”, sepse janë të pabesë! Serbia kurrë nuk ta jepë atë që të takon, pa marrë atë që s’i takon”. Kjo duhet të kihet parasysh gjithmonë në çfarëdo bisede e marrëveshje me Serbinë.

 

   

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA