Procesi gjyqësor ndaj ish krerëve të UÇK-së nis brenda disa muajsh
Opinionin publik shqiptar lidhur me pastërtinë e luftës së UCK-së nuk e përmbys dot asnjë konferencë trendafilash
SHJ
20/09/2022 - 20:39
Veprimtari i AAK-së Labinot Gjini njoftoi zhvillimin e një proteste nesër kundër “trëndafiles” të Gjykatës së Posaçme:
Lufta e UÇK-së ishte luftë çlirimtare, kombëtare, e drejtë dhe e pastër. Kjo është në suazat e evidencës që nuk pranon as interpretim as koment e as gjykim.
Në sajë të kësaj, formimi i Gjykatës Speciale vjen për ta gjykuar evidencën, të drejtën themelore njerëzore: Lirinë―si e drejtë universale njerëzore, nga e cila rrjedh edhe e drejta për t`u mbrojtur dhe luftuar për të. Asnjë gjykatë në botë nuk mund të gjykojë mbi këtë çështje. Dhe lidhur me këtë çështje, UÇK-ja është e pastër si loti.
Ne besojmë në Drejtësi. Edhe në atë të ndërkombëtarëve. Dhe jemi të bindur se kur nisesh të gjykosh evidencën e gjërave, evidenca bëhet ligj. Nëse Gjykata Speciale do t`i vërë vulë të madhe pastërtisë së luftës tonë çlirimtare, le ta bëjë. Por ne nuk mund të pranojmë që kjo evidencë të vihet në pyetje nga një Prokurori e korruptuar që bënë montazhe faktesh, falsifikim provash, vë në pah dëshmitarë të rrejshëm, shtyn në interpretime arbitrare.
Populli shqiptar nuk mund të pranojë cilindo devijim nga organet e kësaj Gjykate, e cila është ngritur e mandatuar mbi akuza krejtësisht të tjera dhe tani vazhdon mandatin e saj mbi diçka krejtësisht tjetër. A thua të jetë mandatuar kjo Gjykatë ekskluzivisht për ta denuar UÇK-në dhe jo për ta gjykuar evidencën e pastërtisë së saj ? Kjo është një pyetje shqetësuese për opinionin publik kombëtar e ndërkombëtar.
Duke e parë sjelljen e Prokurorisë, në njërën anë, dhe duke e parë nevojën e Gjykatës për ta matur opinionin publik shqiptar, në anën tjetër, jemi tani një shumicë e madhe për të dyshuar në karakterin e mirëfilltë juridik të kësaj ndërmarrje. Si duket interesat politike e diplomatike po e përmbysin Drejtësinë.
Nëse në peshoren e zonjës Drejtësi, përveç fakteve, provave dhe dëshmive të mirëfillta, po vleka edhe opinioni publik, atëherë, ne do ta manifestojmë opinionin tonë për luftën tonë dhe luftëtarët e saj.
Ai është i pandryshueshëm dhe i paluhatshëm. Do t`ua përkujtojmë përditë nëse është nevoja se UÇK-ja dhe Liria jonë nuk ndahen njëra prej tjetrës. Shqiptarët besojnë më shumë se kurrë në luftën e pastër të UÇK-së dhe këtë evidencë nuk ka për ta përmbysur asnjë fakt e dëshmi e rrejshme sado e sofistikuar të jetë.
Opinionin publik shqiptar lidhur me pastërtinë e luftës së UCK-së nuk e përmbys dot asnjë konferencë trendafilash. Përkundrazi, ai do të bëhet manifesti i një kombi që nuk duron që t`i gjykojnë Lirinë.
Labinot Gjini është përfaqësues i AAK-së
Procesi gjyqësor ndaj ish krerëve të UÇK-së nis brenda disa muajsh
Kryetarja e Gjykatës së Posaçme të Kosovës për krime lufte me seli në Hagë, Ekaterina Trendafilova, tha të mërkurën se procesi gjyqësor ndaj ish drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, pritet të nisë në fund të këtij viti, apo në fillim të vitit të ardhshëm.
Ata ndodhen në paraburgim në Hagë që nga nëntori i vitit 2020, nën akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Që të gjithë kanë deklaruar se janë të pafajshëm.
“Pritshmëritë e mia më të hershme janë në fund të këtij viti, ndërsa më të vonshmet në fillim të vitit tjetër, besoj se ato raste do të transferohen në gjykatë. Gjykatësi i procedurës paraprake është duke punuar pa pushim që të dorëzojë të gjitha çështjet e ndërlikuara për këtë rast, ashtu siç ka vepruar në rastet tjera”, tha zonja Trendafilova.
Ajo i bëri këto komente gjatë një debati me gazetarë dhe përfaqësues të shoqërisë civile, që ishte paraparë të zhvillohej në Gjilan, por u vendos të mbahet online për shkak të paralajmërimeve për protesta. Partia Socialdemokrate kishte paralajmëruar një protestë afër ndërtesës ku ishe planifikuar të zhvillohej ky debat.
“Kryetarja e Gjykatës Speciale Znj. Trendafilova po vjen në Kosovë për t’i bërë lustër e imazh Gjykatës Speciale. Takim të mbyllur në Gjilan, me njerëz të përzgjedhur. Nevoja për propagandë është e vërteta e kësaj Gjykate arbitrare e një etnike”, thuhej në njoftimin e kësaj partie.
Zonja Trendafilova tha se vendimi për të zhvilluar debatin online është marrë për të shmangur ndonjë situatë të pakëndshme, ndërsa theksoi se nuk përfshihet në debate politike.
“Padyshim çdokush ka të drejtën e protestës, megjithatë edhe ne kemi të drejtën të mos përfshihemi, në fakt e kemi edhe detyrim, të mos përfshihemi në asnjë debat politik, ne nuk jemi politikanë. E kam përsëritur gjithmonë dhe do të vazhdoj ta përsëris se gjykatësit e dhomave të specializuara nuk përfshihen në diskutime politike”, tha ajo.
Zonja Trendafilova theksoi edhe një herë se Gjykata e Posaçme trajton vetëm përgjegjësitë individuale.
“Gjykata merret vetëm me përgjegjësi kriminale të individëve, do ta theksoj këtë sa herë që është e nevojshme derisa të gjithë ta kuptojnë qartë se dhomat e specializuara nuk po merren me asnjë organizatë, grupim apo etni”, tha ajo.
Më herët gjatë këtij muaji, Prokurorët në Hagë kërkuan që një ish-komandant i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të dënohet me 35 vjet heqje lirie, nën pretendimet se kishte drejtuar një "dhomë torture" gjatë luftës së viteve 1998-99.
Sali Mustafa, 50 vjeçar, i ka mohuar akuzat dhe avokatët e tij thanë se dëshmitarët e prokurorisë i kanë shpikur rrëfimet e tyre. Ndërsa vendimi i gjykatës për këtë rast pritet në fillim të vitit të ardhshëm.
Gjykata e Posaçme që njihet me emrin Dhomat e Specializuara, u themelua në vitin 2015 dhe vepron në bazë të ligjeve të Kosovës, por me personel ndërkombëtar. Ideja për themelimin e saj pasoi pretendimet e ngritura në raportin e vitit 2011 të hartuar nga i dërguari i Këshillit të Evropës, Dick Martty, i cili ngriti dyshimet për përfshirjen e ish kryengritësve në vrasjen e civilëve serbë dhe kundërshtarëve politik shqiptarë.
Ngritja e gjykatës së posaçme si dhe ngritja e akuzave janë shoqëruar vazhdimisht me reagime dhe protesta ne Kosovë, ku pohohet se në këtë mënyrë po bëhet barazimi me mizoritë e kryera nga forcat serbe gjatë luftës së viteve 1998 – 1999, që mori fund me ndërhyrjen e NATO-s. Voa
Cilësia e lartë gazetareske kërkon përkushtim dhe dashuri. Ju lutem ndajeni këtë artikull me të tjerë duke përdorur vjegzën/linkun përkatëse
- 16 reads