Krijimi i bashkësisë serbe në Kosovë krijon rreziqe për Ballkanin
Në Ballkan gjithë shtetet janë më multi-etnikë se Kosova por s`kanë bashkësi të komunave etnike
Refik Hasani
03/02/2023 - 12:31
Bashkësia që shumë flitet në instancat tona e deri në Bruksel, është e dëmshme dhe paraqet një rast të rrallë në rregullimin e të drejtave për pakicat nacionale.
Nga e kaluara historike e hidhur në këtë pjesë të Evropës dhe nga reagimet e popullatës dhe të opinionit të gjërë e mbi të gjitha nga gjendja faktike e pakicës Serbe me 4 %, nuk është dashur të formohet fare Bashkësia e Komunave Serbe në Kosovë pasi në Ballkanin Perëndimor asnjë shtet nuk ka të formuar një bashkësi të Komunave që udhëhiqen nga pakicat Etnike.
Parlamenti i Republikës së Serbisë që nga viti 2009, ka miratuar një ligj e ku funksionojnë 21 Këshilla Kombëtare të pakicave, për realizimin e disa të drejtava specifike mbi ruatjen e të drejtave të tyre.
Një ndër Këshillat që tani funksionojnë për pakicat është edhe Këshilli Kombëtar i pakicës shqiptare në Serbi veçmas për Krahinën që përfshin Komunën e Medvegjës, Bujanocit dhe Preshevës. Kurse në Kosovë bëhet luftë politike dhe debat në Parlamentin e Kosovës pro e kontra lidhur me Bashkësitë e komunave me shumicë Etnike Serbe.
Pse nuk praktikohet Këshilla Nacionale për të gjitha pakicat në Kosovë e jo Bashkësi vetëm të pakicës Serbe. Serbia ka kërkuar për bashkëkombasit e vetë Bashkësi kurse për rregullimin e saj të brendshëm edhe pse është shumë më multinacional se askush jo vetëm në ish-Federatën Jugosllave por në Evropë përmes 21 Këshillave Nacionale sa numëron ka “zgjidhur çështjen e pakicave’’.
Në Republikën e Kosovës është dashur Këshilla Nacionale për të gjitha pakicat në Kosovë e jo Bashkësi vetëm të pakicës Serbe.
Dihet mirëfilli që Kosova përbëhet edhe nga pakica kushtetuese të tjera, por që nuk kanë komuna asnjë prej tyre përveç pakicës serbe edhe Komuna e Mamushës për Komunitetin Turk. Prandaj në Kosovë do të ishte më funksionale që të gjitha Komunitetet të kenë Këshilla Nacionale.
Marrim shembull Maqedonia Veriore nuk ka formur Bashkësi të Komunave shqiptare edhe pse në atë Republikë e përbëjnë afër gjysma e popullatës dhe po ashtu gjysma e Komunave Udhëhiqen nga Shqiptarët.
Pastaj Republika e Malit të Zi nuk ka të formur Bashkësi të Komunave shqiptare edhe pse në këtë Republikë ish-Jugosllave më shumë kemi shqiptarë në përqindje se ç`ka realisht pakicë serbe në Kosovë dhe sipas statistikave 35 për qind e përbëjnë serbët këtë Republikë dhe nuk gëzojnë asnjë Asociacion.
Edhe Republika e Kroacisë nuk ka të formur bashkësi të Komunave Serbe edhe pse në këtë shtet kishte përpjekje dhe kërkesa nga Serbia të formohet Krahina e Kninit në fillim kur ky shtet shpalli pavarësinë nga RSFJ-ja.
Vetëm Bosnja e Hercegovina është ndarë dhe është krejt jo funksionale në Republikën Sërpska dhe në Konfederatën Boshnjako-Kroate sipas marrëveshjes të mbajtur në Dejton (SHBA) në vitin 1995.
Shtete me të cilat kufizohet Kosova dhe shtete e tjera të Gadishullit Ballkanik dhe të Evropës lirisht mund të themi se janë më multietnike se sa është Kosova dhe nuk janë me Bashkësi të Komunave që udhëhiqen nga pakicat me 4 %.
Krijimi i saj, rrjedhimisht, do të krijonte një shembull të rrezikshëm në të drejtën ndërkombëtare.
Cilësia e lartë gazetareske kërkon përkushtim dhe dashuri. Ju lutem ndajeni këtë artikull me të tjerë duke përdorur vjegzën/linkun përkatëse
- 34 reads